Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Read the New Testament in 24 Weeks

A reading plan that walks through the entire New Testament in 24 weeks of daily readings.
Duration: 168 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Jakobit 4-5

Nga vijnë luftërat dhe grindjet te ju?. A nuk vijnë, nga pasionet që luftojnë ndër gjymtyrët tuaja?

Ju lakmoni dhe nuk keni, ju vrisni dhe keni smirë dhe nuk fitoni gjë; ju ziheni dhe luftoni, por nuk keni, sepse nuk kërkoni.

Ju kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni keqas që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja.

O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë.

Apo pandehni se Shkrimi thotë kot: “Fryma që rri në ne a lakmon deri në smirë”?

Por ai jep hir edhe më të madh; prandaj thotë: “Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve.”

Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju!

Afrohuni te Perëndia dhe ai do t’ju afrohet juve; pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe pastroni zemrat o njerëz me dy mendje!

Pikëllohuni, mbani zi dhe qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në zi, dhe gëzimi në trishtim.

10 Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t’ju lartësojë!

11 Mos flisni keq për njeri tjetrin, vë-llezër; ai që flet kundër vëllait dhe e gjykon vëllanë e vet, flet kundër ligjit dhe gjykon ligjin; dhe, po të gjykosh ligjin, ti nuk je zbatues i ligjit, por gjykatës.

12 Ka vetëm një Ligjdhënës, që mund të të shpëtojë ose të të çojë në humbje; por ti kush je që gjykon një tjetër?

13 Dhe tani, ju që thoni: “Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrijmë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë,”

14 ndërsa nuk dini për të nesërmen. Sepse ç’është jeta? Éshtë avull që duket për pak, dhe pastaj humbet.

15 Në vend që të thoni: “Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë.”

16 Ju, përkundrazi, mburreni në arrogancën tuaj; çdo mburrje e tillë është e keqe.

17 Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, bën mëkat.

Dhe tani ju, o pasanikë: qani dhe vajtoni për të këqijat që do t’ju zënë!

Pasuria juaj u kalb dhe rrobat tuaja i brejti tenja.

Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, dhe ndryshku i tyre do të jetë një dëshmi kundër jush dhe do t’ju përpijë mishërat si zjarr; keni mbledhur thesare në ditët e fundit.

Ja, paga që u keni ngrënë puntorëve që ju korrën arat, po këlthet; dhe klithmat e atyre që korrën, arritën në vesh të Zotit të ushtrive.

Jetuat mbi tokë ndër qejfe dhe shkapërderdhje; i ushqyet zemrat tuaja si për ditë të të therurit.

Dënuat dhe vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshtoi.

Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit; shikoni si e pret me durim bujku frytin e çmuar të tokës, deri sa të marrë shiun e parë dhe të fundit.

Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër.

Mos u ankoni nga njeri tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi është te dera.

10 O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit.

11 Ja, ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri.

12 Dhe, para së gjithash, vëllezër të mi, mos bëni be as për qiellin as për dheun, as mos bëni ndonjë be tjetër; por le të jetë “po” -ja juaj “po” dhe “jo” -ja “jo,” që të mos bini nën dënim.

13 A vuan ndonjë nga ju? Le të lutet. A është i gëzuar ndokush? Le të këndojë psalme!

14 A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit,

15 dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen.

16 Rrëfeni fajet njeri tjetrit dhe lutuni për njeri tjetrin, që të shëroheni; shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt.

17 Elia ishte një njeri me të njëtat pasionet tona, dhe u lut intensivisht që të mos binte shi, edhe nuk ra shi mbi dhe për tre vjet e gjashtë muaj.

18 Dhe u lut përsëri dhe qielli dha shi edhe dheu dha frytin e vet.

19 Vëllezër, në qoftë se ndonjë nga ju del nga rruga e së vërtetës dhe dikush e kthen,

20 le ta dijë se ai që e kthen mëkatarin nga të gabuarit e rrugës së tij, do të shpëtojë një shpirt nga vdekja dhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh.