M’Cheyne Bible Reading Plan
14 Por ndodhi në kohën e Amrafelit, mbret i Shinarit, e Ariokut, mbret i Elasarit e Kedorlaomerit, mbret i Elamit dhe i Tidealit, mbret i kombeve,
2 që ata i bënë luftë Beraut, mbret i Sodomës, Birshës, mbret i Gomorës, Shinabit, mbret i Admahut, Shemeberit, mbret i Ceboimit dhe mbretit të Belës (që është Coari).
3 Tërë këta të fundit u grumbulluan në luginën e Sidimit (që është Deti i Kripur).
4 Për dymbëdhjetë vjet ata qenë të nënshtruar nga Kedorlaomeri, por vitin e trembëdhjetë ngritën krye.
5 Vitin e katërmbëdhjetë Kedorlaomeri dhe mbretërit që ishin me të erdhën bashkë me të dhe i shpërndanë gjigantët në Ashterot-Karnaim, Zuzimët në Ham, Emimët në Shaveh-Kiriataim
6 dhe Horejtë në malet e tyre të Seirit deri në El-Paran, që ndodhet pranë shkretëtirës.
7 Pastaj u kthyen pas dhe erdhën në En-Mishpat (që është Kadeshi), plaçkitën tërë territorin e Amalekitëve si dhe të Amorejve që banonin në Hatsacon-Tamar.
8 Atëherë mbreti i Sodomës, mbreti i Gomorës, mbreti i Admahut, mbreti i Ceboimit dhe mbreti i Belës (që është Coari) dolën dhe u rreshtuan në luftë kundër tyre, në luginën e Sidimit;
9 kundër Kedorlaomerit mbret i Elamit, Tidealit mbret i kombeve, Amrafelit mbret i Shinarit dhe Ariokut mbret i Elasarit; katër mbretër kundër pesë.
10 Por lugina e Sidimit ishte plot me puse bitumi; dhe mbretërit e Sodomës dhe të Gomorës ua mbathën këmbëve dhe ranë brënda tyre; dhe ata që shpëtuan, shkuan në mal.
11 Dhe kështu fituesit shtinë në dorë tërë pasuritë e Sodomës dhe të Gomorës dhe tërë ushqimet e tyre, dhe ikën.
12 Morën me vete edhe Lotin, djali i vëllait të Abramit, bashkë me pasurinë e tij, dhe ikën. Loti banonte në Sodomë.
13 Por njëri nga të ikurit erdhi dhe ia tha Abram Hebreut, që banonte në lisat e Mamres, Amoreosit, vëlla i Eshkollit dhe vëlla i Anerit, që kishin lidhur aleancë me Abramin.
14 Kur Abrami mësoi se vëllai i tij ishte zënë rob, ai armatosi njerëzit e stërvitur, shërbyes të lindur në shtëpinë e tij, gjithsej treqind e tetëmbëdhjetë veta dhe i ndoqi mbretërit deri në Dan.
15 Ai i ndau forcat e tij kundër tyre natën, dhe me shërbyesit e tij i sulmoi dhe i ndoqi deri në Hobah, që ndodhet në të majtë të Damaskut.
16 Kështu ai rimori tërë pasurinë dhe solli me vete edhe Lotin, të vëllanë, dhe tërë pasurinë e tij, si edhe gratë dhe popullin.
17 Mbas kthimit të tij nga disfata e Kedorlaomerit dhe të mbretërve që ishin me të, mbreti i Sodomës vajti ta presë në luginën e Shavehut (që është Lugina e mbretit).
18 Atëherë Melkisedeku, mbret i Salemit, i shpuri bukë dhe verë. Ai ishte prift i Shumë të Lartit Perëndi.
19 Dhe bekoi Abramin, duke thënë: "Qoftë i bekuar Abrami nga Shumë i Larti Perëndi, sundimtar i qiejve dhe i tokës!
20 Qoftë i bekuar Shumë i Larti Perëndi, që të ka dhënë në dorë armiqtë e tu!". Dhe Abrami i dha një të dhjetën e çdo gjëje.
