Read the New Testament in 24 Weeks
2 Vëllezër të mi, mos i lidhni preferencat personale me besimin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zoti i lavdisë.
2 Sepse në qoftë se në asamblenë tuaj hyn një njeri me një unazë prej ari, me rroba të shkëlqyera, dhe hyn edhe një i varfër me një rrobë të fëlliqur,
3 dhe ju i drejtoni sytë nga ai që vesh rroben e shkëlqyer dhe i thoni: “Ti ulu këtu, në vendin e mirë,” dhe të varfërit i thoni: “Ti rri atje, në këmbë,” ose: “Ulu këtu, afër stolit të këmbëve të mia,”
4 a nuk bëtë ju një dallim në mes tuaj, duke u bërë kështu gjykatës me mendime të këqija?
5 Dëgjoni, vëllezër të mi shumë të dashur, a nuk i zgjodhi Perëndia të varfërit e botës, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan?
6 Po ju i shnderuat të varfërit! A nuk janë vallë të pasurit ata që ju shtypin, dhe nuk janë këta ata që ju heqin nëpër gjykata?
7 A nuk janë ata që blasfemojnë emrin e lavdishëm që u thirr mbi ju?
8 Në qoftë se ju më të vërtetë e përmbushni ligjin mbretëror sipas Shkrimit: “Duaje të afërmin tënd si vetveten,” bëni mirë;
9 por në qoftë se bëni preferenca personale, ju kryeni mëkat dhe dënoheni nga ligji si shkelës.
10 Sepse kushdo që e zbaton gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, është fajtor në të gjitha pikat.
11 Sepse ai që ka thënë: “Mos shkel kurorën,” ka thënë gjithashtu: “Mos vraj.” Prandaj nëse ti nuk shkel kurorën, por vret, ti je shkelës i ligjit.
12 Prandaj të flisni e të veproni sikurse të duhej të gjykoheshit nga ligji i lirisë,
13 sepse gjyqi do të jetë pa mëshirë për atë që nuk ka treguar mëshirë; dhe mëshira triumfon mbi gjykimin.
14 Ç’dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi?
15 Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm,
16 dhe dikush nga ju u thothë atyre: “Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni,” dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç’dobi ka?
17 Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete.
18 Po dikush do të thotë: “Ti ke besimin, dhe unë kam veprat”; më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia.
19 Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.
20 Po, a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i vdekur?
21 Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar?
22 Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos.
23 Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: “Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”; dhe u quajt miku i Perëndisë.
24 Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.
25 Gjithashtu a nuk u shfajësua edhe Rahabi, lavirja, nga veprat, kur i priti të dërguarit dhe i përcolli nga një udhë tjetër?
26 Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur.
3 Vëllezër të mi, mos u bëni shumë mësues, duke ditur se do të kemi një gjykim më të ashpër,
2 sepse të gjithë gabojmë në shumë gjëra. Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur, dhe është gjithashtu i aftë t’i vërë fre gjithë trupit.
3 Ja, u vëmë fre në gojë kuajve, që të na binden, dhe ta drejtojmë kështu gjithë trupin e tyre.
4 Ja, edhe anijet, edhe pse janë shumë të mëdha dhe shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon shumë i vogël, atje ku do timonieri.
5 Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh. Ja, një zjarr i vogël ç’pyll të madh djeg!
6 Edhe gjuha është një zjarr, një botë paudhësie; ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona, gjuha e fëlliq gjithë trupin, ndez ecjen e natyrës dhe ndizet nga Gehena.
7 Sepse çdo lloj bishash, shpendësh, zvaranikësh e kafshësh të detit mund të zbuten dhe janë zbutur nga natyra njerëzore,
8 kurse gjuhën asnjë nga njerëzit s’mund ta zbusë; është një e keqe e papërmbajtshme, plot me helm vdekjeprurës.
9 Me atë ne bekojmë Perëndinë dhe Atin, dhe me të ne mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shëmbëllimit të Perëndisë.
10 Nga e njejta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezër të mi, nuk duhet të ishte kështu.
11 Mos vallë burimi nxjerr nga e njejta vrimë ujë të ëmbël e të hidhur?
12 A mundet të prodhojë fiku ullinj, ose hardhia fiq? Kështu asnjë burim nuk mund të japë ujë të kripur dhe të ëmbël.
13 Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të bukur veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë.
14 Por në qoftë se ne zemrën tuaj keni smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës.
15 Kjo nuk është dituri që zbret nga lart, por është tokësore, shtazore, djallëzore.
16 Sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija,
17 Kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite.
18 Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen.