M’Cheyne Bible Reading Plan
10 Atëherë Samueli mori një enë të vogël me vaj dhe e derdhi mbi kokën e tij; pastaj e puthi dhe tha: "A nuk të ka vajosur Zoti si kreu i trashëgimisë së tij?
2 Sot, kur të ikësh nga unë, do të gjesh dy njerëz pranë varrit të Rakelës në kufirin e Beniaminit, në Tseltsah. Ata do të thonë: Gomaret që shkove të kërkosh u gjetën; tani yt atë nuk shqetësohet për gomaret, por për ju, dhe thotë: "Çfarë duhet të bëj për birin tim?".
3 Pastaj ti do ta kalosh atë vend dhe do të arrish në lisin e Taborit; aty do të takosh tre njerëz që shkojnë për të adhuruar Perëndinë në Bethel: njëri do të mbajë tre keca, tjetri tri bukë dhe i treti një calik me verë.
4 Ata do të të përshëndetin dhe do të të japin dy bukë, që do t’i marrësh nga duart e tyre.
5 Pastaj ti do të arrish në kodrinën e Perëndisë, ku gjendet garnizoni i Filistejve; dhe këtu, duke arritur në qytet, do të takosh një grup profetësh që do të zbresin nga vendi i lartë, të paraprirë nga një harpë, një dajre, një fyell dhe një qeste, dhe që do të bëjnë profeci.
6 Atëherë Fryma e Zotit do të të ngarkojë të bësh profeci me ta, dhe do të shndërrohesh në një njeri tjetër.
7 Kur këto shenja do të realizohen, bëj atë që rasti kërkon, sepse Perëndia është me ty.
8 Pastaj ti do të zbresësh para meje në Gilgal: dhe ja, unë do të zbres te ti për të ofruar olokauste dhe për të kryer flijime falenderimi. Ti do të presësh shtatë ditë deri sa unë të vij te ti dhe të të them çfarë duhet të bësh".
9 Sapo ktheu kurrizin për të lënë Samuelin, Perëndia ia ndërroi zemrën në një tjetër, dhe tërë ato shenja u realizuan po atë ditë.
10 Sapo arritën atje në kodër, një grup profetësh i doli përpara; atëherë ai u ngarkua nga Fryma e Perëndisë dhe filloi të bëjë profeci në mes tyre.
11 Atëherë tërë ata që e kishin njohur më parë, duke parë që profetizonte bashkë me profetët, i thonin njerë tjetrit: "Çfarë i ka ndodhur birit të Kishit? Éshtë edhe Sauli midis profetëve?".
12 Pastaj një vendas u përgjegj, duke thënë: "Po kush është ati i tyre?". Për këtë arësye u bë proverb thënia: "Éshtë edhe Sauli midis prefetëve?".
13 Me të mbaruar profecitë, Sauli u drejtua në vendin e lartë.
14 Pastaj ungji i Saulit e pyeti atë dhe shërbëtorin e tij: "Ku keni vajtur?". Ai u përgjegj: "Të kërkojmë gomaret, por, duke parë se nuk ishin, shkuam te Samueli".
15 Ungji i Saulit shtoi: "Më trego, të lutem, çfarë ju tha Samueli".
16 Kështu iu përgjegj Sauli ungjit të tij: "Ai na siguroi që gomaret i kishin gjetur". Por nuk tha asgjë lidhur me atë që Samueli kishte thënë për mbretërinë.
17 Pastaj Samueli mblodhi popullin para Zotit në Mitspah,
18 dhe u tha bijve të Izraelit: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë e nxora Izraelin nga Egjipti dhe ju çlirova nga duart e Egjiptasve dhee nga duart e të gjitha mbretërve që ju shtypnin".
19 Por sot ju keni hedhur poshtë Perëndinë tuaj që ju ka shpëtuar nga fatkeqësitë dhe mundimet tuaja dhe i thoni: "Cakto një mbret mbi ne!". Prandaj paraqituni para Zotit sipas fiseve dhe sipas mijëshëve".
20 Pastaj Samueli afroi tërë fiset e Izraelit, dhe u zgjodh fisi i Beniaminit.
21 Pas kësaj afroi fisin e Beniaminit sipas familjeve të tij dhe u zgjodh familja e Matrit. Pastaj u zgjodh Sauli, bir i Kishit; e kërkuan, por nuk e gjetën.
22 Atëherë u këshilluan përsëri me Zotin: "A ndodhet tanimë këtu?". Zoti u përgjegj: "Ja ku është fshehur midis bagazheve".
23 Vrapuan ta nxjerrin që andej; kështu ai u paraqit para popullit, dhe ishte më i lartë se gjithë njerëzit nga supi e lart.
24 Pastaj Samueli i tha tërë popullit: "E shihni atë që ka zgjedhur Zoti? Nuk ka asnjë si ai në tërë popullin. Kështu tërë populli lëshoi britma gëzimi dhe thirri: "Rroftë mbreti!".