21 Pastaj mbreti i Sodomës i tha Abramit: "Nëm personat dhe merr për vete pasuritë".
22 Por Abrami iu përgjegj mbretit të Sodomës: "Unë kam ngritur dorën time drejt Zotit, Perëndisë Shumë të Lartë, zotërues i qiejve dhe i tokës,
23 që nuk do të merrja asgjë nga ajo që të përket, as edhe një fije apo një lidhëse këpucësh, me qëllim që ti të mos thuash: "Unë e pasurova Abramin".
24 Nuk do të marr asgjë me vete, me përjashtim të atyreve që kanë ngrënë të rinjtë dhe të pjesës që u përket njerëzve që kanë ardhur me mua: Aneri, Eshkol dhe Mamreu; lëri që këta të marrin pjesën që u takon".
13 Tani po atë ditë, Jezusi doli nga shtëpia dhe u ul në breg të detit.
2 Turma të mëdha u mblodhën rreth tij kështu që ai hipi mbi një barkë dhe u ul; dhe gjithë populli rrinte në këmbë në breg.
3 Dhe ai u paraqiti shumë gjëra në shëmbëlltyrë, duke thënë: “Ja, një mbjellës doli për të mbjellë.
4 Ndërsa po mbillte, një pjesë e farës ra përgjatë rrugës; dhe zogjtë erdhën dhe e hëngrën.
5 Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë tokë, dhe mbiu shpejt sepse terreni nuk ishte i thellë;
6 por kur doli dielli u fishk dhe u tha sepse s’kishte rrënjë.
7 Një pjesë tjetër ra midis ferrave dhe ferrat u rritën dhe ia zunë frymën.
8 Një tjetër ra në tokë të mirë dhe dha fryt duke dhënë njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish dhe tjetra tridhjetëfish.
9 Kush ka vesh për të dëgjuar, le të dëgjojë!.”
10 Atëherë dishepujt iu afruan dhe i thanë: “Pse po u flet atyre me shëmbëlltyrë?.”
11 Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: “Sepse juve ju është dhënë mundësia të njihni të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre nuk u është dhënë.
12 Sepse atij që ka, do t’i jepet dhe do të ketë bollëk; ndërsa atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.
13 Prandaj unë u flas atyre me shëmbëll-tyrë, sepse duke parë nuk shohin, dhe duke dëgjuar nuk dëgjojnë as nuk kuptojnë.
14 Kështu ndër ta përmbushet profecia e Isaias, që thotë: "Ju do të dëgjoni, por nuk do të kuptoni, do të vështroni, por nuk do të shikoni.
15 Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme, ata janë bërë të rëndë nga veshët dhe kanë mbyllur sytë, që nuk shohin me sy dhe nuk dëgjojnë me vesh, dhe nuk gjykojnë me zemër dhe nuk kthehen, dhe unë t’i shëroj.
16 Por lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë.
17 Sepse në të vërtetë ju them se shumë profetë dhe të drejtë deshën t’i shohin gjërat që ju po shihni dhe nuk i panë, dhe t’i dëgjojnë gjërat që ju dëgjoni dhe nuk i dëgjuan!
18 Juve pra kuptoni shëmbëlltyrën e mbjellësit.
19 Kur dikush dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe i merr atë që ishte mbjellë në zemrën e tij. Ky është ai njeri që ka marrë fara përgjatë rrugës.
20 Dhe ai që ka marrë farën nëpër gurishte, është ai që dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë me gëzim;
21 por, nuk ka rrënjë në vete, dhe është për pak kohë; dhe kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohet menjëherë.
22 Dhe ai që ka marrë farën midis ferrave është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimet e pasurisë ia mbysin fjalën; dhe ajo bëhet e pafrytshme.
23 Por ai që merr farën në tokë të mirë, është ai që e dëgjon fjalën, e kupton dhe jep fryt; dhe prodhon njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish dhe tjetri tridhjetëfish.
