M’Cheyne Bible Reading Plan
9 Kishte një njeri të Beniaminit, që quhej Kish, ishte bir i Abielit, bir i Tserorit, bir i Bekorathit, bir i Afiahut, bir i një Beniaminiti, një njeri i fortë dhe trim.
2 Ai kishte një djalë të quajtur Saul, i ri dhe i bukur, ndër bijtë e Izraelit nuk kishte asnjë më të bukur se ai; që nga supet e lart, ai ua kalonte, për shtat, gjithë njerëzve të tjerë.
3 Gomarët e Kishit, atit të Saulit, kishin humbur; Kishi i tha të birit, Saulit: "merr me vete një nga shërbëtorët, çohu dhe shko të kërkosh gomarët".
4 Kështu ai kaloi nëpër krahinën malore të Efraimit dhe përshkoi vendin e Shalishas, pa i gjetur; pastaj kaloi nëpër vendin e Shaalimit, por nuk ishin as aty; përshkuan pastaj vendin e Beniaminitëve, por nuk i gjetën as aty.
5 Kur arritën në vendin e Tsufit, Sauli i tha shërbëtorit të tij që ishte me të: "Çohu, të kthehemi, që të mos ndodhë që im atë të heqë mendjen nga gomaret dhe të fillojë të shqetësohet për ne".
6 Shëbëtori i tha: "Ja, në këtë qytet jeton një njeri i Perëndisë, që e nderojnë shumë; tërë ato që ai thotë, realizohen pa tjetër. Tani le të shkojmë atje; ndofta do të na tregojë rrugën që duhet të ndjekim".
7 Sauli i tha shërbëtorit të tij: "Por ja, në qoftë se shkojmë, çfarë t’i çojmë njeriut të Perëndisë? Sepse buka e thasëve tanë ka mbaruar dhe nuk kemi asnjë dhuratë për t’i çuar njeriut të Perëndisë. Çfarë kemi me vete?".
8 Dhe shërbëtori iu përgjegj Saulit, duke thënë: "Ja, unë kam në dorë një çerek sikli prej argjendi; do t’ia jap njeriut të Perëndisë dhe ai do të na tregojë rrugën që duhet të ndjekim".
9 (Në të kaluarën në Izrael, kur dikush shkonte për t’u këshilluar me Perëndinë, thoshte: "Çohu të shkojmë te shikuesi," sepse profeti i sotëm në të kaluarën quhej shikues).
10 Atëherë Sauli i tha shërbëtorit të tij: "Mirë e the. Çohu të shkojmë!". Dhe u drejtuan nga qyteti ku gjendej njeriu i Perëndisë.
11 Ndërsa merrnin të përpjetën që të çon në qytet, takuan rrugës dy vajza që kishin dalë për të mbushur ujë dhe i pyetën ato: "Këtu është shikuesi?".
12 Ato u përgjigjën duke thënë: "Po, ja ku është pak përpara jush, nxitoni. Sot erdhi në qytet, sepse sot populli duhet të bëjë një flijim në vendin e lartë.
13 Sa të hyni në qytet, do ta gjeni me siguri para se të ngjitet në vendin e lartë për të ngrënë. Populli nuk do të hajë deri sa ai të mbërrijë, sepse ai ka për të bekuar flijimin; pastaj të ftuarit do të fillojnë të hanë. Prandaj ngjituni lart, sepse tani do ta gjeni".
14 Kështu u ngjitën në qytet; ndërsa ata hynin në qytet, Samueli dilte në drejtim të tyre për t’u ngjitur në vendin e lartë.
15 Por një ditë para arritjes së Saulit, Zoti e kishte lajmëruar Samuelin duke thënë:
16 "Nesër në këtë orë do të dërgoj një njeri nga vendi i Beniaminit, dhe ti do ta vajosësh si udhëheqës të popullit tim të Izraelit. Ai do ta shpëtojë popullin tim nga duart e Filistejve, sepse pashë mjerimin e popullit tim, sepse britmat e tij arritën deri tek unë".
