New Testament in a Year
6 “Mos e jepni lëmoshën tuaj para njerëzve, me qëllim që ata t’ju admirojnë; përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej.
2 Kur do të japësh lëmoshë, pra, mos i bjer borisë para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugët, për të qenë të nderuar nga njerëzit; në të vërtetë ju them, se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.
3 Madje kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç’bën e djathta,
4 që lëmosha jote të jepet fshehurazi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas.
5 Dhe kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t’i shohin; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.
6 Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht.
7 Por kur ju luteni, mos përdorni përsëritje të kota siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë.
8 Mos u bëni, pra, si ata, sepse Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t’i kërkoni.
9 Ju, pra, lutuni kështu: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.
10 Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.
11 Bukën tonë të përditshme na e jep sot.
12 Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.
13 Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen".
14 Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve;
15 por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ua falë juve gabimet tuaja.
16 Dhe kur të agjëroni, mos u tregoni të pikëlluar si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t’u treguar njerëzve se agjërojnë; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.
17 Kurse ti, kur të agjërosh, vajose kokën dhe laje fytyrën,
18 me qëllim që të mos u tregosh njerëzve se ti agjëron, por Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, i cili shikon në fshehtësi, do ta japë shpërblimin publikisht.