24 Ai u propozoi atyre një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet.
25 Por, ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë dhe iku.
26 Kur më pas gruri u rrit dhe jepte fryt u duk edhe egjra.
27 Dhe shërbëtorët e padronit të shtëpisë iu afruan atij dhe i thanë: Zot, a nuk ke mbjellë farë të mirë në arën tënde? Vallë nga doli egjra??
28 Dhe ai u tha atyre: "Këtë e ka bërë armiku". Atëherë shërbëtorët i thanë: "A do ti të shkojmë e ta shkulim?".
29 Por ai tha: "Jo, kam frikë se, duke shkulur egjrën, bashkë me të, do të shkulni edhe grurin.
30 I lini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohën e korrjes unë do t’u them korrësve: Mblidhni më parë egjrën, lidheni në duaj për ta djegur; por grurin futeni në hambarin tim".”
31 Ai u proposoi atyre një shëmbëlltyre tjetër duke thënë: “Mbretëria e qiejve i ngjan një kokrre sinapi, të cilën e merr një njeri dhe e mbjell në arën e vet.
32 Ajo, pa dyshim, është më e vogla nga të gjitha farërat; por, kur rritet, është më e madhe se të gjitha barishtet, dhe bëhet një pemë, aq sa zogjtë e qiellit vijnë dhe gjejnë strehë në degët e saj.”
33 Ai u tha atyre një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiejve i ngjan majasë që e merr një grua dhe zë brumë me tri masa miell deri sa brumi të mbruhet plotësisht.”
34 Jezusi ua tha turmave të gjitha këto gjëra në shëmbëlltyra; dhe u fliste atyre vetëm në shëmbëlltyra,
35 që të përmbushej ç’është e thënë nëpërmjet profetit: “Unë do të hap gojën time në shëmbëlltyra dhe do të zbuloj gjëra të fshehura që nga themelimi i botës.”
36 Atëherë Jezusi, mbasi i lejoi turmat, u kthye në shtëpi dhe dishepujt e tij iu afruan e i thanë: “Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë.”
37 Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: “Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut.
38 Ara është bota, fara e mirë janë bijtë e mbretërisë dhe egjra janë bijtë e të ligut,
39 dhe armiku që e ka mbjellë është djalli, ndërsa korrja është fundi i botës dhe korrësit janë engjëjt.
40 Ashtu si mblidhet egjra dhe digjet në zjarr, kështu, do të ndodhë në mbarimin e botës.
41 Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi,
42 dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh.
43 Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!.”
44 “Përsëri, mbretëria e qiejve i ngjan një thesari të fshehur në një arë, që një njeri që e ka gjetur e fsheh; dhe, nga gëzimi që ka, shkon, shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë.
45 Akoma mbretëria e qiejve i ngjan një tregtari që shkon të kërkojë margaritarë të bukur.
46 Dhe, kur gjen një margaritar me vlerë të madhe, shkon dhe shet gjithçka që ka dhe e blen.
47 Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një rrjete të hedhur në det, që mbledh gjithfarë lloje gjërash.
48 Kur ajo është mbushur, peshkatarët e nxjerrin atë në breg, ulen dhe mbledhin në kosha ç’është e mirë, por i hedhin ata që nuk janë të mirë.
49 Kështu do të ndodhë në mbarimin e botës; do të vijnë engjëjt dhe do t’i ndajnë të mbrapshtit nga të drejtët;
50 dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh.”
51 Jezusi u tha atyre: “A i kuptuat të gjitha këto?.” Ata i thanë: “Po, Zot.”
52 Dhe ai u tha atyre: “Prandaj çdo skrib, që është mësuar për mbretërinë e qiejve i ngjan një padroni shtëpie që nxjerr jashtë nga thesari i vet gjërat e reja dhe të vjetra.”
53 Tani kur Jezusi i kishte mbaruar këto shëmbëlltyra, u largua që andej.
54 Dhe, pasi erdhi në vendlindjen e tij, i mësonte ata në sinagogën e tyre, kështu që ata, habiteshin dhe thonin: “Nga i erdhën këtij kjo dituri dhe këto vepra të pushtetshme?
