M’Cheyne Bible Reading Plan
13 Sauli ishte tridhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë; dhe mbasi mbretëroi dy vjet mbi Izraelin,
2 ai zgjodhi tre mijë ushtarë të Izraelit: dy mijë rrinin me të në Mikmash dhe në krahinën malore të Betelit; dhe një mijë me Jonathanin në Gibeah të Beniaminit; e ktheu prapa pjesën tjetër të popullit, secili shkoi në çadrën e vet.
3 Jonathani e mundi garnizonin e Filistejve që ndodhej në Geba, dhe Filistejtë e mësuan këtë ngjarje; Atëherë Sauli urdhëroi që t’u binin borive në tërë vendin, duke thënë: "Le ta dijnë Hebrenjtë!".
4 Dhe në tëtë Izraelin filluan të thonë: "Sauli mundi garnizonin e Filistejve dhe Izraeli tani urrehet nga Filistejtë". Kështu populli u thirr në Gilgal për të shkuar pas Saulit.
5 Edhe Filistejtë u mblodhën për të luftuar kundër Izraelit, me tridhjetë mijë qerre, gjashtë mijë kalorës dhe shumë njerëz, si rëra në bregun e detit. Ata u nisën pra, dhe u vendosën në Mikmash, në lindje të Beth-Avenit.
6 Kur Izraelitët e panë se ishin në rrezik (pse populli u gjend ngushtë), u fshehën në shpella, në gëmusha, ndër shkëmbinj, në guva dhe në hauze.
7 Disa Hebrenj kaluan Jordanin për të vajtur në vendin e Gadit dhe të Galaadit. Sauli ishte akoma në Gilgal dhe tërë populli shkonte pas tij duke u dridhur.
8 Ai priti shtatë ditë simbas kohës së caktuar nga Samueli; por Samueli nuk po vinte në Gilgal dhe populli kishte filluar të shpërndahej larg tij.
9 Atëherë Sauli tha: "Më sillni olokaustin dhe flijimet e falenderimit". Pastaj ofroi olokaustin.
10 Sapo kishte mbaruar së ofruari olokaustin, kur erdhi Samueli; dhe Sauli i doli përpara për ta përshëndetur.
11 Por Samueli i tha: "Çfarë bëre kështu?". Sauli u përgjegj: "Kur pashë që populli po shpërndahej larg meje, që ti nuk kishe arritur ditën e caktuar dhe që Filistejtë po mblidheshin në Mikmash, thashë me vete:
12 "Tani Filistejtë do të më sulen në Gilgal dhe unë akoma nuk i jam lutur Zotit". Prandaj e mblodha veten dhe ofrova olokastin".
13 Atëherë Samueli i tha Saulit: "Ti ke vepruar pa mend; nuk ke respektuar urdhërimin që Zoti, Perëndia yt, të kishte dhënë. Në fakt Zoti do të vendoste për gjithnjë mbretërinë tënde mbi Izraelin.
14 Tani përkundrazi mbretëria jote nuk ka për të vazhduar, Zoti ka kërkuar një njeri simbas zemrës së tij, dhe Zoti e ka caktuar princ të populli të tij, sepse ti nuk ke respektuar atë që Zoti të pati urdhëruar".
15 Pastaj Samueli u ngrit dhe u ngjit nga Gilgali në Gibeah të Beniaminit, dhe Sauli kaloi në revistë popullin që gjendej me të; ishin rreth gjashtë qind veta.
16 Sauli, Jonathani, bir i tij, dhe njerëzit që mbetën me ta qëndruan në Gibeah të Beniaminit, ndërsa Filistejtë ishin vendosur në Mikmash.
17 Pastaj nga kampi i Filistejve dolën disa cuba, të ndarë në tri grupe: njeri grup mori udhën në drejtim të Ofrahut, drejt vendit të Shualit;
18 një grup tjetër u fut në rrugën e Beth-Horonit; grupi i tretë mori rrugën e kufirit që sundon luginën e Tseboimit, në drejtim të shkretëtirës.
19 Në tërë vendin e Izraelit nuk gjeje as edhe një kovaç, sepse Filistejtë thonin: "Hebrenjtë të mos prodhojnë shpata ose shtiza".
