Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Numrat 26

26 Pas fatkeqësisë, ndodhi që Zoti u foli Moisiut dhe Eleazarit, birit të priftit Aaron, duke u thënë:

"Bëni regjistrimin e tërë popullsisë së bijve të Izraelit, nga mosha njëzet e një vjeç e lart, në bazë të shtëpive të etërve të tyre, të të gjithë atyre që në Izrael mund të shkojnë në luftë".

Kështu Moisiu dhe prifti Eleazar u folën atyre në fushat e Moabit, pranë Jordanit, në bregun e kundërt të Jerikos, duke u thënë:

"Të bëhet regjistrimi i njerëzve nga mosha njëzet e një vjeç e lart ashtu si e ka urdhëruar Zoti Moisiun dhe bijtë e Izraelit, kur dolën nga vendi i Egjiptit".

Rubeni ishte i parëlinduri i Izraelit. Bijtë e tij qenë: Hanoku, prej të cilit rrjedh familja e Hanokitëve; Palu, prej të cilit rrjedh familja e Paluitëve;

Hetsroni, prej të cilit rrjedh familja e Hetsronitëve; Karmi, prej të cilit rrjedh familja e Karmitëve.

Këto janë familjet e Rubenitëve; ata që u regjistruan në radhët e tyre qenë dyzet e tre mijë e shtatëqind e tridhjetë veta.

I biri i Palus ishte Eliabi.

Djemtë e Eliabit qenë Nemueli, Dathani dhe Abirami. Këta janë po ai Datham dhe ai Abiram, anëtarë të këshillit, që ngritën krye kundër Moisiut dhe Aaronit së bashku me njerëzit e Koreut, kur ngritën krye kundër Zotit;

10 dhe toka hapi gojën e saj dhe i gëlltiti bashkë me Koreun, kur këta njerëz vdiqën dhe zjarri përpiu dyqind e pesëdhjetë njerëz në shenjë qortimi.

11 Por bijtë e Koreut nuk vdiqën.

12 Bijtë e Simeonit simbas familjeve të tyre qenë: nga Nemueli, familja e Nemuelitëve; nga Jamini, familja e Jaminitëve; nga Jakini, familja e Jakinitëve;

13 nga Zerahu, familja e Zerahitëve; nga Sauli, familja e Saulitëve.

14 Këto janë familjet e Simeonitëve: njëzet e dy mijë e dyqind veta.

15 Bijtë e Gadit simbas familjeve të tyre qenë: nga Tsefoni, familja e Tsefonitëve; nga Hagi, familja e Hagitëve; nga Shuni, familja e Shunitëve;

16 nga Ozni, familja e Oznitëve; nga Eri, familja e Eritëve;

17 nga Arodi, familja e Aroditëve; nga Areli, familja e Arelitëve.

18 Këto janë familjet e bijve të Gadit, në bazë të regjistrimit: dyzet mijë e pesëqind veta.

19 Bijtë e Judës ishin: Eri dhe Onani; por Eri dhe Onani vdiqën në vendin e Kanaanit.

20 Bijtë e Judës simbas familjeve të tyre qenë: nga Shelahu, familja e Shelanitëve; nga Peretsi, familja e Peretsitëve; nga Zerahu, familja e Zerahitëve.

21 Bijtë e Peretsit qenë: nga Hetsroni, familja e Hetsronitëve; nga Hamuli, familja e Hamulitëve.

22 Këto janë familjet e Judës në bazë të regjistrimit: shtatëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind veta.

23 Bijtë e Isakarit simbas familjeve të tyre ishin: nga Tola, familja e Tolaitëve; nga Puvahu, familja e Puvitëve;

24 nga Jashubi, familja e Jashubitëve; nga Shimroni, familja e Shimronitëve.

25 Këto janë familjet e Isakarit në bazë të regjistrimit: gjithsej gjashtëdhjetë e katër mijë e treqind.

26 Bijtë e Zabulonit simbas familjeve të tyre qenë: nga Seredi, familja e Sarditëve; nga Eloni, familja e Elonitëve; nga Jahleeli, familja e Jahleelitëve.

