Revised Common Lectionary (Complementary)
130 Nga vënde të thella unë të këllthas ty, o Zot.
2 O Zot, dëgjo klithmën time; veshët e tu dëgjofshin me vëmendje zërin e lutjeve të mia.
3 Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?
4 Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.
5 Unë pres Zotin, shpirti im e pret; unë kam shpresë në fjalën e tij.
6 Shpirti im pret Zotin, më tepër se rojet mëngjesin; po, më tepër se rojet mëngjesin.
7 O Izrael, mbaj shpresa tek Zoti, sepse pranë tij ka dhemshuri dhe shpëtim të plotë.
8 Ai do ta çlirojë Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij.
4 Këto janë origjina e qiellit dhe e tokës kur u krijuan, ditën që Zoti Perëndi krijoi tokën dhe qiellin.
5 Nuk kishte ende mbi tokë asnjë shkurrëz në fushë dhe asnjë bar nuk kishte mbirë ende në fushë, sepse Zoti Perëndi nuk kishte hedhur asnjë shi mbi tokën dhe nuk ekzistonte njeriu për të punuar tokën.
6 Por nga toka ngjitej një avull që ujiste tërë sipërfaqen e tokës.
7 Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë.
8 Pastaj Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe vendosi në të njeriun që kishte formuar.
9 Pastaj Zoti Perëndi bëri që të mbijnë nga toka lloj-lloj pemësh të këndshme nga pamja dhe që jepnin fruta të mira për t’u ngrënë; në mes të kopshtit gjendeshin edhe pema e jetës dhe pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes.
10 Një lumë dilte nga Edeni për të ujitur kopshtin dhe ndahej në katër rrjedha uji.
11 Emri i lumit të parë është Pishon; është ai që rrethon tërë vendin e Havilahut, ku ka flori;
12 dhe floriri i këtij vendi është i mirë; aty gjenden gjithashtu bdeli dhe guri i oniksit.
13 Emri i lumit të dytë është Gihon, dhe ai rrethon tërë vendin e Kushit.
14 Emri i lumit të tretë është Tigri, dhe është ai që rrjedh në lindje të Asirisë. Lumi i katërt është Eufrati.
4 Si u mblodh një turmë e madhe dhe i erdhën njerëz nga çdo qytet, Jezusi tha në shëmbëlltyrë:
5 “Një mbjellës doli të mbjellë farën e vet; dhe, ndërsa po mbillte, një pjesë ra gjatë rrugës, u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën.
6 Një pjesë tjetër ra në gurishte dhe, sapo mbiu, u tha për mungesë vlage.
7 Një pjesë tjetër ra ndër ferra; ferrat u rritën bashkë me të dhe ia zunë frymën.
8 Kurse një pjesë ra në tokë të mirë, mbiu dhe dha fryt njëqindfish.” Si i tha këto gjëra, thirri: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!.”
9 Atëherë dishepujt e vet e pyetën çfarë kuptimi kishte ajo shëmbëlltyrë.
10 Dhe ai tha: “Juve ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së Perëndisë; por të tjerëve me anë të shëmbëlltyrave, që ata, duke shikuar të mos shohin dhe, duke dëgjuar të mos kuptojnë.
11 Ky është kuptimi i shëmbëlltyrës: fara është fjala e Perëndisë.
12 Ata përgjatë rrugës janë ata që e dëgjojnë fjalën; por pastaj vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë.
13 Ata mbi gurishte janë ata që, kur dëgjojnë, e presin fjalën me gëzim; por ata nuk kanë rrënjë, besojnë për njëfarë kohe, por në momentin e sprovës tërhiqen.
14 Pjesa që ka rënë ndër ferra janë ata që e dëgjuan fjalën; por, gjatë rrugës, ua zënë frymën shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete, dhe nuk arrijnë të piqen.
15 Por pjesa që ra në tokë të mirë janë ata që, pasi e dëgjuan fjalën, e ruajnë në zemër të ndershme dhe të mirë dhe japin fryt me qëndrueshmëri.”