Old/New Testament
4 Por në kohët e fundit do të ndodhë që mali i shtëpisë së Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do ngrihet përmbi kodrat, dhe aty do të vijnë popujt.
2 Do të vijnë shumë kombe dhe do të thonë: "Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit dhe në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij". Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit.
3 Ai do të jetë gjyqtari midis shumë popujve dhe do të jetë arbitri midis shumë kombeve të fuqishme dhe të largëta. Me shpatat e tyre do të farkëtojnë plore dhe me ushtat e tyre drapërinj; një komb nuk do ta ngrerë më shpatën kundër tjetrit dhe nuk do të stërviten për luftë.
4 Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë më, sepse goja e Zotit të ushtrive foli.
5 Ndërsa tërë popujt ecin secili në emër të zotit të vet, ne do të ecim në emër të Zotit, Perëndisë tonë, përjetë.
6 "Atë ditë," thotë Zoti, "unë do të mbledh çalamanët, do të mbledh të dëbuarit dhe ata që kisha dëshpëruar.
7 Nga çalamanët do të bëj një mbetje dhe nga të dëbuarit një komb të fuqishëm. Kështu Zoti do të mbretërojë mbi ta në malin e Sionit, qysh atëherë e përgjithnjë.
8 Dhe ti, kullë e kopesë, kala e bijës së Sionit, ty do të vijë, pikërisht ty do të të vijë sundimi i lashtë, mbretëria e bijës së Jeruzalemit".
9 Tani, pse bërtet kaq fort? A nuk ka asnjë mbret brenda teje? Vallë ka vdekur këshilltari yt, që të kanë zënë dhembjet si një grua që po lind.
10 Perpëlitu dhe nxirre në dritë, o bijë e Sionit, si një grua që po lind, sepse tani do të dalësh nga qyteti, do të banosh në fushë dhe do të shkosh deri në Babiloni. Atje do të çlirohesh, atje Zoti do të të shpengojë nga dora e armiqve të tu.
11 Tani janë mbledhur shumë kombe kundër teje që thonë: "Le të përdhoset dhe sytë tona le të kënaqen duke shikuar Sionin".
12 Por ata nuk i dinë mendimet e Zotit, nuk e kuptojnë qëllimin e tij, sepse ai do t’i mbledhë si duaj në lëmë.
13 Çohu dhe shij, o bijë e Sionit, sepse do ta bëj bririn tënd prej hekuri dhe thonjtë e tu prej bronzi; ti do të dërmosh shumë popuj dhe unë do t’ia caktoj fitimet e tyre Zotit dhe pasuritë e tyre Zotit të të gjithë dheut.
5 Tani, bashkohu tok, o bijë e trupave. Na kanë rrethuar; me shufër godasin mbi faqe gjyqtarin e Izraelit.
2 "Por ti, o Betlem Efratah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë".
3 Prandaj ai do t’i braktisë deri në kohën në të cilën ajo që duhet të pjellë ka për të pjellur; atëherë kusuri i vëllezërve të saj do t’u kthehet bijve të Izraelit.
4 Ai do të mbetet për të kullotur kopenë e tij me pushtetin e Zotit, në madhërinë e emrit të Zotit, Perëndisë së tij. Dhe ata do të banojnë të sigurt, sepse atëherë ai do të jetë i madh deri në skajet e tokës.
5 Dhe ai vetë do të jetë paqja. Kur Asiri do të vijë në vendin tonë dhe do të shkelë në pallatet tona, ne do të nxjerrim kundër tij shtatë barinj dhe tetë princa nga njerëzit e zakonshëm.
6 Ata do të shkatërrojnë vendin e Asirisë me shpatë dhe tokën e Nimrodit në portat e saj; kështu ai do të na çlirojë nga Asiri në rast se do të vijë në vendin tonë dhe do të shkelë kufijtë tanë.
7 Kusuri i Jakobit, në mes të shumë popujve, ka për qenë si një vesë e dërguar nga Zoti, si një shi i dendur mbi barin, që nuk pret njeriun dhe nuk shpreson asgjë nga bijtë e njerëzve.