27 Këto janë familjet e Zabulonitëve në bazë të regjistrimit: gjithsej gjashtëdhjetë mijë e pesëqind.

28 Bijtë e Jozefit simbas familjeve të tyre qenë: Manasi dhe Efraimi.

29 Bijtë e Manasit qenë: nga Makiri, familja e Makiritëve. Makirit i lindi Galaadi; nga Galaadi rrodhi familja e Galaaditëve.

30 Këta janë bijtë e Galaadit: nga Jezeri, familja e Jezeritëve; nga Heleku, familja e Helekitëve;

31 nga Asrieli, familja e Asrielitëve; nga Shekemi, familja e Shekemitëve;

32 nga Shemida, familja e Shemidaitëve; nga Heferi, familja e Heferitëve.

33 Por Tselofehadi, bir i Heferit, nuk pati meshkuj, por vetëm vajza; dhe emrat e vajzave të Tselihadit qenë: Mahlah, Noah, Hoglah, Milkah dhe Thirtsah.

34 Këto janë familjet e Manasit; ata që u regjistruan qenë pesëdhjetë e dy mijë e shtatëqind.

35 Këto janë bijtë e Efraimit simbas familjeve të tyre; nga Shuthelahu, familja e Shuthelahitëve; nga Bekeri, familja e Bekeritëve; nga Tahani, familja e Tahanitëve.

36 Këto janë bijtë e Shuthelahut: nga Efrani, familja e Efranitëve.

37 Këto janë familjet e bijve të Efraimit në bazë të regjistrimit: gjithsej tridhjetë e dy mijë e pesëqind. Këta janë bijtë e Jozefit simbas familjeve të tyre.

38 Bijtë e Beniaminit simbas familjeve të tyre qenë: nga Bela, familja e Belaitëve; nga Ashbeli, familja e Ashbelitëve; nga Ahirami, familja e Ahiramitëve;

39 nga Shufami, familja e Shufamitëve; nga Hufami, familja e Hufamitëve.

40 Bijtë e Belas qenë: Ardi dhe Naamani; nga Ardi rrjedh familja e Arditëve; nga Naamani, familja e Naamitëve.

41 Këta janë bijtë e Beniaminit simbas familjeve të tyre. Ata që u regjistruan ishin dyzet e pesë mijë e gjashtëqind.

42 Këta janë bijtë e Danit simbas familjeve të tyre: nga Shuhami, familja e Shuhamitëve. Këta janë bijtë e Danit simbas familjeve të tyre.

43 Shuma e familjeve të Shuhamitëve në bazë të regjistrimit ishte gjashtëdhjetë e katër mijë e katërqind.

44 Bijtë e Asherit simbas familjeve të tyre qenë: nga Jimna, familja e Jimnitëve; nga Jishvi, familja e Jishvitëve; nga Beriahu, familja e Beriahitëve.

45 Nga bijtë e Beriahut: nga Heberi, familja e Heberitëve; nga Malkieli, familja e Malkialitëve.

46 Bija e Asherit quhej Serah.

47 Këto janë familjet e bijve të Asherit në bazë të regjistrimit: pesëdhjetë e tre mijë e katërqind.

48 Bijtë e Neftalit simbas familjeve të tyre qenë: nga Jahtseeli, familja e Jahtseelitëve; nga Guni, familja e Gunitëve;

49 nga Jetseri, familja e Jetseritëve; nga Shilemi, familja e Shilemitëve.

50 Këto janë familjet e Neftalit simbas familjeve të tyre. Ata që u regjistruan qenë dyzet e pesë mijë e katërqind.

51 Ata që u regjistruan nga bijtë e Izraelit qenë: gjashtëqind e një mijë e shtatëqind e tridhjetë veta.

52 Atëherë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

53 "Vendi do të ndahet midis tyre si trashëgimi, simbas numrit të personave.

54 Atyre që janë më të shumtë do t’u japësh në trashëgimi një pjesë më të madhe; atyre që janë në numër më të vogël do t’u japësh një pjesë më të vogël; secili do të marrë pjesën e tij në bazë të regjistrimit.

