M’Cheyne Bible Reading Plan
9 Me të mësuar këto gjëra, tërë mbretërit që ndodheshin këtej Jordanit, në krahinën malore, në fushat dhe gjatë bregut të Detit të Madh në drejtim të Libanit, Hiteu, Amoreu, Kananeu, Perezeu, Hiveu dhe Jebuseu,
2 u mblodhën bashkë në besëlidhje midis tyre për të luftuar kundër Jozueut dhe Izraelit.
3 Por kur banorët e Gabaonit mësuan atë që Jozueu kishte bërë në Jeriko dhe në Ai,
4 vepruan me dinakëri dhe u nisën gjoja si ambasadorë; ata ngarkuan mbi gomarët e tyre thasë të vjetra të konsumuara dhe kacekë të vjetër të shqyer dhe të arnuar për të transportuar verën,
5 dhe mbathën sandale të vjetra dhe të grisura dhe veshën trupin me rroba të përdorura; dhe e gjithë buka e tyre ishte e fortë dhe e thërmuar.
6 U paraqitën kështu para Jozueut në kampin e Gigalit dhe i thanë atij dhe tërë njerëzve të Izraelit: "Ne kemi ardhur nga një vend i largët; prandaj bëni aleancë me ne".
7 Por njerëzit e Izraelit iu përgjigjën kështu Hivejve: "Ndoshta banoni në mes nesh; si mund të lidhim aleancë me ju?".
8 Ata i thanë Jozueut: "Ne jemi shërbëtorë të tu!". Jozueu u tha atyre: Kush jeni dhe nga vini??".
9 Atëherë ata u përgjigjën: "Shërbëtorët e tu kanë ardhur nga një vend shumë i largët, për shkak të emrit të Zotit, Perëndisë tënd, sepse kemi dëgjuar të flitet për të dhe për të gjitha ato që ka bërë në Egjipt,
10 ashtu edhe për të gjitha ato që u ka bërë dy mbretërve të Amorejve matanë Jordanit, Sihonit, mbretit të Heshbonit, dhe Ogut, mbretit të Bashanit, që banonte në Ashtaroth.
11 Prandaj pleqtë tanë dhe të gjithë banorët e vendit tonë na thanë: Merrni nozullime me vete për udhëtimin, u dilni përpara dhe u thoni: "Ne jemi shërbëtorët tuaj; bëni, pra, aleancë me ne".
12 Kjo është buka jonë që morëm të ngrohtë me vete si rezervë nga shtëpitë tona ditën që u nisëm për të ardhur tek ju, dhe tani është bërë e fortë dhe e thërmuar;
13 dhe këta janë calikët e verës që ishin të rinj kur i mbushëm dhe ja, ku janë prishur; dhe ja, rrobat dhe sandalet tona, që janë ngrënë për shkak të udhëtimit shumë të gjatë".
14 Atëherë njerëzit e Izraelit morën disa nga nozullimet e tyre, por pa u konsultuar me Zotin.
15 Kështu Jozueu lidhi paqe me ta dhe nënshkroi një besëlidhje në bazë të së cilës ata mbeteshin të gjallë; dhe krerët e asamblesë u detyruan të betohen për këto gjëra.
16 Por tri ditë pas nënshkrimit të besëlidhjes mësuan se ata ishin fqinj të tyre dhe banonin në mes tyre.
17 Atëherë bijtë e Izraelit u nisën dhe ditën e tretë arritën në qytetet e tyre; qytetet e tyre ishin Gabaoni, Kefirahu, Beerothi dhe Kiriath-Jearimi.
18 Por bijtë e Izraelit nuk i vranë, sepse krerët e asamblesë u ishin betuar atyre në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit. Mirëpo tërë asambleja murmuriti kundër krerëve.
19 Atëherë krerët i thanë tërë asamblesë: "Ne u jemi betuar atyre në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit; prandaj nuk mund t’i ngasim.
20 Këtë do t’u bëjmë atyre: do t’i lëmë të gjallë që të mos tërheqim zemërimin e Zotit, për shkak të betimit që u kemi bërë atyre".
21 Krerët u thanë atyre: "Le të jetojnë, pra, por do të punojnë si druvarë dhe do të bartin ujë për gjithë asamblenë, siç u kishin thënë krerët".
22 Pastaj Jozueu i thirri dhe foli me ta, duke thënë: "Pse na gënjyet duke thënë: "Ne banojmë shumë larg nga ju, kurse ju banoni në mes nesh?"