20 Kështu tërë Izraelitët shkonin te Filistejtë për të mprehur kush plorin, kush sëpatën, kush belin.
21 Çmimi për mprehje ishte një pim për belin, për sëpatën, për sfurkun, për rregullimin e hostenëve.
22 Kështu ditën e betejës nuk shihje as shpatë, as shtizë në duart e tërë njeëzve që ishin me Saulin dhe me Jonathanin, ato i kishin vetëm Sauli dhe Jonathani, bir i tij.
23 Garnizoni i Filistejve doli pastaj dhe u drejtua nga qafa e Mikmashit.
11 Unë, pra, them: A thua Perëndia e hodhi poshtë popullin e vet? Aspak, sepse edhe unë jam Izraelit, nga pasardhje e Abrahamit, nga fisi i Beniaminit.
2 Perëndia nuk e hodhi poshtë popullin e vet, të cilin e njohu që përpara. A nuk e dini ju ç’thotë Shkrimi për Elian? Si i drejtohet ai Perëndisë kundër Izraelit, duke thënë:
3 “O Zot, profetët e tu i vranë dhe altarët e tu i prishën, dhe unë mbeta i vetëm, dhe ata kërkojnë jetën time.”
4 Por, çfarë i tha zëri hyjnor? “Kam lënë për veten time shtatë mijë burra, që nuk kanë rënë në gjunjë përpara Baalit.”
5 Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit.
6 Dhe, po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të ishte më vepër.
7 E çfarë, atëherë? Izraeli nuk e mori atë që kërkonte, kurse të zgjedhurit e morën, dhe të tjerët u verbuan,
8 siç është shkruar: “Perëndia u dha atyre frymë hutimi, sy që të mos shohin dhe veshë që të mos dëgjojnë deri në ditën e sotme.”
9 Dhe Davidi thotë: “Tryeza e tyre iu bëftë lak, një kurth, një pengesë dhe një shpagim.
10 Sytë e tyre u errësofshin që të mos shohin, dhe kurrizin e tyre kërruse përgjithnjë.”
11 Unë them, pra: “Mos u penguan, që të rrëzohen? Aspak; por me anë të rrëzimit të tyre u erdhi shpëtimi johebrenjve, që t’i shtjerë ata në xhelozi.
12 Edhe nëse rrëzimi i tyre është fitim për botën dhe pakësimi i tyre është fitim për johebrenjtë, sa më tepër do të jetë mbushullia e tyre?
13 Sepse unë po ju flas juve, johebrenjve, duke qenë se jam apostulli i johebrenjve; dhe unë e nderoj shërbesën time,
14 për të provuar se në ndonjë mënyrë mund t’i provokoj se mos i shtie në zili ata që janë mishi im edhe shpëtoj disa prej tyre.
15 Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, ç’do të jetë ripranimi i tyre, përveç se kalimi prej vdekjes në jetë?
16 Edhe po të jenë pemët e para të shenjta, edhe e tëra është e shenjtë; dhe po të jetë rrënja e shenjtë, edhe degët janë të shenjta.
17 Edhe sikur të këputen disa degë, ti që ishe ullastër u shartove në vend të tyre dhe u bëre pjestar i rrënjës dhe i majmërisë së drurit të ullirit,
18 mos u mburr kundër degëve: por nëse mburresh kundër tyre, mos harro se nuk e mban ti rrënjën, po rrënja të mban ty.
19 Do të thuash, pra: “Degët u prenë që të shartohem unë.”
20 Mirë, ato u prenë për mosbesimin, por ti qëndron për shkak të besimit; mos u kreno, por druaj.
21 Sepse nëse Perëndia nuk i kurseu degët natyrore, shiko se mos nuk të kursen edhe ty.
22 Shih, pra, mirësinë dhe rreptësinë e Perëndisë: rreptësinë mbi ata që u rrëzuan, dhe mirësinë ndaj teje, në qoftë se ti do të ngulmosh në mirësi, përndryshe edhe ti do të këputesh.
23 Kështu edhe ata, nëse nuk do të qëndrojnë në mosbesim, do të shartohen; sepse Perëndia është i fuqishëm t’i shartojë përsëri.
24 Sepse, në qoftë se ti u këpute nga ulliri i egër prej natyre dhe u shartove kundër natyrës në ulli të butë, aq më tepër këto, që janë degë prej natyre, do të shartohen në ullirin e vet.