55 Por ndarja e vendit do të bëhet me short; ata do të marrin trashëgiminë e tyre në bazë të emrave të fiseve atërore.

56 Ndarja e trashëgimisë do të bëhet me short midis të gjitha fiseve të mëdha ose të vogla.

57 Dhe këta qenë ata që u regjistruan nga Levitët, simbas familjeve të tyre: nga Gershoni, familja e Gershonitëve; nga Kohathi, familja e Kohathitëve; nga Merari, familja e Meraritëve.

58 Këto janë familjet e Levit: familja e Libnitëve, familja e Hebronitëve, familja e Mahlitëve, familja e Mushitëve, familja e Korahitëve. Dhe Kohathit i lindi Amrami.

59 Gruaja e Amramit quhej Jokebed; ishte bijë e Levit dhe i kishte lindur Levit në Egjipt; në Amram ajo lindi Aaronin, Moisiun dhe Miriamin, motrën e tyre.

60 Aaronit i lindën Nadabi dhe Abihuri, Eleazari dhe Ithamari.

61 Por Nadabi dhe Abihu vdiqën kur i paraqitën Zotit një zjarr të palejueshëm.

62 Ata që u regjistruan në radhët e tyre qenë njëzet e tre mijë veta; të gjithë ishin meshkuj me moshë një muajsh e lart. Ata nuk u regjistruan bashkë me bijtë e tjerë të Izraelit, sepse atyre nuk iu dha asnjë trashëgimi midis bijve të Izraelit.

63 Këta janë ata që u regjistruan nga Moisiu dhe nga prifti Eleazar, që regjistruan bijtë e Izraelit në fushat e Moabit, pranë Jordanit, në bregun përballë Jerikos.

64 Midis tyre nuk kishte asnjë nga ata që u regjistruan nga Moisiu dhe nga prifti Aaron, kur ata regjistruan bijtë e Izaelit në shkretëtirën e Sinait,

65 sepse Zoti pat thënë për ata: "Ata do të vdesin, do të vdesin në shkretëtirë". Dhe prej tyre nuk mbeti as edhe një, me përjashtim të Kalebit, birit të Jenufehut, dhe të Jozueut, birit të Nunit.

Psalmet 69

69 Shpëtomë, o Perëndi, se ujërat më kanë arritur deri në grykë.

Jam zhytur në një batak të thellë dhe nuk gjej asnjë pikë mbështetjeje; kam arritur në ujëra të thella dhe rryma më rrëmben me vete.

Jam lodhur duke bërtitur, gryka më është tharë; sytë e mi konsumohen në pritje të Perëndisë tim.

Ata që më urrejnë pa shkak janë më të shumtë se flokët e mi; janë të fuqishëm ata që duan të më shkatërrojnë dhe që janë pa të drejtë armiq të mi; jam i detyruar të kthej atë që nuk kam vjedhur.

O Perëndi, ti e di marrëzinë time dhe fajet e mia nuk të janë fshehur.

Mos u ngatërrofshin për shkakun tim ata që kanë shpresë te ti, o Zot, Zoti i ushtrive; mos u turpërofshin për shkakun tim ata që të kërkojnë, o Perëndi i Izraelit.

Për hir të dashurisë sate unë po heq një poshtërim dhe turpi më mbulon fytyrën.

Unë jam i bërë një i huaj për vëllezërit e mi dhe për bijtë e nënes sime.

Sepse zelli i shtëpisë sate më ka përpirë dhe fyerjet e rënda të atij që të fyen kanë rënë mbi mua.

10 Kam qarë duke pikëlluar shpirtin tim me agjërim, por kjo më ka sjellë çnderim.

11 Kam veshur madje si rroba një thes, por u bëra për ta objekt talljeje.

12 Ata që ulen te porta flasin për mua, dhe u bëra kënga e pijanecëve.

13 Por sa për mua, o Zot, lutja ime të drejtohet ty, o Zot, në kohë të pranueshme; në dhembshurinë tënde të madhe përgjigjmu, o Perëndi, në shpëtimin tënd të siguruar.

14 Më nxirr nga bataku që të mos fundosem në të, dhe bëj që të çlirohem nga ata që më urrejnë dhe nga ujërat e thella.

15 Mos më mbuloftë rryma e ujërave, mos më përpiftë humnera dhe mos u mbylltë gryka e pusit mbi mua.

16 Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë.

