New Testament in a Year
23 Atëherë u ngrit gjithë asambleja dhe e çuan te Pilati.
2 Dhe filluan ta paditin duke thënë: “Këtë ne e gjetëm që përmbyste kombin tonë dhe ndalonte t’i jepeshin taksa Cezarit, duke u vetëquajtur një mbret, Krishti.”
3 Atëherë Pilati e pyeti duke thënë: “A je ti mbreti i Judenjve?.” Dhe Jezusi iu përgjigj dhe tha: “Ti po thua.”
4 Pilati u tha atëherë krerëve të priftërinjve dhe popullit: “Unë nuk po gjej asnjë faj te ky njeri.”
5 Por ata ngulnin këmbë, duke thënë: “Ai po ngre popullin në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që nga Galilea e deri këtu.”
6 Atëherë Pilati, kur dëgjoi se u fol për Galilenë, pyeti në se ai njeri ishte Galileas.
7 Dhe kur mori vesh se ai i takonte juridiksionit të Herodit, e dërgoi te Herodi, i cili, ndër ato ditë, ndodhej edhe ai në Jeruzalem.
8 Kur Herodi pa Jezusin, u gëzua shumë; prej shumë kohësh ai donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte të shihte ndonjë mrekulli të kryer prej tij.
9 Ai i drejtoi shumë pyetje, por Jezusi nuk u përgjigj fare.
10 Ndërkaq krerët e priftërinjve dhe skribët rrinin aty dhe e paditnin me furi.
11 Atëherë Herodi, me ushtarët e vet, mbasi e fyu dhe e talli, e veshi me një rrobe të shkëlqyeshme dhe ia riktheu Pilatit.
12 Atë ditë Herodi dhe Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, ndërsa më parë ishin armiq.
13 Atëherë Pilati, mblodhi krerët e priftërinjve, kryetarët dhe popullin,
14 dhe u tha atyre: “Ju më prutë këtë njeri si çoroditës të popullit; dhe ja, unë, pasi e hetova para jush, nuk kam gjetur tek ai asnjë nga fajet për të cilat ju e paditni,
15 dhe as Herodi, sepse na e ktheu përsëri te ne; në fakt ai s’ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen.
16 Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj.”
17 Tani me rastin e festës së Pashkës qeveritari duhet të lironte dikë.
18 Por ata, të gjithë njëzeri, bërtitën duke thënë: “Vraje këtë dhe na liro Barabën.”
19 Ky ishte hedhur në burg për një trazirë të bërë në qytet dhe për vrasje.
20 Prandaj Pilati, duke dashur të lëshojë Jezusin, u foli përsëri.
21 Por ata bërtitnin duke thënë: “Kryqëzoje!.”
22 Për të tretën herë ai u tha atyre: “Po ç’të keqe bëri ky? Unë nuk gjeta në të asnjë faj që të meritojë vdekjen. Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj.”
23 Por ata ngulnin këmbë me britma te mëdha duke kërkuar që ta kryqëzonin; dhe britmat e tyre dhe të krerëve të priftërinjve u bënë mbisunduese.
24 Atëherë Pilat vendosi që të bëhej çka ata kërkonin.
25 Dhe ua lëshoi atë që qe burgosur për trazirë dhe vrasje dhe që ata e kishin kërkuar; dhe Jezusin ia dorëzoi vullnetit të tyre.