55 A nuk është ky i biri i marangozit? Nuk quhet nëna e tij Mari, dhe vëllezërit e tij Jakob, Iose, Simon dhe Juda?
56 Dhe motrat e tij nuk janë të gjitha ndër ne? Atëherë nga i erdhën këtij të gjitha këto?.”
57 Dhe skandalizoheshin me të. Por Jezusi u tha atyre: “Asnjë profet nuk përçmohet, veçse në vendlindjen e vet dhe në shtëpinë e vet.”
58 Dhe, për shkak të mosbesimit të tyre, ai nuk bëri aty shumë vepra të pushtetshme.
3 Eliashibi, kryeprifti, u ngrit atëherë bashkë me vëllezërit e tij priftërinj dhe ndërtuan portën e Deleve; e shenjtëruan dhe ia vunë kanatet. Vazhduan të ndërtojnë deri në kullën e Meahut, që pastaj e shenjtëruan, dhe deri në kullën e Hananeelit.
2 Pranë Eliashibit ndërtuan njerëzit e Jerikos dhe pranë tyre ndërtoi Zakuri, bir i Imrit.
3 Bijtë e Senaahut ndërtuan portën e Peshqve, bënë kasën dhe vunë kanatet e saj, bravat dhe shufrat.
4 Pranë tyre punonte për riparimet Meremothi, bir i Urias, që ishte bir i Kotsit; pranë tyre për riparimet punonte Meshullami, bir i Berekiahut, që ishte bir i Meshezabeelit; pranë tyre punonte për riparimet Tsadoku, bir i Baanas;
5 pranë tyre për riparimet punonin Tekoitët; por fisnikët midis tyre nuk e ulën qafën për të bërë punën e Zotit të tyre.
6 Jehojada, bir i Paseahut, dhe Meshulami, bir i Besodejahut, restauruan portën e Vjetër; bënë kasën dhe vunë kanatet e saj, bravat dhe shufrat.
7 Pranë tyre punonin për riparimin e selisë së qeveritarit të krahinës matanë Lumit Melatiahu, Gabaoniti, Jadoni Meronithiti dhe njerëzit e Gabaonit dhe të Mitspahut.
8 Pranë tyre punonte për riparimet Uzieli, bir i Harhajahut, një ndër argjendarët; pranë tij punonte për riparimet Hananiahu, një nga parfumierët. Ata e përforcuan Jeruzalemin deri në Murin e Gjerë.
9 Pranë tyre punoi për riparimet Refajahu, bir i Hurit, kryetar i gjysmës së rrethit të Jeruzalemit.
10 Pranë tyre punonte për riparimet, përballë shtëpisë së tij, Jedajahu, bir i Harumafit; pranë tij punonin për riparimet Hatushi, bir i Hashabnejahut.
11 Malkijahu, bir i Harimit, dhe Hashshubi, bir i Pahath-Moabit, ndreqën një pjesë tjetër të mureve dhe kullën e Furrave.
12 Pranë tij punonte për riparimet, bashkë me bijat e tij, Shalumi, bir i Haloheshit, kryetar i gjysmës së rrethit të Jeruzalemit.
13 Hanuni dhe banorët e Zanoahit ndreqën portën e Luginës; e ndërtuan dhe i vunë kanatet, bravat dhe shufrat. Përveç kësaj ndreqën një mijë kubitë muri deri në portën e Plehut.
14 Malkijahu, bir i Rekabit, kryetar i rrethit të Beth-Hakeremit, ndreqi portën e Plehut; e ndërtoi, dhe i vuri kanatet, bravat dhe shufrat.
15 Shalumi, bir i Kol-Hezeut, kryetar i rrethit të Mitspahut, ndreqi portën e Burimit; e ndërtoi, e mbuloi dhe i vuri kanatet, bravat dhe shufrat. Ndreqi gjithashtu murin e pishinës të Siloes, pranë kopshtit të mbretit, deri në shkallëzat që zbresin nga qyteti i Davidit.