17 Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh.

18 Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi.

19 Ti e njeh poshtërsinë time, turpin tim dhe çnderimin tim; armiqtë e mi janë të gjithë para teje.

20 Fyerja e rëndë më ka copëtuar zemrën dhe jam plot hidhërime; prita dikë që të më përdëllentë por më kot; prita dikë që të më ngushëllonte, por nuk u paraqit asnjë.

21 Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull.

22 U bëftë tryeza e tyre një lak para tyre, dhe begatia e tyre një kurth.

23 Ju errshin sytë atyre kështu që të mos shohin më, dhe bëj që ijët e tyre të lëkunden vazhdimisht.

24 Zbraz mbi ta zemërimin tënd dhe i zëntë zjarri i indinjatës sate.

25 Banesa e tyre u shkretoftë dhe askush mos banoftë në çadrat e tyre,

26 sepse përndjekin atë që ti ke goditur dhe flasin me kënaqësi për dhembjen e atyre që ti ke plagosur.

27 Shto këtë faj fajit të tyre dhe mos arrifshin kurrë të kenë pjesë në drejtësinë tënde.

28 U shofshin nga libri i jetës dhe mos u shkrofshin midis të drejtëve.

29 Tani jam i hidhëruar dhe i dëshpëruar; shpëtimi yt, o Perëndi, më lartoftë.

30 Unë do ta kremtoj emrin e Perëndisë me një këngë, dhe do ta madhështoj me lavde.

31 Dhe kjo do t’i pëlqejë Zotit më tepër se një ka o një dem me brirë dhe thonj.

32 Njerëzit e përulur do të shohin dhe do të gëzohen; dhe për ju që kërkoni Perëndinë, u përtëriftë zemra juaj.

33 Sepse Zoti kënaq nevojtarët dhe nuk përçmon robërit e tij.

34 E mburrshin qiejtë dhe toka, detet dhe gjithçka lëviz në to.

35 Sepse Perëndia do të shpëtojë Sionin dhe do të rindërtojë qytetet e Judës; atëherë ata do të banojnë në to dhe do t’i zotërojnë.

36 Dhe pasardhësit e shërbëtorëve të tij do të kenë trashëgiminë dhe ata që e duan emrin e tij do të banojnë aty.

Isaia 16

16 "Dërgojini një qengj sunduesit të vendit, nga Sela në drejtim të shkretëtirës, në malin e bijës së Sionit.

Sepse do të ndodhë që në vaun e Arnonit vajzat e Moabit do të jenë si një zog i dëbuar nga foleja.

Na jep një këshillë, bëj drejtësi! Bëje hijen tënde si nata, në mes të ditës; fshih ata që janë shpërndarë, mos i tradhëto ikanakët.

O Moab, lejo që të banojnë pranë teje njerëzit e mi që janë shpërndarë, ji për ta një strehë përballë shkatërruesit. Sepse tirani nuk është më, shkatërrimi ka marrë fund, shtypësit janë zhdukur nga vendi.

Atëherë një fron do të jetë i qëndrueshëm në dhembshuri dhe mbi të do të ulet në besnikëri, në çadrën e Davidit, një që do të gjykojë, do ta ushtrojë gjykimin dhe do të jetë i gatshëm të sigurojë drejtësinë".

"Kemi dëgjuar të flitet për krenarinë e Moabit, jashtëzakonisht krenar, për fodullëkun e tij, për kryelartësinë e tij, për arrogancën e tij, për mburrjen e tij pa baza".

Për këtë Moabi do të bëjë një vajtim për Moabin, të gjithë do të vajtojnë. Ju do të qani të dëshpëruar për pitet me rrush të Kir-Haresethit.

Sepse fushat e Heshbonit po meken, po kështu edhe vreshtat e Sibmahut; sunduesit e kombeve kanë shkatërruar bimët e saj më të mira që arrinin deri në Jazer dhe endeshin nëpër shkretëtirë; degët e saj shtriheshin dhe tejkalonin detin.

