Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Old/New Testament

Each day includes a passage from both the Old Testament and New Testament.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Jeremia 50

50 Fjala që Zoti shqiptoi kundër Babilonisë dhe kundër vendit të Kaldeasve me anë të profetit Jeremia:

"Shpalleni midis kombeve, shpalleni dhe ngrini një flamur; shpalleni dhe mos e fshihni. Thoni: "Babilonia, u pushtua, Beli është mbuluar me turp, Meradoku është thyer, shëmbëlltyrat e tij janë mbuluar me turp, idhujt e tij janë copëtuar".

Sepse nga veriu kundër tij po ngrihet një komb që do ta katandisë vendin në një shkretëtirë dhe askush nuk do të banojë në të; njerëzit dhe kafshët do t’ia mbathin, do të ikin.

Në ato ditë dhe në atë kohë," thotë Zoti, "bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës do të vijnë bashkë; do të ecin duke qarë dhe do të kërkojnë Zotin, Perëndinë e tyre.

Do të pyesin për rrugën e Sionit, drejt të cilit do të kthejnë fytyrat e tyre, duke thënë: "Ejani, të bashkohemi me Zotin, me një besëlidhje të përjetshme, që të mos harrohet më".

Populli im ka qënë një kope dhensh të humbura; barinjtë e tyre i kishin bërë të marrin kot, të humbin nëpër male. Kanë shkuar nga mali në kodër dhe kanë harruar vendin ku ata pushojnë.

Të gjithë ata që i gjenin, i hanin, dhe armiqtë e tyre thonin: "Nuk jemi fajtorë, sepse kanë mëkatuar kundër Zotit, seli e drejtësisë, Zoti, shpresa e etërve të tyre".

Ikni nga mesi i Babilonisë, dilni nga vendi i Kaldeasve dhe bëhuni si cjeptë në ballë të kopesë.

Sepse ja, unë i nxit dhe bëj që të dalin kundër Babilonisë një shumicë e madhe kombesh nga vendet e veriut, dhe do të radhiten kundër saj; kështu ajo do të pushtohet. Shigjetat e tyre janë si ato të një shigjetari të shkathët; asnjë nuk shkon bosh.

10 Kaldea do t’i lihet plaçkitjes; tërë plaçkitësit e saj do të ngopen," thotë Zoti.

11 "Gëzohuni dhe kënaquni, o plaçkitës të trashëgimisë sime, sepse jeni majmur si një mëshqerrë që shin grurin dhe hingëlloni si kuajt e fuqishëm të luftës.

12 Nëna juaj do të turpërohet me të madhe, ajo që ju ka lindur do të skuqet. Ja, ajo do të jetë kombi i fundit, një shkreti, një tokë shterpë, një vetmi.

13 Për shkak të zemërimit të Zotit nuk do të banohet më aty, do të jetë një shkreti e plotë; kushdo që do të kalojë pranë Babilonisë do të mbetet i habitur dhe do të fërshëllejë për të gjitha plagët e saj.

14 Radhituni rreth Babilonisë, o ju të gjithë harkëtarët. Gjuani kundër saj, mos kurseni asnjë shigjetë, sepse ka mëkatuar kundër Zotit.

15 Lëshoni klithma lufte kundër saj rreth e përqark; ajo është dorëzuar, themelet e saj kanë rënë, muret e saj janë shembur, sepse kjo është hakmarrja e Zotit. Hakmerruni me të. Bëjini asaj atë që ajo u ka bërë të tjerëve.

16 Shfarosni nga Babilonia atë që mbjell dhe zë draprin në kohën e korrjes. Nga frika e shpatës së shtypësit secili do të kthehet te populli i tij, secili do të turret në vendin e tij.

17 Izraeli është një dele e humbur, të cilën e ndoqën luanët; i pari që e gllabëroi ishte mbreti i Asirisë, pastaj ky i fundit, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, që ia ka thyer kockat".

18 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraleit: "Ja, unë do dënoj mbretin e Babilonisë dhe vendin e tij, ashtu si dënova mbretin e Asirisë.

