M’Cheyne Bible Reading Plan
14 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
2 "U thuaj bijve të Izraelit të kthehen prapa dhe të vendosin kampin e tyre përballë Pi-Hahirothit, midis Migdolit dhe detit, përballë Baal-Tsefonit; vendosni kampin tuaj përpara këtij vendi pranë detit.
3 Atëherë Faraoni do të thotë për bijtë e Izraelit: "Ata po enden si të humbur në vend; shkretëtira i mban të mbyllur".
4 Dhe unë do ta ngurtësoj zemrën e Faraonit, dhe ai do t’i ndjekë ata; por unë do të siguroj lavdi nga Faraoni dhe nga gjithë ushtria e tij, dhe Egjiptasit do të mësojnë që unë jam Zoti". Dhe ata ashtu vepruan.
5 Pastaj iu njoftua mbretit të Egjiptit që populli kishte ikur; dhe zemra e Faraonit dhe e shërbëtorëve të tij ndryshoi kundrejt popullit, dhe ata thanë: "Ç’bëmë që e lamë Izraelin të ikë nga shërbimi ynë?".
6 Kështu Faraoni bëri që të përgatitej qerrja e tij dhe mori me vete popullin e tij.
7 Mori dhe gjashtëqind qerre të zgjedhura dhe tërë qerret e Egjiptit, me luftëtarë në secilin prej tyre.
8 Dhe Zoti e ngurtësoi zemrën e Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe ai i ndoqi bijtë e Izraelit, që dilnin plot trimëri.
9 Egjiptasit i ndoqën; dhe tërë kuajt, qerret e Faraonit, kalorësit e tij dhe ushtria e tij i arritën kur kishin fushuar pranë detit, në afërsi të Pi-Hahirothit, përballë Baal-Tsefonit.
10 Ndërsa Faraoni po afrohej, bijtë e Izraelit ngritën sytë; dhe ja, Egjiptasit marshonin prapa tyre, prandaj patën shumë frikë; dhe bijtë e Izraelit i klithën Zotit,
11 dhe i thanë Moisiut: "Pse, nuk kishte varre në Egjipt, që na solle të vdesim në shkretëtirë? Pse e bëre këtë gjë me ne, duke na nxjerrë nga Egjipti?
12 A nuk ishte vallë kjo për të cilën të flisnim në Egjipt, duke të thënë: Na lër rehat, kështu do të mund t’u shërbejmë Egjiptasvee"? Sepse për ne do të qe më mirë t’u shërbenim Egjiptasve se sa të vdesim në shkretëtirë".
13 Por Moisiu i tha popullit: "Mos kini frikë, qëndroni dhe çlirimi do të vijë nga Zoti, i cili do ta bëjë sot për ju; sepse Egjiptasit që shihni sot, nuk do t’i shihni më kurrë.
14 Zoti do të luftojë për ju, dhe ju do të rrini të qetë".
15 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Pse më bërtet mua? U thuaj bijve të Izraelit të shkojnë përpara.
16 Dhe ti ço lart bastunin tënd, shtrije dorën mbi det dhe ndaje atë, në mënyrë që bijtë e Izraelit të mund të kalojnë në mes të detit në të thatë.
17 Sa për mua, unë do ta ngurtësoj zemrën e Egjiptasve, dhe këta do t’i ndjekin ata. Kështu unë do të fitoj lavdi nga Faraoni, nga tërë ushtria e tij, nga qerret dhe kalorësit e tij.
18 Dhe Egjiptasit do të dinë që unë jam Zoti, kur unë do të fitoj lavdi nga Faraoni, nga qerret e tij dhe nga kalorësit e tij".
19 Atëherë Engjëlli i Perëndisë, që ecte përpara kampit të Izraelit, u zhvendos dhe shkoi e u vu prapa tyre; edhe kolona e reve lëvizi nga përpara dhe shkoi e u vu prapa tyre.
