Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Readings for Lent and Easter

Short readings from throughout the Bible that focus on the meaning and events of Easter.
Duration: 47 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Luka 22:39-62

39 Pastaj Jezusi doli dhe shkoi si zakonisht në malin e Ullinjve, dhe edhe dishepujt e tij e ndiqnin.

40 Kur arriti në vend, u tha atyre: “Lutuni që të mos hyni në tundim.”

41 Dhe u largua prej tyre, aq sa mund të hidhet një gur, dhe ra në gjunj dhe lutej,

42 duke thënë: “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti.”

43 Atëherë iu shfaq një engjëll nga qie-lli për t’i dhënë forcë.

44 Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë.

45 Si u çua pastaj nga lutja, erdhi te dishepujt e vet dhe i gjeti që flinin nga trishtimi,

46 dhe u tha atyre: “Pse po flini? Çohuni dhe lutuni që të mos hyni në tundim.”

47 Ndërsa ai ende po fliste, ja një turmë; dhe ai që quhej Judë, një nga të dymbëdhjetët, i printe dhe iu afrua Jezusit për ta puthur.

48 Dhe Jezusi i tha: “Judë, ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?.”

49 Atëherë ata që ishin përreth tij, duke parë çfarë do të ndodhte, i thanë: “Zot, a t’u biem me shpatë?.”

50 Dhe një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë.

51 Por Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “Lëreni, mjaft kështu.” Dhe si e preku veshin e atij njeriu, e shëroi.

52 Pastaj Jezusi u tha krerëve të priftërinjve, krerëve të rojeve të tempullit dhe pleqve që kishin ardhur kundër tij: “Keni dalë kundër meje me shpata dhe me shkopinj si kundër një kusari?

53 Kur unë çdo ditë isha me ju në tempull, ju nuk vutë dorë kurrë mbi mua; por kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës.”

54 Mbasi e kapën, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Dhe Pjetri e ndiqte nga larg.

55 Kur ata ndezën një zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij, Pjetri u ul midis tyre.

56 Një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi me vëmendje dhe tha: “Edhe ky ishte me të.”

57 Por ai e mohoi duke thënë: “O grua, nuk e njoh.”

58 Pak më vonë e pa një tjetër dhe tha: “Edhe ti je nga ata.” Por Pjetri tha: “O njeri, nuk jam.”

59 Mbasi kaloi rreth një orë, një tjetër pohoi me këmbëngulje duke thënë: “Në të vërtetë edhe ky ishte bashkë me të, sepse është Galileas.”

60 Por Pjetri tha: “O njeri, s’di ç’po thua.” Dhe menjëherë, ndërsa ai ende po fliste, këndoi gjeli.

61 Dhe Zoti u kthye, dhe e shikoi Pjetrin. Dhe Pjetrit iu kujtua fjala që i kishte thënë Zoti: “Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë.”

62 Atëherë Pjetri doli përjashta dhe qau me hidhërim.