19 Por do ta çoj përsëri Izraelin në kullotën e tij, do të kullotë në Karmel dhe në Bashan dhe shpirti i i tij do të ngopet në kodrinat e Efraimit dhe në Galaad.

20 Në ato ditë, në atë kohë," thotë Zoti, "do të kërkohet paudhësia e Izraelit, por nuk do të ketë fare, dhe mëkatet e Judës nuk do të gjenden; sepse unë do t’i fal ata që do të lë të gjallë.

21 Dil kundër vendit të Merathaimit dhe kundër banorëve të Pekodit. Shkatërro dhe vendos shfarosjen e tyre," thotë Zoti, "dhe bëj pikërisht ashtu si të kam urdhëruar!

22 Në vend ka zhurmë lufte dhe shkatërrimi është i madh.

23 Pse është bërë copë dhe është shkatërruar çekiçi i tërë tokës? Pse Babilonia është bërë një shkreti midis kombeve?

24 Të kam ngritur një lak dhe ti je zënë prej tij, o Babiloni, pa e kuptuar fare. U gjete dhe u pushtove, sepse ke bërë luftë kundër Zotit.

25 Zoti hapi arsenalin e tij dhe nxori jashtë armët e indinjatës së tij, sepse kjo është një vepër që Zoti, Zoti i ushtrive, duhet ta kryejë në vendin e Kaldeasve.

26 Ejani kundër saj nga skajet më të largëta, hapni hambarët e saj, bëjini një grumbull gërmadhash dhe vendosni shfarosjen e saj, që të mos mbetet asgjë.

27 Vritni të gjithë demat e saj, le të zbresin në kasaphanë. Mjerë ata, sepse erdhi dita e tyre, dita e ndëshkimit të tyre.

28 Dëgjohet zëri i atyre që ikin dhe shpëtojnë nga vendi i Babilonisë për të lajmëruar në Sion hakmarrjen e Zotit, Perëndisë tonë, hakmarrjen e tempullit të tij.

29 Mblidhni kundër Babilonisë tërë harkëtarët, tërë ata që nderin harkun. Fushoni rreth e qark kundër asaj, asnjë të mos ju shpëtojë. Shpërbleheni sipas veprave të saj, i bëni asaj pikërisht atë që ajo u ka bërë të tjerëve, sepse ka qënë arrogante kundër Zotit, kundër të Shenjtit të Izraelit.

30 Prandaj të rinjtë e saj do të bien në sheshet e saj dhe tërë luftëtarët e saj do të vdesin atë ditë," thotë Zoti.

31 "Ja ku jam kundër teje, o arrogante," thotë Zoti i ushtrive, "sepse erdhi dita jote, koha në të cilën unë do të të ndëshkoj.

32 Arrogantja do të tronditet dhe do të rrëzohet, dhe askush nuk do ta ngrerë. Unë do t’u vë zjarrin qyteteve të saj dhe ai do të përpijë gjithçka që e rrethon".

33 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Bijtë e Izraelit ishin të shtypur bashkë me bijtë e Judës. Tërë ata që i kanë çuar në robëri i kanë mbajtur me forcë dhe nuk kanë pranuar t’i lënë të ikin.

34 Shpëtimtari i tyre është i fortë; emri i tij është Zoti i ushtrive. Ai me siguri do të mbrojë çështjen e tyre, për t’i dhënë prehje dheut dhe për t’i bërë të drithërohen banorët e Babilonisë.

35 Një shpatë kërcënon Kaldeasit," thotë Zoti, "banorët e Babilonisë, princat e tij, të diturit e saj.

36 Një shpatë kërcënon gënjeshtarët mburravecë, që do të rezultojnë pa mend; një shpatë kërcënon trimat e saj, që do të tmerrohen.

37 Një shpatë kërcënon kuajt e saj, qerret e saj dhe mbi lëmshin e njerëzve që është në mes të saj, e cila do të bëhet si shumë gra; një shpatë kërcënon thesaret e saj, që do të plaçkiten.

38 Thatësira kërcënon ujërat e saj, që do të thahen, sepse është nje vend figurash të gdhendura dhe ata luajnë mendsh për idhujt e tyre.

