M’Cheyne Bible Reading Plan
20 Davidi iku nga Najothi i Ramahut, shkoi te Jonathani dhe i tha: "Çfarë kam bërë? Cili është faji im dhe cili është mëkati im kundër atit tënd, që ai kërkon jetën time?".
2 Jonathani iu përgjegj: "Mos ndodhtë kurrë! Ti nuk ke për të vdekur; ja im atë nuk bën asnjë veprim të madh apo të vogël pa ma njoftuar mua. Pse im atë të ma fshihte këtë gjë? Nuk është e mundur".
3 Davidi u betua përsëri dhe tha: "Yt atë e di me siguri që unë gëzoj hirin tënd dhe do të ketë thënë: "Jonathani të mos e dijë këtë, që të mos hidhërohet". Por siç është e vërtetë që Zoti jeton, dhe që rron shpirti yt, mua nuk më ndan nga vdekja veçse një hap".
4 Jonathani i tha Davidit: "Çfarëdo gjë që të më kërkosh, unë do ta bëj për ty".
5 Davidi iu përgjegj Jonathanit: "Ja, nesër fillon hëna e re dhe unë duhet të ulem në tryezë me mbretin, por të më lër të shkoj dhe unë do të fshihem në fshatrat deri në mbrëmjen e ditë së tretë.
6 Në qoftë se atit tënd i bie në sy mungesa ime, ti do t’i thuash: "Davidi më është lutur me insistim të hidhet për pak kohë deri në Betlem, në qytetin e tij, sepse aty kremtohet flijimi për tërë familjen e tij".
7 Në qoftë se thotë: "Mirë," shërbëtori yt ka për të shpëtuar. Por në rast se zemërohet, dije se ka vendosur të ma bëjë të keqen.
8 Tregohu, pra, i mëshirshëm me shërbëtorin tënd, sepse e ke bërë të lidhet në një besëlidhje të Zotit me ty; por në rast se kam ndonjë faj, vritmë ti. Pse duhet të më çosh tek ati yt?".
9 Jonathani tha "Larg qoftë ky mendim! Po ta dija që im atë ka vendosur të ta bëjë të keqen, nuk do të ta tregoja ty?".
10 Davidi i tha Jonathanit: "Kush do të më njoftojë në se yt atë të përgjigjet rëndë?".
11 Jonathani i tha Davidit: "Eja, të dalim ndër fusha!". Kështu që të dy dolën jashtë, në fushë.
12 Atëherë Jonathani i tha Davidit: "Paça dëshmitar Zotin, Perëndinë e Izraelit! Nesër ose pasnesër, në këtë orë, do të hetoj qëllimet e atit tim, për të parë në se ai e shikon me sy të mirë Davidin, dhe po të mos dërgoj njeri të të njoftojë,
13 Zoti le t’i bëjë këtë gjë Jonathanit, madje edhe më keq. Në qoftë se përkundrazi im atë ka ndërmend të të bëjë një të keqe, unë do të të njoftoj dhe do të lë të shkosh me qëllim që ti të shkosh në paqe; dhe Zoti qoftë me ty, ashtu siç ka qenë me atin tim!
14 Deri sa të jem gjallë, a nuk do të përdorësh ndaj meje mirësinë e Zotit, me qëllim që mos vritem?".
15 Por nuk do të heqësh dorë kurrë të përdorësh mirësinë ndaj shtëpisë sime, as atëherë kur Zoti të ketë shfarosur nga faqja e dheut tërë armiqtë e Davidit".
16 Kështu Jonathani lidhi një besëlidhje me shtëpinë e Davidit, duke thënë: "Zoti t’u kërkojë llogari armiqve të Davidit për gjakun!".
17 Për hir të dashurisë që kishte për të, Jonathani e vuri përsëri Davidin të betohet, sepse ai e donte si shpirtin e vet.
18 Pastaj Jonathani i tha: "Nesër fillon hëna e re dhe mungesa jote do të bjerë në sy, sepse vendi yt do të mbetet bosh.
19 Do të lësh të kalojmë tri ditë, pastaj do të zbresësh me të shpejtë dhe do të shkosh në vendin ku u fshehe ditën e ngjarjes, dhe do të rrish pranë gurit të Ezelit.
20 Unë do të hedh tri shigjeta përbri gurit sikur të gjuaja në shenjë.
21 Pastaj do të dërgoj një djalosh, duke i thënë: "Shko të kërkosh shtigjeta". Në rast se i them djaloshit: "Shiko, shigjetat janë nga ana jote, prandaj merri!" atëherë eja sepse, ashtu si Zoti jeton, punët të ecin mbarë ty dhe nuk ka asnjë rrezik.
22 Në qoftë se përkundrazi i them djaloshit: "Shiko, shigjetat janë matanë teje," atëherë shko, sepse Zoti të bën të ikësh.
