New Testament in a Year
27 Atëherë ushtarët e guvernatorit, mbasi e çuan Jezusin në pretoriumin e guvernatorit, mblodhën rreth tij gjithë kohortën.
28 Dhe, pasi e zhveshën, i hodhën mbi trup një mantel të kuq.
29 Dhe i thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e përqeshnin duke thënë: “Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!.”
30 Pastaj e pështynë, ia morën kallamin dhe me të i binin në kokë.
31 Dhe, mbasi e përqeshën, ia hoqën mantelin dhe e veshën me rrobat e tij; dhe e çuan për ta kryqëzuar.
32 Dhe duke dalë, takuan një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan ta mbartë kryqin e Jezusit.
33 Dhe, kur arritën në vendin që quhej Golgota, domethënë "Vendi i kafkës,"
34 i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, mbasi e provoi, nuk deshi ta pinte.
35 Mbasi e kryqëzuan, i ndanë me short rrobat e tij, që të përmbushej ç’ishte thënë nga profeti: “I ndanë ndërmjet tyre rrobat e mia dhe hodhën short mbi tunikën time.”
36 Pastaj u ulën dhe e ruanin.
37 Përmbi krye të tij, i vunë gjithashtu motivacionin e shkruar të dënimit të tij: “KY ÉSHTÉ JEZUSI, MBRETI I JUDENJVE.”
38 Atëhere u kryqëzuan bashkë me të dy cuba, njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën.
39 Dhe ata që kalonin andej e fyenin duke tundur kokën,
40 dhe duke thënë: “Ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton për tri ditë, shpëto vetveten; në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!.”
41 Po ashtu, edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe me pleqtë, duke e tallur, i thonin:
42 “Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten; në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të;
43 ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë".”
44 Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin kryqëzuar me të.
45 Që nga ora gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi gjithë vendin.
46 Rreth orës nëntë, Jezusi briti me zë të lartë duke thënë: “Eli, Eli, lama sabaktani?.” Domethënë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?.”
47 Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thanë: “Ky po thërret Elian.”
48 Dhe në atë çast një nga ata vrapoi, mori një sfungjer, e zhyti në uthull dhe, mbasi e vuri në majë të një kallami, ia dha për ta pirë.
49 Por të tjerët thonin: “Lëre, të shohim në se do të vijë Elia për ta shpëtuar.”
50 Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë dhe dha frymë.