Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Old/New Testament

Each day includes a passage from both the Old Testament and New Testament.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Ezekieli 47-48

47 Ai më çoi përsëri në hyrje të tempullit, dhe ja disa ujëra dilnin nga poshtë pragut të tempullit në drejtim të lindjes, sepse fasada e tempullit shikonte nga lindja; ujërat zbrisnin poshtë anës së djathtë të tempullit, në jug të altarit.

Pastaj më çoi jashtë nëpërmjet portës veriore dhe më bëri të sillem jashtë deri në portën e jashtme, që shikon nga lindja; dhe ja, ujërat buronin nga ana e djathtë.

Burri eci deri drejt lindjes me një litar të hollë në dorë dhe mati njëmijë kubitë; pastaj më bëri të kapërcej ujërat, të cilat më arrinin deri te kyçet e këmbëve.

Mati katërmijë kubitë të tjerë, pastaj më bëri të kapërcej ujërat; më arrinin te kyçet e këmbëve. Mati katërmijë kubitë të tjerë, pastaj më bëri të kaloj ujërat: më arrinin deri te ijët.

Mati njëmijë kubitë të tjerë: ishte një lumë që nuk mund ta kapërceja, sepse ujërat e tij ishin shtuar; ishin ujëra në të cilat duhet të notoja; një lumë që nuk mund të kapërcehej.

Ai më tha: "E pe, bir njeriu?". Pastaj më ktheu përsëri në bregun e lumit.

Pas kthimit tim, ja mbi bregun e lumit shumë drurë nga një anë dhe nga ana tjetër.

Pastaj më tha: "Këto ujëra drejtohen për në krahinën lindore, zbresin në Arabah dhe do të derdhen në det; me të hyrë në det, ujërat e tij do të shëndoshen.

Dhe do të ndodhë që çdo qenie e gjallë që lëviz do të jetojë, kudo që arrin lumi; do të ketë bollëk të madh peshqish, sepse vijnë këto ujëra dhe shëndoshin ujërat e tjera; kudo që arrin lumi gjithçka ka për t’u gjallëruar.

10 Dhe do të ndodhë që në brigjet e tij do të ketë peshkatarë; nga En-gedi deri në Englegaim do të jetë një vend ku do të shtrihen rrjetat; peshku i tij do të jetë i po atij lloji dhe në sasi të madhe, si peshku i Detit të Madh.

11 Por kënetat tij dhe moçalet e tij nuk do të shëndoshen; do të lihen për të nxjerrë kripë.

12 Gjatë lumit, mbi të dyja brigjet e tij, do të rritet çdo lloj druri që jep fryte, fletët e tyre nuk do të fishken dhe frytet e tij nuk do të mungojnë kurrë. Do të mbajnë fryte çdo muaj, sepse ujërat e tyre dalin nga shenjtërorja, fryti i tyre do të shërbejë për ushqim dhe fletët e tyre për mjekim".

13 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Këta janë kufijtë në bazë të të cilëve ju do ta ndani vendin në trashëgimi midis dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Jozefit do t’i takojnë dy pjesë.

14 Secili prej jush do të trashëgojë një pjesë të barabartë me atë të vëllait të tij, sepse unë e ngrita dorën si betim për t’ua dhënë etërve tuaj. Ky vend do t’ju përkasë si trashëgimi.

15 Këta do të jenë kufijtë e vendit nga ana e veriut: nga Deti i Madh në drejtim të Hethlonit deri sa të arrijnë në Tsedad,

16 Hamathi, Berothahi, Sibraimi (që është midis kufirit të Damaskut dhe kufirit të Hamathit), Hatserhatikoni (që është në kufi me Hauranin).

17 Kështu kufiri do të jetë nga deti deri në Hatsarenon, në kufijtë e Damaskut, me kufirin e Hamathit në veri. Kjo është ana veriore.

18 Nga ana lindore do të shtriheni midis Hauranit dhe Damaskut, midis Galaadit dhe vendit të Izraelit, gjatë Jordanit dhe gjatë bregut lindor të detit. Kjo është ana lindore.

19 Ana jugore, në drejtim të jugut, do të shtrihet nga Tamari deri në ujërat e Meribothit të Kadeshit, pastaj gjatë përroit të Egjiptit deri në Detin e Madh. Kjo është ana jugore, në jug.

20 Ana perëndimore do të jetë Deti i Madh, nga kufiri i jugut deri përpara hyrjes së Hamathit. Kjo është ana perëndimore.

