Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Numrat 34

34 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

"Urdhëro bijtë e Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur do të hyni në vendin e Kanaanit, ky është vendi që ju takon si trashëgimi, vendi i Kanaanit me këta kufij të veçantë:

Kufiri juaj jugor do të fillojë në shkretëtirën e Tsinit, gjatë kufirit të Edomit; kështu kufiri juaj do të shtrihet nga skaji i Detit të Kripur në drejtim të lindjes;

kufiri juaj do të shkojë pastaj nga e përpjeta e Akrabimit, do të kalojë nëpër Tsin dhe do të shtrihet në jug të Kadesh-Barneas; do të vazhdojë pastaj në drejtim të Hatsar-Adarit dhe do të kalojë nëpër Atsmoni.

Nga Atsmoni kufiri do të kthejë deri në përroin e Egjiptit dhe do të përfundojë në det.

Kufiri juaj në perëndim do të jetë Deti i Madh; ky do të jetë kufiri juaj perëndimor.

Ky do të jetë kufiri juaj verior: duke u nisur nga Deti i Madh do të caktoni kufirin tuaj deri në malin Hor;

nga mali Hor do të caktoni kufirin tuaj deri në hyrje të Hamathit, dhe skaji i kufirit do të jetë në Tsedad;

kufiri do të vazhdojë pastaj deri në Zifron dhe do të mbarojë në Hatsar-Enan; ky do të jetë kufiri juaj verior.

10 Do ta vijëzoni kufirin tuaj lindor nga Hatsar-Enani deri në Shefam;

11 kufiri do të zbresë nga Shefami në drejtim të Riblahut, në lindje të Ainit; pastaj kufiri do të zbresë dhe do të shtrihet deri sa të arrijë bregun lindor të detit të Kinerethit;

12 pastaj kufiri do të zbresë në drejtim të Jordanit, për të arritur deri në Detin e Kripur. Ky do të jetë vendi juaj me kufijtë e tij rreth e qark".

13 Kështu Moisiu u njoftoi këtë urdhër bijve të Izraelit dhe u tha atyre: Ky është vendi që do të merrni si trashëgimi duke hedhur short, dhe që Zotii ka urdhëruar t’u jepet nëntë fiseve e gjysmë,

14 sepse fisi i bijve të Rubenit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre, dhe fisi i bijve të Gadit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre, dhe gjysma e fisit të Manasit e kanë marrë trashëgiminë e tyre.

15 Këto dy fise e gjysmë e kanë marrë trashëgiminë e tyre në lindje të Jordanit, mbi bregun përballë Jerikos, në drejtim të lindjes".

16 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

17 "Këta janë emrat e burrave që do të kryejnë ndarjen e vendit midis jush: prifti Eleazar dhe Jozueu, bir i Nunit.

18 Do të merrni edhe një prijës nga çdo fis, për të bërë ndarjen e vendit.

19 Këta janë emrat e burrave: Kalebi, bir i Jefunehut, nga fisi i Judës;

20 Shemueli, bir i Amihudit, nga fisi i bijve të Simeonit;

21 Elidadi, bir i Kislonit, nga fisi i Beniaminit;

22 prijësi Buki, bir i Joglit, nga fisi i bijve të Danit;

23 prijësi Haniel, bir i Efodit, për bijtë e Jozefit, nga fisi i bijve të Manasit;

24 prijësi Kemuel, bir i Shiftanit, për fisin e bijve të Efraimit;

25 prijësi Elitsafan, bir i Parnakut, për fisin e bijve të Zabulonit;

26 prijësi Paltiel, bir i Azanit, për fisin e bijve të Isakarit;

27 prijësi Ahihud, bir i Shelomit, për fisin e bijve të Asherit;

28 dhe prijësi Pedahel, bir i Amihudit, për fisin e bijve të Neftalit".

29 Këta janë burrat të cilët Zoti i urdhëroi t’u jepnin trashëgiminë bijve të Izraelit në vendin e Kananit.

Psalmet 78:38-72

38 Por ai, që është i mëshirshëm, ua fali paudhësinë e tyre dhe nuk i shkatërroi, dhe shumë herë përmbajti zemërimin e tij dhe nuk e la indinjatën e tij të shpërthejë,

39 duke mbajtur mend që ata ishin mish, një frymë që kalon dhe nuk kthehet më.

40 Sa herë provokuan indinjatën e tij në shkretëtirë dhe e hidhëruar në vetmi!

41 Po, ata iu drejtuan Perëndisë shumë herë dhe përsëri e provokuan të Shenjtin e Izraelit.

42 Nuk e kujtuan më fuqinë e tij as ditën që i kishte çliruar nga armiku,

43 kur ai kishte bërë mrekullitë e tij në Egjipt dhe në fushën e Tsoanit;

44 i kishte shndërruar lumenjtë dhe rrjedhat e ujit të Egjiptasve në gjak, me qëllim që të mos pinin dot.

