M’Cheyne Bible Reading Plan
23 Pastaj i thanë Davidit: "Ja, Filistejtë janë duke luftuar kundër Kejlahut dhe po plaçkisnin lëmenjtë".
2 Kështu Davidi u këshillua me Zotin, duke thënë: "Të shkoj unë t’i mund këta Filistej?". Zoti iu përgjegj me këto fjalë Davidit: "Shko, mundi Filistejtë dhe shpëto Kejlahun".
3 Por njerëzit e Davidit i thanë: "Ja, ne na ka zënë frika që këtu në Jude, si do të bëhet pastaj në rast se shkojmë në Kejlah kundër trupave të Filistejve?".
4 Davidi u këshillua përsëri me Zotin dhe Zoti iu përgjegj dhe i tha: Çohu, zbrit në Kejlah, sepse unë do t’i jap Filistejtë në duart e tuaa".
5 Atëherë Davidi shkoi me njerëzit e tij në Kejlah, luftoi kundër Filistejve, ua mori bagëtinë dhe bëri kërdi të madhe në radhët e tyre. Kështu Davidi çliroi banorët e Kejlahut.
6 Kur Abiathari, bir i Ahimelekut, u strehua pranë Davidit në Kejlah, solli me vete edhe efodin.
7 Saulin e njoftuan që Davidi kishte arritur në Kejlah. Atëherë Sauli tha: Perëndia e ka dorëzuar në duart e mia, sepse vajti të mbyllet në një qytett që ka porta dhe shule.".
8 Sauli mblodhi tërë popullin për luftë, për të zbritur në Kejlah dhe për të rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij.
9 Kur Davidi mësoi që Sauli po kurdiste të keqen kundër tij, i tha priftit Abiathar: "Sille këtu efodin".
10 Pastaj Davidi tha: "O Zot, Perëndi i Izraelit, shërbëtori yt e ka kuptuar qartë që Sauli kërkon të vijë në Kejlah për ta shkatërruar qytetin për shkakun tim.
11 Krerët e Kejlahut a do të më dorëzojnë në duart e tij? A do të zbresë Sauli si ka dëgjuar shërbëtori yt? O Zot, Perëndi i Izraelit, bëja të ditur shërbëtorit tënd!". Zoti u përgjegj: "Ka për të zbritur".
12 Davidi pyeti akoma: "Krerët e Kejlahut a do të më dorëzojnë mua dhe njerëzit e mi në duart e Saulit?". Zoti u përgjegj: "Do t’ju dorëzojnë".
13 Atëherë Davidi dhe njerëzit e tij, rreth gjashtëqind veta, dolën nga Kejlahu dhe brodhën sa andej e këtej. Kur Sauli u njoftua që Davidi kishte ikur nga Kejlahu, ai hoqi dorë nga fushata e tij.
14 Davidi banoi në fortesa të shkretëtirës dhe qëndroi në krahinën malore të shkretëtirës së Zifit. Sauli e kërkonte vazhdimisht, por Perëndia nuk ia dorëzoi në dorë.
15 Davidi, duke ditur që Sauli ishte nisur për ta vrarë, mbeti në shkretëtirën e Zifit, në pyll.
16 Atëherë Jonathani, bir i Saulit, u ngrit dhe shkoi te Davidi në pyll; dhe e ndihmoi të gjejë forcë te Perëndia.
17 Pastaj i tha: "Mos ki frikë, sepse Sauli, ati im, nuk do të arrijë të të shtjerë në dorë; ti do të mbretërosh mbi Izraelin dhe unë do të jem i dyti pas teje. Vetë Sauli, ati im, e di këtë".
18 Kështu të dy bënë një besëlidhje para Zotit; pas kësaj Davidi mbeti në pyll, kurse Jonathani shkoi në shtëpinë e tij.
19 Pastaj Zifejtë shkuan te Sauli në Gibeah dhe i thanë: "A nuk rri Davidi i fshehur në fortesa në pyll, mbi kodrën e Hakilahut që ndodhet në jug të shkretëtirës?
20 Prandaj, o mbret, zbrit, sepse gjithë dëshira e shpirtit tënd është të zbresësh; do të mendojmë ne ta dorëzojmë në duart e mbretit".
21 Sauli tha: "Qofshi të bekuar nga Zoti, sepse ju ka ardhur keq për mua!
22 Shkoni, ju lutem, dhe sigurohuni më mirë për të njohur dhe për të parë vendin ku strehohet, dhe kush e ka parë atje, sepse më thonë që ai është shumë dinak.