23 Sa për gjërat për të cilat kemi folur midis nesh, ja, Zoti qoftë dëshmitar midis teje dhe meje për gjithnjë".
24 Kështu Davidi u fsheh nëpër ara; kur filloi hëna e re, mbreti u ul për të ngrënë.
25 Mbreti u ul në karrigen e tij, si herët e tjera, në karrigen pranë murit; Jonathani u ul përballë tij. Abneri u ul pranë Saulit, por vendi i Davidit mbeti bosh.
26 Megjithatë Sauli nuk tha asgjë atë ditë, sepse mendonte: "Do t’i ketë ndodhur diçka; nuk do të jetë i pastër; me siguri ai nuk është i pastër".
27 Por të nesërmen, ditën e dytë të hënës së re, vendi i Davidit ishte akoma bosh. Atëherë Sauli i tha Jonathanit, birit të tij: "Pse biri i Isait nuk erdhi për të ngrënë as dje, as sot?".
28 Jonathani iu përgjegj Saulit: "Davidi më kërkoi me insistim ta lë të shkojë në Betlem;
29 dhe tha: "Të lutem lermë të shkoj, sepse kemi në qytet një flijim në familje, dhe vëllai im më ka detyruar të marr pjesë në të; tani, pra, po të gëzoj hirin tënd, të lutem, lermë të hidhem shpejt për të parë vëllezërit e mi". Për këtë arësye nuk erdhi në tryezën e mbretit".
30 Atëherë zemërimi i Saulit u ndez kundër Jonathanit dhe i tha: "O bir i çoroditur dhe rebel, vallë nuk e di unë që ti mban anën e birit të Isait, për turpin tënd dhe për turpin e lakuriqësisë të nënës sate?
31 Sepse për deri sa biri i Isait do të jetojë mbi tokë, nuk do të ketë qëndrueshmëri as për ty, as për mbretërinë tënde. Prandaj dërgo ta marrin dhe sille tek unë, sepse ai duhet të vdesë.
32 Jonathani iu përgjegj Saulit, atit të tij duke i thënë: "Pse duhet të vdesë? Çfarë ka bërë?".
33 Atëherë Sauli e vërtiti ushtën kundër tij për ta vrarë. Jonathani e kuptoi që vrasja e Davidit ishte diçka e vendosur nga ana e të atit.
34 Kështu Jonathani u ngrit i zemëruar nga tryeza dhe nuk hëngri gjë as ditën e dytë të hënës së re, mbasi ishte i hidhëruar për Davidin, sepse i ati e kishte trajtuar në mënyrë të turpshme.
35 Të nesërmen në mëngjes, Jonathani doli në fushë në vendin e caktuar me Davidin, duke pasur me vete një djalosh.
36 Ai i tha djaloshit: "Vrapo të më sjellësh shigjetat që unë gjuaj". Ndërsa djaloshi vraponte, ai hodhi një shigjetë që kaloi përtej tij.
37 Kur djaloshi arriti në vendin ku ndodhej shigjeta që Jonathani kishte hedhur, Jonathani i bërtiti nga prapa: "Shigjeta, vallë ka rënë matanë teje?".
38 Pastaj Jonathani i bërtiti akoma djaloshit: "Vepro shpejt, mbaro punë, mos u ndal!". Kështu djaloshi i Jonathanit mblodhi shigjetat dhe u kthye tek i zoti.
39 Por djaloshi nuk e dinte asgjë; vetëm Jonathani dhe Davidi e dinin si qëndronte çështja.
40 Pastaj Jonathani ia dha armët e tij djaloshit dhe i tha: "Nisu, çoji në qytet".
41 Me t’u nisur djaloshi, Davidi u ngrit nga krahu jugor, ra përmbys tri herë me fytyrë për tokë; pastaj të dy puthen me njeri tjetrin dhe qanë bashkë; por Davidi qau më tepër.
42 Pastaj Jonathani i tha Davidit: "Shko në paqe, tani që ne të dy jemi betuar në emër të Zotit; Zoti le të jetë përgjithmonë dëshmitar midis meje dhe teje dhe ndërmjet pasardhësve të tu dhe pasardhësve të mi". Pastaj Davidi u ngrit dhe iku; dhe Jonathani u kthye në qytet.
2 Edhe unë, o vëllezër, kur erdha te ju, nuk erdha me shkëlqim fjalësh a diturie, që t’ju shpall dëshminë e Perëndisë,
2 sepse e vendosa që të mos di tjetër gjë ndër ju, veç Jezu Krishtit edhe atë të kryqëzuar.
3 Edhe unë kam qenë te ju me dobësi, me frikë dhe drithërimë të madhe.
4 Dhe fjala ime dhe predikimi im nuk u bënë me fjalë mbushamendëse nga dituria njerëzore, por në dëftim të Frymës dhe të fuqisë,
5 që besimi juaj të mos qëndrojë mbi diturinë e njerëzve, po mbi fuqinë e Perëndisë.