16 Pas tij Nehemia, bir i Azbukut, kryetar i gjysmës së rrethit të Beth-Zurit, punoi për riparimet deri përpara varreve të Davidit, deri te pishina artificiale dhe deri te shtëpia e Trimave.
17 Pas tij punuan për riparimet Levitët, nën drejtimin e Rehumit, birit të Banit; pranë tij punonte për riparimet për rrethin e tij Hashabia, kryetar i gjysmës së rrethit të Keilahut.
18 Pas tij punuan për riparimet vëllezërit e tyre, nën mbikëqyrjen e Bavait, birit të Henadat, kryetar i gjysmës tjetër të rrethit të Keilahut.
19 Pranë tij Ezeri, bir i Jeshuas, kryetar i Mitspahut, ndreqi një pjesë tjetër të mureve, përballë të përpjetës së arsenalit, në qoshe.
20 Mbas tij Baruku, bir i Zabait, riparoi me zell të madh një pjesë tjetër të mureve, nga qoshja deri te porta e shtëpisë së Eliashibit, kryepriftit.
21 Mbas tij Meremothi, bir i Urias, që ishte bir i Kotsit, ndreqi një pjesë tjetër të mureve, nga porta e shtëpisë së Eliashibit deri në skajin e shtëpisë së Eliashibit.
22 Mbas tij punuan për riparimet priftërinjtë që banonin përreth.
23 Mbas tyre Beniamini dhe Hashubi punuan për riparimet përballë shtëpisë së tyre. Mbas tyre Azaria, bir i Maasejahut, që ishte bir i Ananiahut, punoi për riparimet afër shtëpisë së tij.
24 Mbas tij Binui, bir i Henadadit, ndreqi një pjesë tjetër të mureve, nga shtëpia e Azarias deri në kthesë, domethënë në qoshe.
25 Palali, bir i Uzait, bëri riparime përballë kthesës dhe kullës që spikat nga shtëpia e epërme e mbretit, që ishte pranë oborrit të burgut. Mbas tij bëri riparime Pedajahu, bir i Paroshit.
26 Nethinejtë, që banonin mbi Ofelin, bënë riparime deri përpara portës së Ujërave, në drejtim të lindjes, dhe përballë kullës që spikaste.
27 Mbas tyre Tekoitët riparuan një pjesë tjetër të mureve, përballë kalasë së madhe që spikaste dhe deri në murin e Ofelit.
28 Mbi portën e Kuajve, priftërinjtë punuan në riparimet, secili përballë shtëpisë së vet.
29 Mbas tyre Tsadoku, bir i Imerit, punoi për riparimet përballë shtëpisë së tij. Mbas tij punoi Shemajahu, bir i Shekaniahut, që ishte rojtar i portës lindore.
30 Mbas tij Hananiahu, bir i Shelemiahut, dhe Hanuni, biri i gjashtë i Tsalafit, riparuan një pjesë tjetër të mureve. Mbas tyre Meshullami, bir i Berekiahut, punoi për riparimet përballë banesës së tij.
31 Mbas tij Malkijahu, një nga argjendarët, mori pjesë në riparimet deri në shtëpitë e Nethinejve dhe të tregtarëve, përballë portës së Mifkadit dhe deri në të përpjetën e qoshes.
32 Midis së përpjetës së qoshes dhe portës së Deleve punuan për riparimet argjendarët dhe tregtarët.
13 Por në kishën e Antiokisë ishin profetë dhe mësues: Barnaba, Simeoni, i quajtur Niger, Luci nga Kireneas, Manaeni, që ishte rritur bashkë me Herodin tetrark, dhe Sauli.
2 Dhe, ndërsa po kryenin shërbesën e Zotit dhe po agjëronin, Fryma e Shenjtë tha: “M’i ndani veç Barnabën dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur.”
