Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Read the New Testament in 24 Weeks

A reading plan that walks through the entire New Testament in 24 weeks of daily readings.
Duration: 168 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 Pjetrit 1:1-3:7

Pjetri, apostull i Jezu Krishtit, të zgjedhurve që rrijnë në diasporën e Pontit, të Galatisë, të Kapadokisë, të Azisë dhe të Bitinisë,

të zgjedhurve sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit, me anë të shenjtërimit të Frymës, për t’u bindur dhe për t’u spërkatur me gjakun e Jezu Krishtit; hiri dhe paqja u shtoftë mbi ju.

Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish,

për një trashëgim të paprishshëm, të panjollë dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt për ju,

që nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit jeni të ruajtur, për shpëtimin gati për t’u zbuluar në kohët e fundit.

Për këtë gëzohuni, ndonëse, në qoftë se duhet, për pak kohë, tani duhet të trishtoheni nga prova të ndryshme,

që prova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe pse provohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit,

të cilin, megjithëse ju nuk e keni parë, e doni, duke besuar në të, megithëse tani nuk e shihni, dhe ngazëllohuni nga një hare e patregueshme dhe e lavdishme,

duke arritur përmbushjen e besimit tuaj, shpëtimin e shpirtrave.

10 Për këtë shpëtim kërkuan dhe hetuan profetët që profetizuan nga hirin për ju,

11 duke kërkuar të njohin kohën dhe rrethanat që tregonte Fryma e Krishtit që ishte në ta, dhe që dëshmonte që më parë për vuajtjet që do të vinin mbi Krishtin dhe për lavditë që do të pasonin.

12 Dhe atyre iu zbulua se ata i administronin jo për vete, po për ne, ato gjëra që po ju rrëfehen tani nga ata që ju kanë predikuar ungjillin, me anë të Frymës së Shenjtë të dërguar nga qielli; gjëra të cilat engjëjt dëshirojnë t’i vëzhgojnë.

13 Prandaj, ngjeshni ijët e mendjes suaj, rrini zgjuar dhe mbani shpresë të plotë në hirin që do vijë mbi ju në zbulesën e Jezu Krishtit.

14 Si bij të bindur, mos iu përshtatni lakmive të mëparshme kur ishit në padijen tuaj,

15 por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj,

16 sepse është shkruar: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.”

17 Dhe në qoftë se thërrisni si Atë atë që, pa favorizuar njeri, gjykon sipas veprës së gjithsecilit, kalojeni kohën e shtegtimit tuaj mbi dhe me frikë,

18 duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit,

19 por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë,

20 të paranjohur përpara krijimit të botës, por të shfaqur kohët e fundit për ju,

21 që, nëpërmjet tij, të besoni në Perëndinë që e ringjalli prej së vdekurish dhe i dha lavdi, që besimi juaj dhe shpresa të jenë në Perëndinë.

22 Mbasi të pastroni shpirtrat tuaj me bindjen ndaj së vërtetës me anë të Frymës, për të pasur një dashuri vëllazërore pa hipokrizi, të doni fort njeri tjetrin me zemër të pastër,

23 sepse jeni ringjizur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së Perëndisë së gjallë dhe që mbetet përjetë.

24 Sepse çdo mish është si bari dhe çdo lavdi njeriu si lule e barit; bari thahet dhe lulja bie,

25 por fjala e Zotit mbetet përjetë, dhe kjo është fjala që ju është shpallur.

Hiqni tej, pra, çdo ligësi dhe çdo mashtrim, hipokrizitë, smirat dhe çdo shpifje,

posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij,

nëse e keni shijuar se Zoti është i mirë.

Duke iu afruar atij, si te guri i gjallë, i flakur tej nga njerëzit, por i zgjedhur dhe i çmuar përpara Perëndisë,

edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit.

Sepse në Shkrimet lexohet: “Ja, unë po vë në Sion një gur çipi, të zgjedhur, dhe ai që beson në të nuk do të turpërohet aspak.”

Sepse për ju që besoni ai është i çmuar, po për ata të pabindurit: “Guri, që u hoq mënjanë nga ndërtuesit, u bë guri i qoshes, gur pengese dhe shkëmb skandali që i bën të rrëzohen.”

Duke qenë të pabindur, ata pengohen në fjalë, dhe për këtë ata ishin të caktuar.

Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme;

10 ju, që dikur nuk ishit një popull, kurse tani jeni populli i Perëndisë; ju, dikur të pamëshiruar, por tani të mëshiruar.

11 Shumë të dashur, unë ju këshilloj, si të huaj dhe shtegtarë, të hiqni dorë nga lakmitë e mishit, që luftojnë kundër shpirtit.

12 Silluni mirë ndër johebrenjtë, që aty ku do t’ju paditin si keqbërës, të përlëvdojnë Perëndinë ditën e ardhjes së tij, për shkak të veprave tuaja të mira.

13 Nënshtrohuni, pra, për hir të Zotit, çdo pushteti njerëzor, qoftë mbretit, si më të lartit,

14 qoftë qeveritarëve, si të dërguar prej tij për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lavdëruar ata që bëjnë të mirën,

15 sepse ky është vullneti i Perëndisë, që ju, duke bërë mirë, t’ia mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të pamend.

16 Silluni si njerëz të lirë, por jo duke për-dorur lirinë si një pretekst për të mbuluar ligësinë, por si shërbëtorë të Perëndisë.

17 Nderoni të gjithë, doni vëllazërinë, druani Perëndinë, nderoni mbretin.

18 Ju, shërbëtorë, nënshtrohuni me plot druajtje zotërinjve tuaj, jo vetëm të mirëve dhe të drejtëve, por edhe të padrejtëve,

19 sepse është gjë e ladërueshme, nëse dikush, për ndërgjegje ndaj Perëndisë, duron shtrengime duke vuajtur padrejtësisht.

20 Sepse çfarë lavdie do të ishte po të duronit në qoftë se ju rrahin sepse keni bërë faje? Ndërsa, po të bëni të mirë dhe të duroni vuajtje, kjo është hir para Perëndisë.

21 Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij.

22 “Ai nuk bëri asnjë mëkat dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojë të tij.”

23 Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht.

24 Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me vurratat e tij ju u shëruat.

25 Sepse ju ishit si dele endacake por tani ju u kthyet te bariu dhe ruajtësi i shpirtrave tuaj.

Gjithashtu dhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj, që, edhe nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë, nga sjellja e grave të tyre,

kur të shohin sjelljen tuaj të dlirë dhe me frikë.

Stolia juaj të mos jetë e jashtme: gërshëtimi i flokëve, stolisja me ar ose veshja me rroba të bukura,

por njeriu i fshehur i zemrës, me pastërtinë që nuk prishet të një shpirti të butë dhe të qetë, që ka vlerë të madhe përpara Perëndisë.

Sepse kështu stoliseshin dikur gratë e shenjta që shpresonin në Perëndinë, duke iu nënshtruar burrave të tyre,

ashtu si Sara, që i bindej Abrahamit duke e quajtur "zot"; bija të saj ju jeni, në qoftë se bëni mirë dhe nuk trembeni nga ndonjë frikë.

Ju burra, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me urtësi, duke e çmuar gruan si një enë më delikate dhe e nderoni sepse janë bashkëtrashëgimtare me ju të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.