Read the New Testament in 24 Weeks
4 Kështu njeriu, pra, le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit dhe si administratorë të mistereve të Perëndisë.
2 E tjetra që kërkohet nga administratorët, është që secili të gjendët besnik.
3 Sa për mua, më intereson fort pak që të gjykohem prej jush ose prej një gjykate njerëzore; madje as vetveten nuk e gjykoj.
4 Sepse nuk jam i vetëdijshëm për asnjë faj, por për këtë nuk jam justifikuar, por ai që më gjykon është Zoti.
5 Prandaj mos gjykoni asgjë para kohe derisa të vijë Zoti, që do të nxjerrë në dritë gjërat e fshehta të errësirës dhe do të shfaqë këshillat e zemrave; dhe atëherë secili do të ketë lavdërimin e vet nga Perëndia.
6 Dhe tani, o vëllezër, për të mirën tuaj, ia kalova këto gjëra vetes sime dhe Apolit, që nëpërmjet nesh të mësoni që të mos mendoni përtej asaj që është shkruar, që të mos krekoset ndonjë prej jush, njeri kundër tjetrit.
7 Sepse çfarë të bën të ndryshëm? Çfarë ke ti që nuk e ke marrë? Dhe, nëse e ke marrë, pse krenohesh sikur nuk e ke marrë?
8 Tashmë jeni të ngopur, tashmë jeni të pasur, tashmë u bëtë mbretër pa ne; dhe makar të ishit bërë mbretër, që edhe ne të mbretëronim me ju.
9 Sepse unë mendoj se Perëndia na ka paraqitur ne apostujt si të fundit, si njerëz të dënuar për vdekje; sepse u bëmë lojë për botën, për engjëjt dhe për njerëzit.
10 Ne jemi të marrë për Krishtin, por ju të urtë në Krishtin; ne jemi të dobët, por ju të fortë; ju jeni të nderuar, por ne të përbuzur.
11 Deri tani vuajmë nga uria, etja, e jemi të zhveshur; jemi të qëlluar me shuplaka dhe endemi pa shtëpi,
12 dhe mundohemi, duke punuar me duart tona; duke qenë të fyer, bekojmë; duke qenë të përndjekur, durojmë;
13 duke qenë të sharë, lutemi; jemi bërë si pisllëku i botës, porsi plehrat e të gjithëve deri më sot.
14 Këto gjëra nuk po i shkruaj që t’ju turpëroj, por që t’ju paralajmëroj si fëmijët e mi të dashur.
15 Sepse, edhe sikur të kishit dhjetë mijë mësues në Krishtin, nuk do të kishit shumë etër, sepse unë ju kam dhënë jetë në Krishtin Jezus, me anë të ungjillit.
16 Prandaj ju bëj thirrje të bëheni imituesit e mi.
17 Për këtë arsye ju kam dërguar Timoteun, që është biri im i dashur dhe besnik në Zotin. Ky do t’ju kujtojë udhët e mia në Krishtin ashtu siç mësoj kudo në çdo kishë.
18 Dhe disa u krekosën, sikur nuk do të vija më te ju;
19 por shpejt kam për të ardhur te ju, në dashtë Zoti, dhe kam për të njohur jo fjalën, po fuqinë e atyre që janë krekosur,
20 sepse mbretëria e Perëndisë nuk qëndron në fjalë, por në fuqi.
21 Çfarë doni? Që të vij te ju me thupër apo me dashuri dhe me zemërbutësi?
5 Kudo po dëgjohet se ndër ju ka kurvëri, madje një kurvëri të tillë që as nuk zihet në gojë ndër paganë, saqë një shkon me gruan e babait të vet.
2 Dhe ju u krekosët e madje nuk vajtuat, që të hiqet nga mesi juaj ai që ka kryer një punë të tillë.
3 Dhe unë, megjithëse nuk jam aty me trup, me frymë aty jam, dhe, sikur të isha i pranishëm, kam gjykuar tanimë atë që bëri këtë.