Prandaj me qarjen e Jazerit do të qaj vreshtat e Sibmahut; do të të vadis me lotët e mi, o Heshbon, o Elealeh, sepse mbi frytet e tua të verës dhe mbi të korrat e tua ka rënë një britmë lufte.

10 Gëzimi dhe hareja janë zhdukur nga fusha pjellore; ndër vreshta nuk ka më as këngë, as britma gëzimi; shtrydhësi i rrushit nuk shtrydh më verën ndër voza; unë nuk nxjerr më britma gëzimi.

11 Prandaj të përbrendshmet e mia dridhen për Moabin si një harpë; dhe zemra ime për Kir-Heresin.

12 Dhe do të ndodhë që kur të paraqitet Moabi, dhe të lodhet në vendin e lartë; ai do të hyjë në shenjtëroren e tij për t’u lutur, por nuk do të fitojë asgjë.

13 Kjo është fjala që Zoti i drejtoi dikur Moabit.

14 Por tani Zoti ka folur, duke thënë: "Brenda tre vjetëve, si vitet e një argati me mëditje, lavdia e Moabit do të bjerë e do të përçmohet bashkë me tërë atë turmë të madhe; dhe do të mbetet vetëm një numër shumë i vogël dhe i pafuqishëm".

1 Pjetrit 4

Sepse duke qenë se Krishti ka vuajtur për ne në mish, armatosuni edhe ju me të njëjtin mendim, sepse ai që ka vuajtur në mish pushoi së mëkatuari,

për të jetuar kohën që mbetet në mish jo më në pasionet e njerëzve, por sipas vullnetit të Perëndisë.

Sepse për ne është e mjaftueshme koha e jetës që shkuam për të kënaqur gjërat e dëshiruara nga johebrenjtë, kur ecnim në shthurje, në pasione, në dehje, në teprime, në të ngrëna e në të pira dhe në idhujtari të neveritshme.

Prandaj u duket çudi që ju nuk rendni me ta në po ato teprime shthurjeje dhe flasin keq për ju.

Ata do të japin llogari para atij që është gati të gjykojë të gjallë e të vdekur.

Për këtë në fakt, ungjilli u është predikuar edhe të vdekurve, që ata të gjykohen në mish sipas njerëzve, por të jetojnë në frymë sipas Perëndisë.

Tashmë fundi i të gjithave u afrua; jini, pra, të përkorë dhe rrini zgjuar për t’iu kushtuar lutjeve.

dhe të keni para së gjithash një dashuri të madhe për njeri tjetrin, sepse “dashuria do të mbulojë një shumicë mëkatesh.”

Jini mikpritës njëri për tjetrin, pa murmuritje.

10 Gjithsecili le ta vërë në shërbim të tjetrit dhuntinë që ka marrë, si kujdestarë të mirë të hirit të shumëfarshëm të Perëndisë.

11 Nëse dikush flet, le ta bëjë si të shpa-llë orakullit të Perëndisë; kush bën një shërbim, le të bëjë në forcën që i jep Perëndia, që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i takon lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve. Amen.

12 Shumë të dashur, mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju për t’ju provuar, se si ju ndodhi diçka e jashtëzakonshme.

13 Por gëzohuni, duke qenë pjestarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzoheni dhe të ngazëlloheni.

14 Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju; nga ana e tyre ai blasfemohet, kurse nga ana juaj ai përlëvdohet.

15 Por asnjë nga ju le të mos vuajë si vrasës ose vjedhës ose keqbërës, o sepse përzihet në punët e të tjerëve.

16 por, nëse dikush vuan si i krishterë, le të mos ketë turp, por le të përlëvdojë Perëndinë për këtë.

17 Sepse erdhi koha që të fillojë gjyqi nga shtëpia e Perëndisë; dhe nëse fillon më përpara nga ne, cili do të jetë fundi i atyre që nuk i binden ungjillit të Perëndisë?

18 Dhe “nëse i drejti mezi shpëton, ku do të duket i pabesi dhe mëkatari?

19 Prandaj edhe ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t’i besojnë shpirtrat e vet atij, si te Krijuesi besnik, duke bërë të mirën.