20 Dhe kështu vajti e u vendos midis fushimit të Egjiptit dhe fushimit të Izraelit; dhe reja prodhonte errësirë për njërën palë, ndërsa u jepte dritë të tjerëve natën. Kështu tërë natën kurrkush nuk iu afrua tjetrit.
21 Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; dhe Zoti bëri që të tërhiqet deti nga një erë e fortë nga lindja që fryu tërë atë natë dhe e shndërroi detin në tokë të thatë; dhe ujërat u ndanë.
22 Kështu bijtë e Izraelit hynë në mes të detit në të thatë; dhe ujërat formonin si një mur në të djathtë dhe të majtë të tyre.
23 Dhe Egjiptasit i ndoqën; dhe tërë kuajt e Faraonit, qerret e tij dhe kalorësit e tij hynë pas tyre në mes të detit.
24 Aty nga agimi i mëngjesit ndodhi që Zoti i hodhi sytë në kampin e Egjiptasve nga kolona e zjarrit dhe nga reja, dhe i dha dërmën.
25 Ai bëri të shkëputen rotat e qerreve të tyre dhe e bëri të vështirë përparimin e tyre. Kështu Egjiptasit thanë: "T’ia mbathim para Izraelit, sepse Zoti lufton bashkë me ta kundër Egjiptasve".
26 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën tënde mbi detin, me qëllim që ujërat e tij të kthehen mbi Egjiptasit, mbi qerret dhe kalorësit e tyre".
27 Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; kështu në të gdhirë, deti u kthye në vendin e tij të zakonshëm; Egjiptasit ikën para tij; dhe Zoti i përlau Egjiptasit në mes të detit.
28 Ujërat u kthyen dhe mbuluan qerret, kalorësit dhe tërë ushtrinë e Faraonit që kishin hyrë në det për të ndjekur Izraelitët; dhe nuk shpëtoi asnjë prej tyre.
29 Por bijtë e Izraelit vazhduan të ecnin në tokë të thatë në mes të detit, dhe ujërat qenë për ta si një mur, në të djathtë të tyre dhe në të majtë të tyre.
30 Kështu, atë ditë, Zoti e shpëtoi Izraelin nga dora e Egjiptasve, dhe Izraeli pa mbi bregun e detit Egjiptasit e vdekur.
31 Izraeli pa fuqinë e madhe që Zoti kishte treguar kundër Egjiptasve, dhe populli pati frikë nga Zoti dhe besoi te Zoti dhe te Moisiu shërbëtor i tij.
17 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Éshtë e pamundur që të mos ndodhin skandale; por mjerë ai për faj të të cilit vijnë!
2 Për të do të ishte më mirë t’i varnin në qafë një gur mulliri dhe ta hidhnin në det, se sa të skandalizojë një të vetëm nga këta të vegjël.
3 Kini kujdes veten tuaj! Në se yt vëlla mëkaton kundër teje, qortoje; dhe në se pendohet, fale.
4 Edhe sikur të mëkatonte shtatë herë në ditë kundër teje, dhe shtatë herë në ditë do të kthehet te ti duke thënë: "Pendohem," fale.”
5 Atëherë apostujt i thanë Zotit: “Na e shto besimin.”
6 Dhe Zoti tha: “Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do të mund t’i thonit këtij mani: "Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det," dhe ai do t’ju bindej.
7 Tani cili nga ju, po të ketë një shërbëtor që i lëron tokën ose i kullot kopenë, do t’i thotë kur ai kthehet nga fusha në shtëpi: "Eja menjëherë në tryezë"?
8 A nuk do t’i thotë përkundrazi: "Ma bëj gati darkën, përvishu e më shërbe që unë të ha e të pi e pastaj të hash dhe të pish edhe ti"?
9 Do ta falënderojë ndoshta atë shërbëtor sepse i zbatoi ato që i ishin urdhëruar? Mendoj se jo.
10 Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim detyrë të bënimm".”
11 Dhe ndodhi që duke udhëtuar për në Jeruzalem, ai kaloi nëpër Samari dhe Galile.
12 Dhe, kur po hynte në një fshat, i dolën para dhjetë lebrozë, të cilët ndaluan larg,
13 dhe duke ngritur zërin, thanë: “Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne.”
