Read the New Testament in 24 Weeks
3 Tani në ato ditë erdhi Gjon Pagëzori, që predikonte në shkretëtirën e Judesë,
2 dhe thoshte: “Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!”
3 Dhe në fakt për Gjonin kishte folur profeti Isaia kur tha: “Një zë i atij që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij".”
4 Tani Gjoni vet kishte veshur një rrobë prej leshi të devesë dhe një brez prej lëkure në bel; ai ushqehej me karkaleca dhe mjaltë të egër.
5 Në atë kohë njerëzit e Jeruzalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai,
6 dhe pagëzoheshin nga ai, në Jordan duke rrëfyer mëkatet e tyre.
7 Por ai, kur pa se shumë farisenj dhe saducenj po vinin për t’u pagëzuar tek ai, u tha atyre: “Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t’i arratiseni zemërimit që po vjen?
8 Jepni pra fryte të denja të pendesës!
9 Dhe mos t’ju shkojë mendja të thoni me vete: "Ne kemi Abrahamin për atë"; sepse unë po ju them se Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve.
10 Dhe tashmë sëpata është në rrënjën e drurëve; çdo dru, pra, që nuk jep fryt të mirë, do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.
11 Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të mbaj sandalet e tij; ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin.
12 Ai mban në dorë terploten dhe do ta pastrojë plotësisht lëmin e tij; grurin e tij do ta mbledhë në hambar, por bykun do ta djegë me zjarr të pashueshëm.”
13 Atëherë erdhi Jezusi nga Galileja në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij.
14 Por Gjoni e kundërshtoi fort duke i thënë: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?.”
15 Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur, u tha: “Lejo të bëhet për tani, sepse në këtë mënyrë përmbushim çdo drejtësi.” Atëherë ai e lejoi.
16 Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejt iu hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të;
17 dhe ja një zë nga qielli që tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.”
4 Atëherë Fryma e çoi Jezusin në shkretëtirë, që djalli ta tundonte.
2 Dhe, mbasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund e mori uria.
3 Atëherë tunduesi, pasi iu afrua, i tha: “Në qoftë se je Biri i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë.”
4 Por ai, duke iu përgjigjur, tha: “Éshtë shkruar: "Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë".”
5 Atëherë djalli e çoi në qytetin e shenjtë dhe e vendosi në majë të tempullit
6 dhe i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: Ai do t’u japë urdhër engjëjve të tij për ty; edhe ata do të mbajnë mbii duart e tyre që të mos ndeshësh me këmbën tënde ndonjë gur".”
7 Jezusi i tha: “Éshtë shkruar gjithashtu: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd".”
8 Djalli e çoi sërish mbi një mal shumë të lartë dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre,
9 dhe i tha: “Unë do të t’i jap të gjitha këto, nëse ti bie përmbys para meje dhe më adhuron.”
10 Atëherë Jezusi i tha: “Shporru, Satan, sepse është shkruar: "Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij".”
11 Atëherë djalli e la; dhe ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.
12 Jezusi, mbasi dëgjoi se Gjonin e kishin futur në burg, u tërhoq në Galile.
13 Pastaj la Nazaretin dhe shkoi të banojë në Kapernaum, qytet bregdetar, në kufijtë të Zabulonit dhe të Neftalit,
14 që të përmbushej ç’ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia kur tha:
15 “Toka e Zabulonit, toka e Neftalit, mbi bregun e detit, krahina përtej Jordanit, Galileja e paganëve,
16 populli që dergjej në errësirë ka parë një dritë të madhe, dhe përmbi ata që dergjeshin në krahinë dhe në hijen e vdekjes, doli drita.”
17 Që nga ajo kohë Jezusi filloi të predikojë dhe të thotë: “Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!.”
18 Duke ecur gjatë bregut të detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër: Simonin, të quajtur Pjetër, dhe Andrean, të vëllanë, të cilët po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë;
19 dhe u tha atyre: “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.”
20 Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.
21 Dhe, duke vazhduar rrugën, pa dy vëllezër të tjerë: Jakobin, birin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, në barkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat; dhe i thirri.
22 Dhe ata lanë menjëherë barkën dhe atin e tyre dhe i shkuan pas.
23 Jezusi shkonte kudo nëpër Galile, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo lëngatë në popull.
24 Dhe fama e tij u përhap në gjithë Sirinë; dhe i sillnin të gjithë të sëmurët që vuanin nga lëngata dhe dhimbje të ndryshme, të demonizuar, epileptikë dhe paralitikë; dhe ai i shëronte.
25 Dhe një mori e madhe njerëzish i shkonte pas, nga Galileja, nga Dekapoli, nga Jeruzalemi, nga Judeja dhe nga përtej Jordanit.