45 Kishte dërguar kundër tyre mizëri mizash që t’i hanin dhe bretkosa që t’i shkatërronin.

46 Ua kishte dhënë të korrat e tyre krimbave dhe frytin e mundit të tyre karkalecave.

47 I kishte shkatërruar vreshtat e tyre me breshër dhe fiqtë e tyre të Egjiptit me ngrica.

48 Kishte braktisur bagëtinë e tyre në mëshirë të breshërit dhe kopetë e tyre në mëshirë të rrufeve.

49 Kishte lëshuar mbi ta zjarrin e zemërimit të tij, indinjatën, inatin dhe fatkeqësinë, një turmë lajmëtarësh të fatkeqësisë.

50 I kishte hapur udhën zemërimit të tij dhe nuk i kishte kursyer nga vdekja, por ia kishte braktisur jetën e tyre murtajës.

51 I kishte goditur në Egjipt gjithë të parëlindurit dhe prodhimet e para në çadrat e Kamit.

52 Por e kishte bërë popullin e tij të ikte si bagëtia dhe e kishte çuar nëpër shkretëtirë sikur të ishte një kope.

53 I kishte udhëhequr me siguri dhe ata nuk patën frikë, por deti i kishte përpirë armiqtë e tyre.

54 Dhe ai i solli kështu në tokën e tij të shenjtë, në malin që dora e djathtë e tij kishte pushtuar.

55 I dëboi kombet para tyre dhe u caktoi atyre me short trashëgiminë, dhe bëri që fiset e Izraelit të banonin në çadrat e tyre.

56 Por ata u orvatën dhe provokuan indinjatën e Perëndisë shumë të lartë dhe nuk respektuan statutet e tij.

57 U tërhoqën madje prapa dhe u suallën në mënyrë të pabesë ashtu si etërit e tyre, dhe devijuan si një hark që gabon;

58 provokuan zemërimin e tij me vendet e tyre të larta dhe e bënë ziliqar me skulpturat e tyre.

59 Perëndia dëgjoi dhe u zemërua, dhe ndjeu një neveri të madhe për Izraelin.

60 Kështu ai braktisi tabernakullin e Shilohut, çadrën që kishte ngritur midis njerëzve;

61 dhe e la forcën e tij të bjerë rob dhe lavdinë e tij në dorë të armikut.

62 Ia braktisi popullin e tij shpatës dhe u zemërua shumë kundër trashëgimisë së tij.

63 Zjarri i konsumoi të rinjtë e tyre dhe virgjëreshat e tyre nuk patën asnjë këngë dasme.

64 Priftërinjtë e tyre u vranë nga shpata dhe gratë e reja nuk mbajtën zi.

65 Pastaj Zoti u zgjua si nga gjumi, ashtu si një trim që bërtet nën ndikimin e verës.

66 I goditi armiqtë e tij në kurriz dhe i mbuloi me një turp të përjetshëm.

67 Hodhi poshtë çadrën e Jozefit dhe nuk zgjodhi fisin e Efraimit,

68 por zgjodhi fisin e Judës, malin e Sionit, që ai e do.

69 Ndërtoi shenjtëroren e tij, ashtu si vëndet shumë të larta, ashtu si tokat që ka krijuar përjetë.

70 Dhe zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij, dhe e mori nga vatha e dhenve,

71 dhe e mori nga delet që mëndnin për të kullotur Jakobin, popullin e tij dhe Izraelin, trashëgiminë e tij.

72 Dhe ai bëri që të kullosnin me ndershmërinë e zemrës së tyre dhe i udhëhoqi me shkathtësinë e duarve të tij.

Isaia 26

26 Atë ditë do të këndohet kjo këngë në vendin e Judës: "Ne kemi një qytet të fortë; Perëndia ka vënë shpëtimin për mure dhe për bastione.

Hapni portat dhe le të hyjë kombi i drejtë, që ruan besnikërinë".

Mëndjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti.

Kini besim te Zoti përjetë, sepse Zoti, po, Zoti është shkëmbi i përjetshëm.

Ai ka përulur ata që rrinin lart, ka ulur qytetin e lartë, e ka ulur deri në tokë, e ka hedhur në pluhur;

këmbët e shkelin, pikërisht këmbët e të varfërit dhe hapat e mjeranëve.

Rruga e të drejtit është e drejtë; o Perëndi i drejtë, ti sheshon shtegun e të drejtit.

Po, në rrugën e gjykimeve të tua, o Zot, ne të kemi pritur. Dëshira e shpirtit tonë i drejtohet emrit tënd dhe kujtimit tënd.