21 Do ta ndani kështu këtë vend midis jush, në bazë të fiseve të Izraelit.

22 Do ta ndani me short në trashëgimi midis jush dhe të huajve që banojnë midis jush dhe që u kanë lindur bij në mes tuaj. Këta do të jenë për ju si ata që kanë lindur në vend midis bijve të Izraelit; do të kenë edhe ata me short një trashëgimi në mes të fiseve të Izraelit.

23 Në fisin ku i huaji banon, atje do t’i jepni pjesën e tij," thotë Zoti, Zoti.

48 Këto janë emrat e fiseve: nga kufiri verior, gjatë rrugës së Hethlonit, në hyrje të Hamathit deri në Hatsar-Enon, në kufi me Damaskun në veri drejt Hamathit, nga krahu lindor deri në krahun perëndimor: një pjesë për Danin.

Në kufirin e Danit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Asherin;

Në kufirin e Asherit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Neftalin.

Në kufirin e Asherit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Manasin.

Në kufirin e Manasit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Efraimin.

Në kufirin e Efraimit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Rubenin.

Në kufirin e Rubenit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Judën.

Në kufirin e Judës, nga kufiri lindor deri në kufirin perëndimor, do të jetë pjesa e vendit që do ta ofroni si dhuratë, e gjerë njëzet e pesëmijë kubitë dhe e gjatë sa pjesët e tjera, nga kufiri lindor deri në kufirin perëndimor; në mes të saj do të jetë shenjtërorja.

Pjesa që do t’i ofroni si dhuratë Zotit do të ketë një gjatësi prej njëzet e pesëmijë kubitë dhe një gjerësi prej dhjetëmijë kubitë.

10 Kjo pjesë e shenjtë do t’u përkasë priftërinjve; njëzet e pesëmijë kubitë gjatësi në veri, dhjetëmijë gjerësi në perëndim, dhjetëmijë gjerësi në lindje dhe njëzet e pesëmijë gjatësi në jug; në mes të saj do të jetë shenjtërorja e Zotit.

11 Ajo do t’u përkasë priftërinjve të shenjtëruar, ndër bijtë e Tsadokut, që më kanë shërbyer dhe që nuk devijuan kur devijuan bijtë e Izraelit, dhe ashtu si devijuan përkundrazi Levitët.

12 Pjesa që do t’u ofrohet atyre do të merret nga pjesa e ofruar dhuratë e vendit, një gjë shumë e shenjtë, pranë territorit të Levitëve.

13 Përballë territorit të priftërinjve, Levitët do të kenë një sipërfaqe prej njëzet e pesëmijë kubitë gjatësi dhe dhjetëmijë gjerësi; tërë gjatësia do të jetë njëzet e pesëmijë kubitë dhe gjerësia dhjetëmijë.

14 Ata nuk do të mund as ta shesin as ta këmbejnë; nuk do të mund ta shkëputin pjesën më të mirë të vendit, sepse është e shenjtë për Zotin.

15 Pesëmijë kubitët e gjerësisë që do të mbeten përballë njëzet e pesë mijëve, do të caktohen për përdorim profan për qytetin, për banesa dhe për toka për kullotë; qyteti do të jetë në mes.

16 Përmasat e tij do të jenë këto: ana veriore do të jetë katërmijë e pesëqind kubitë, ana jugore katërmijë e pesëqind, ana lindore katërmijë e pesëqind, ana perëndimore katërmijë e pesëqind.

17 Tokat për kullotë të qytetit do të jenë: dyqind e pesëdhjetë kubitë në veri, dyqind e pesëdhjetë në jug, dyqind e pesëdhjetë në lindje dhe dyqind e pesëdhjetë në perëndim.

18 Kusuri i gjatësisë, gjatë pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë, do të jetë dhjetëmijë kubitë në lindje dhe dhjetëmijë në perëndim; ajo do të jetë pranë pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë, dhe prodhimet e saj do të shërbejnë si ushqim për punonjësit e qytetit.

19 Punonjësit e qytetit, që do ta punojnë, do të vijnë nga të gjitha fiset e Izraelit.

20 Gjithë pjesa e ofruar si dhuratë do të jetë njëzet e pesëmijë kubitë për njëzet e pesëmijë, një katror i përsosur. Ju do të ofroni, si zotërim të qytetit, pjesën e shenjtë të ofruar si dhuratë.