23 Prandaj tani jeni të mallkuar, dhe do të jeni gjithnjë skllevër, druvarë o bartës të ujit për shtëpinë e Perëndisë tim".
24 Atëherë ata iu përgjigjën Jozueut dhe thanë: "Shërbëtorëve të tu u qe thënë qartë që Perëndia yt, Zoti, kishte urdhëruar shërbëtorin e tij Moisiun t’ju jepte tërë vendin dhe të shfaroste para jush tërë banorët e tij. Prandaj ne na hyri një frikë e madhe për jetën tonë nga shkaku juaj, dhe kemi vepruar në këtë mënyrë.
25 Dhe ja, tani jemi në dorën tënde; bëna atë që të duket e mirë dhe e drejtë".
26 Jozueu i trajtoi, pra, në këtë mënyrë: i liroi nga duart e bijve të Izraelit, me qëllim që këta të mos i vrisnin;
27 por po atë ditë i caktoi që të jenë druvarë dhe bartës të ujit për asamblenë dhe për altarin e Zotit, në vendin që ai do të zgjidhte deri në ditën e sotme.
140 Më çliro, o Zot, nga njerëzit e këqij; më mbro nga njerëzit e furishëm,
2 që thurrin ligësi në zemër të tyre; ata mblidhen vazhdimisht për të bërë luftë.
3 Mprehin gjuhën e tyre si gjarpëri dhe kanë helm gjarpëri nën buzët e tyre. (Sela)
4 Më mbro, o Zot, nga duart e të pabesit dhe më mbro nga njeriu i dhunës, që komplotojnë për të më rrëzuar.
5 Kryelartët kanë fshehur për mua një lak dhe litarë, më kanë ngritur një rrjetë buzë shtegut, kanë vënë kurthe për mua. (Sela)
6 Unë i thashë Zotit: "Ti je Perëndia im; dëgjo, o Zot, britmën e lutjeve të mia.
7 O Zot Perëndi, ti je forca e shpëtimit tim, ti e ke mbuluar kokën time ditën e betejës.
8 O Zot, mos u jep të pabesëve atë që dëshirojnë; mos favorizo planet e tyre, që të mos lavdërohen. (Sela)
9 Bëj që koka e atyre që më rrethojnë të mbulohet nga çoroditja e vetë buzëve të tyre.
10 Rënçin mbi ta qymyre të ndezur; i hedhshin në zjarr, në gropa të thella, nga ku të mos mund të ngrihen.
11 Njeriu gojëkeq mos qoftë i qëndrueshëm mbi tokë; fatkeqësia përndjektë njeriun e dhunës deri në shkatërrim".
12 Unë e di që Zoti do të mbrojë çështjen e të pikëlluarit dhe do t’i sigurojë drejtësi të varfërit.
13 Sigurisht të drejtët do të kremtojnë emrin tënd, dhe njerëzit e ndershëm do të banojnë të praninë tënde.
141 O Zot, unë të këlthas ty; nxito të më përgjigjesh. Vëri veshin zërit tim, kur të këlthas ty.
2 Le të arrijë lutja ime para teje si temjani, ngritja e duarve të mia si flijimi i mbrëmjes.
3 O Zot, vër një roje para gojës sime.
4 Mos lejo që zemra ime të priret nga asgjë e keqe dhe kështu të kryejë veprime të këqija bashkë me ata që bëjnë paudhësi; dhe bëj që unë të mos ha ushqimet e tyre të shijshme.
5 Le të më rrahë madje i drejti, do të jetë një mirësjellje nga ana e tij; le të më qortojë ai, do të jetë si vaji mbi kokë; koka ime nuk ka për ta refuzuar. Por lutja ime vazhdon të jetë kundër veprimeve të tyre të këqija.
6 Princat e tyre i hodhën nga skërkat dhe ata do t’i dëgjojnë fjalët e mia, sepse ato janë të këndshme.
7 Ashtu si ai që lëron dhe çan tokën, kështu kockat tona janë të përhapura në hyrje të Sheolit.
8 Por sytë e mia janë drejtuar te ti, o Zot, Zoti im; unë strehohem te ti, mos më lër të pambrojtur.
9 Më ruaj nga laku që më kanë përgatitur dhe nga kurthet e njerëzve që kryejnë paudhësi.
10 Të pabesët rënçin vetë në rrjetat e tyre, ndërsa unë do të kaloj tutje.
3 Në rast se një burrë e ndan gruan e tij dhe kjo ikën prej tij dhe bëhet gruaja e një burri tjetër, a do të kthehet vallë ai tek ajo? A nuk do të ishte ai vend shumë i përdhosur? Ti je kurvëruar me shumë dashnorë, por a do të dëshiroje të kthehesh tek unë?," thotë Zoti.