3 Atëherë, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën.
4 Ata, pra, të dërguar nga Fryma e Shenjtë, zbritën në Seleuki dhe që andej lundruan për në Qipro.
5 Kur arritën në Salaminë, shpallën fjalën e Perëndisë në sinagogat e Judenjve; dhe ata kishin me vete edhe Gjonin si ndihmës.
6 Pastaj, mbasi e përshkuan ishullin deri në Pafo, gjetën aty një magjistar, një profet të rremë jude, me emër Bar-Jezus,
7 i cili ishte me prokonsullin Sergj Pal, njeri i zgjuar. Ky thirri pranë vetes Barnabën dhe Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë,
8 por Elimas, magjistari (ky në fakt është kuptimi i emrit të tij) u kundërshtoi atyre, duke kërkuar ta largojë prokonsullin nga besimi.
9 Atëherë Sauli, i quajtur edhe Pal, i mbushur me Frymën e Shenjtë, i nguli sytë mbi të dhe tha:
10 “O njeri plot me çdo mashtrim dhe çdo farë ligësie, bir i djallit, armik i çdo drejtësie, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i rrugëvë të drejta të Zotit?
11 Tani, pra, ja, dora e Zotit është mbi ty, dhe do të verbohesh dhe nuk do ta shohësh më diellin për një farë kohe.” Menjëherë mbi të ra mjegull dhe terr: dhe ai shkonte rreth e qark duke kërkuar ndonjë që ta mbante për dore.
12 Atëherë prokonsulli, kur pa çfarë kishte ndodhur, besoi, i mrekulluar nga doktrina e Zotit.
13 Dhe Pali dhe shokët e vet hipën në anije nga Pafo dhe arritën nëpër det në Pergë të Panfilisë; por Gjoni u nda prej tyre dhe u kthye në Jeruzalem.
14 Por ata, duke vazhduar rrugën nga Perga, arritën në Antioki të Pisidisë; dhe, mbasi hynë në sinagogë ditën e shtunë, u ulën.
15 Mbas leximit të ligjit dhe të profetëve, krerët e sinagogës dërguan atyre për t’u thënë: “Vëllezër, në qoftë se keni ndonjë fjalë këshilluese për popullin, ia thoni.”
16 Atëherë Pali u ngrit dhe, mbasi bëri shenjë me dorë, tha: “Izraelitë dhe ju që druani Perëndinë, dëgjoni!
17 Perëndia e këtij populli të Izraelit i zgjodhi etërit tanë, dhe e bëri të madh popullin gjatë qëndrimit në vendin e Egjiptit; pastaj, me krahë të fuqishëm, e nxori që andej.
18 Dhe për afro dyzet vjet i duroi në shkretëtirë.
19 Pastaj shkatërroi shtatë kombe në vendin e Kanaanit dhe ua shpërndau atyre në trashëgimi vendin e tyre.
20 Dhe pastaj, për afro katërqind e pesëdhjetë vjet, u dha Gjyqtarë deri te profeti Samuel.
21 Më pas ata kërkuan një mbret; dhe Perëndia u dha atyre Saulin, birin e Kisit, një burrë nga fisi i Beniaminit, për dyzet vjet.
22 Pastaj Perëndia e hoqi dhe u ngjalli atyre si mbret Davidin, për të cilin dha dëshmi duke thënë: "Kam gjetur Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të zbatojë të gjitha vullnetet e mia".
23 Prej farës së këtij Perëndia, sipas premtimit të vet, i ka ngjallur Izraelit Shpëtimtarin Jezus.
24 Para ardhjes së tij, Gjoni predikoi një pagëzim pendimi për gjithë popullin e Izraelit.
25 Dhe, kur Gjoni po e përfundonte misionin e tij, tha: "Cili pandehni se jam unë? Unë nuk jam Krishti; por ja, pas meje vjen një, të cilit unë nuk jam i denjë t’i zgjidh sandalet e këmbëve".
26 Vëllezër, bij të pasardhësve të Abrahamit, dhe ata prej jush që druajnë Perëndinë, juve ju është dërguar fjala e këtij shpëtimi.
