Read the New Testament in 24 Weeks
8 Dhe më në fund jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm dhe dashamirës,
9 pa e kthyer të keqen me të keqe ose fyerjen me fyerje, po, përkundrazi, bekoni, duke e ditur se për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekimin.
10 Sepse “kush don ta dojë jetën dhe të shohë ditë të mira, le ta ruajë gojën e tij nga e keqja dhe buzët e tij nga të folurit me mashtrim;
11 të largohet nga e keqja dhe të bëjë të mirën, të kërkojë paqen dhe të ndjekë atë,
12 sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë në lutjen e tyre; por fytyra e Zotit është kundër atyre që bëjnë të keqen.”
13 Dhe kush do t’ju bëjë keq, në qoftë se ju ndiqni të mirën?
14 Por, edhe sikur të vuani për drejtësinë, lum ju! “Pra, mos kini asnjë druajtje prej tyre dhe mos u shqetësoni,”
15 madje shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja dhe jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju, por me butësi e me druajtje,
16 duke pasur ndërgjegje të mirë, që, kur t’ju padisin si keqbërës, të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tuaj të mirë në Krishtin.
17 Sepse është më mirë, nëse është i tillë vullneti i Perëndisë, të vuani duke bërë mirë, se sa duke bërë keq,
18 sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia. U vra në mish, por u ngjall nga Fryma,
19 me anë të së cilës ai shkoi t’u predikojë frymërave që ishin në burg,
20 që dikur ishin rebelë, kur durimi i Perëndisë i priste në ditët e Noeut, ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën, pak vetë, gjithsejt tetë, shpëtuan nëpërmjet ujit,
21 i cili është shëmbëllesa e pagëzimit (jo heqja e ndyrësisë së mishit, po kërkesa e një ndërgjegjeje të mirë te Perëndia), që tani na shpëton edhe ne me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit,
22 i cili shkoi në qiell dhe është në të djathtën e Perëndisë ku i janë nënshtruar engjëj, pushtete dhe fuqie.
4 Sepse duke qenë se Krishti ka vuajtur për ne në mish, armatosuni edhe ju me të njëjtin mendim, sepse ai që ka vuajtur në mish pushoi së mëkatuari,
2 për të jetuar kohën që mbetet në mish jo më në pasionet e njerëzve, por sipas vullnetit të Perëndisë.
3 Sepse për ne është e mjaftueshme koha e jetës që shkuam për të kënaqur gjërat e dëshiruara nga johebrenjtë, kur ecnim në shthurje, në pasione, në dehje, në teprime, në të ngrëna e në të pira dhe në idhujtari të neveritshme.
4 Prandaj u duket çudi që ju nuk rendni me ta në po ato teprime shthurjeje dhe flasin keq për ju.
5 Ata do të japin llogari para atij që është gati të gjykojë të gjallë e të vdekur.
6 Për këtë në fakt, ungjilli u është predikuar edhe të vdekurve, që ata të gjykohen në mish sipas njerëzve, por të jetojnë në frymë sipas Perëndisë.
7 Tashmë fundi i të gjithave u afrua; jini, pra, të përkorë dhe rrini zgjuar për t’iu kushtuar lutjeve.
8 dhe të keni para së gjithash një dashuri të madhe për njeri tjetrin, sepse “dashuria do të mbulojë një shumicë mëkatesh.”
9 Jini mikpritës njëri për tjetrin, pa murmuritje.
10 Gjithsecili le ta vërë në shërbim të tjetrit dhuntinë që ka marrë, si kujdestarë të mirë të hirit të shumëfarshëm të Perëndisë.
11 Nëse dikush flet, le ta bëjë si të shpa-llë orakullit të Perëndisë; kush bën një shërbim, le të bëjë në forcën që i jep Perëndia, që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i takon lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve. Amen.
12 Shumë të dashur, mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju për t’ju provuar, se si ju ndodhi diçka e jashtëzakonshme.
13 Por gëzohuni, duke qenë pjestarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzoheni dhe të ngazëlloheni.
14 Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju; nga ana e tyre ai blasfemohet, kurse nga ana juaj ai përlëvdohet.
15 Por asnjë nga ju le të mos vuajë si vrasës ose vjedhës ose keqbërës, o sepse përzihet në punët e të tjerëve.
16 por, nëse dikush vuan si i krishterë, le të mos ketë turp, por le të përlëvdojë Perëndinë për këtë.
17 Sepse erdhi koha që të fillojë gjyqi nga shtëpia e Perëndisë; dhe nëse fillon më përpara nga ne, cili do të jetë fundi i atyre që nuk i binden ungjillit të Perëndisë?
18 Dhe “nëse i drejti mezi shpëton, ku do të duket i pabesi dhe mëkatari?
19 Prandaj edhe ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t’i besojnë shpirtrat e vet atij, si te Krijuesi besnik, duke bërë të mirën.
5 U bëj thirrje pleqve që janë midis jush, unë që jam plak bashkë me ta dhe dëshmitar i vuajtjeve të Krishtit dhe që jam gjithashtu pjesëmarrës i lavdisë që ka për t’u zbuluar:
2 ruani tufën e Perëndisë që është midis jush, duke e mbikqyrur jo me detyrim, por me dëshirë, jo për përfitim të pandershëm, po me vullnet të mirë,
3 dhe jo si zotëronjës mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për tufën.
4 Dhe kur të shfaqet kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë që nuk fishket.
5 Gjithashtu ju, të rinjtë, nënshtrojuni pleqëve. Po, nënshtrojuni të gjithënjeri tjetrit dhe vishuni me përulje, sepse Perëndia i kundërshton krenarët, por u jep hir të përulurve.
6 Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë ne kohën e duhur,
7 dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju.
8 Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë.
9 Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë.
10 Dhe Perëndia i çdo hiri, që ju thirri në lavdinë e tij të përjetshme në Krishtin Jezus, mbasi të keni vuajtur për pak kohë, do t’ju bëjë të përsosur ai vetë, do t’ju bëjë të patundur, do t’ju forcojë dhe do t’ju vërë themel.
11 Atij i qoftë lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve. Amen.
12 Ju shkrova shkurt me anë të Silvanit, që më duket një vëlla besnik, duke ju bërë thirrje dhe duke ju dëshmuar se hiri i vërtetë i Perëndisë është ai në të cilin qëndroni.
13 Kisha që është në Babiloni, që është zgjedhur bashkë me ju, ju përshëndet. Edhe Marku, biri im, ju përshëndet.
14 Përshëndetni njeri tjetrin me një të puthur dashurie. Paqja mbi ju të gjithë që jeni në Krishtin Jezus Amen.