2 "Ço sytë në drejtim të lartësive dhe shiko: ku nuk ke rënë në shtrat me ta? Ti je ulur pranë rrugëve për t’i pritur si një Arab në shkretëtirë, dhe ke ndotur vendin me kurvërimet e tua dhe me ligësitë e tua.
3 Prandaj shirat u përmbajtën dhe shiu i fundit nuk ra. Por ti ke patur një ballë prostitute dhe nuk ke pranuar të kesh turp.
4 A nuk më ke thirrur bash tani: "Ati im, ti je miku i rinisë sime!
5 A do të mbetet i zemëruar për gjithnjë? A do ta ruajë zemërimin deri në fund?". Ja, ti flet kështu, por ndërkohë ti po kryen të gjitha ligësitë që mundesh".
6 Zoti më tha në kohën e mbretit Josia: "E pe atë që Izraeli rebel ka bërë? Ka shkuar mbi çdo mal të lartë dhe nën çdo dru të gjelbër dhe aty është kurvëruar.
7 Unë thoja: "Mbasi t’i ketë bërë tërë këto gjëra do të kthehet tek unë". Por nuk u kthye; dhe motra e vet e pabesë Juda e pa.
8 Dhe megjithëse unë kisha ndarë Izraelin rebel për shkak të të gjitha shkeljeve të tij dhe i kisha dhënë letrën e ndarjes, pashë që motra e vet e pabesë Juda nuk pati fare frikë, por shkoi edhe ajo të kurvërohet.
9 Kështu me zhurmën e kurvërimeve të veta e ndoti vendin dhe shkeli kurorën me gurin dhe me drurin.
10 Ndonëse ndodhën tërë këto, motra e vet e pabesë Juda nuk u kthye tek unë me gjithë zemrën e saj, por me simulime," thotë Zoti.
11 Pastaj Zoti më tha: "Izraeli rebel u tregua më i drejtë se e pabesa Judë.
12 Shko dhe shpalli këto fjalë në drejtim të veriut, duke thënë: "Kthehu, o Izrael rebel,"" thotë Zoti, "nuk do ta hedh zemërimin tim mbi ju, sepse jam i mëshirshëm," thotë Zoti, "dhe nuk mbetem i zemëruar për gjithnjë.
13 Vetëm prano paudhësinë tënde, sepse je rebeluar kundër Zotit, Perëndisë tënd; ua ke shkapërderdhur favoret e tua të huajve poshtë çdo druri të gjelbëruar dhe nuk ke dëgjuar zërin tim," thotë Zoti.
14 "Kthehuni, o bij të përdalë," thotë Zoti, "sepse unë kam pushtet mbi ju. Do t’ju marr një në çdo qytet dhe dy nga çdo familje dhe do t’ju çoj përsëri në Sion.
15 Do t’ju jap pastaj barinj sipas zemrës sime, që do t’ju kullosin me dije dhe dituri.
16 Dhe ka për të ndodhur që kur të shumoheni dhe do të jeni pjellorë në vend, në ato ditë," thotë Zoti, "nuk do të thuhet më: "Arka e besëlidhjes të Zotit". Nuk do t’ju shkojë më ndër mend, nuk do ta kujtojnë më, nuk do të shkojnë ta shikojnë më, nuk do të bëhet një tjetër.
17 Atëherë Jeruzalemi do të quhet "Froni i Zotit"; tërë kombet do të mblidhen pranë tij në emër të Zotit, në Jeruzalem, dhe nuk do të ecin më sipas kryeneçësisë së zemrës së tyre të keqe.
18 Në ato ditë shtëpia e Judës do të ecë me shtëpinë e Izraelit dhe së bashku do të vijnë nga vendi i veriut në vendin që u dhashë si trashëgimi etërve tuaj.
19 Unë thoja: "Me çfarë dëshire do të të vendosja midis bijve të mi dhe do të të jepja një vend të mrekullueshëm, një trashëgimi të shkëlqyer midis gjithë kombeve!". Thoja: "Ti do të më quash: Ati im!, dhe nuk do të largohesh më nga unë".
20 Por ashtu si një grua nuk është besnike ndaj burrit të saj, kështu ju keni qenë jobesnikë ndaj meje, o shtëpia e Izraelit," thotë Zoti.