25 Atëherë Samueli i paraqiti popullit të drejtat e mbretërisë dhe i shkroi në një libër, që vendosi përpara Zotit. Pas kësaj Samueli ktheu tërë popullin, secili shkoi në shtëpinë e tij.
26 Edhe Samueli shkoi në shtëpinë e tij në Gibeah, dhe me të shkuan njerëz trima, të cilëve Perëndia u kish prekur zemrën.
27 Por disa njerëz që nuk vlenin asgjë thanë: "Si mund të na shpëtojë ky njeri?". Kështu e përçmuan dhe nuk i bënë asnjë dhuratë. Por ai nuk tha asnjë fjalë.
8 Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës,
2 sepse ligji i Frymës i jetës në Jezu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.
3 Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish,
4 që të përmbushet drejtësia e ligjit në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës.
5 Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës.
6 Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi prodhon vdekje, por mendja e kontro-lluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe.
7 Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet.
8 Prandaj ata që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë.
9 Nëse Fryma e Perëndisë banon në ju, ju nuk jeni më në mish, por në Frymë. Por në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket atij.
10 Nëse Krishti është në ju, trupi pa tjetër është i vdekur për shkak të mëkatit, por Fryma është jetë për shkak të drejtësisë.
11 Dhe në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju.
12 Prandaj, vëllezër, ne jemi debitorë jo të mishit, që të rrojmë sipas mishit,
13 sepse, po të rroni sipas mishit, ju do të vdisni; por, nëse me anë të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, ju do të rroni.
14 Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë.
15 Sepse ju nuk keni marrë një frymë robërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: “Aba, o Atë!.”
16 Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë.
17 Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë më të dhe lavdohemi me të.
18 Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne.
19 Sepse dëshira e flaktë e krijesës pret me padurim shfaqjen e bijve të Perëndisë,
20 sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij që e nënshtroi,
21 me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.
22 Sepse e dimë se deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim.
23 Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë.
24 Sepse me shpresë ne shpëtuam; por shpresa që duket nuk është shpresë, sepse atë që dikush e sheh si mundet edhe ta shpresojë?
25 Por në qoftë se ne shpresojmë atë që s’e shohim, atë gjë e presim me durim.
26 Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme.
27 Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë.
28 Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij.
29 Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve.
30 Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi.
31 Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?
32 Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?
33 Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson.
34 Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.
35 Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata?
36 Siç është shkruar: “Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje.”
37 Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi.
38 Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme,
39 as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.
47 Fjala e Zotit që iu drejtua profetit Jeremia kundër Filistejve, para se Faraoni të sulmonte Gazën.
2 Kështu thotë Zoti: "Ja ujrat po ngrihen nga veriu, bëhen një përrua që del nga shtrati dhe përmbytin vendin dhe gjithçka përmban, qytetin dhe ata që banojnë në të; atëherë njerëzit do të bërtasin dhe tërë banorët e vendit, do të ulërijnë.
3 Në zhurmën e trokut të kuajve të fuqishëm, në rrapëllimën e qerreve të tyre, në poteren e rrotave të tyre, etërit nuk do të kthehen nga bijtë e tyre për shkak të dobësisë së duarve të tyre,
4 për shkak të ditës që vjen për të shkatërruar tërë Filistejtë, duke eleminuar nga Tiro dhe Sidoni çdo mbeturinë që mund të japë ndihmë, sepse Zoti do të shkatërrojë Filistejtë, mbeturinat e ishullit të Kaftorit.
5 Gaza u bë e shogët, Ashkeloni u shkatërrua. O banorë të luginës së tyre që mbetët gjallë, deri kur do të vazhdoni të bëni prerje?
6 O shpatë e Zotit, kur do të kesh prehje? Hyrë në myllin tënd, ndalu dhe rri e qetë!
7 Si mund të pushojë kur Zoti i ka dhënë urdhra kundër Ashkelonit dhe kundër bregut të detit?; ai e ka thirrur atje".
23 Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.
2 Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin.
3 Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.
4 Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.
5 Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet.
6 Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.
24 Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë mbi të, bota dhe banorët e saj.
2 Sepse ai e ka themeluar mbi detet dhe e ka vendosur mbi lumenjtë.
3 Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
4 Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme.
5 Ai do të marrë bekimet e Zotit dhe drejtësinë nga Perëndia e shpëtimit të tij.
6 I tillë është brezi i atyre që e kërkojnë, që kërkojnë fytyrën tënde, o Perëndi e Jakobit. (Sela)
7 O ju porta, çoni kokat tuaja; dhe ju, porta të përjetshme, hapuni krejt dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.
8 Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i fortë dhe i fuqishëm, Zoti i fortë në betejë.
9 O porta, çoni kokat tuaja; hapuni krejt, o porta të përjetshme, dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.
10 Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i ushtrive; ai është Mbreti i lavdisë. (Sela)