M’Cheyne Bible Reading Plan
21 Por njerëzit e Izraelit ishin betuar në Mitspah, duke thënë: "Asnjë nga ne nuk do t’ja japë bijën e tij për grua një Beniaminiti".
2 Pastaj populli erdhi në Bethel, ku qëndroi deri në mbrëmje përpara Perëndisë; dhe ngriti zërin dhe qau me të madhe,
3 duke thënë: "O Zot, Perëndi i Izraelit, pse ndodhi kjo në Izrael, që sot të mungojë një fis në Izrael?".
4 Të nesërmen populli u ngrit herët në mëngjes, ndërtoi në atë vend një altar dhe ofroi olokauste dhe flijime falenderimi.
5 Pastaj bijtë e Izraelit thanë: "Cili nga fiset e Izraelit nuk ka dalë në asamble para Zotit?". Sepse kishin bërë një betim solemn kundër kujtdo që nuk kishte dalë përpara Zotit në Mitspah, duke thënë: "Ai njeri do të vritet".
6 Bijtë e Izraelit ishin të hidhëruar për Beniaminin, vëllanë e tyre, dhe thonin: "Sot u zhduk një fis i Izraelit.
7 Si do të bëjmë t’u gjejmë gra atyre që shpëtuan, sepse jemi betuar në emër të Zotit të mos u japim atyre për grua asnjë prej vajzave tona?".
8 Pastaj thanë: "Cili është midis fiseve të Izraelit ai që nuk ka dalë para Zotit në Mitspah?". Dhe ja që asnjeri nga Jabesi i Galaadit nuk kishte ardhur në kamp për asamblenë;
9 në fakt u kalua në revistë populli, u vu re që në gjirin e tij nuk kishte asnjë nga banorët e Jabesit të Galaadit.
10 Atëherë asambleja dërgoi atje dymbëdhjetë mijë burra nga më trimat dhe u dha këtë urdhër, duke thënë: "Shkoni dhe vrisni me shpatë banorët e Jabesit të Galasadit, duke përfshirë gratë dhe fëmijët.
11 Do të veproni kështu: do të shfarosni çdo mashkull dhe çdo grua që ka pasur marrëdhënie seksuale me një burrë".
12 Ata gjetën midis banoëve të Jabesit të Galaadit katërqind vajza që nuk kishin pasur marrëdhënie seksuale me burra, dhe i çuan në kamp, në Shilon, që ndodhet në vendin e Kanaanit.
13 Atëherë tërë asambleja dërgoi lajmëtarë për të folur me bijtë e Beniaminit, që ndodheshin në shkëmbin e Rimonit, dhe për t’u shpallur paqen.
14 Kështu Beniaminitët u kthyen dhe muarrën ato gra që nuk ishin vrarë në Jabes të Galaadit; por nuk pati mjaft për të gjithë.
15 Populli ishte i hidhëruar për ato që i kish bërë Beniaminit, sepse Zoti kishte hapur një të çarë midis fiseve të Izraelit.
16 Atëherë pleqtë e asamblesë thanë: "Si do të bëjmë t’u gjejmë gra atyre që kanë mbetur gjallë, mbasi gratë beniaminite janë vrarë?".
17 Pastaj thanë: "Njerëzit e Beniaminit që kanë mbetur gjallë duhet të kenë një trashëgimi, me qëllim që të mos zhduket një fis në Izrael.
18 Por ne nuk mund t’u japim atyre për bashkëshorte bijat tona," me qenë se bijtë e Izraelit ishin betuar, duke thënë: "I mallkuar qoftë ai që do t’i japë një grua Beniaminit!".
19 Atëherë thanë: "Ja, çdo vit bëhet një festë për nder të Zotit në Shiloh, që ndodhet në veri të Bethelit, në lindje të rrugës që ngjitej nga Betheli në Sikem, dhe në jug të Lebonahut".
20 Kështu u dhanë këtë urdhër bijve të Beniaminit, duke u thënë: "Shkoni dhe fshihuni në vreshtat,
21 dhe rrini e shikoni; kur vajzat e Shilohut do të dalin për të hedhur valle në kor, ju do të dilni nga vreshtat, dhe secili do të rrëmbejë gruan e tij midis vajzave të Shilohut; pastaj do të shkoni në vendin e Beniaminit.