39 Prandaj do të banojnë aty kafshët e shkretëtirës me çakejtë dhe do të vendosen aty strucat. Nuk do të banohet kurrë më, as do të popullohet brez pas brezi.

40 Ashtu si Perëndia shkatërroi Sodomën, Gomorrën dhe qytetet afër tyre," thotë Zoti, "kështu nuk do të banojë më aty askush dhe nuk do të qëndrojë më aty asnjë bir njeriu.

41 Ja, një popull vjen nga veriu; një komb i madh dhe shumë mbretër kanë dalë nga skajet e tokës.

42 Ata mbajnë në dorë harkun dhe shtizën; janë të egër dhe nuk kanë fare mëshirë; zëri i tyre do të gjëmojë si deti. U hipin kuajve, janë gati të luftojnë si një njeri i vetëm kundër teje, o bijë e Babilonisë.

43 Mbreti i Babilonisë ka dëgjuar të flitet për ta dhe duart e tij dobësohen; e ka zënë ankthi, dhembjet si një grua që po lind.

44 Ja, po del si një luan nga vërshimi i Jordanit kundër banesës së fortë. Por unë do të bëj që të ikin befas prej saj dhe do të vendos mbi të atë që kam zgjedhur. Kush është, pra, si unë dhe kush mund të më paditë në gjyq? Kush është, pra, ai bari që mund të më bëjë ballë?

45 Prandaj dëgjoni planin që Zoti ka menduar kundër Babilonisë dhe vendimet që ka marrë kundër vendit të Kaldeasve. Me siguri do të tërhiqen edhe më të vegjlit e kopesë, me siguri banesa e tyre do të shkatërrohet.

46 Në zhurmën e pushtimit të Babilonisë toka do të dridhet dhe ulërima e tyre do të dëgjohet midis kombeve".

Hebrenjve 8

Dhe pika kryesore e atyre gjërave që po themi është kjo: ne kemi një kryeprift të tillë, i cili qëndron në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiejt,

shërbenjës i shenjtërores dhe të tabernakullit të vërtetë, të cilin e ngriti Perëndia e jo njeriu.

Sepse çdo kryeprift vihet për të ofruar dhurata dhe flijime, prandaj është e nevojshme që edhe ky të ketë diçka që të kushtojë.

Po të ishte Ai mbi dhe, nuk do të ishte as prift, sepse ka priftërinj të cilët ofrojnë dhuratat sipas ligjit,

që shërbejnë sipas shëmbullit dhe hijes së gjërave qiellore, ashtu si i qe folur Moisiut, kur po gatitej të ndërtonte tabernakullin: “Shiko,” tha Ai, “t’i bësh të gji-tha sipas modelit që të qe treguar në mal.”

Po tani Krishti mori një shërbesë edhe më të shquar, sepse është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, që bazohet mbi premtime më të mira,

sepse, në qoftë se Besëlidhja e parë do të qe e patëmetë, nuk do të qe nevoja të kërkohej vend për një tjetër.

Sepse Perëndia, duke i qortuar, thotë: “Ja po vijnë ditët kur do të bëj një Besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës,

jo si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, ditën që i mora për dore për t’i nxjerrë jashtë nga toka e Egjiptit, sepse ata nuk qëndruan besnikë në Besëlidhjen time, dhe unë i braktisa, thotë Zoti.

10 Dhe kjo është besëlidhja që unë do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti: unë do t’i shtie ligjet e mia në mendjet e tyre dhe do t’i shkruaj në zemrat e tyre, dhe do të jem Perëndia e tyre dhe ata do të jenë populli im.

11 Dhe askush nuk do të mësojë më të afërmin e tij, askush vëllanë e vet, duke thënë: "Njih Perëndinë!". Sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri tek më i madhi prej tyre,

12 sepse unë do të jem i mëshirshëm për paudhësitë e tyre dhe nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre dhe keqbërjet e tyre.”

13 Duke thënë "një besëlidhje e re," ai e vjetëroi të parën; edhe ajo që vjetrohet dhe plaket është afër prishjes.