25 Sepse nuk dua, o vëllezër, që ju të jeni të paditur këtë të fshehtë që të mos mbaheni me të madh në veten tuaj se i ka ndodhur një ngurtësim një pjese të Izraelit deri sa të ketë hyrë tërësia e johebrenjve,
26 dhe kështu mbarë Izraeli do të shpëtohet, sikurse është shkruar: “Nga Sioni do të vijë Çlirimtari, dhe do të largojë pabesinë nga Jakobi.
27 Dhe kjo do të jetë besëlidhja ime me ta, kur unë t’ju heq mëkatet e tyre.”
28 Për sa i përket ungjillit ata janë armiq për hirin tuaj, por për sa i përket zgjedhjes, janë të dashur për hir të etërve,
29 sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme.
30 Sepse, sikundër dhe ju dikur ishit të pabindur ndaj Perëndisë, por tani fituat mëshirën për shkak të pabindjes së tyre,
31 kështu edhe këta tani u bënë të padëgjueshëm, që, me anë të mëshirës që u tregua për ju, të fitojnë edhe ata mëshirë.
32 Sepse Perëndia i mbylli të gjithë në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë.
33 O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij!
34 “Sepse kush e njohu mendjen e Zotit? Ose kush u bë këshilltar i tij?
35 Ose kush i dha atij më parë, që të ketë për të marrë shpagim?.”
36 Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!
50 Fjala që Zoti shqiptoi kundër Babilonisë dhe kundër vendit të Kaldeasve me anë të profetit Jeremia:
2 "Shpalleni midis kombeve, shpalleni dhe ngrini një flamur; shpalleni dhe mos e fshihni. Thoni: "Babilonia, u pushtua, Beli është mbuluar me turp, Meradoku është thyer, shëmbëlltyrat e tij janë mbuluar me turp, idhujt e tij janë copëtuar".
3 Sepse nga veriu kundër tij po ngrihet një komb që do ta katandisë vendin në një shkretëtirë dhe askush nuk do të banojë në të; njerëzit dhe kafshët do t’ia mbathin, do të ikin.
4 Në ato ditë dhe në atë kohë," thotë Zoti, "bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës do të vijnë bashkë; do të ecin duke qarë dhe do të kërkojnë Zotin, Perëndinë e tyre.
5 Do të pyesin për rrugën e Sionit, drejt të cilit do të kthejnë fytyrat e tyre, duke thënë: "Ejani, të bashkohemi me Zotin, me një besëlidhje të përjetshme, që të mos harrohet më".
6 Populli im ka qënë një kope dhensh të humbura; barinjtë e tyre i kishin bërë të marrin kot, të humbin nëpër male. Kanë shkuar nga mali në kodër dhe kanë harruar vendin ku ata pushojnë.
7 Të gjithë ata që i gjenin, i hanin, dhe armiqtë e tyre thonin: "Nuk jemi fajtorë, sepse kanë mëkatuar kundër Zotit, seli e drejtësisë, Zoti, shpresa e etërve të tyre".
8 Ikni nga mesi i Babilonisë, dilni nga vendi i Kaldeasve dhe bëhuni si cjeptë në ballë të kopesë.
9 Sepse ja, unë i nxit dhe bëj që të dalin kundër Babilonisë një shumicë e madhe kombesh nga vendet e veriut, dhe do të radhiten kundër saj; kështu ajo do të pushtohet. Shigjetat e tyre janë si ato të një shigjetari të shkathët; asnjë nuk shkon bosh.
10 Kaldea do t’i lihet plaçkitjes; tërë plaçkitësit e saj do të ngopen," thotë Zoti.
11 "Gëzohuni dhe kënaquni, o plaçkitës të trashëgimisë sime, sepse jeni majmur si një mëshqerrë që shin grurin dhe hingëlloni si kuajt e fuqishëm të luftës.
12 Nëna juaj do të turpërohet me të madhe, ajo që ju ka lindur do të skuqet. Ja, ajo do të jetë kombi i fundit, një shkreti, një tokë shterpë, një vetmi.
13 Për shkak të zemërimit të Zotit nuk do të banohet më aty, do të jetë një shkreti e plotë; kushdo që do të kalojë pranë Babilonisë do të mbetet i habitur dhe do të fërshëllejë për të gjitha plagët e saj.