22 Kur etërit o vëllezërit e tyre do të vinë te ne për të protestuar, ne do t’u themi: "Na i jepni, ju lutem, sepse në këtë luftë nuk kemi zënë një grua për secilin prej tyre; por në rast se nuk ua jepni atyre as në këtë rast, ju do të jeni fajtorë"".
23 Bijtë e Beniaminit vepruan kështu: morën gra simbas numrit të tyre, midis valltareve; i rrëmbyen, pastaj u nisën dhe u kthyen në trashëgiminë e tyre, i rindërtuan qytetet dhe banuan në to.
24 Në të njëjtën kohë bijtë e Izraelit u nisën që andej, secili shkoi në fisin dhe në familjen e tij, e që andej secili u kthye në trashëgiminë e tij.
25 Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij.
25 Kur Festi arriti në krahinë, mbas tri ditësh u ngjit nga Cezarea në Jeruzalem.
2 Kryeprifti dhe krerët e Judenjve i paraqitën akuzat kundër Palit dhe i luteshin,
3 duke kërkuar t’u bënte favorin që Palin ta binin në Jeruzalem; kështu ata do ta vrisnin në një pritë rrugës.
4 Por Festi u përgjigj që Pali ruhej në Cezare dhe që ai vetë do të shkonte aty shpejt.
5 “Prandaj njerëzit me influencë midis jush,” tha ai, “le të zbresin me mua; dhe, në qoftë se ka ndonjë faj te ky njeri, le ta akuzojnë.”
6 Si qëndroi midis tyre jo më shumë se tetë a dhjetë ditë, Festi zbriti në Cezare; të nesërmen zuri vend në gjykatë dhe urdhëroi që të sillnin Palin.
7 Kur erdhi ai, Judenjtë që kishin zbritur nga Jeruzalemi e rrethuan, dhe drejtuan kundër Palit shumë akuza të rënda, të cilat nuk mund t’i vërtetonin.
8 Në mbrojtje të vet Pali thoshte: “Unë nuk kam mëkatuar as kundër ligjit të Judenjve, as kundër tempullit, as kundër Cezarit.”
9 Por Festi, duke dashur t’u bëjë qejfin Judenjve, iu përgjigj Palit e tha: “A dëshiron të ngjitesh në Jeruzalem për t’u gjykuar para meje për këto gjëra?.”
10 Atëherë Pali tha: “Unë jam para gjykatës së Cezarit, ku duhet të gjykohem; unë nuk u kam bërë asnjë të padrejtë Judenjve, sikurse ti e di fare mirë.
11 Në qoftë se kam vepruar keq ose kam kryer diçka që meriton vdekjen, nuk refuzoj që të vdes; por nëse s’ka asgjë të vërtetë në gjërat për të cilat këta më akuzojnë, askush nuk mund të më dorëzojë në duart e tyre. Unë i apelohem Cezarit.”
12 Atëherë Festi, pasi e bisedoi me këshillin, u përgjigj: “Ti i je apeluar Cezarit; te Cezari do të shkosh.”
13 Pas disa ditësh mbreti Agripa dhe Berenike erdhën në Cezare për të përshëndetur Festin.
14 Dhe, mbasi ata ndenjën disa ditë, Festi ia parashtroi çështjen e Palit mbretit, duke thënë: “Feliksi ka lënë të burgosur njëfarë njeriu,
15 kundër të cilit, kur isha në Jeruzalem, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e Judenjve, kishin paraqitur akuza, duke kërkuar dënimin e tij.
16 Unë u dhashë përgjigje se nuk është zakon i Romakëve të dorëzojnë dikë për vdekje para se i akuzuari të ballafaqohet me paditësit e tij, dhe t’i jetë dhënë mundësia që të mbrohet nga akuza.
17 Prandaj, kur ata u mblodhën këtu, pa e shtyrë punën, u ula të nesërmen në gjykatë dhe urdhërova të ma sjellin këtë njeri.
18 Kur u ngritën paditësit e tij, nuk paraqitën kundër tij asnjë akuzë për gjërat që unë dyshoja.
19 Por kishin vetëm disa pika mospajtimi për fenë e tyre dhe për njëfarë Jezusi, që ka vdekur, dhe për të cilin Pali thoshte se është i gjallë.