14 Dhe ai, si i pa, u tha atyre: “Shkoni e paraqituni te priftërinjtë.” Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan.
15 Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë.
16 Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte Samaritan.
17 Jezusi atëherë filloi të thotë: “A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?
18 A nuk gjet asnjë që të kthehet për të dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?.”
19 Dhe i tha atij: “Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi.”
20 Tani kur u pyet nga farisenjtë se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, ai u përgjigj atyre dhe tha: “Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme;
21 dhe as nuk do të mund të thuhet: "Ja, këtu," ose: "Ja, atje"; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush.”
22 Pastaj u tha dishepujve të vet: “Do të vijnë ditë kur ju do të dëshironi të shihni një nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni.
23 Dhe do t’ju thonë: "Ja, është këtu" ose: "Ja, është atje," por ju mos shkoni dhe mos i ndiqni.
24 Sepse ashtu si rrufeja, që vetëtin nga njëri skaj i qiellit te tjetri e ndriçon, kështu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij.
25 Por më parë i duhet të vuajë shumë dhe të hidhet poshtë nga ky brez.
26 Dhe, ashtu siç ndodhi në kohën e Noes, ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut.
27 Njerëzit hanin, pinin, martonin dhe martoheshin, deri ditën kur Noeu hyri në arkë; dhe erdhi përmbytja dhe i zhduku të gjithë.
28 Po kështu ndodhi në kohën e Lotit: njerëzit hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin dhe ndërtonin;
29 por ditën kur Loti doli nga Sodoma, ra shi zjarri e squfuri nga qielli dhe i zhduku të gjithë.
30 Kështu do të jetë edhe atë ditë kur Biri i njeriut do të shfaqet.
31 Në atë ditë, ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë të mos zbresë në shtëpi për të marrë gjërat e tij; e po kështu ai që ndodhet në ara, të mos kthehet prapa.
32 Kujtoni gruan e Lotit.
33 Ai që do të kërkojë të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë, do ta shpëtojë.
34 Unë po ju them: atë natë dy veta do të jenë në një shtrat; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.
35 Dy gra do të bluajnë bashkë; njëra do të merret e tjetra do të lihet.
36 Dy burra do të jenë në ara: njëri do të merret e tjetri do të lihet.”
37 Atëherë dishepujt u përgjigjën dhe thanë: “Ku, o Zot?” Dhe ai u tha atyre: “Ku të jetë trupi, atje do të mblidhen shqiponjat.”
32 Atëherë këta tre njerëz nuk iu përgjigjën më Jobit, sepse ai e ndjente veten të drejtë.
2 Por zemërimi i Elihut, birit të Barakelit, Buzitit, nga fisi i Ramit, u ndez kundër Jobit; zemërimi i tij u ndez, sepse ai e quante veten e tij të drejtë më tepër se Perëndia.
3 Zemërimi i tij u ndez edhe kundër tre miqve të tij, sepse nuk kishin gjetur përgjigjen e drejtë, megjithëse e dënonin Jobin.
4 Elihu kishte pritur për t’i folur Jobit, sepse ata ishin më të moshuar se ai.
5 Por kur Elihu u bind që në gojën e këtyre tre njerëzve nuk kishte më përgjigje, ai u zemërua.
6 Kështu Elihu, bir i Barakelit, Buzitit, mori fjalën dhe tha: "Unë jam akoma i ri me moshë dhe ju jeni pleq; prandaj ngurrova dhe pata frikë t’ju parashtroj mendimin tim.
