Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Read the New Testament in 24 Weeks

A reading plan that walks through the entire New Testament in 24 weeks of daily readings.
Duration: 168 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Efesianëve 3-4

Për këtë arsye unë, Pali, jam i burgosuri i Jezu Krishtit për ju johebrenjtë,

dhe nëse keni dëgjuar për dhënien e hirit të Perëndisë, që më është besuar për ju;

se si, me zbulesë, ai ma bëri të njohur misterin, sikurse ju shkrova më përpara me pak fjalë.

Duke i lexuar këto, ju mund të kuptoni cila është inteligjenca ime në misterin e Krishtit,

që nuk iu bë i njohur në epokat e tjera bijve të njerëzve, ashtu si iu zbulua tani apostujve të shenjtë dhe profetëve të tij me anë të Frymës,

që johebrenjtë të jenë bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit trup dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të tij në Krishtin nëpërmjet ungjillit,

shërbenjës i të cilit u bëra, sipas dhunëtisë së hirit të Perëndisë që m’u dha në sajë të fuqisë së tij.

Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m’u dha ky hir për të shpallur midis johebrenjve pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit,

dhe për t’u manifestuar të gjithëve pjesëmarrjen e misterit, i cili nga epokat më të lashta qe fshehur në Perëndinë, i cili krijoi të gjitha gjërat nëpërmjet Jezu Krishtit;

10 që nëpërmjet kishës, në kohën e tashme u manifestohej principatave dhe pushtetëve, në vendet qiellore, dituria e shumëllojshme e Perëndisë,

11 sipas qëllimit të përjetshëm që ai kreu në Krishtin Jezus, Zotin tonë,

12 në të cilin kemi lirinë dhe hyrjen te Perëndia në mirëbesimin nëpërmjet besimit në të.

13 Për këtë arsye ju lutem që të mos dekurajoheni për shkak të mundimeve të mia që vuaj për ju, e cila është lavdia juaj.

14 Për këtë arsye unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jezu Krisht,

15 nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë,

16 që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm,

17 që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit,

18 që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia,

19 dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.

20 Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë,

21 atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve. Amen.

Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët,

me çdo përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri,

duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes.

Éshtë një trup i vetëm dhe një Frym i vetëm, sikurse ju u thirrët në shpresën e vetme të thirrjes suaj.

Éshtë një Zot i vetëm, një besim i vetëm, një pagëzim i vetëm,

një Perëndi i vetëm dhe Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, në mes të të gjithëve dhe në ju të gjithë.

Po secilit nga ne iu dha hiri sipas masës së dhuntisë së Krishtit.

Për ç’ka Shkrimi thotë: “Kur ai u ngjit lart, ai e burgosi burgosjen dhe u dha dhurata njerëzve.”

Tani kjo: “Ai u ngjit,” ç’do të thotë tjetër përveç se ai më parë edhe kishte zbritur në pjesët më të ulta të dheut?

10 Ai që zbriti është po ai që edhe u ngjit përmbi të gjithë qiejt, për të përmbushur të gjitha gjërat.

11 Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues,

12 për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit,

13 derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit,

14 që të mos jemi më foshnja, të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre nëpërmjet gënjeshtrave të gabimit,

15 por, duke thënë të vërtetën me dashuri, të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu, Krishti.

16 Prej të cilit gjithë trupi, i lidhur mirë dhe i bashkuar, me anë të kontributit që jep çdo gjymtyrë dhe sipas forcës së çdo pjese të veçantë, shkakton rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes së tij në dashuri.

17 Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin: të mos ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë, në kotësinë e mendjes së tyre,

18 të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre.

19 Ata, duke u bërë të pandjeshëm, e dhanë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me lakmi të pangopur.

20 Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin,

21 në qoftë se e keni dëgjuar atë dhe keni qënë të mësuar në të sipas së vërtetës që është në Jezusin,

22 që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës,

23 dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj

24 dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës.

25 Prandaj, duke e lënë mënjanë gënjeshtrën, secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrë, njeri me tjetrin.

26 Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj;

27 dhe mos i jepni vend djallit.

28 Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë me duart e veta, që të ketë t’i japë diçka atij që ka nevojë.

29 Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë.

30 Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit.

31 Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi.

32 Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.