14 Radhituni rreth Babilonisë, o ju të gjithë harkëtarët. Gjuani kundër saj, mos kurseni asnjë shigjetë, sepse ka mëkatuar kundër Zotit.
15 Lëshoni klithma lufte kundër saj rreth e përqark; ajo është dorëzuar, themelet e saj kanë rënë, muret e saj janë shembur, sepse kjo është hakmarrja e Zotit. Hakmerruni me të. Bëjini asaj atë që ajo u ka bërë të tjerëve.
16 Shfarosni nga Babilonia atë që mbjell dhe zë draprin në kohën e korrjes. Nga frika e shpatës së shtypësit secili do të kthehet te populli i tij, secili do të turret në vendin e tij.
17 Izraeli është një dele e humbur, të cilën e ndoqën luanët; i pari që e gllabëroi ishte mbreti i Asirisë, pastaj ky i fundit, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, që ia ka thyer kockat".
18 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraleit: "Ja, unë do dënoj mbretin e Babilonisë dhe vendin e tij, ashtu si dënova mbretin e Asirisë.
19 Por do ta çoj përsëri Izraelin në kullotën e tij, do të kullotë në Karmel dhe në Bashan dhe shpirti i i tij do të ngopet në kodrinat e Efraimit dhe në Galaad.
20 Në ato ditë, në atë kohë," thotë Zoti, "do të kërkohet paudhësia e Izraelit, por nuk do të ketë fare, dhe mëkatet e Judës nuk do të gjenden; sepse unë do t’i fal ata që do të lë të gjallë.
21 Dil kundër vendit të Merathaimit dhe kundër banorëve të Pekodit. Shkatërro dhe vendos shfarosjen e tyre," thotë Zoti, "dhe bëj pikërisht ashtu si të kam urdhëruar!
22 Në vend ka zhurmë lufte dhe shkatërrimi është i madh.
23 Pse është bërë copë dhe është shkatërruar çekiçi i tërë tokës? Pse Babilonia është bërë një shkreti midis kombeve?
24 Të kam ngritur një lak dhe ti je zënë prej tij, o Babiloni, pa e kuptuar fare. U gjete dhe u pushtove, sepse ke bërë luftë kundër Zotit.
25 Zoti hapi arsenalin e tij dhe nxori jashtë armët e indinjatës së tij, sepse kjo është një vepër që Zoti, Zoti i ushtrive, duhet ta kryejë në vendin e Kaldeasve.
26 Ejani kundër saj nga skajet më të largëta, hapni hambarët e saj, bëjini një grumbull gërmadhash dhe vendosni shfarosjen e saj, që të mos mbetet asgjë.
27 Vritni të gjithë demat e saj, le të zbresin në kasaphanë. Mjerë ata, sepse erdhi dita e tyre, dita e ndëshkimit të tyre.
28 Dëgjohet zëri i atyre që ikin dhe shpëtojnë nga vendi i Babilonisë për të lajmëruar në Sion hakmarrjen e Zotit, Perëndisë tonë, hakmarrjen e tempullit të tij.
29 Mblidhni kundër Babilonisë tërë harkëtarët, tërë ata që nderin harkun. Fushoni rreth e qark kundër asaj, asnjë të mos ju shpëtojë. Shpërbleheni sipas veprave të saj, i bëni asaj pikërisht atë që ajo u ka bërë të tjerëve, sepse ka qënë arrogante kundër Zotit, kundër të Shenjtit të Izraelit.
30 Prandaj të rinjtë e saj do të bien në sheshet e saj dhe tërë luftëtarët e saj do të vdesin atë ditë," thotë Zoti.
31 "Ja ku jam kundër teje, o arrogante," thotë Zoti i ushtrive, "sepse erdhi dita jote, koha në të cilën unë do të të ndëshkoj.
32 Arrogantja do të tronditet dhe do të rrëzohet, dhe askush nuk do ta ngrerë. Unë do t’u vë zjarrin qyteteve të saj dhe ai do të përpijë gjithçka që e rrethon".
33 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Bijtë e Izraelit ishin të shtypur bashkë me bijtë e Judës. Tërë ata që i kanë çuar në robëri i kanë mbajtur me forcë dhe nuk kanë pranuar t’i lënë të ikin.
