Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Read the New Testament in 24 Weeks

A reading plan that walks through the entire New Testament in 24 weeks of daily readings.
Duration: 168 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 e Korintasve 11-12

11 Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit.

Dhe unë po ju lavdëroj, vëllezër, që më kujtoni në të gjitha gjërat dhe i zbatoni porositë ashtu siç ua kam transmetuar.

Por dua që të dini se kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia.

Çdo burrë, kur lutet ose profetizon kokëmbuluar, turpëron kryet e tij.

Edhe çdo grua, që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kryet e saj, sepse është njëlloj sikur të ishte e rruar.

Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le t’ia presin flokët; por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet.

Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit,

sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri,

edhe sepse burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin.

10 Prandaj gruaja, për shkak të engjëjve, duhet të ketë një shenjë pushteti mbi kryet.

11 Gjithsesi në Zotin as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin,

12 sepse sikurse gruaja vjen nga burri, ashtu edhe burri lind nëpërmjet gruas, dhe çdo gjë vjen nga Perëndia.

13 Gjykoni ndër veten tuaj. A i ka hije gruas t’i lutet Perëndisë pa u mbuluar?

14 Po vetë natyra, a nuk ju mëson se, në qoftë se një burrë i mban flokët të gjata, kjo është çnderim për të?

15 Por në qoftë se gruaja i ka flokët të gjata, kjo është lavdi për të, sepse flokët i janë dhënë asaj për mbulesë.

16 Por në qoftë se ndokush mendon të kundërshtojë, ne s’kemi zakon të tillë, as kishat e Perëndisë.

17 Por, duke porositur këtë, unë nuk ju lavdëroj, se ju mblidheni, jo për më të mirën, po për më të keqen.

18 Para së gjithash, sepse dëgjoj se kur bashkoheni në asamble ka midis jush përçarje, dhe pjesërisht e besoj.

19 Sepse duhet të ketë midis jush edhe grupime, që të njihen në mes tuaj ata që janë të sprovuar.

20 Kur mblidheni bashkë, pra, në një vend, kjo që bëni nuk është për të ngrënë darkën e Zotit,

21 sepse, në të ngrënët, gjithësecili merr darkën e vet më përpara; dhe njëri ka uri dhe tjetri është i dehur.

22 A nuk keni, pra, shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo përbuzni kishën e Perëndisë dhe turpëroni ata që s’kanë asgjë? Çfarë t’ju them juve? T’ju lavdëroj? Për këtë nuk ju lëvdoj.

23 Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën

24 dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim.”

25 Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim.”

26 Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë.

27 Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit.

28 Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa,

29 sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit.

30 Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe shumë vdesin.

31 Sepse, po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim.

32 Por kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos dënohemi bashkë me botën.

33 Prandaj, o vëllezërit e mi, kur mblidheni për të ngrënë, pritni njeri tjetrin.

34 Dhe në qoftë se dikush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për dënim. Dhe gjërat e tjera, kur të vij, do t’i rregulloj.

12 Edhe për sa u përket dhuntive frymërore, o vëllezër, nuk dua të jeni të paditur.

Ju e dini se, kur ishit paganë, tërhiqeshit pas idhujve të pagojë, nën shtytje të çastit.

Prandaj ju bëj të ditur se askush që flet në Frymën e Shenjtë nuk thotë: “Mallkuar qoftë Jezusi!”; edhe asnjë nuk mund të thotë: “Jezusi është Zot,” veç se në Frymën e Shenjtë.

Ka larmi dhuntish, por i njëjti Frymë.

Ka edhe larmi shërbimësh, por i njëjti Zot.

Dhe ka larmi veprimtarish por është i njejti Perëndi i cili i bën të gjitha gjërat në të gjithë.

Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët.

Dikujt, pra, i jepet, me anë të Frymës, fjalë diturie; një tjetri, sipas të po atij Frymë, fjalë njohurie;

një tjetri besim, nga po ai Frymë; një tjetri dhuntitë e shërimeve, nëpërmjet po atij Frymë; një tjetri pushtet për të kryer veprime të fuqishme; një tjetri profeci; një tjetri të dallojë frymërat;

10 një tjetri larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve.

11 Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë.

12 Sepse ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të njëtit trup, megjithse janë shumë, formojnë një trup të vetëm, kështu është edhe Krishti.

13 Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frym të vetëm në të njëjtin trup, qofshin Hebrenjtë apo Grekët, qofshin skllevërit a të liruarit, dhe të gjithë e kemi jemi uijtur në të njëjtin Frymë.

14 Sepse edhe trupi nuk është një gjymtyrë e vetme, por shumë.

15 Sikur të thoshte këmba: “Mbasi nuk jam dorë, unë nuk jam pjesë e trupit,” mos për këtë nuk është pjesë e trupit?

16 Dhe sikur veshi të thoshte: “Mbasi nuk jam sy, unë nuk jam pjesë e trupit,” mos për këtë nuk është pjesë e trupit?

17 Po të ishte gjithë trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte gjithë dëgjim, ku do të ishte të nuhaturit?

18 Por Perëndia ka vënë çdo gjymtyrë të trupit si ka dashur.

19 Po të ishin të gjitha gjymtyrët një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi?

20 Kështu, pra, janë shumë gjymtyrë, por një trup i vetëm.

21 Dhe syri nuk mund t’i thotë dorës: “Unë nuk kam nevojë për ty”; dhe po ashtu koka nuk mund t’u thotë këmbëve: “Unë nuk kam nevojë për ju.”

22 Madje, gjymtyrët e trupit që duken se janë më të dobëta, janë shumë më të nevojshme se të tjerat;

23 dhe ato që ne i konsiderojmë më pak të nderuara, pikërisht ata rrethojmë me më shumë nderim; dhe të pahijshmet tona kanë më tepër hijë.

24 Por gjymtyrët tona të hijshme nuk kanë nevojë. Por Perëndia e ndërtoi trupin duke i dhënë më tepër nder asaj pjese që e kishte mangut,

25 që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njera-tjetrën.

26 Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.

27 Dhe ju jeni trupi i Krishti dhe gjymtyrët e tij, veç e veç.

28 Dhe Perëndia i vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues; pastaj vepra të fuqishme; pastaj dhuntitë e shërimit, të ndihmës e të qeverisjes dhe të larmive të gjuhëve.

29 A janë vallë të gjithë apostuj? Janë të gjithë profetë? Janë të gjithë mësues?

30 A kanë të gjithë dhuntinë e veprave të fuqishme? A kanë të gjithë dhuntitë e shërimeve? A flasin të gjithë gjuhë të ndryshme? A interpretojnë të gjithë?

31 Por kërkoni me zemër të zjarrtë dhuntitë më të mira; dhe unë do t’ju tregoj një udhë shumë më të lartë.