23 Përpiquni të njihni të gjitha vendet e fshehta ku strehohet; pastaj kthehuni tek unë me lajme të sigurta dhe unë do të vij me ju. Kështu, në qoftë se ai është në atë vend, unë do ta kërkoj midis të gjithë mijërave të Judës".
24 Atëherë ata u ngritën dhe shkuan në Zif, përpara Saulit: por Davidi dhe njerëzit e tij ishin në shkretëtirën e Maonit, në Arabah, në jug të shkretëtirës.
25 Kur Sauli dhe njerëzit e tij shkuan ta kërkojnë, Davidin e kishin lajmëruar; prandaj ai zbriti te shkëmbi dhe mbeti në shkretëtirën e Maonit. Kur e mori vesh Sauli, e ndoqi Davidin në shkretëtirën e Maonit.
26 Sauli ecte mbi një anë të malit, ndërsa Davidi me gjithë njerëzit e tij ecnin në anën tjetër. Kur Davidi po shpejtonte marshimin e tij për t’i shpëtuar Saulit, ndërsa Sauli dhe njerëzit e tij ishin duke rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij për t’i kapur,
27 arriti te Sauli një lajmëtar që tha: "Shpejtohu të vish, sepse Filistejtë kanë pushtuar vendin".
28 Kështu Sauli nuk e ndoqi më Davidin dhe shkoi të përballojë Filistejtë; prandaj ky vend u quajt "shkëmbi i ndarjes".
29 Pastaj që andej Davidi shkoi për t’u vendosur në fortesat e En-Gedit.
4 Kështu njeriu, pra, le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit dhe si administratorë të mistereve të Perëndisë.
2 E tjetra që kërkohet nga administratorët, është që secili të gjendët besnik.
3 Sa për mua, më intereson fort pak që të gjykohem prej jush ose prej një gjykate njerëzore; madje as vetveten nuk e gjykoj.
4 Sepse nuk jam i vetëdijshëm për asnjë faj, por për këtë nuk jam justifikuar, por ai që më gjykon është Zoti.
5 Prandaj mos gjykoni asgjë para kohe derisa të vijë Zoti, që do të nxjerrë në dritë gjërat e fshehta të errësirës dhe do të shfaqë këshillat e zemrave; dhe atëherë secili do të ketë lavdërimin e vet nga Perëndia.
6 Dhe tani, o vëllezër, për të mirën tuaj, ia kalova këto gjëra vetes sime dhe Apolit, që nëpërmjet nesh të mësoni që të mos mendoni përtej asaj që është shkruar, që të mos krekoset ndonjë prej jush, njeri kundër tjetrit.
7 Sepse çfarë të bën të ndryshëm? Çfarë ke ti që nuk e ke marrë? Dhe, nëse e ke marrë, pse krenohesh sikur nuk e ke marrë?
8 Tashmë jeni të ngopur, tashmë jeni të pasur, tashmë u bëtë mbretër pa ne; dhe makar të ishit bërë mbretër, që edhe ne të mbretëronim me ju.
9 Sepse unë mendoj se Perëndia na ka paraqitur ne apostujt si të fundit, si njerëz të dënuar për vdekje; sepse u bëmë lojë për botën, për engjëjt dhe për njerëzit.
10 Ne jemi të marrë për Krishtin, por ju të urtë në Krishtin; ne jemi të dobët, por ju të fortë; ju jeni të nderuar, por ne të përbuzur.
11 Deri tani vuajmë nga uria, etja, e jemi të zhveshur; jemi të qëlluar me shuplaka dhe endemi pa shtëpi,
12 dhe mundohemi, duke punuar me duart tona; duke qenë të fyer, bekojmë; duke qenë të përndjekur, durojmë;
13 duke qenë të sharë, lutemi; jemi bërë si pisllëku i botës, porsi plehrat e të gjithëve deri më sot.
14 Këto gjëra nuk po i shkruaj që t’ju turpëroj, por që t’ju paralajmëroj si fëmijët e mi të dashur.
15 Sepse, edhe sikur të kishit dhjetë mijë mësues në Krishtin, nuk do të kishit shumë etër, sepse unë ju kam dhënë jetë në Krishtin Jezus, me anë të ungjillit.
16 Prandaj ju bëj thirrje të bëheni imituesit e mi.
17 Për këtë arsye ju kam dërguar Timoteun, që është biri im i dashur dhe besnik në Zotin. Ky do t’ju kujtojë udhët e mia në Krishtin ashtu siç mësoj kudo në çdo kishë.
18 Dhe disa u krekosën, sikur nuk do të vija më te ju;
19 por shpejt kam për të ardhur te ju, në dashtë Zoti, dhe kam për të njohur jo fjalën, po fuqinë e atyre që janë krekosur,
20 sepse mbretëria e Perëndisë nuk qëndron në fjalë, por në fuqi.