27 Sepse banorët e Jeruzalemit dhe krerët e tyre, duke mos e njohur Këtëjezus, duke e dënuar, kanë përmbushur fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë.
28 Dhe, ndonëse nuk i gjetën asnjë faj që të meritonte vdekjen, i kërkuan Pilatit që ai të vritet.
29 Dhe mbasi u kryen të gjitha gjërat që janë shkruar për të, atë e zbritën nga druri dhe e vunë në varr.
30 Por Perëndia e ringjalli prej të vdekurve;
31 dhe ai u pa për shumë ditë nga ata që ishin ngjitur me të nga Galilea në Jeruzalem, të cilët tani janë dëshmitarë të tij para popullit.
32 Dhe ne po ju shpallim lajmin e mirë të premtimit që u qe bërë etërve,
33 duke ju thënë se Perëndia e ka përmbushur për ne, bij të tyre, duke ringjallur Jezusin, ashtu si dhe është shkruar në psalmin e dytë: "Ti je Biri im, sot më linde".
34 Dhe mbasi e ka ringjallur prej të vdekurve për të mos e kthyer në kalbje, ai ka thënë kështu: "Unë do t’ju jap premtimet e sigurta të bëra Davidit".
35 Për këtë ai thotë edhe në një psalm tjetër: "Ti nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbje".
36 Sepse Davidi, mbasi zbatoi këshillën e Perëndisë në brezin e tij, vdiq dhe u bashkua me etërit e vet dhe pa kalbje,
37 por ai, që e ka ringjallur Perëndia, nuk ka parë kalbje.
38 Le ta dini, pra, o vëllezër, se nëpërmjet tij ju është shpallur falja e mëkateve,
39 dhe se, me anë të tij, ai që beson është shfajësuar nga të gjitha gjërat, që nuk mund të shfajsohej me anë të ligjit të Moisiut.
40 Kini kujdes, pra, që të mos ju ndodhë ajo që është thënë në profetët:
41 "Shikoni, o përbuzës, mrekullohuni dhe do të treteni, sepse unë po kryej një vepër në ditët tuaja, një vepër, të cilën ju nuk do ta besonit, po t’jua tregonte dikush".”
42 Dhe kur Judenjtë dolën nga sinagoga, johebrenjtë u lutën që të shtunën e ardhshme t’u flisnin përsëri për këto gjëra.
43 Dhe, mbasi u shpërnda mbledhja, shumë nga Judenjtë dhe nga prozelitët e perëndishëm i ndiqnin Palin dhe Barnabën, të cilët, duke u folur atyre, i bindën të ngulmojnë në hir të Perëndisë.
44 Të shtunën tjetër gati gjithë qyteti u mblodh për të dëgjuar fjalën e Perëndisë.
45 Por Judenjtë, duke parë turmën, u mbushën me smirë dhe u kundërviheshin thënieve të Palit, duke kundërshtuar dhe duke blasfemuar.
46 Atëherë Pali dhe Barnaba, duke folur lirisht, thanë: “Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t’ju shpallej ju më së pari; por, ngaqë ju e hidhni poshtë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e përjetshme, ja, ne po u drejtohemi johebrenjve.
47 Sepse kështu na ka urdhëruar Zoti: "Unë të vura si dritë të johebrenjve, që ti ta çosh shpëtimin deri në skajin e dheut".”
48 Johebrenjtë, kur dëgjuan, u gëzuan dhe lëvdonin fjalën e Zotit; dhe të gjithë sa ishin të paracaktuar për jetën e pasosur besuan.
49 Dhe fjala e Zotit përhapej në mbarë atë vend.
50 Por Judenjtë i nxitën disa gra të perëndishme të shtresës së lartë, si dhe parinë e qytetit, dhe ngjallën një përndjekje kundër Palit dhe Barnabës dhe i dëbuan jashtë kufijve të tyre.
51 Atëherë ata, mbasi shkundën pluhurin e këmbëve të tyre kundër tyre, shkuan në Ikon.
52 Dhe dishepujt ishin mbushur me gëzim dhe me Frymën e Shenjtë.