20 Dhe duke qenë se unë mbeta ndërdyshas përpara një konflikt i të këtij lloji, e pyeta nëse ai donte të shkonte në Jeruzalem dhe të gjykohej atje lidhur me këto gjëra.
21 Por, mbasi Pali u apelua tek Augusti për të marrë gjykimin e tij, dhashë urdhër që ta ruanin derisa të mundem ta dërgoj te Cezari.”
22 Agripa i tha Festit: “Do të doja edhe unë ta dëgjoja këtë njeri.” Dhe ai u përgjigj: “Do ta dëgjosh nesër.”
23 Kështu të nesërmen Agripa dhe Berenike erdhën me shumë madhështi dhe, mbasi hynë në auditor me tribunët dhe me parinë e qytetit, me urdhër të Festit, e sollën Palin aty.
24 Atëherë Festi tha: “O mbret Agripa, dhe ju të gjithë që jeni të pranishëm këtu me ne, ju po shihni atë kundër të cilit gjithë turma e Judenjve m’u drejtua mua në Jeruzalem dhe këtu, duke thirrur se nuk është më i denjë të jetojë.
25 Por unë, duke parë se s’ka bërë asnjë gjë që të meritojë vdekjen, dhe duke qenë se ai vetë i është apeluar Augustit, vendosa ta dërgoj.
26 Dhe duke qenë se s’kam asgjë konkrete që t’i shkruaj perandorit për të, e solla këtu para jush, dhe kryesisht para teje, o mbret Agripa, që pas kësaj seance të kem diçka për të shkruar.
27 Sepse më duket e paarsyeshme të dërgosh një të burgosur pa treguar akuzat kundër tij.”
35 Fjala që iu drejtua Jeremias nga Zoti në kohën e Jehojakimit, birit të Josias, mbreti i Judës, duke thënë:
2 "Shko në shtëpinë e Rekabitëve dhe folu, silli pastaj në shtëpinë e Zotit, në një nga dhomat, dhe gostiti me verë".
3 Atëherë unë mora Jaazaniahun, birin e Jeremias, bir i Habaziniahut, vëllezërit e tij, tërë bijtë e tij, si dhe tërë shtëpinë e Rekabitëve,
4 dhe i çova në shtëpinë e Zotit, në dhomën e bijve të Hananit, birit të Igdaliahut, njeri i Perëndisë, e cila ndodhej pranë dhomës së princave mbi dhomën e Maasejahut, birit të Shalumit, rojtar i portës.
5 Vendosa pastaj përpara bijve të shtëpisë së Rekabitëve enë plot me verë dhe kupa dhe u thashë: "Pini verë".
6 Po ata u përgjigjën: "Ne nuk pimë verë, sepse Jehonadabi, biri i Rekabit, atit tonë, na ka urdhëruar duke thënë: "Nuk do të pini verë përjetë, as ju as bijtë tuaj.
7 Nuk do të ndërtoni shtëpi, nuk do të mbillni asnjë farë, nuk do të bëni asnjë vresht dhe nuk do të zotëroni asnjë prej tyre, por do të banoni në çadra tërë ditët e jetës suaj, në mënyrë që të jetoni gjatë në vendin ku banoni".
8 Kështu ne i jemi bindur zërit të Jehonadabit, birit të Rekabit, atit tonë, në çdo gjë që na ka urdhëruar: të mos pimë verë gjatë gjithë jetës sonë, si ne ashtu edhe gratë tona, bijtë tanë dhe bijat tona;
9 të mos ndërtojmë shtëpi për të banuar dhe të mos kemi as vreshta, as ara dhe as farë.
10 Por ne banojmë në çadra dhe jemi bindur dhe kemi bërë tërë ato që Jehonadabi, ati ynë, na ka urdhëruar.
11 Por ndodhi, që kur Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, doli kundër vendit, kemi thënë: "Ejani të shkojmë në Jeruzalem, nga frika e ushtrisë së Kaldeasve dhe ushtrisë së Sirisë". Dhe kështu u vendosëm në Jeruzalem".
12 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:
13 "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Shko dhe u thuaj njerëzve të Judës dhe banorëve të Jeruzalemit: Nuk doni, pra, të mësoni, duke dëgjuar fjalët e mia?," thotë Zoti.