8 Kusuri i Jakobit do të jetë midis kombeve, në mes të shumë popujve, si një luan midis kafshëve të pyllit, si një luan i vogël midis kopeve të dhenve, i cili, po të jetë se kalon në mes, shkel dhe shqyen pa i dhënë mundësi askujt t’i shpëtojë.
9 Dora jote do të ngrihet kundër kundërshtarëve të tu dhe tërë armiqtë e tu do të shfarosen.
10 "Atë ditë do të ndodhë," thotë Zoti, "që unë do t’i zhduk kuajt e tu në mes teje dhe do të shkatërroj qerret e tua;
11 do të zhduk qytetet e vendit tënd dhe do të rrëzoj tërë fortesat e tua;
12 do të zhduk nga dora jote artet magjike dhe ti nuk do të kesh më shortarë;
13 do të zhduk në mes teje figurat e tua të gdhëndura dhe shtyllat e tua të shenjta, dhe ti nuk do të biesh më përmbys përpara veprës së duarve të tua.
14 Do të çrrënjos në mes teje Asherahët e tu dhe do të shkatërroj qytetet e tua.
15 Do të hakmerrem me zemërim dhe me tërbim me kombet që nuk kanë dashur të dëgjojnë".
12 Pastaj një shenjë e madhe u duk në qiell: një grua e veshur me diellin, dhe me hënën poshtë këmbëve të saj, dhe mbi krye të saj një kurorë me dymbëdhjetë yje.
2 Ishte shtatzënë e bërtiste nga dhembjet dhe mundimet e lindjes.
3 Dhe u duk një shenjë tjetër në qiell: dhe ja, një dragua i madh i kuq që kishte shtatë kokë dhe dhjetë brirë, dhe mbi kokat e tij kishte shtatë kurora.
4 Dhe bishti i tij tërhiqte pas vetes të tretën pjesë te yjeve të qiellit dhe i hodhi mbi tokë. Dhe dragoi qëndroi përpara gruas që ishte gati për të lindur, për të gllabëruar birin e saj kur ta kishte lindur.
5 Dhe ajo lindi një bir mashkull, i cili duhet të qeverisë gjithë kombet me skeptër të hekurt; dhe biri i saj u rrëmbye pranë Perëndisë dhe fronit të tij.
6 Dhe gruaja iku në shkretëtirë, ku kishte vend të përgatitur nga Perëndia, që të ushqehet atje një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.
7 Edhe u bë luftë në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; edhe dragoi dhe engjëjt e tij luftuan,
8 por nuk fituan, e nuk u gjet më për ta vend në qiell.
9 Kështu dragoi i madh, gjarpëri i lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan, që mashtron gjithë dheun, u hodh mbi tokë; me të u hodhën edhe engjëjt e tij.
10 Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell që thoshte: “Tani arriti shpëtimi, fuqia dhe mbretëria e Perëndisë tonë, dhe pushteti i Krishtit të tij; sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padiste përpara Perëndisë tonë ditë e natë.
11 Dhe ata e fituan atë me anë të gjakut të Qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre; dhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje.
12 Prandaj gëzohuni, o qiej, dhe ju që rrini në ta. Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë.”
13 Dhe, kur dragoi pa se u hodh për tokë, përndoqi gruan që lindi birin mashkull.
14 Dhe iu dhanë gruas dy krahët e shqiponjës së madhe, që të fluturojë në shkretëtirë në vendin e saj, ku të ushqehet një kohë, disa kohë dhe gjysmën e një kohe, larg pranisë së gjarprit.
15 Atëherë gjarpri qiti nga goja e tij ujë si një lumë prapa gruas, që atë ta merrte lumi,
16 dhe toka e ndihmoi gruan, dhe toka hapi gojën e vet dhe përpiu lumin që dragoi kishte nxjerrë nga goja e vet.
17 Dhe dragoi u zemërua kundër gruas dhe shkoi të bëjë luftë me të tjerët, pasardhjes së saj, të atyre që i ruajnë urdhërimet e Perëndisë dhe që kanë dëshminë e Jezu Krishtit.