21 Një zë dëgjohet në lartësitë; të qarat dhe lutjet e bijve të Izraelit, sepse kanë prishur rrugën e tyre dhe kanë harruar Zotin, Perëndinë e tyre.
22 "Kthehuni, o bij të përdalë, unë do të shëroj rebelimet tuaja". "Ja, ne po vijmë te ti, sepse ti je Zoti, Perëndia ynë.
23 Me siguri ndihma që pritet nga kodrat e nga numri i madh i maleve është e kotë; me siguri shpëtimi i Izraelit qëndron te Zoti, Perëndia ynë.
24 Ajo gjë e neveritshme ka përpirë frytin e mundit të etërve tanë qysh prej rinisë sonë, delet dhe qetë e tyre, bijtë e tyre dhe bijat e tyre.
25 Le të biem në shtrat me turpin tonë dhe le të na mbulojë poshtërsia jonë, sepse kemi mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tonë, ne dhe etërit tanë qysh prej rinisë sonë e deri në këtë ditë, dhe nuk kemi dëgjuar zërin e Zotit, Perëndisë tonë".
17 Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi mbi një mal të lartë, në vetmi;
2 dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita.
3 Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të.
4 Atëherë Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: “Zot, është mirë që ne jemi këtu; po të duash, do të ngremë këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian.”
5 Ndërsa ai fliste akoma, ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: “Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!.”
6 Dhe dishepujt, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe.
7 Por Jezusi u afrua, i preku dhe tha: “Çohuni dhe mos kini frikë!.”
8 Dhe ata, kur i çuan sytë, nuk panë njeri, përveç Jezusit vetëm.
9 Pastaj, kur po zbrisnin nga mali, Jezusi u dha atyre këtë urdhër duke thënë: “Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri.”
10 Atëherë dishepujt e tij e pyetën duke thënë: “Vallë pse skribët thonë se duhet të vijë më parë Elia?.”
11 Dhe Jezusi u përgjigj: “Vërtetë Elia duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë.
12 Por unë ju them se Elia ka ardhur dhe ata nuk e kanë njohur, madje u sollën me të si deshën; kështu edhe Birit të njeriut do t’i duhet të vuajë prej tyre.”
13 Atëherë dishepujt e kuptuan se u kishte folur për Gjon Pagëzorin.
14 Kur arritën afër turmës, një burrë iu afrua dhe, duke u gjunjëzuar para tij,
15 tha: “Zot, ki mëshirë për birin tim, sepse është epileptik dhe vuan shumë; shpesh ai bie në zjarr dhe shpesh në ujë.
16 Tani unë e solla te dishepujt e tu, por ata nuk mundën ta shërojnë.”
17 Dhe Jezusi duke u përgjigjur tha: “O brez që nuk beson dhe i çoroditur! Deri kur do të qëndroj midis jush? Deri kur do t’ju duroj? E sillni këtu tek unë.”
18 Atëherë Jezusi e qortoi demonin dhe ky doli nga djali; dhe që nga ai çast djali u shërua.
19 Atëherë dishepujt iu afruan Jezusit mënjanë dhe i thanë: “Përse ne nuk ishim në gjendje ta dëbonim?.”
20 Dhe Jezusi u tha atyre: “Prej mosbesimit tuaj; sepse në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: "Zhvendosu nga këtu atje," dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju.
21 Por ky lloji demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit.”
22 Por, ndërsa ata qëndronin në Galile, Jezusi u tha atyre: “Biri i njeriut do t’u dorëzohet në duart e njerëzve,
23 dhe ata do ta vrasin; por ditën e tretë ai do të ringjallet.” Dhe ata u pikëlluan shumë.
24 Kur arritën në Kapernaum, vjelësit e të drahmeve iu afruan Pjetrit dhe thanë: “Mësuesi juaj a e paguan taksën e tempullit?.”
25 Ai tha: “Po.” Kur hyri në shtëpi, Jezusi e priti përpara duke thënë: “Ç’mendon ti, Simon? Prej kujt i marrin haraçet ose taksat mbretërit e dheut? Prej bijve të vet apo prej të huajve?.”
26 Pjetri i tha: “Prej të huajve.” Jezusi tha: “Bijtë, pra, përjashtohen.
27 Megjithatë, për të mos i skandalizuar ata, shko në det, hidhe grepin dhe merr peshkun e parë që do vijë lart, hapja gojën dhe do të gjesh një staterë; merre dhe jepjau atyre për ty dhe për mua.”