34 Shpëtimtari i tyre është i fortë; emri i tij është Zoti i ushtrive. Ai me siguri do të mbrojë çështjen e tyre, për t’i dhënë prehje dheut dhe për t’i bërë të drithërohen banorët e Babilonisë.
35 Një shpatë kërcënon Kaldeasit," thotë Zoti, "banorët e Babilonisë, princat e tij, të diturit e saj.
36 Një shpatë kërcënon gënjeshtarët mburravecë, që do të rezultojnë pa mend; një shpatë kërcënon trimat e saj, që do të tmerrohen.
37 Një shpatë kërcënon kuajt e saj, qerret e saj dhe mbi lëmshin e njerëzve që është në mes të saj, e cila do të bëhet si shumë gra; një shpatë kërcënon thesaret e saj, që do të plaçkiten.
38 Thatësira kërcënon ujërat e saj, që do të thahen, sepse është nje vend figurash të gdhendura dhe ata luajnë mendsh për idhujt e tyre.
39 Prandaj do të banojnë aty kafshët e shkretëtirës me çakejtë dhe do të vendosen aty strucat. Nuk do të banohet kurrë më, as do të popullohet brez pas brezi.
40 Ashtu si Perëndia shkatërroi Sodomën, Gomorrën dhe qytetet afër tyre," thotë Zoti, "kështu nuk do të banojë më aty askush dhe nuk do të qëndrojë më aty asnjë bir njeriu.
41 Ja, një popull vjen nga veriu; një komb i madh dhe shumë mbretër kanë dalë nga skajet e tokës.
42 Ata mbajnë në dorë harkun dhe shtizën; janë të egër dhe nuk kanë fare mëshirë; zëri i tyre do të gjëmojë si deti. U hipin kuajve, janë gati të luftojnë si një njeri i vetëm kundër teje, o bijë e Babilonisë.
43 Mbreti i Babilonisë ka dëgjuar të flitet për ta dhe duart e tij dobësohen; e ka zënë ankthi, dhembjet si një grua që po lind.
44 Ja, po del si një luan nga vërshimi i Jordanit kundër banesës së fortë. Por unë do të bëj që të ikin befas prej saj dhe do të vendos mbi të atë që kam zgjedhur. Kush është, pra, si unë dhe kush mund të më paditë në gjyq? Kush është, pra, ai bari që mund të më bëjë ballë?
45 Prandaj dëgjoni planin që Zoti ka menduar kundër Babilonisë dhe vendimet që ka marrë kundër vendit të Kaldeasve. Me siguri do të tërhiqen edhe më të vegjlit e kopesë, me siguri banesa e tyre do të shkatërrohet.
46 Në zhurmën e pushtimit të Babilonisë toka do të dridhet dhe ulërima e tyre do të dëgjohet midis kombeve".
28 Ty të këlthas, o Zot, o kështjella ime; mos rri në heshtje, sepse po të mos flasësh ti, unë bëhem njëlloj si ata që zbresin në gropë.
2 Dëgjo zërin e lutjeve të mia kur të këlthas ty për ndihmë, kur ngre duart në drejtim të vendit tënd shumë të shenjtë.
3 Mos më tërhiq bashkë me të pabesët dhe ata që kryejnë paudhësi, të cilët flasin për paqe me të afërmit e tyre, por kanë shpirtligësi në zemër.
4 Jepu atyre sipas veprave që kanë kryer dhe sipas ligësisë së veprimeve të tyre; jepu atyre sipas veprës së duarve të tyre; jepu atyre hakun që meritojnë.
5 Duke qenë se ata nuk i çmojnë veprat e Zotit dhe atë që duart e tij kanë bërë, ai do t’i mposhtë dhe nuk do t’i lërë të begatohen.
6 I bekuar qoftë Zoti, sepse ka dëgjuar zërin e lutjeve të mia.
7 Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time.
8 Zoti është forca e popullit të tij, dhe streha e shpëtimit për të vajosurin e tij.
9 Shpëto popullin tënd dhe beko trashëgiminë tënde; ushqeji dhe përkrahi përjetë.
29 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.
2 I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.
3 Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.
4 Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.
5 Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;
6 i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.
7 Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.
8 Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.
9 Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".
10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.
11 Zoti do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.