Revised Common Lectionary (Complementary)
88 O Zot, Perëndi i shpëtimit tim, unë bërtas ditë e natë para teje.
2 Arriftë deri te ti lutja ime, vëri veshin britmës time,
3 sepse shpirti im është ngopur me të keqen, dhe jeta ime ka arritur deri në Sheol.
4 Tanimë përfshihem ndër ata që do të zbresin në gropë, jam si një njeri që nuk ka më forcë.
5 Jam braktisur midis të vdekurve ashtu si të vrarët që janë në varr, të cilët ti nuk i mban mend dhe që janë prerë e janë larguar nga dora jote.
6 Ti më ke shtënë në gropën më të thellë, në vënde të errëta, në humnerat.
7 Mbi mua ka shpërthyer zemërimi yt, dhe ti më ke marrë me vete megjithë valët tua. (Sela)
8 Ti më ke lënë pa miqtë e mi; më ke bërë për ta një objekt të neveritshëm; jam mbyllur dhe nuk mund të dal.
9 Syri im venitet nga dhembja; të kërkoj çdo ditë, o Zot, dhe i zgjat drejt teje duart e mia.
10 A do të bësh vallë mrekulli për të vdekurit? A do të ringjallen të vdekurit për të të lëvduar? (Sela)
11 A do të kremtohet mirësia jote në varr dhe besnikëria jote në vendin e shkatërrimit?
12 A do të njihen mrekullitë e tua në terr dhe drejtësia jote mbi tokën e harresës?
13 Por unë të këlthas ty, o Zot, dhe lutja ime të drejtohet në mëngjes.
14 Pse më refuzon, o Zot, pse më fsheh fytyrën tënde?
15 Kam qenë i pikëlluar dhe duke vdekur qysh në rini; kam vuajtur nga tmerret e tua dhe e kam humbur.
16 Mbi mua ka kaluar zemërimi yt i zjarrtë; tmerret e tua më kanë asgjesuar,
17 më kanë rrethuar si ujërat gjatë gjithë ditës dhe të gjitha së bashku më kanë mbytur.
18 Ke larguar nga unë miqtë dhe të njohurit e mi; miku im më i ngushtë është errësira.
21 Zoti i tha akoma Moisiut: "Folu priftërinjve, bijve të Aaronit, dhe u thuaj: Asnjë prift të mos ndotet për një të vdekur në mes të popullit të tij,
2 veç se po të jetë një i afërm i tij i një gjaku: nëna, ati, biri, bija, vëllai
3 dhe motra e tij ende e virgjër që jeton me të, dhe që nuk është martuar ende; për atë mund të ndotet.
4 Duke qënë një udhëheqës në mes të popullit të tij, nuk do të ndotet duke përdhosur veten e tij.
5 Priftërinjtë nuk do të bëjnë tonsurën mbi kokën e tyre, nuk do të rruajnë mjekrën e tyre dhe nuk do të bëjnë prerje mbi mishin e tyre.
6 Do të jenë të shenjtë për Perëndinë e tyre dhe nuk do të përdhosin emrin e Perëndisë së tyre, sepse i ofrojnë flijime Zotit, të përgatitura me zjarr dhe bukën Perëndisë së tyre; prandaj do të jenë të shenjtë.
7 Nuk do të marrin për grua një kurvë, as edhe një grua faqenxirë; nuk do të marrin një grua të ndarë nga burri, sepse janë të shenjtë ndaj Perëndisë së tyre.
8 Ti do ta konsiderosh priftin të shenjtë, sepse ai i ofron bukën Perëndisë tënd; ai ka për të qënë i shenjtë për ty, sepse unë, Zoti që ju shenjtëroj, jam i shenjtë.
9 Në rast se bija e një prifti humb nderin duke u bërë kurvë, ajo turpëron të atin: ajo do të digjet me zjarr.
10 Por ai që është kryeprift midis vëllezërve të tij, mbi kokën e të cilit është vënë vaji i vajosjes dhe që është shenjtëruar për të veshur rrobat e shenjta, nuk do të zbulojë kokën dhe nuk do të shqyejë rrobat.
11 Nuk do t’i afrohet asnjë kufome; nuk do të ndotet as për të atin, as për të ëmën.
12 Nuk do të dalë nga shenjtërorja dhe nuk do të përdhosë shenjtëroren e Perëndisë së tij, sepse shenjtërimi i vajosjes nga ana e Perëndisë është mbi të. Unë jam Zoti.
13 Do të marrë për grua një virgjëreshë.
14 Nuk do të marrë as grua të ve, as të ndarë nga burri, as grua faqenxirë, as kurvë; por do të marrë për grua një virgjëreshë nga populli i tij.
15 Nuk do të turpërojë trashëgimtarët e tij në mes të popullit; sepse unë jam Zoti që ju shenjtëron".
16 Le ta falënderojmë Perëndinë, që i shtiu në zemër Titit po atë kujdes për ju,
17 sepse ai jo vetëm që e pranoi këshillën tonë, por u nis për të ardhur te ju, me dëshirën e tij dhe me shumë zell.
18 Edhe bashkë me të dërguam edhe vë-llanë, lëvdimi i të cilit për predikimin e ungjillit u përhap në të gjitha kishat,
19 dhe jo vetëm kaq, por ai u zgjodh nga kishat që të jetë shoku ynë në udhëtim me këtë dhuratë që ne administrojmë për lavdinë e Zotit vetë, për të treguar gatishmërinë e zemrës suaj,
20 duke shmangur qortimin e ndonjërit në këtë dhuratë bujare që administrohet prej nesh,
21 sepse kujdesemi të veprojmë mirë jo vetëm përpara Zotit, por edhe përpara njerëzve.
22 Edhe ne dërguam bashkë me ta vëllanë tonë, të cilin e kemi vënë në sprovë shumë herë në shumë gjëra dhe doli i zellshëm, por tani është edhe më i zellshëm për shkak të besimit të madh që ka ndaj jush.
23 Sa për Titin, ai është bashkëpunëtori im dhe shok i veprës midis jush; sa për vëllezërit, ata janë apostuj të kishave, lavdi e Krishtit.
24 U tregoni atyre provën e dashurisë suaj dhe pse mburremi me ju edhe përpara kishave.