6 Dhe ne flasim dituri në mes njerëzish të pjekur, por jo diturinë e kësaj kohe dhe as të pushtetarëve të kësaj kohe, që nuk arrin asgjë,
7 por flasim diturinë e Perëndisë të fshehur në mister, që Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë,
8 të cilën asnjë nga pushtetarët e kësaj kohe nuk e ka njohur; sepse, po ta kishin njohur, nuk do të kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.
9 Por, sikurse është shkruar: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë.”
10 Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij, sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë.
11 Sepse cili nga njerëzit, pra, njeh gjërat e njeriut, përveç se fryma e njeriut që është në të? Po kështu asnjëri s’i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë.
12 Dhe ne nuk kemi marrë frymën e botës, por Frymën që vjen nga Perëndia, që të njohim gjërat që na janë dhuruar falas nga Perëndia.
13 Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore.
14 Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht.
15 Por njeriu që është frymëror gjykon çdo gjë dhe vetë nuk është i gjykuar nga asnjeri.
16 Sepse kush e ka njohur mendjen e Zotit që mund të mësojë atë? Por ne kemi mendjen e Krishtit.
5 Kujto, o Zot, atë që na ka ndodhur, shiko dhe vër re turpin tonë.
2 Trashëgimia jonë u ka kaluar të huajve, shtëpitë tona njerëzve që nuk janë tanët.
3 Ne u bëmë jetimë, pa etër, nënat tona janë si të veja.
4 Duhet të paguajmë për ujët që pimë, drutë tona i kemi vetëm me pagesë.
5 Na ndjekin me një zgjedhë mbi qafë, jemi të rraskapitur dhe nuk kemi fare pushim.
6 I kemi shtrirë dorën Egjiptit dhe Asirisë për t’u ngopur me bukë.
7 Etërit tanë kanë mëkatuar dhe nuk janë më, dhe ne mbajmë ndëshkimin për paudhësitë e tyre.
8 Skllevërit sundojnë mbi ne, askush nuk mund të na çlirojë nga duart e tyre.
9 E nxjerrim bukën duke rrezikuar jetën tonë, përpara shpatës së shkretëtirës.
10 Lëkura jonë është ngrohur si në një furrë për shkak të valës së urisë.
11 Kanë dhunuar gratë në Sion, virgjëreshat në qytetet e Judës.
12 Krerët janë varur nga duart e tyre, personi i pleqëve nuk është respektuar.
13 Të rinjtë i vunë të bluajnë, të vegjëlit u rrëzuan nën barrën e druve.
14 Pleqtë nuk mblidhen më te porta, të rinjtë nuk u bien më veglave të tyre.
15 Gëzimi i zemrave tona është pakësuar, vallja jonë është shndërruar në zi.
16 Kurora ka rënë nga koka jonë; mjerë ne, sepse kemi mëkatuar!
17 Prandaj u sëmur zemra jonë, për këto gjëra na janë errësuar sytë:
18 për malin e Sionit që është i shkretuar dhe në të cilin sillen dhelprat.
19 Por ti, o Zot, mbetesh për jetë, dhe froni yt brez pas brezi.
20 Pse do të na harroje për jetë dhe do të na braktisje për një kohë të gjatë?
21 Na bëj që të rikthehemi te ti, o Zot, dhe ne do të kthehemi; rivendos ditët tona si në të kaluarën.
22 Mos vallë na hodhe poshtë fare apo je zemëruar me të madhe kundër nesh?
36 Mëkati i të pabesit i thotë zemrës sime: "Nuk ekziston asnjë frikë nga Perëndia përpara syve të tij.
2 Sepse ai gënjen veten e tij në kërkimin e fajit që ka kryer në urrejtjen ndaj tij.
3 Fjalët e gojës së tij janë paudhësi dhe mashtrim; ai ka pushuar së qeni i urtë dhe nuk bën më të mira.
4 Ai thur paudhësi në shtratin e tij; vihet në një rrugë që nuk është e mirë dhe që nuk e dënon të keqen".
5 O Zot, mirësia jote arrin deri në qiell dhe besnikëria jote deri te retë.
6 Drejtësia jote është si malet e Perëndisë, dhe gjykimet e tua janë si një humnerë e madhe. O Zot, ti ruan njerëz dhe kafshë.
7 O Perëndi, sa e çmuar është mirësia jote! Prandaj bijtë e njerëzve gjejnë strehë nën hijen e krahëve të tu;
8 ata ngopen me bollëkun e shtëpisë sate, dhe ti u heq etjen në përroin e kënaqësive të tua.
9 Sepse pranë teje është burimi i jetës, dhe me anë të dritës sate ne shohim dritën.
10 Zgjate mirësinë tënde ndaj atyre që të njohin dhe drejtësinë tënde ndaj atyre që janë të drejtë nga zemra.
11 Mos më vëntë këmbën kryelarti dhe dora e të pabesit mos më marrtë me vete.
12 Ja, ata që kryejnë paudhësi kanë rënë; i kanë rrëzuar për tokë dhe nuk mund të ringjallen përsëri.