17 Kur Samueli pa Saulin, Zoti i tha: "Ky është njeriu për të cilin të fola; ai do të mbretërojë mbi popullin tim".
18 Pastaj Sauli iu afrua Samuelit në mes të portës dhe i tha: "Tregomë të lutem, ku është shtëpia e shikuesit".
19 Samueli iu përgjegj Saulit dhe i tha: "Jam unë shikuesi. Ngjitu para meje në kodër; sot do të hani me mua. Nesër në mëngjes do të lë të shkosh dhe do të të tregoj tërë ato që ke në zemër.
20 Përsa u përket gomarëve të tu që të kanë humbur tri ditë më parë, mos u mërzit se i kanë gjetur. E kujt i drejtohet gjithë dëshira e Izraelit, veçse ty dhe tërë shtëpisë së atit tënd?".
21 Sauli, duke u përgjegjur, tha: "A nuk jam unë një Beniaminit, një nga fiset më të vogla të Izraelit? Dhe familja ime a nuk është, vallë më e vogla e gjithë familjeve të fisit të Beniaminit? Pse më flet, pra, në këtë mënyrë?".
22 Atëherë Samueli mori Saulin dhe shërbëtorin e tij, i futi në sallë dhe i uli në krye të tryezës të të ftuarve që ishin rreth tridhjetë e pesë veta.
23 Pastaj Samueli i tha gjellëbërësit: "Sill pjesën që të dhashë dhe për të cilën të thashë: "Vëre mënjanë"".
24 Gjellëbërësi mori atëherë kofshën dhe atë që i ngjitej asaj, dhe ia vuri përpara Saulit. Pastaj Samueli tha: "Ja, ajo që u mbajt rezervë, u vu mënjanë për ty; haje se është ruajtur apostafat për ty kur ftova popullin". Kështu atë ditë Sauli hëngri bashkë me Samuelin.
25 Pastaj zbritën nga vendi i lartë në qytet dhe Samueli foli me Saulin mbi taracë.
26 Të nesërmen u ngritën herët, në të gdhirë. Samueli e thirri Saulin në taracë, duke i thënë: "Çohu, dhe unë do të lë të shkosh". Sauli u ngrit dhe që të dy, ai dhe Samueli, dolën jashtë.
27 Kur zbritën në periferi të qytetit, Samueli i tha Saulit: "Thuaji shërbëtorit të kalojë para nesh dhe të shkojë përpara, por ti ndalu një çast, në mënyrë që të kem mundësi të të njoftoj fjalën e Perëndisë".
7 Apo nuk e dini o vëllezër, (sepse unë po u flas njerëzve që e njohin ligjin), se ligji ka pushtet mbi njeriun për sa kohë ai rron?
2 Sepse gruaja e martuar është e lidhur nga ligji me burrin deri sa ai rron, por, po i vdiq burri, lirohet nga ligji i burrit.
3 Prandaj, nëse, kur i rron burri, ajo bashkohet me një burrë tjetër, do të quhet shkelëse e kurorës; por kur i vdes burri ajo është e liruar nga ligji, që të mos jetë shkelëse e kurorës, po u bë gruaja e një burrë tjetër.
4 Kështu, pra, vëllezër të mi, edhe ju jeni të vdekur për ligjin me anë të trupit të Jezu Krishtit që të bashkoheni me një tjetër, që u ringjall prej të vdekurit, që t’i japim fryte Perëndisë.
5 Sepse, kur ishim në mish, pasionet mëkatare që ishin me anë të ligjit, vepronin në gjymtyrët tona, duke sjellë fryte vdekjeje,
6 por tani jemi zgjidhur nga ligji duke qënë të vdekur nga ç’ka na mbante të lidhur, prandaj shërbejmë në risinë e frymës dhe jo në vjetërsinë e shkronjës.