4 Në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, mbasi të mblidheni ju bashkë me frymën time, me fuqinë e Zotit tonë Jezu Krisht,
5 vendosa që ti dorëzohet ky njeri në dorë të Satanit për prishjen e mishit, që t’i shpëtohet fryma në ditën e Zotit Jezus.
6 Mburrja juaj nuk është e mirë. A nuk e dini se pak maja e mbrun gjithë brumin?
7 Hiqni, pra, majanë e vjetër, që të jeni një brumë i ri, siç jeni pa maja; sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne.
8 Prandaj le të kremtojmë festën jo me maja të vjetër, as me maja ligësie dhe keqësie, por me bukë pa maja të sinqeritetit dhe të së vërtetës.
9 Ju kam shkruar në letër, të mos përziheni me kurvarë,
10 dhe aspak me kurvarët e kësaj bote, ose me lakmuesit ose me cubat, ose me idhujtarët, sepse atëherë duhet të dilni nga bota.
11 Por tani ju shkrova të mos përziheni me atë, të ashtuquajturin vëlla, që është kurvar, ose lakmues ose idhujtar, o shpi-fës, o pijanec ose cub; me një të tillë bile as të mos hani bashkë.
12 Sepse a më takon mua të gjykoj edhe ata që janë jashtë? A nuk i gjykoni ju të brendshmit?
13 Por ata të jashtmit Perëndia i gjykon. Prandaj nxirreni të ligun nga vetja juaj.
6 A guxon ndonjë nga ju, kur ka ndonjë çështje kundër një tjetri, të gjykohet përpara të padrejtëve dhe jo përpara shenjtorëve?
2 A nuk e dini ju se shenjtorët do të gjykojnë botën? Dhe nëse bota do të gjykohet nga ju, a thua nuk jeni të zotët të gjykoni gjërat më të vogla?
3 A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëj? Dhe aq më tepër mund të gjykojmë gjërat e kësaj jete!
4 Pra, në qoftë se keni për të gjykuar çështje të kësaj jete, vini gjykatës ata që çmohen më pak në kishë.
5 Këtë e them për turpin tuaj. Kështu midis jush nuk paska asnjë të urtë, i cili të jetë i zoti të gjykojë në mes të vëllezërve të tij?
6 Por një vëlla hyn në gjyq me të vë-llanë, dhe kjo përpara të pabesëve.
7 Gjithsesi është një e keqe që të keni gjyqe njëri me tjetrin. Pse nuk lejoni më mirë që t’ju bëhet padrejtësi? Pse nuk lejoni më mirë që të mashtroheni?
8 Po, përkundrazi, ju bëni padrejtësi dhe mashtroni, dhe këto ua bëni vëllezërve.
9 A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët,
10 as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.
11 Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë.
12 Çdo gjë më lejohet, por jo gjithçka është e dobishme; çdo gjë më lejohet, por unë nuk do të nënshtrohem asnjërës.
13 Gjellët janë për barkun dhe barku për gjellët; por Perëndia do të shkatërrojë edhe këtë edhe atë; por trupi nuk është për kurvëri, po për Zotin, dhe Zoti për trupin.
14 Tani Perëndia siç e ringjalli Zotin kështu do të na ringjallë edhe ne me fuqinë e tij.
15 A nuk e dini ju se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? Të marr, pra, unë gjymtyrët e Krishtit dhe t’i bëj gjymtyrë të një kurve? mos qoftë ashtu!
16 A nuk e dini ju se ai që bashkohet me një kurvë bëhet një trup me të? Sepse thuhet: “Do të jenë të dy, thotë Zoti, një mish i vetëm.”
17 Por ai që bashkohet me Zotin është një frymë me të.
18 Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, po ai që kurvëron mëkaton kundër trupit të vet.
19 A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes?
20 Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.