Revised Common Lectionary (Complementary)
81 Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde.
82 Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?".
83 Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua.
84 Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t’u vish hakut atyre që më ndjekin?
85 Mëndjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd.
86 Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë.
87 Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua.
88 Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.
8 Dhe ti, bir njeriu, dëgjo atë që të them; mos u bëj rebel si kjo shtëpi rebele; hap gojën dhe ha atë që po të jap".
9 Unë shikova, dhe ja një dorë e shtrirë drejt meje; dhe ja, në të ishte rrotulla e një libri.
10 Ai e shpalosi para meje; ishte shkruar nga brenda dhe nga jashtë dhe në të ishin shkruar vaje, rënkime dhe halle.
3 Pastaj më tha: "O bir njeriu, ha atë që gjen, ha këtë rrotull, pastaj shko dhe foli shtëpisë së Izraelit".
2 Kështu unë hapa gojën dhe ai më vuri që të ha atë rrotull.
3 Pastaj më tha: "O bir njeriu, ushqeje barkun tënd dhe mbushi zorrët e tua me këtë rrotull që po të jap". Kështu unë e hëngra dhe u bë në gojën time i ëmbël si mjaltë.
4 Më tha akoma: "O bir njeriu, nisu, shko në shtëpinë e Izraelit, u trego atyre fjalët e mia,
5 sepse nuk je dërguar te një popull me një të folur të errët dhe një gjuhë të vështirë, por në shtëpinë e Izraelit,
6 jo te shumë popuj me një të folur të errët dhe një gjuhë të vështirë, fjalët e të cilëve ti nuk i kupton. Me siguri, po të të kisha dërguar tek ata, do të të kishin dëgjuar.
7 Por shtëpia e Izraelit nuk do të dojë të të dëgjojë, sepse nuk duan të më dëgjojnë mua. Në fakt tërë shtëpia e Izraelit e ka ballin të fortë dhe zemrën kryeneçe.
8 Ja, unë e bëra fytyrën tënde të fortë kundër fytyrës së tyre dhe e bëra ballin tënd të fortë kundër ballit të tyre.
9 Unë e bëra ballin tënd si një diamant, më të fortë se stralli; mos ki frikë prej tyre, mos u tremb nga ata, sepse janë një shtëpi rebele".
10 Pastaj më tha: "Bir njeriu, prano në zemrën tënde tërë fjalët që do të të them dhe dëgjoji me veshët e tua.
11 Dhe nisu, shko te ata që janë në robëri, te bijtë e popullit tënd, folu dhe u thuaj: "Kështu thotë Zoti, Zoti," edhe sikur të të dëgjojnë ose të refuzojnë të të dëgjojnë".
16 Po e them përsëri: Askush të mos mendojë se jam i marrë; në mos, më pranoni edhe si të marrë, që edhe unë të mburrem pakëz.
17 Atë që po them në mburrjen e guximit tim, nuk po e them sipas Zotit, por në marrëzi.
18 Duke qenë se shumë vetë mburren sipas mishit, edhe unë do të mburrem.
19 Sepse ju që jeni të ditur, i duroni lehtë të marrët.
20 Sepse tashmë ju duroni, nëse dikush ju robëron, nëse dikush ju gllabëron, nëse dikush ju grabit, nëse dikush krenohet, nëse dikush ju godet në fytyrë.
21 Flas për turpin tim, sikurse ne të ishim të dobët; megjithatë në çdo gjë që dikush guxon, po flas si i marrë, marr guxim edhe unë.
22 Janë ata Hebrenj? Jam edhe unë! Janë ata Izraelitë? Jam edhe unë! janë ata pasardhës të Abrahamit? Jam edhe unë.
23 Janë ata shërbëtorë të Krishtit? Po flas si i pamend, unë jam edhe më tepër si këta; në mundime më tepër, në goditje më tepër, në burgje më tepër dhe shpesh në rrezik për vdekje.
24 Nga Judenjtë mora pesë herë nga dyzetë kamxhike pa një.
25 Tri herë më rrahën me shkopinj, një herë më qëlluan me gurë, tri herë m’u mbyt anija në det, kalova një ditë e një natë në humnerë.
26 Në udhëtime të shpeshta në rreziqe lumenjsh, në rreziqe kusarësh, në rrezik nga ana e bashkëtdhetarëve, rreziqe nga ana johebrenjve, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det, rreziqe midis vëllezërve të rremë,
27 në lodhje e në mundim, në netët pa gjumë, në uri e në etje, shpesh herë në agjërime, në të ftohtë dhe në të zhveshur.
28 Përveç këtyre gjërave të jashtme, ajo që më mundon çdo ditë është kujdesja për të gjitha kishat.
29 Kush është i dobët, që të mos jem edhe unë? Kush është skandalizuar dhe unë të mos përvëlohem?
30 Në qoftë se duhet të mburrem, unë do të mburrem me ato që kanë të bëjnë me dobësinë time.
31 Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që është i bekuar përjetë, e di se unë nuk gënjej.
32 Në Damask, qeveritari i mbretit Areta e ruante qytetin e Damaskasve për të më zënë,
33 por nga një dritare më ulën përgjatë murit me një shportë, dhe shpëtova nga duart e tij.