7 Çfarë të themi, pra? Se ligji është mëkat? Ashtu mos qoftë! Mëkatin unë nuk do ta kisha njohur, veç se me anë të ligjit; sepse unë nuk do ta kisha njohur lakminë, po të mos thoshte ligji: “Mos lakmo!.”
8 Por mëkati, duke marrë shkas nga ky urdhërim, ngjalli në mua çdo lakmi,
9 sepse, pa ligj, mëkati është i vdekur. Dikur unë jetoja pa ligj, por, kur erdhi urdhërimi, mëkati u ngjall dhe unë vdiqa,
10 dhe urdhërimi që u dha për jetë, më solli vdekjen.
11 Sepse mëkati, duke gjetur rastin me anë të urdhërit, më mashtrojë dhe me anë të tij më vrau.
12 Kështu ligji është i shenjtë, dhe urdhërimi i shenjtë, i drejtë dhe i mirë.
13 Ajo gjë, pra, që është e mirë u bë vdekje për mua? Ashtu mos qoftë; por mëkati, që të duket mëkat, me anë të së mirës më pruri vdekjen, që mëkati të bëhet edhe më tepër mëkat nëpërmjet urdhërimit.
14 Sepse ne e dimë se ligji është frymëror, por unë jam i mishë, i shitur mëkatit si skllav.
15 Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej.
16 Edhe, nëse bëj atë që nuk dua, unë pranoj që ligji është i mirë.
17 Por tani nuk jam më unë që veproj, por mëkati që banon në mua.
18 Në fakt unë e di se në mua domëthënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë, sepse, ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën.
19 Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s’dua, atë bëj.
20 Edhe, në qoftë se bëj atë që nuk dua, s’jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që banon në mua.
21 Unë, pra, po zbuloj këtë ligj: duke dashur të bëj të mirën, e keqja gjindet në mua.
22 Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm,
23 por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia.
24 Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?
25 I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë. Unë vetë, pra, me mendjen, i shërbej ligjit të Perëndisë, por, me mishin ligjit të mëkatit.
46 Fjala e Zotit që iu drejtua profetit Jeremia kundër kombeve.
2 Kundër Egjiptit: përsa i përket ushtrisë së Faraonit Neko, mbretit të Egjiptit, që ishte pranë lumit Eufrat në Karkemish dhe që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, e mundi vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës.
3 "Përgatitni mburojën e vogël dhe të madhe dhe afrojuni betejës.
4 Shaloni kuajt dhe ju kalorës, u hipni atyre; paraqituni me përkrenare, i shndritni shtizat tuaja, vishni parzmoret!
5 Çfarë po shoh? Ata e kanë humbur dhe po kthehen prapa; burrat e tyre trima janë mundur dhe ikin me nxitim pa kthyer as kokën prapa; rreth e qark sundon tmerri," thotë Zoti.
6 "Mos lejo që i shpejti të ikë dhe që trimi të shpëtojë. Në veri, pranë lumit Eufrat, ata po lëkunden dhe po rrëzohen.
7 Kush është ai që ngjitet si Nili, dhe ujrat e të cilit fryhen si ato të lumenjve?
8 Éshtë Egjipti që ngjitet si Nili, dhe ujrat e të cilit po fryhen si ato të lumenjve. Ai thotë: "Do të dal, do të mbuloj tokën dhe do të shkatërroj qytetin dhe banorët e tij".
9 Ngarkohuni, o kuaj, dhe përparoni me rrëmbim, o qerre, le të dalin përpara burrat trima, ata të Etiopisë dhe të Putit që mbajnë mburojën dhe ata të Ludit që përdorin dhe shtrijnë harkun.