7 Thoja: "Do të flasë mosha dhe numri i madh i viteve do t’u mësojë diturinë".
8 Por te njeriu ka një frymë, dhe është fryma i të Plotfuqishmit që i jep zgjuarsinë.
9 Nuk janë detyrimisht të mëdhenjtë që kanë diturinë ose pleqtë që kuptojnë drejtësinë.
10 Prandaj them: Dëgjomëni, do të shtroj edhe unë mendimin tim.
11 Ja, prita fjalimet tuaja, dëgjova argumentat tuaja, ndërsa kërkonit të thonit diçka.
12 Ju kam ndjekur me vëmendje, dhe ja, asnjëri prej jush nuk e bindi Jobin ose nuk iu përgjigj fjalëve të tij.
13 Mos thoni, pra: "Kemi gjetur diturinë; vetëm Perëndia mund ta mundë plotësisht, por jo njeriu!".
14 Ai nuk i ka drejtuar fjalimet e tij kundër meje, prandaj nuk do t’i përgjigjem me fjalët tuaja.
15 Janë hutuar, nuk përgjigjen më, nuk gjejnë fjalë.
16 Duhet të pres akoma, sepse nuk flasin më, rrinë aty pa dhënë asnjë përgjigje.
17 Do të paraqes edhe unë pjesën time, do të shtroj edhe unë mendimin tim.
18 Sepse kam plot fjalë dhe fryma përbrenda më detyron.
19 Ja, gjiri im është si vera që nuk ka një shfrim, si shakujt e rinj, gati për të plasur.
20 Do të flas, pra, për të pasur një lehtësim të vogël, do të hap buzët dhe do të përgjigjem.
21 Tani më lejoni të flas pa treguar anësi me asnjë dhe pa i bërë lajka kurrkujt;
22 sepse unë nuk di të bëj lajka, përndryshe Krijuesi im do të më hiqte shpejt nga mesi".
2 Por unë kisha vendosur në veten time të mos vij përsëri te ju me hidhërim.
2 Sepse, në qoftë se unë ju hidhëroj, kush do të më gëzojë mua, në mos ai vetë që u hidhërua prej meje?
3 Dhe ju shkrova në këtë mënyrë që, kur të vij, të mos kem trishtim nga ata që duhet të më gëzonin, duke pasur besim në ju të gjithë, se gëzimi im është i të gjithë juve.
4 Ju shkrova, në fakt, me shumë lot dhe me pikëllim të madh dhe ankth në zemër, jo që të hidhëroheni, por që të njihni dashurinë shumë të madhe që kam për ju.
5 Edhe në qoftë se dikush ka shkaktuar trishtim, s’më ka hidhëruar vetëm mua, por deri diku, pa e tepruar, ju të gjithë.
6 Mjaft është për atë njeri ndëshkimi që iu bë nga shumica,
7 por tani, përkundrazi, ju duhet më tepër ta falni atë dhe ta ngushlloni, që ai njeri të mos gëlltitet nga trishtimi i tepërt.
8 Prandaj ju lutem t’i shfaqni dashuri,
9 sepse ju shkrova edhe për këtë, që të njoh provën tuaj, nëse jeni të dëgjueshëm në çdo gjë.
10 Por atij që ju do t’i falni diçka, e fal edhe unë, sepse edhe unë, nëse kam falur gjë, kujtdo që t’ia kem falur, e bëra për ju përpara Krishtit,
11 që të mos na mposhtë Satanai, sepse ne i dimë qëllimet e tij.
12 Dhe, kur arrita në Troas për ungjillin e Krishtit edhe m’u hap një derë në Zotin,
13 nuk gjeta prehje në frymën time, sepse nuk gjeta aty Titin, vëllanë tim; prandaj, si u përshëndeta me ta, shkova në Maqedoni.
14 Por, falem nderit Perëndisë, që na bën të ngadhnjejmë gjithnjë në Krishtin dhe shfaq kudo nëpërmjet nesh erën e këndshme të njohurisë së vet.
15 Sepse ne jemi për Perëndinë era e këndshme e Krishtit ndër ata që shpëtohen dhe ndër ata që humbasin;
16 për këta një erë vdekjeje në vdekje, po për ata erë jete në jetë. Dhe kush është i zoti për këto?
17 Ne në fakt nuk falsifikojmë fjalën e Perëndisë, si shumë të tjerë, por flasim me sinqeritet si nga ana e Perëndisë, përpara Perëndisë në Krishtin.