Read the New Testament in 24 Weeks
16 “Jua kam thënë këto gjëra, që të mos skandalizoheni.
2 Do t’ju përjashtojnë nga sinagogat; madje po vjen ora kur, kushdo që t’ju vrasë, do të mendojë se i ka kryer një shërbim Perëndisë.
3 Dhe do t’ju bëjnë këto gjëra, sepse nuk kanë njohur as Atin, as mua.
4 Por unë jua kam thënë këto gjëra që, kur të vijë momenti, të kujtoheni se unë jua kisha thënë; por nga fillimi këto fjalë nuk jua pata thënë, sepse isha me ju.
5 Por tani unë po shkoj tek ai që më ka dërguar, dhe askush nga ju s’po më pyet: "Ku po shkon?".
6 Madje, për shkak se ju thashë këto gjëra, trishtimi e ka mbushur zemrën tuaj.
7 Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t’jua dërgoj.
8 Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim.
9 Për mëkat, sepse nuk besojnë në mua;
10 për drejtësi, sepse unë po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më;
11 për gjykim, sepse princi i kësaj bote është gjykuar.
12 Kam edhe shumë gjëra të tjera për t’ju thënë, por ato ende ju nuk mund t’i mbani.
13 Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t’ju kumtojë gjërat që do vijnë.
14 Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t’jua kumtojë.
15 Të gjitha gjërat që ka Ati janë të miat; për këtë ju thashë se ai do të marrë prej simes dhe do t’jua kumtojë.
16 Pas pak nuk do të më shihni më; e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni, sepse unë po shkoj tek Ati.”
17 Atëherë disa nga dishepujt e tij thoshnin midis tyre: “Ç’është kjo që po na thotë: "Pas pak nuk do të më shihni më," dhe: "e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni" dhe: "Sepse unë po shkoj te Ati"?.”
18 Thoshnin pra: “Ç’është kjo "Pas pak," për të cilën flet? Ne s’dimë ç’don të thotë.”
19 Jezusi, pra, e kuptoi se ata donin ta pyesnin dhe u tha atyre: “Ju po pyesni njeri tjetrin pse thashë: "Pas pak nuk do të më shihni më," dhe: "E përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni"?
20 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: ju do të qani dhe do të mbani zi dhe bota do të gëzohet. Ju do të pikëlloheni, por pikëllimi juaj do të kthehet në gëzim.
21 Gruaja, kur lind, ka dhembje, sepse i erdhi ora; por, sapo e ka lindur fëmijën, nuk kujton më ankthin prej gëzimit që lindi një qenie njerëzore në botë.
22 Kështu edhe ju tani jeni në dhembje, por unë do t’ju shoh përsëri dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe askush nuk do t’ua heqë gëzimin tuaj.
23 Atë ditë ju nuk do të më bëni më asnjë pyetje. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t’jua japë.
24 Deri tani ju s’keni kërkuar asgjë në emrin tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.
25 Jua kam thënë këto gjëra në shëmbëlltyra, por po vjen ora kur nuk do t’ju flas më me shëmbëlltyra, por do t’ju flas haptas për Atin.
26 Në atë ditë ju do të kërkoni në emrin tim; dhe nuk po them se unë do t’i lutem Atit për ju;
27 Ati vetë në fakt ju do, sepse ju më deshët mua dhe keni besuar se unë dola nga Perëndia.
28 Unë dola nga Ati dhe erdha në botë; përsëri po e lë botën dhe kthehem tek Ati.”
29 Dishepujt e tij i thanë: “Ja, ti tani po flet haptas dhe s’po përdor asnjë shëmbëlltyrë.
30 Tani ne njohim se ti di gjithçka dhe s’ke nevojë që ndokush të të pyesë; prandaj ne besojmë se ke dalë nga Perëndia.”
31 Jezusi u përgjigj atyre: “A besoni tani?
32 Ja, po vjen ora, madje tashmë ka ardhur, në të cilën ju do të shpërndaheni, secili për punë të vet, dhe do të më lini vetëm; por unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua.
33 Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!.”
17 Jezusi tha këto gjëra, pastaj i ngriti sytë drejt qiellit dhe tha: “O Atë, ora ka ardhur, përlëvdo Birin tënd, që edhe Biri yt të të përlëvdojë,
2 sepse ti i ke dhënë pushtet mbi çdo mish, që t’u japë jetë të përjetshme të gjithë atyre që ti ia ke dhënë.
3 Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.
4 Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj.
5 Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, pranë teje, me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota.
6 Unë ia kam dëftuar emrin tënd njerëzve që ti m’i ke dhënë nga bota; ishin të tutë dhe ti m’i ke dhënë; dhe ata e kanë zbatuar fjalën tënde.
7 Tani ata kanë njohur se të gjitha gjërat që ti më ke dhënë vijnë prej teje,
8 sepse ua kam dhënë atyre fjalët që ti më ke dhënë mua; dhe ata i kanë pranuar dhe kanë njohur se me të vërtetë unë dola nga ti, dhe kanë besuar se ti më ke dërguar.
9 Unë lutem për ta, nuk lutem për botën, po për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë.
10 Dhe të gjitha gjërat e mia janë të tuat, dhe gjërat e tua janë të miat; dhe unë jam përlëvduar në to.
11 Tani unë nuk jam më në botë, por ata janë në botë, dhe unë po vij te ti. O Atë i shenjtë, i ruaj ata në emrin tënd, ata që më ke dhënë, që të jenë një sikurse ne!
12 Kur isha me ata në botë, unë i kam ruajtur në emrin tënd; unë i kam ruajtur ata që ti më ke dhënë dhe askush nga ata nuk ka humbur, përveç birit të humbjes, që të përmbushej Shkrimi.
13 Por tani unë po vij te ti dhe i them këto gjëra në botë, që gëzimi im të bëhet i plotë në ta.
14 Unë u kam dhënë atyre fjalën tënde dhe bota i ka urryer, sepse nuk janë prej botës, ashtu si edhe unë nuk jam prej botës.
15 Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i mbrosh nga i ligu.
16 Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota.
17 Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta.
18 Sikurse ti më ke dërguar mua në botë, po ashtu unë i kam dërguar ata në botë.
19 Dhe unë për ta po shenjtëroj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetë.
20 Tani unë nuk lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre,
21 që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne, që bota të besojë se ti më ke dërguar.
22 Dhe unë u kam dhënë lavdinë që më ke dhënë, që ata të jenë një, ashtu si ne jemi një.
23 Unë jam në ta dhe ti në mua, që të jenë të përsosur në unitet dhe që bota të njohë që ti më ke dërguar dhe që i ke dashur, ashtu si më ke dashur mua.
24 O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë, që ta shohin lavdinë time që ti më ke dhënë, sepse ti më ke dashur para themelimit të botës.
25 O atë i drejtë, bota nuk të ka njohur, por unë të kam njohur; dhe këta e kanë njohur se ti më ke dërguar.
26 Dhe unë i kam bërë të njohin emrin tënd dhe do të bëj ta njohin akoma, që dashuria, me të cilën ti më ke dashur mua, të jetë në ta dhe unë në ta.”