10 Kjo ditë për Zotin, për Zotin e ushtrive, është ditë hakmarrjeje, për t’u hakmarrë me armiqtë e tij. Shpata do të shfarosë, do të ngopet dhe do të dehet me gjakun e tyre, sepse Zoti, Zoti i ushtrive, bën një flijim në vendin e veriut, pranë lumit Eufrat.
11 Ngjitu në Galaad dhe merr ca balsam, o e virgjër, o bijë e Egjiptit. Më kot ti përdor barëra të shumta, nuk ka shërim për ty.
12 Kombet kanë marrë vesh poshtërsinë tënde dhe britma jote e dhembjes ka mbushur dheun, sepse trimi është penguar me një trim dhe që të dy kanë rënë bashkë".
13 Fjala që Zoti i drejtoi profetit Jeremia për ardhjen e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, për të goditur vendin e Egjiptit.
14 Shpalleni në Egjipt, bëjeni të ditur në Migdol, bëjeni të ditur në Nof dhe në Tahpanhes. Thoni: "Çohu dhe përgatitu, sepse shpata përpin çdo gjë që të rrethon".
15 Pse burrat e tu trima janë rrëzuar? Nuk mund të rezistojnë sepse Zoti i rrëzon.
16 Ai bën që të lëkunden shumë prej tyre, bien njëri mbi tjetrin dhe thonë: "Ja, të kthehemi te populli ynë dhe në vendlindje, larg shpatës vrastare".
17 Atje ata bërtasin: "Faraoni, mbreti i Egjiptit, nuk është veçse një zhurmë e madhe, që ka lënë të kalojë koha e caktuar".
18 "Siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Mbreti emri i të cilit është Zoti i ushtrive, "ai do të vijë si Tabori midis maleve, si Karmeli pranë detit.
19 Përgatit gjërat e nevojshme për robërinë, o bijë që banon në Egjipt, sepse Nofi do të bëhet një shkretëtirë dhe do të digjet, nuk do të banojë më askush në të.
20 Egjipti është si një mëshqerrë shumë e bukur, por i vjen shkatërrimi, i vjen nga veriu.
21 Edhe mercenarët e tij që janë në mes të tij janë si viça për majmëri; edhe ata e kanë kthyer kurrizin, ikin bashkë, nuk rezistojnë, sepse ka zbritur mbi ta dita e fatkeqësisë së tyre, koha e ndëshkimit të tyre.
22 Zëri i tij lëviz si një gjarpër, sepse ata përparojnë me një ushtri dhe dalin kundër saj me sëpata si shumë druvarë.
23 Ata do të rrëzojnë pyllin e saj," thotë Zoti, "megjithëse është i padepërtueshëm, sepse janë më të shumtë se karkalecat, nuk numërohen dot.
24 Bija e Egjiptit do të mbulohet me turp, do të jepet në dorë të popullit të veriut".
25 Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, thotë: "Ja, unë do të dënoj Amonin e Nosë, Faraonin dhe Egjiptin, perënditë e tij dhe mbretërit e tij, Faraonin dhe ata që kanë besim tek ai;
26 do t’i jap në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tyre, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe në dorë të shërbëtorëve të tij; por mbas kësaj do të banohet si në të kaluarën," thotë Zoti.
27 "Por ti mos u tremb, o shërbëtori im Jakob, mos u trondit, o Izrael, sepse ja, unë do të të shpëtoj ty prej së largu dhe pasardhësit e tu nga toka e robërisë se tyre. Jakobi do të kthehet, nuk do t’i bien në qafë më dhe do të jetë i qetë dhe askush nuk do ta trembë më.
28 Mos u tremb, o Jakob, shërbëtori im," thotë Zoti, "sepse unë jam me ty, do të asgjësoj tërë kombet midis të cilëve të kam shpërndarë, por nuk do të të zhduk ty; do të të ndëshkoj me një masë të drejtë dhe nuk do të të lë fare pa dënuar".
22 Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur? Pse më rri kaq larg dhe nuk vjen të më çlirosh, duke dëgjuar fjalët e ofshamës sime?