21 Kusuri do të jetë i princit; nga njëra anë dhe nga ana tjetër e pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë dhe të zotërimit të qytetit, ballë njëzet e pesëmijë kubitëve të pjesës së ofruar si dhuratë deri në kufirin lindor, dhe në perëndim ballë njëzet e pesëmijë kubitëve në drejtim të kufirit perëndimor përbri pjesëve të fiseve; kjo do të jetë e princit; pjesa e shenjtë e ofruar si dhuratë dhe shenjtërorja do të jenë në mes.

22 Kështu, duke përjashtuar zotërimin e Levitëve dhe zotërimin e qytetit që gjenden në mes të asaj që i përket princit, sipërfaqja midis kufirit të Judës dhe kufirit të Beniaminit do t’i përkasë princit.

23 Për kusurin e fiseve, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Beniaminin.

24 Në kufirin e Beniaminit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Simeonin.

25 Në kufirin e Simeonit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Isakarin.

26 Në kufirin e Isakarit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Zabulonin.

27 Në kufirin e Zabulonit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Gadin.

28 Në kufirin e Gadit, nga ana jugore në drejtim të jugut, kufiri do të shkojë nga Tamari në ujërat e Meribahut afër Kadeshit, dhe pastaj gjatë Detit të Madh.

29 Ky është vendi që do t’u ndani me short në trashëgimi fiseve të Izraelit, dhe këto janë pjesët," thotë Zoti, Zoti.

30 "Këto janë daljet e qytetit: nga ana veriore do të maten katërmijë e pesëqind kubitë.

31 Portat e qytetit do të mbajnë emrat e fiseve të Izraelit; në veri do të ketë tri porta: një portë për Rubenin, një portë për Judën dhe një portë për Levin.

32 Nga ana lindore, katërmijë e pesëqind kubitë dhe tri porta: një portë për Jozefin, një portë për Beniaminin dhe një portë për Danin.

33 Nga ana jugore, katërmijë e pesëqind kubitë dhe tri porta: një portë për Simeonin, një portë për Isakarin dhe një portë për Zabulonin.

34 Nga ana perëndimore, katërmijë e pesëqind kubitë dhe tri porta: një portë për Gadin, një portë për Asherin dhe një portë për Neftalin.

35 Gjithë perimetri do të jetë tetëmbëdhjetëmijë kubitë. Prej kësaj ditë emri i qytetit do të jetë: "Zoti është atje"".

1 Gjonit 3

Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë.

Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai.

Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai.

Kush bën mëkat, bën edhe shkelje të ligjit; dhe mëkati është shkelje e ligjit.

Dhe ju e dini se ai u shfaq për të hequr mëkatet tona; dhe në të nuk ka mëkat.

Kush qëndron në të nuk mëkaton; kush mëkaton nuk e ka parë dhe as nuk e ka njohur.

Djema, kurrkush mos ju mashtroftë: ai që zbaton drejtësinë është i drejtë, ashtu sikur është i drejtë ai.

Kush kryen mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkaton nga fillimi; prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit.

Kush lindi nga Perëndia nuk kryen mëkat, sepse fara e Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë sepse lindi nga Perëndia.

10 Prej kësaj njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit; kushdo që nuk praktikon drejtësinë nuk është nga Perëndia, dhe i tillë nuk është as ai që nuk do vëllanë e vet.

11 Sepse ky është mesazhi që dëgjuat nga fillimi. Ta duam njeri-tjetrin,

12 jo sikundër Kaini, i cili ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe për çfarë arësye e vrau atë? Sepse veprat e tij ishin të liga dhe ato të të vëllait ishin të drejta.

13 Mos u çuditni, vëllezër të mi, nëse bota ju urren.

14 Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit; kush nuk e do vëllanë e vet, mbetet në vdekje.

15 Kushdo që urren vëllanë e vet është vrasës; dhe ju e dini se asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme të qëndrueshme në vete.

16 Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne; dhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit.

17 Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë?

18 Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë.

19 Dhe nga kjo ne dimë se jemi në të vërtetën dhe do t’i bindim zemrat tona para atij;

20 sepse, po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë.

21 Shumë të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë;

22 dhe ç’të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyera prej tij.

23 Dhe ky është urdhërimi i tij që besojmë në emrin e Birit të tij Jezu Krisht dhe ta duam njeri-tjetrin si na urdhëroi ai.

24 Ai që zbaton urdhërimet e tij qëndron në Perëndinë, dhe Ai në të; dhe prej kësaj ne dijmë se ai qëndron në ne: nga Fryma që ai na dha.