Revised Common Lectionary (Complementary)
131 O Zot, zemra ime nuk është mendjemadhe dhe sytë e mi nuk janë krenarë, dhe unë nuk merrem me gjëra tepër të mëdha dhe tepër të larta për mua.
2 E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënes së tij; shpirti im brenda meje është si një foshnje e zvjerdhur.
3 O Izrael, shpreso tek Zoti, tani dhe përjetë.
27 Në fillim të mbretërimit të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, kjo fjalë iu drejtua Jeremias nga Zoti:
2 "Kështu më ka thënë Zoti: Bëj lidhje dhe krijo zgjedhë dhe vari mbi qafën tënde;
3 pastaj ia dërgo mbretit Edom, mbretit të Moabit, mbretit të bijve të Amonit, mbretit të Tiros dhe mbretit të Sidonit, me anë të ambasadorëve të Sedekias, mbretit të Judës, të ardhur në Jeruzalem;
4 dhe jepu urdhër që t’u thonë kështu zotërive të tyre: "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Kështu do t’u thoni zotërive tuaj:
5 Unë kam bërë tokën, njerëzit dhe kafshët që janë mbi faqen e dheut, me fuqinë time të madhe dhe me krahun tim të shtrirë, dhe ia jap atij që më duket i mirë në sytë e mi.
6 Dhe tani tërë këto vende ia kam dhënë në dorë Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, shërbëtorit tim; atij i kam dhënë gjithashtu kafshët e fshatrave që t’i shërbejnë.
7 Kështu tërë kombet do t’i shërbejnë atij, birit të tij dhe birit të birit të tij, deri sa të vijë koha edhe për vendin e tij; atëherë shumë kombe me mbretër të fuqishëm do ta katandisin në robëri.
8 Dhe do të ndodhë që kombi ose mbretëria që nuk do të dëshirojë t’i shërbejë atij, Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe ta vërë qafën e tij nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë, atë komb unë do ta dënoj,"" thotë Zoti, "me shpatën, me urinë dhe me murtajën, deri sa t’i kem shfarosur me dorë të tij.
9 Prandaj mos dëgjoni profetët tuaj, as shortarët tuaj, as ata që shikojnë ëndrra, as magjistarët tuaj që ju thonë: "Nuk do të robëroheni nga mbreti i Babilonisë!".
10 Po, ata ju profetizojnë gënjeshtra që t’ju largojnë nga vendi juaj, që unë t’ju shpërndaj dhe ju të vdisni.
11 Por kombin që do ta vërë qafën e tij nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë dhe do t’i shërbejë atij, unë do ta lë në vendin e tij," thotë Zoti, "dhe ai do ta punojë dhe do të qëndrojë aty".
16 U fola gjithashtu priftërinjve dhe tërë këtij populli, duke thënë: Kështu thotë Zoti: Mos dëgjoni fjalët e profetëve tuaj që ju profetizojnëë duke thënë: "Ja, tani orenditë e shtëpisë të Zotit do të kthehen shpejt nga Babilonia," sepse ju profetizojnë gënjeshtrën.
17 Mos i dëgjoni ata! I shërbeni mbretit të Babilonisë dhe keni për të jetuar. Pse ky qytet duhet të katandiset në një shkretinë?
18 Në rast se janë profetë dhe fjala e Zotit është me ta, le të ndërhyjnë tani pranë Zotit të ushtrive në mënyrë që orenditë që kanë mbetur në shtëpinë e Zotit, në shtëpinë e mbretit të Judës dhe në Jeruzalem, të mos shkojnë në Babiloni".
19 Kështu thotë Zoti i ushtrive për shtyllat, detin, qerret dhe pjesën tjetër të orendive që kanë mbetur në këtë qytet,
20 të cilat Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, nuk i mori, kur internoi Jekoniahun, birin e Jehojakimit, mbretit të Judës, nga Jeruzalemi në Babiloni së bashku me tërë fisnikët e Judës dhe të Jeruzalemit;
21 po, kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, për orenditë që kanë mbetur në shtëpinë e Zotit, në shtëpinë e mbretit të Judës dhe në Jeruzalem:
22 "Do të çohen në Babiloni dhe aty do të mbeten, deri sa t’i kërkoj unë," thotë Zoti, "dhe do të bëj të dalin përsëri dhe të kthehen në këtë vend".
18 Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi,
19 meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre.
20 Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm.
21 Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua.
22 Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë,
23 dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve.
24 Prandaj Perëndia ia dorëzoi papastërtsë në epshet e zemrave të tyre, për të çnderuar trupat e tyre në mes vetë atyre,
25 që e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amen.