Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

New Testament in a Year

Read the New Testament from start to finish, from Matthew to Revelation.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Mateu 5:1-26

Dhe ai, kur pa turmat, u ngjit në mal dhe, pasi u ul, iu afruan dishepujt e tij.

Atëherë ai hapi gojën dhe i mësoi duke u thënë:

“Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.

Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.

Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.

Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen.

Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë.

Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë.

Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë.

10 Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.

11 Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim.

12 Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush.”

13 “Ju jeni kripa e tokës; por në qoftë se kripa bëhet e amësht, me se mund ta rifitojë shijen? Nuk vlen për asgjë, veçse për t’u hedhur dhe ta shkelin njerëzit.

14 Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet.

15 Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi.

16 Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.”

17 “Mos mendoni se unë erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; unë nuk erdha për t’i shfuqizuar, po për t’i plotësuar.

18 Sepse në të vërtetë ju them: Deri sa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka.

19 Ai, pra, që do të shkelë një nga këto urdhërime më të vogla, dhe do t’u ketë mësuar kështu njerëzve, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve; kurse ai që do t’i vërë në praktikë dhe do t’ua mësojë të tjerëve, do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve.

20 Prandaj unë po ju them: në qoftë se drejtësia juaj nuk është më e lartë nga ajo e skribëve dhe e farisenjve ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.

21 Ju keni dëgjuar se u qe thënë të lashtëve: "Mos vrisni"; dhe: "Kushdo që vret do t’i nënshtrohet gjyqit";

22 por unë po ju them: "Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të tij, do t’i nënshtrohet gjyqit; dhe kush i thotë vëllait të vet: "Rraka," do t’i nënshtrohet sinedrit; dhe kush do t’i thotë: "Budalla," do t’i nënshtrohet zjarrit të Gehenës.

23 Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari, dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje,

24 lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde.

25 Bëj një marrëveshje miqësore me kundërshtarin tënd, sa je në një rrugë me të, që kundërshtari yt të mos të dorëzojë te gjykatësi dhe gjykatësi të të dorëzojë te rojtari dhe ti të futesh në burg.

26 Në të vërtetë të them se nuk do të da-lësh prej andej pa e paguar edhe qindarkën e fundit.