2 O Perëndia im, unë bërtas ditën, por ti nuk përgjigjesh, edhe natën unë nuk rri në heshtje.
3 Megjithatë ti je i Shenjti, që banon në lëvdimet e Izraelit.
4 Etërit tonë kanë pasur besim te ti; kanë pasur besim te ti dhe ti i ke çliruar.
5 Të klithën ty dhe u çliruan; patën besim te ti dhe nuk u zhgënjyen.
6 Por unë jam një krimb dhe jo një njeri; turpi i njerëzve dhe përçmimi i popullit.
7 Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën,
8 duke thënë: "Ai i ka besuar Zotiit; le ta çlirojë, pra, ta ndihmojë, mbasi e do".
9 Me siguri ti je ai që më nxori nga barku i nënes; bëre që të kem besim te ti qysh nga koha kur pushoja mbi sisët e nënes sime.
10 Unë u braktisa te ti qysh nga lindja ime; ti je Perëndia im qysh nga barku i nënes sime.
11 Mos u largo nga unë, sepse ankthi është i afërt, dhe nuk ka asnjë që të më ndihmojë.
12 Dema të mëdhenj më kanë rrethuar, dema të fuqishëm të Bashanit më rrinë përqark;
13 ata hapin gojën e tyre kundër meje, si një luan grabitqar që vrumbullit.
14 Më derdhin si ujë dhe tërë kockat e mia janë të ndrydhura; zemra ime është si dylli që shkrihet në mes të zorrëve të mia.
15 Forca ime është tharë si një enë balte dhe gjuha ime është ngjitur te qiellza; ti më ke vënë në pluhurin e vdekjes.
16 Sepse qentë më kanë rrethuar, një grup keqbërësish më rri rrotull; më kanë shpuar duart dhe këmbët.
17 Unë mund t’i numëroj gjithë kockat e mia; ato më shikojnë dhe më këqyrin.
18 Ndajnë midis tyre rrobat e mia dhe hedhin në short tunikën time.
19 Por ti, o Zot, mos u largo; ti që je forca ime, nxito të më ndihmosh.
20 Çliroje jetën time nga shpata, jetën time të vetme nga këmba e qenit.
21 Shpëtomë nga gryka e luanit dhe nga brirët e buajve. Ti m’u përgjigje.
22 Unë do t’u njoftoj emrin tënd vëllezërve të mi, do të të lëvdoj në mes të kuvendit.
23 Ju që keni frikë nga Zoti, lëvdojeni; dhe ju të gjithë, pasardhës të Jakobit, përlëvdojeni; dhe ju të gjithë, o fis i Izraelit, kini frikë nga ai.
24 Sepse ai nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit, dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij, ai e ka kënaqur.
25 Shkaku i lëvdimit tim në kuvendin e madh je ti; unë do t’i plotësoj zotimet e mia në prani të të gjithë atyre që kanë frikë nga ti.
26 Nevojtarët do të hanë dhe do të ngopen; ata që kërkojnë Zotin do ta lëvdojnë; zemra juaj do të jetojë përjetë.
27 Të gjitha skajet e tokës do ta mbajnë mend Zotin dhe do të kthehen tek ai; dhe të gjitha familjet e kombeve do të adhurojnë përpara teje.
28 Sepse Zotit i përket mbretëria dhe ai sundon mbi kombet.
29 Gjithë të pasurit e dheut do të hanë dhe do të të adhurojnë; të gjithë ata që zbresin në pluhur dhe që nuk arrijnë të mbahen gjallë do të përkulen para teje.
30 Pasardhësit do t’i shërbejnë; do t’i flitet për Zotin brezit të ardhshëm.
31 Ata do të vijnë dhe do t’i shpallin drejtësinë e tij një populli që nuk ka lindur akoma, dhe që ai vetë e ka krijuar.