21 Çfarë doni? Që të vij te ju me thupër apo me dashuri dhe me zemërbutësi?
2 Dhe më tha: "O bir njeriu, çohu më këmbë dhe unë do të të flas".
2 Ndërsa ai më fliste, Fryma hyri tek unë dhe më bëri të çohem më këmbë, dhe unë dëgjova atë që më fliste.
3 Ai më tha: "O bir njeriu, unë të dërgoj te bijtë e Izraelit, në mes të kombeve rebelë që janë rebeluar kundër meje; ata dhe etërit e tyre kanë ngritur krye kundër meje deri më këtë ditë.
4 Ata te të cilët po të dërgoj janë bij me fytyrë të ashpër dhe me zemër kryeneçe, dhe ti do t’u thuash atyre: "Kështu thotë Zoti, Zoti".
5 Edhe sikur të dëgjojnë ose të mos pranojnë të dëgjojnë, sepse janë një shtëpi rebele, do të mësojnë se megjithatë ka një profet në mes tyre.
6 Dhe ti, bir njeriu, mos ki frikë prej tyre dhe mos ki frikë nga fjalët e tyre, edhe se po qe se do gjendesh i rrethuar nga hithra dhe nga gjemba dhe po qe se banon në mes të akrepave; mos ki frikë nga fjalët e tyre dhe mos u tremb para tyre, sepse janë një shtëpi rebele.
7 Por ti do t’u njoftosh fjalët e mia, edhe sikur të të dëgjojnë ose të refuzojnë të dëgjojnë, sepse janë rebelë.
8 Dhe ti, bir njeriu, dëgjo atë që të them; mos u bëj rebel si kjo shtëpi rebele; hap gojën dhe ha atë që po të jap".
9 Unë shikova, dhe ja një dorë e shtrirë drejt meje; dhe ja, në të ishte rrotulla e një libri.
10 Ai e shpalosi para meje; ishte shkruar nga brenda dhe nga jashtë dhe në të ishin shkruar vaje, rënkime dhe halle.
38 O Zot, mos më shaj në indinjatën tënde dhe mos më dëno në zemërimin tënd.
2 Sepse shigjtat e tua më kanë shpuar dhe dora jote më shtyp.
3 Nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim për shkak të zemërimit tënd; nuk ka qetësi në kockat e mia për shkak të mëkatit tim.
4 Paudhësitë e mia e kalojnë në fakt kohën time, janë si një barrë e madhe, shumë e rëndë për mua.
5 Plagët e mia janë të fëlliqura dhe të qelbëzuara nga marrëzia ime.
6 Jam krejt i kërrusur dhe i dëshpëruar; sillem tërë ditën rreth e qark duke mbajtur zi,
7 sepse ijet e mia janë të pezmatuara dhe nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim.
8 Jam i sfilitur dhe i vrarë; vrumbulloj nga drithma e zemrës sime.
9 O Zot, çdo dëshirë që kam është para teje dhe psherëtimat e mia nuk të janë fshehur.
10 Zemra ime rreh, fuqia po më lë; vetë drita e syve të mi ka ikur.
11 Miqtë e mi dhe shokët e mi rrinë larg plagës sime, dhe fqinjët e mi ndalojnë larg meje.
12 Ata që kërkojnë jetën time më ngrejnë kurthe dhe ata që duan të më bëjnë të keqen flasin për shkatërrimin dhe mendojnë mashtrime tërë ditën.
13 Por unë jam si një i shurdhër që nuk dëgjon dhe një memec që nuk e hap gojën.
14 Po, jam si një njeri që nuk dëgjon dhe që nuk mund të përgjigjet me gojën e tij.
15 Sepse shpresoj te ti, o Zot, ti do të përgjigjesh, o Zot, Perëndia im.
16 Sepse kam thënë: "U gëzofshin me mua, dhe kur këmba ime pengohet, mos u çofshin kundër meje".
17 Ndërsa jam duke rënë dhe dhembja ime është vazhdimisht para meje,
18 ndërsa rrëfej mëkatin tim dhe jam tepër i shqetësuar për mëkatin,
19 armiqtë e mi janë tërë gjallëri dhe janë të fortë, dhe ata që më urrejnë pa shkak shumohen.
20 Edhe ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqen më përndjekin, sepse unë ndjek rrugën e së mirës.
21 O Zot, mos më braktis; Perëndia im, mos u largo nga unë.
22 Nxito të më ndihmosh, o Zot, o shpëtimi im.