Read the New Testament in 24 Weeks
4 Sa për të tjerat, pra, vëllezër, ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje në Zotin Jezus që, sikundër morët prej nesh se si duhet të ecni për t’i pëlqyer Perëndisë, kështu të teproni edhe më shumë.
2 Sepse ju e dini se ç’urdhërime ju lamë nga ana e Zotit Jezus.
3 Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj; të hiqni dorë nga kurvëria;
4 që secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder,
5 jo me pasione epshi, si johebre që nuk e njohin Perëndinë,
6 dhe që askush të mos mashtrojë ose t’ia hedhë në punë vëllait të vet, sepse Perëndia është hakmarrësi për të gjitha këto gjëra, sikurse edhe ju thamë më parë dhe e dëshmuam.
7 Sepse Perëndia nuk na thirri në ndyrësi, por në shenjtërim.
8 Prandaj ai që i përbuz këto gjëra, nuk përbuz një njeri, por Perëndinë që ju dha edhe Frymën e tij të Shenjtë.
9 Sa për dashurinë vëllazërore, nuk keni nevojë që t’ju shkruaj, sepse ju vetë jeni të mësuar nga Perëndia që të doni njeri tjetrin.
10 Sepse ju e bëni këtë ndaj gjithë vëllezërve që janë në gjithë Maqedoninë; por ne ju bëjmë thirrje, vëllezër, që në këtë të shtohemi edhe më shumë.
11 dhe të përpiqeni me kujdes të jetoni në paqe, të merreni me gjërat tuaja dhe të punoni me duart tuaja, ashtu si ju kemi urdhëruar,
12 që të silleni me nder ndaj atyre që janë jashtë dhe të mos keni nevojë për asgjë.
13 Tashmë, vëllezër, nuk duam që të jeni në mosdije përsa u përket atyre që flenë, që të mos trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë.
14 Sepse, po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, besojmë gjithashtu që Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur.
15 Dhe këtë po jua themi me fjalën e Zotit: ne të gjallët, që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi përpara atyre që kanë fjetur,
16 sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët;
17 pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin.
18 Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë.
5 Sa për kohët dhe për stinët, vëllezër, nuk keni nevojë që t’ju shkruaj,
2 sepse ju vetë e dini shumë mirë se dita e Zotit do të vijë, si një vjedhës natën.
3 Sepse, kur thonë: "Paqe dhe siguri," atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë.
4 Por ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t’ju zërë në befasi si një vjedhës.
5 Të gjithë ju jeni bij të dritës dhe bij të ditës; ne nuk jemi të natës, as të territ.
6 Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të esëll.
7 Sepse ata që flejnë, flejnë natën, dhe ata që dehen, dehen natën.
8 Kurse ne, mbasi jemi të ditës, jemi të esëll, duke veshur parzmoren e besimit dhe të dashurisë, dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit.
9 Sepse Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht,
10 i cili vdiq për ne kështu që, qofshim zgjuar qofshim fjetur, jetojmë bashkë me të.
11 Prandaj ngushëlloni njeri tjetrin dhe ndërtoni njeri tjetrin ashtu sikur edhe bëni.
12 Tashmë, vëllezër, ju lutemi të keni respekt për ata që mundohen midis jush, që janë në krye ndër ju në Zotin dhe që ju qortojnë,
13 edhe t’i vlerësoni shumë në dashuri për veprën e tyre. Jetoni në paqe midis jush.
14 Tani, vëllezër, ju bëjmë thirrje t’i qortoni të parregulltit, të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë.
15 Vështroni se mos dikush t’ia kthejë dikujt të keqen me të keqen; po kërkoni gjithmonë të mirën edhe te njeri tjetri edhe te të gjithë.
16 Jini gjithmonë të gëzuar.
17 Lutuni pa pushim.
18 Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.
19 Mos e shuani Frymën.
20 Mos i përbuzni profecitë.
21 Provoni të gjitha, mbani të mirën.
22 Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë.
23 Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht.
24 Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.
25 Vëllezër, lutuni për ne.
26 Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë.
27 Ju përbetoj për Zotin që kjo letër t’u lexohet gjithë vëllezërve të shenjtë.
28 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju. Amen.