Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Read the New Testament in 24 Weeks

A reading plan that walks through the entire New Testament in 24 weeks of daily readings.
Duration: 168 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Hebrenjve 8-9

Dhe pika kryesore e atyre gjërave që po themi është kjo: ne kemi një kryeprift të tillë, i cili qëndron në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiejt,

shërbenjës i shenjtërores dhe të tabernakullit të vërtetë, të cilin e ngriti Perëndia e jo njeriu.

Sepse çdo kryeprift vihet për të ofruar dhurata dhe flijime, prandaj është e nevojshme që edhe ky të ketë diçka që të kushtojë.

Po të ishte Ai mbi dhe, nuk do të ishte as prift, sepse ka priftërinj të cilët ofrojnë dhuratat sipas ligjit,

që shërbejnë sipas shëmbullit dhe hijes së gjërave qiellore, ashtu si i qe folur Moisiut, kur po gatitej të ndërtonte tabernakullin: “Shiko,” tha Ai, “t’i bësh të gji-tha sipas modelit që të qe treguar në mal.”

Po tani Krishti mori një shërbesë edhe më të shquar, sepse është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, që bazohet mbi premtime më të mira,

sepse, në qoftë se Besëlidhja e parë do të qe e patëmetë, nuk do të qe nevoja të kërkohej vend për një tjetër.

Sepse Perëndia, duke i qortuar, thotë: “Ja po vijnë ditët kur do të bëj një Besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës,

jo si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, ditën që i mora për dore për t’i nxjerrë jashtë nga toka e Egjiptit, sepse ata nuk qëndruan besnikë në Besëlidhjen time, dhe unë i braktisa, thotë Zoti.

10 Dhe kjo është besëlidhja që unë do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti: unë do t’i shtie ligjet e mia në mendjet e tyre dhe do t’i shkruaj në zemrat e tyre, dhe do të jem Perëndia e tyre dhe ata do të jenë populli im.

11 Dhe askush nuk do të mësojë më të afërmin e tij, askush vëllanë e vet, duke thënë: "Njih Perëndinë!". Sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri tek më i madhi prej tyre,

12 sepse unë do të jem i mëshirshëm për paudhësitë e tyre dhe nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre dhe keqbërjet e tyre.”

13 Duke thënë "një besëlidhje e re," ai e vjetëroi të parën; edhe ajo që vjetrohet dhe plaket është afër prishjes.

Sigurisht edhe e para Besëlidhje kishte disa rregulla për shërbesën hyjnore dhe për shenjtëroren tokësore.

Sepse u ndërtua një tabernakull i parë, në të cilin ishte shandani, tryeza dhe bukët e paraqitjes; ai quhet: "Vendi i shenjtë".

Pas velit të dytë ishte tabernakulli, i quajtur "Vendi shumë i shenjtë" (Shenjtërorja e Shenjtërorëve),

që përmbante një tymtore prej ari edhe arkën e Besëlidhjes, të mbuluar nga të gjitha anët me ar, në të cilën ishte një enë e artë me manë, shkopi i Aaronit që kishte buluar dhe rrasat e Besëlidhjes.

Edhe sipër asaj ishin kerubinët e lavdisë që i bënin hije pajtuesit; për këto ne nuk do të flasim me hollësi tani.

Duke qenë të vendosura kështu këto gjëra, priftërinjtë hynin vazhdimisht në tabernakulli i parë për të kryer shërbesën hyjnore;

por në të dytin hynte vetëm kryeprifti një herë në vit, jo pa gjak, të cilin e ofronte për veten e tij dhe për mëkatet e popu-llit të kryera në padije.

Në këtë mënyrë Fryma e Shenjtë donte të tregonte se udha e shenjtërores ende nuk ishte shfaqur, mbasi ende po qëndronte tabernakulli i parë,

i cili është një shëmbëlltyrë për kohën e tanishme; dhe donte të tregonte se dhuratat dhe flijmet që jepeshin nuk mund ta bënin të përsosur në ndërgjegje atë që e kryente shërbesën hyjnore,

10 sepse kishte të bënte vetëm me ushqime, pije, larje të ndryshme, urdhërime mishi, të imponuara deri në kohën e ndryshimit.

11 Por Krishti, që erdhi si kryeprift i të mirave që do të vijnë në të ardhmen, duke kaluar nëpër një tabernakull më të madh e më të përkryer, që s’është bërë me dorë, pra, që nuk është e kësaj krijese,

12 hyri një herë e përgjithmonë në shenjtërore, jo me gjakun e cjepve dhe të viçave, por me gjakun e vet, dhe fitoi një shpëtim të amshuar.

13 Sepse, në qoftë se gjaku i demave dhe i cjepve dhe hiri i një mëshqerre i spërkatur mbi të ndoturit, i shenjtëron, duke i pastruar në mish,

14 aq më shumë gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së Shenjtë e dha veten e tij të papërlyer nga asnjë faj ndaj Perëndisë, do ta pastrojë ndërgjegjen tuaj nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë!

15 Për këtë arsye ai është ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që, me anë të vdekjes që u bë për shpërblimin e shkeljeve që u kryen gjatë Besëlidhjes së parë, të thirrurit të marrin premtimin e trashëgimisë së amshuar.

16 Sepse atje ku ka një testament do të ketë me doemos edhe vdekjen e trashëgimlënësit.

17 Sepse testamenti është i vlefshëm vetëm pas vdekjes, sepse nuk ka kurrfarë fuqie deri sa trashëgimlënësi ende rron.

18 Prandaj edhe Besëlidhja e parë nuk u vërtetua pa gjak.

19 Sepse kur iu shpallën të gjitha urdhërimet sipas ligjit gjithë popullit nga Moisiu, ky mori gjakun e viçave, të cjepve, bashkë me ujë, lesh të kuq dhe hisop, e spërkati librin dhe gjithë popullin,

20 duke thënë: “Ky është gjaku i Besëlidhjes që Perëndia urdhëroi për ju.”

21 Gjithashtu ai me atë gjak spërkati edhe tabernakullin dhe të gjitha orenditë e shërbesës hyjnore.

22 Dhe sipas ligjit, gati të gjitha gjërat pastrohen me anë të gjakut; dhe pa derdhur gjak nuk ka ndjesë.

23 Ishte, pra, e nevojshme që format e gjërave qiellore të pastroheshin me këto gjëra; por vetë gjerat qiellore me flijime më të mira se këto.

24 Sepse Krishti nuk hyri në një shenjtërore të bërë me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e asaj të vërtetë, por në vetë qiellin për të dalë tani përpara Perëndisë për ne,

25 dhe jo për ta kushtuar si fli veten e vet shumë herë, sikurse kryeprifti që hyn vit për vit në shenjtërore me gjak që s’është i veti,

26 sepse përndryshe ai duhet të pësonte shumë herë që kur se u krijua bota; por tani, vetëm një herë, në fund të shekujve Krishti u shfaq për të prishur mëkatin me anë të flijimit të vetvetes.

27 Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi,

28 kështu edhe Krishti, pasi u dha vetëm njëherë për të marrë mbi vete mëkatët e shumëve, do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin për shpëtim.