Read the New Testament in 24 Weeks
1 Pali, apostulli i Jezu Krishtit, me urdhër të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe të Zotit Jezu Krisht, shpresës sonë,
2 Timoteut, birit të vërtetë në besim: hir, mëshirë dhe paqe prej Perëndisë Atit tonë dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.
3 Ashtu si të nxita kur u nisa për në Maqedoni, qëndro në Efes për t’u urdhëruar disave të mos mësojnë doktrina të tjera,
4 dhe të mos merren me përralla dhe me gjenealogji që s’kanë të sosur, të cilat shkaktojnë përçarje më tepër sesa vepra e Perëndisë, që mbështetet në besim.
5 Qëllimi i këtij urdhërimi është dashuria, prej një zemre të pastër, prej një ndërgjegjeje të pastër dhe prej një besimi jo të shtirur.
6 Disa, duke u shmangur nga këto gjëra, u kthyen në biseda të kota dhe,
7 duke dashur të jenë mësues të ligjit, nuk kuptojnë as ato që thonë, as ato që pohojnë.
8 Dhe ne e dimë se ligji është i mirë, në qoftë se njeriu e përdor si duhet;
9 duke ditur këtë, që ligji nuk është vënë për të drejtin, po për të pabesët dhe të rebelët, për të ligët dhe mëkatarët, për të pamëshirshmit dhe të ndyrët, për ata që vrasin babë e nënë, për vrasësit,
10 për kurvarët, për homoseksualët, për grabitësit, për rremët, për ata që shkelin betimin, për çdo gjë tjetër që bie në kundërshtim me doktrinën e shëndoshë,
11 sipas ungjillit të lavdisë të të lumit Perëndi, që më është besuar.
12 Dhe e falënderoj Krishtin Zotin tonë, që më bën të fortë, sepse më çmoi të denjë për t’u besuar, duke më vënë në shërbimin e tij,
13 që më parë isha blasfemues, përndjekës dhe i dhunshëm; por m’u dha mëshira, sepse i bëra nga padija, në mosbesimin tim;
14 kështu hiri i Zotit tonë teproi pa masë me besimin dhe dashurinë, që është në Jezu Krishtin.
15 Kjo fjalë është e sigurt e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari.
16 Por prandaj u mëshirova, që Jezu Krishti të tregojë më përpara në mua gjithë zemërgjerësinë, për të qenë shembull për ata që do të besojnë në të për jetë të përjetshme.
17 Dhe Mbretit të amshuar, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi të ditur, i qoftë nder e lavdi në shekuj të shekujve. Amen.
18 Po ta besoj këtë detyrë, o Timote bir, sipas profecive që u bënë më parë për ty, që sipas tyre të bësh luftimin e mirë,
19 duke pasur besim dhe ndërgjegje të mirë, sepse disa, duke e hedhur poshtë, u bënë lundërthyerje në besim.
20 Ndër këta janë Imeneu dhe Aleksandri, të cilët unë i dorëzova në duart e Satanit që të mësojnë të mos blasfemojnë.
2 Të bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit,
2 për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet, që të mund të shkojmë një jetë të qetë dhe të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder.
3 Sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë, Shpëtimtarit tonë,
4 i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës.
5 Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri,
6 i cili e dha veten si çmim për të gjithë, për dëshmim në kohën e caktuar,
7 për të cilin unë u vura predikues dhe apostull (them të vërtetën në Krisht, nuk gënjej), mësues i johebrenjve në besim dhe në të vërtetë.
8 Dua, pra, që burrat të luten në çdo vend, duke ngritur duar të pastra, pa mëri dhe pa grindje.
9 Në mënyrë të njëjtë dua që edhe gratë, të vishen hijshëm, me cipë dhe modesti dhe jo me gërsheta a me ar, a me margaritarë, a me rroba të shtrenjta,
10 po me vepra të mira, si u ka hije grave që i kushtohen perëndishmëri.
11 Gruaja le të mësojë në heshtje dhe me çdo nënshtrim.
12 Nuk e lejoj gruan që të mësojë, as të përdori pushtet mbi burrin, por të rrijë në heshtje.
13 Në fakt së pari u formua Adami dhe më pas Eva.
14 Dhe nuk u gënjye Adami, por gruaja u gënjye dhe ra në shkelje.
15 Megjithatë ajo do të shpëtohet duke lindur fëmijë, në qoftë se do të qëndrojnë në besim, në dashuri dhe në shenjtërim me modesti.