14 "Fjalët e Jehonadabit, birit të Rekabit, që i porositi bijtë e tij të mos pinë verë, janë vënë në jetë; kështu ata nuk kanë pirë verë deri në këtë ditë, sepse i janë bindur porosisë së atit të tyre. Por megjithëse unë ju fola me urgjencë dhe me këmbëngulje, ju nuk më keni dëgjuar.
15 Ju kam dërguar gjithashtu me urgjencë dhe me këmbëngulje shërbëtorët e mi, profetët, duke ju thënë: "Le të tërhiqet pra, secili nga rruga e tij e keqe, përmirësoni veprimet tuaja dhe mos u shkoni pas perëndive të tjera që t’u shërbeni; atëherë do të banoni në vendin që ju dhashë juve dhe etërve tuaj". Por ju nuk më keni dëgjuar, as më jeni bindur.
16 Po, bijtë e Jehonadabit, birit të Rekabit, kanë zbatuar në praktikë porosinë e dhënë nga ati i tyre, por ky popull nuk më është bindur".
17 Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë po bëj që të vijë mbi Judë dhe mbi gjithë banorët e Jeruzalemit,, gjithë atë të keqe që kam shqiptuar kundër tyre, sepse u kam folur, por nuk më kanë dëgjuar, i kam thirrur, por nuk më janë përgjigjur".
18 Dhe shtëpisë së Rekabitëve Jeremia i tha: "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Me qënë se i jeni bindur porosisë së atit tuaj, Jehonadabit, keni zbatuar tërë urdhrat e tij dhe keni kryer të gjitha ato që ju kishte porositur,
19 kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Jehonodabit, birit të Rekabit, nuk do ti mungojë kurrë një njeri që të jetë gjithnjë para meje".
7 O Zot, Perëndia im, po kërkoj strehim te ti; shpëtomë nga tërë ata që më përndjekin dhe çliromë,
2 që armiku të mos e shqyejë shpirtin tim si një luan, duke copëtuar pa mundur njeri të më çlirojë.
3 O Zot, Perëndia im, në rast se e kam bërë këtë, në qoftë se ka ligësi në duart e mia,
4 në rast se së mirës i jam përgjigjur me të keqen atij që jetonte në paqe me mua, ose në rast se e kam zhveshur armikun tim pa arësye,
5 le të më përndjekë armiku dhe të më arrijë, le ta marrë nëpër këmbë jetën time dhe ta zvarritë në pluhur lavdinë time. (Sela)
6 Çohu, o Zot, në zemërimin tënd; çohu kundër tërbimit të armiqve të mi dhe në favorin tim; ti ke vendosur gjykimin.
7 Kuvendi i popujve do të të rrethojë; kthehu mbi të në një vend të ngritur.
8 Zoti do të gjykojë popujt; gjykomë, o Zot, sipas drejtësisë sime dhe ndershmërisë sime.
9 Jepi fund ligësisë së njerëzve të këqij, por vendos njeriun e drejtë, sepse ti je Perëndia i drejtë, që provon zemrat dhe mendjet.
10 Mburoja ime është te Perëndia, që shpëton ata që janë të drejtë nga zemra.
11 Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit.
12 Në qoftë se keqbërësi nuk ndryshon, ai do të mprehë shpatën e tij; e ka shtrirë harkun e tij dhe e ka përgatitur.
13 Ai ka përgatitur kundër tij armë vdekjeprurëse, i mban gati shigjetat e tij të zjarrta.
14 Ja, keqbërësi lind padrejtësinë; ai ka konceptuar ligësinë dhe ka për të pjellë mashtrimin.
15 Ai gërmon një gropë dhe e bën të thellë, por bie vetë në gropën që ka bërë.
16 Ligësia e tij do të kthehet mbi kryet e vet dhe dhuna e tij do të bjerë mbi çafkën e kokës.
17 Unë do ta falenderoj Zotin për drejtësinë e tij, dhe do të këndoj lëvdime në emër të Zotit, Shumë të Lartit.
8 Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejtë!
2 Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t’i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit.
3 Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,
4 çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?
5 Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.
6 E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!
7 Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra,
8 zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit.
9 O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!