Me shpirtin tim të dëshiroj natën, po, me frymën që është brenda meje të kërkoj në mëngjes herët; sepse kur shfaqen gjykimet e tua mbi tokë, banorët e botës mësojnë drejtësinë.

10 Në rast se falet i pabesi, ai nuk do ta mësojë drejtësinë; ai do të veprojë në mënyrë të çoroditur në vendin e ndershmërisë dhe nuk do të mund të shikojë madhështinë e Zotit.

11 O Zot, dora jote është ngritur, por ata nuk e shohin. Por ata do ta shohin zellin tënd për popullin tënd dhe do të mbeten të hutuar; po, zjarri i armiqve të tu do t’i përpijë.

12 O Zot, ti do të vendosësh paqen për ne, sepse ti kryen për ne çdo vepër tonën.

13 O Zot, Perëndia ynë, zotër të tjerë, veç teje, na kanë sunduar; por vetëm për ty të mbajmë mend emrin.

14 Të vdekurit nuk do të rijetojnë më, ata që shkuan nuk do të vijnë më; prandaj ti i ke ndëshkuar, ke shkatërruar dhe ke zhdukur çdo kujtim të tyre.

15 Ti e ke rritur kombin, o Zot, e ke rritur kombin, je përlëvduar; i ke zgjeruar tërë kufijtë e vendit.

16 O Zot, në çastet e fatkeqësisë të kanë kujtuar, kanë bërë një lutje kur ndëshkimi yt po i godiste.

17 Ashtu si një grua me barrë që është gati për të lindur dhe përpëlitet dhe ulërin nga të prerat që ka, kështu kemi qenë ne para teje, o Zot.

18 Jemi ngjizur, kemi ndjerë dhembjet, ashtu sikur të kishim për të lindur, por ishte vetëm erë; nuk i kemi dhënë asnjë shpëtim vendit dhe banorët e botës nuk kanë rënë.

19 Të vdekurit e tu do të rijetojnë, bashkë me kufomën time, do të ringjallen. Zgjohuni dhe gëzohuni, o ju që banoni në pluhur! Sepse vesa jote është si vesa e një drite që shkëlqen dhe toka do të nxjerrë në dritë të vdekurit.

20 Shko, o populli im, hyr në dhomat e tua, mbylli portat e tua prapa teje; fshihu për një çast, deri sa të kalojë zemërimi.

21 Sepse ja, Zoti del nga banesa e tij për të ndëshkuar paudhësinë e banorëve të tokës; toka do të nxjerrë në shesh gjakun e derdhur dhe nuk do të t’i fshehë më të vrarët e saj.

1 Gjonit 4

Shumë të dashur, mos i besoni çdo frymë, por i vini në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë.

Nga kjo mund të njihni Frymën e Perëndisë: çdo frymë që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, është nga Perëndia.

Dhe çdo frymë që nuk rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, nuk është nga Perëndia; dhe kjo është fryma e antikrishtit që, siç e keni dëgjuar se vjen; dhe tashmë është në botë.

Ju jeni prej Perëndisë, o djem të rinj, dhe i keni mundur ata, sepse ai që është në ju është më i madh se ai që është në botë.

Ata janë nga bota; prandaj flasin për gjërat e botës dhe bota i dëgjon.

Ne jemi prej Perëndisë; kush njeh Perëndinë na dëgjon; kush nuk është prej Perëndisë nuk na dëgjon; nga kjo njohim Frymën e së vërtetës dhe frymën e gabimit.

Shumë të dashur, le ta duam njeri tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia dhe kushdo që do, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë.

Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.

Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij.

10 Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona.

11 Shumë të dashur, në qoftë se Perëndia na ka dashur në këtë mënyrë; edhe ne duhet ta duam njeri-tjetrin.

12 Askush s’e ka parë ndonjëherë Perëndinë; po ta duam njeri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne.

13 Nga kjo ne njohim se qëndrojmë në të dhe ai në ne, sepse ai na ka dhënë nga Fryma e tij.

14 Dhe ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për të qënë Shpëtimtar i botës.

15 Ai që rrëfen se Jezusi është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron në të dhe ai në Perëndinë.

16 Dhe ne njohëm dhe besuam dashurinë që Perëndia ka për ne. Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të.

17 Në këtë dashuria u përsos në ne (që të kemi guxim në ditën e gjyqit): sepse sikurse është ai, po kështu jemi edhe ne në këtë botë.

18 Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri.

19 Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari.

20 Po të thotë dikush: “Unë e dua Perëndinë” dhe urren vëllanë e vet, është gënjeshtar; sepse ai që nuk do vëllanë e vet të cilin e sheh, si mund të dojë Perëndinë, që nuk e sheh?

21 Dhe ky është urdhërimi që kemi marrë nga ai: ai që do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet.