Read the New Testament in 24 Weeks
3 O Galatas të marrë! Kush ju ka yshtur që të mos i bindeni së vërtetës, ju, që para syve tuaj Jezu Krishti është përshkruar i kryqëzuar midis jush?
2 Vetëm këtë dua të di nga ju: a e morët Frymën me anë të veprave të ligjit apo nëpërmjet dëgjimit të besimit?
3 A jeni kaq të marrë sa që, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni në mish?
4 A thua hoqët kaq shumë gjëra më kot, nëse kanë qenë vërtetë më kot?
5 Ai që ju jep juve Frymën, dhe kryen midis jush vepra të fuqishme, i bën me anë të veprave të ligjit apo me anë të predikimit të besimit?
6 Kështu Abrahami “e besoi Perëndinë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”;
7 Ta dini, pra, se ata që janë nga besimi janë bij të Abrahamit.
8 Dhe Shkrimi, duke parashikuar se Perëndia do t’i shfajësonte kombet me anë të besimit, ia dha më përpara Abrahamit lajmin e mirë: “Të gjitha kombet do të bekohen në ty.”
9 Prandaj ata që themelohen mbi besimin bekohen bashkë me të besueshmin Abraham.
10 Dhe të gjithë ata që themelohen mbi veprat e ligjit janë nën mallkim, sepse është shkruar: “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar.”
11 Sepse me anë të ligjit askush nuk shfajësohet përpara Perëndisë, sepse: “I drejti do të rrojë me anë të besimit.”
12 Dhe ligji nuk është nga besimi, por “njeriu që do t’i bëjë ato, do të rrojë me anë të tyre.”
13 Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne (duke qenë se është shkruar: “I mallkuar është kushdo që varet në dru”),
14 që bekimi i Abrahamit t’u vijë johebrenjve me anë të Jezu Krishtit, që ne të marrim premtimin e Frymës me anë të besimit.
15 O vëllezër, po ju flas në mënyrën e njerëzve: në qoftë se një besëlidhje është aprovuar, edhe pse është besëlidhje njeriu, askush nuk e zhvleftëson as nuk i shton gjë.
16 Dhe premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhjes së tij. Shkrimi nuk thotë: “Edhe pasardhësve” si të ishin shumë, por të një të vetme: “Dhe pasardhjes sate,” pra Krishti.
17 Dhe unë them këtë: ligji, që erdhi katërqind e tridhjetë vjet më pas, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e aprovuar më parë nga ana e Perëndisë në Krishtin, në mënyrë që të prishë premtimin.
18 Sepse, në qoftë se trashëgimi është nga ligji, nuk është më nga premtimi. Por Perëndia ia fali atë Abrahamit me anë të premtimit.
19 Atëherë, pse u dha ligji? Ai u shtua për shkak të shkeljeve, deri sa të vinte pasardhja së cilës i qe bërë premtimi; dhe ky ligj u shpall nëpërmjet engjëjve, me anë të një ndërmjetësi.
20 Dhe ndërmjetësi nuk është ndërmjetës i një ane të vetme, kurse Perëndia është një.
21 A thua atëherë ligji është kundër premtimeve të Perëndisë? Kurrsesi jo! Sepse po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, drejtësia do të ishte me të vërtetë prej ligjit.
22 Por Shkrimi i mbylli të gjitha gjërat nën mëkatin, që t’u jepej besimtarëve premtimi nëpërmjet besimit të Jezu Krishtit.
23 Dhe, para se të vinte besimi, ne ruheshim nën ligjin, si të mbyllur, duke pritur besimin që duhej të zbulohej.
24 Kështu ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit.
25 Por, mbasi besimi erdhi, ne nuk jemi më nën ndonjë mësues,
26 sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezu Krishti.
27 Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur.
28 Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin.
29 Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.
4 Edhe them se për sa kohë trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet fare nga skllavi, megjithëse është zot i të gjithave,
2 por ai është nën kujdestarë dhe administratorë deri në kohën e caktuar nga i ati.
3 Kështu edhe ne, sa ishim të mitur, ishim të robëruar nën elementet e botës,
4 por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit,
5 që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.
6 Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: “Abba, Atë!.”
7 Prandaj ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.
8 Por atëherë, duke mos njohur Perëndinë, u shërbyet atyre që prej natyre nuk janë perëndi;
9 kurse tani, mbasi njohët Perëndinë, më mirë të them se u njohët prej Perëndisë, vallë si ktheheni përsëri te elementet e dobët dhe të varfër, tek të cilët doni përsëri t’u nënshtroheni?
10 Sepse ju i kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë dhe vite.
11 Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju.
12 O vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju; ju lutem, o vëllezër, ju s’më keni bërë asnjë të keqe.
13 Dhe ju e dini se në të kaluarën unë ju predikova ungjillin me dobësi të mishit;
14 dhe ju nuk më përbuzët aspak dhe s’patët neveri për provën që ishte në mishin tim, por më pranuat si engjëll Perëndie, si Jezu Krishtin vet.
15 Cili ishte, pra, gëzimi juaj? Sepse unë dëshmoj për ju se, po të qe e mundur, ju do të nxirrnit edhe sytë tuaj dhe do të m’i jepnit mua.
16 A thua u bëra armiku juaj, duke ju thënë të vërtetën?
17 Ata tregohen të zellshëm ndaj jush, por jo për qëllime të ndershme; madje ata duan t’ju shkëputin që të jeni të zellshëm ndaj tyre.
18 Mirë është të jesh gjithnjë i zellshëm për të mirë, dhe jo vetëm kur ndodhem midis jush.
19 Djemtë e mi, që unë i lind përsëri, derisa të formohet Krishti në ju!
20 Do të doja tashti të isha midis jush dhe ta ndryshoja tingullin e zërit tim, sepse jam ndërdyshas ndaj jush.
21 Po më thoni, ju që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin?
22 Sepse është shkruar se Abrahami pati dy bij: një nga shërbëtorja dhe tjetri nga e lira.
23 Dhe ai që lindi nga shërbëtorja lindi sipas mishit, por ai që lindi nga e lira lindi për hir të premtimit.
24 Këto gjëra kanë një kuptim alegorik, sepse këto dy gra janë dy besëlidhje: një nga mali Sinai, që ngjiz për skllavëri, dhe është Agari.
25 Dhe Agari është mali Sinai në Arabi dhe i përgjigjet Jeruzalemit të kohës së sotme; dhe ajo është skllave me bijtë e saj.
26 Ndërsa Jeruzalemi nga lart është i lirë dhe është nëna e ne të gjithëve.
27 Sepse është shkruar: “Gëzohu ti, o shterpë, që nuk lind! Shpërthe dhe klith, ti që nuk i provon dhembjet e lindjes, sepse bijtë e së braktisurës do të jenë më të shumtë se të asaj që e kishte burrin.”
28 Kurse ne, o vëllezër, jemi bij të premtimit, sikundër ishte Isaku.
29 Po, sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë që kishte lindur sipas Frymës, kështu është edhe tani.
30 Po çfarë thotë shkrimi? “Dëboje skllaven dhe djalin e saj, sepse i biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me djalin e së lirës.”
31 Kështu, pra, vëllezër, ne nuk jemi bij të skllaves, por të së lirës.