Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:65-72

65 Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate.

66 Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua.

67 Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde.

68 Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua.

69 Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër.

70 Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd.

71 Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua.

72 Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.

Ligji i Përtërirë 17:2-13

Në rast se gjendet midis teje, në një nga qytetet që Zoti, Perëndia yt, po të jep, një burrë apo një grua që bën atë që është e keqe për sytë e Zotit, Perëndisë tënd, duke shkelur besëlidhjen e tij,

dhe që shkon t’u shërbej perëndive të tjera dhe bie përmbys para tyre, para diellit, hënës apo tërë ushtrisë qiellore, gjë që unë nuk të kam urdhëruar,

dhe që të është referuar dhe që ke dëgjuar të flitet për të, atëherë hetoje me kujdes; dhe në qoftë se është e vërtetë dhe e sigurtë se ky akt i neveritshëm është kryer në Izrael,

do ta çosh në portat e qytetit tënd atë burrë ose grua që ka kryer këtë veprim të keq, dhe do ta vrasësh me gurë atë burrë ose atë grua; dhe kështu ata do të vdesin

Ai që duhet të vdesë do të dënohet me vdekje me deponimin e dy apo tri dëshmitarëve, por nuk do të dënohet me vdekje askush me deponimin e një dëshmitari të vetëm.

Dora e dëshmitarëve do të jetë e para që do të ngrihet kundër tij për t’i shkaktuar vdekjen; pastaj do të ngrihet dora e të gjithë popullit; kështu do të çrrënjosësh të keqen nga gjiri yt.

Në rast se të paraqitet një rast shumë i vështirë për t’u gjykuar, midis vrasësve, midis një padie e tjetrës, midis një plagosjeje e tjetrës, grindje brenda portave të shtëpisë sate, atëherë do të çohesh dhe do të shkosh në vendin që ka zgjedhur Zoti, Perëndia yt;

dhe do të takohesh me priftërinjtë levitikë dhe me gjykatësit në funksion në atë kohë dhe do të këshillohesh me ta; atëherë ata do të shpallin vendimin e gjyqit;

10 dhe ti do t’i përmbahesh vendimit që ata të kanë treguar në vendin ku Zoti ka zgjedhur dhe do të kujdesesh të bësh të gjitha ato që të kanë mësuar.

11 Do t’i përmbahesh ligjit që të kanë mësuar dhe vendimit që të kanë deklaruar; nuk do të shmangesh nga vendimi që të kanë treguar as djathtas, as majtas.

12 Por njeriu që do të veprojë me mendjemadhësi dhe nuk do ta dëgjojë priftin që ndodhet aty për t’i shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, ose gjykatësit, ky njeri ka për të vdekur; kështu do të shkulësh të keqen nga Izraeli;

13 tërë populli do të mësojë kësisoj atë që ndodhi, do të ketë frikë dhe nuk do të veprojë me mendjemadhësi.

Romakëve 13:1-7

13 Çdo njeri le t’i nënshtrohet pushteteve të sipërm, sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia.

Prandaj ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhërit të Perëndisë; dhe ata që i kundërvihen do të marrin mbi vete dënimin.

Sepse eprorët s’ke pse t’i kesh frikë për vepra të mira, por për të këqijat; a do, pra, të mos i kesh frikë pushtetit? Bëj të mirën, dhe do të kesh lavdërim nga ai,

sepse eprori është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë; por, po të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen.

Prandaj është e nevojshme t’i nënshtroheni, jo vetëm nga druajtje e zemërimit, por edhe për arsye të ndërgjegjes.

Sepse për këtë paguani edhe tatimet, sepse ata janë shërbëtorë të Perëndisë, që i kushtohen vazhdimisht këtij shërbimi.

I jepni, pra, secilit atë që i takon: tatimin atij që i përket, druajtje atij që është për t’u druajtur, nderimin atij që është për nderim.