M’Cheyne Bible Reading Plan
7 "Ky është ligji i ofertës për shkeljen, (është gjë shumë e shenjtë).
2 Në vendim ku theret olokausti, do të theret flia për shkeljen; dhe gjaku i saj do të spërkatet rreth e qark altarit.
3 Prej saj do të paraqitet tërë dhjami: do të hiqet bishti i majmë, dhjami që mbulon zorrët,
4 të dy veshkat, dhjami që është mbi to rreth ijeve dhe bula e dhjamur e mëlçisë së zezë mbi veshkat.
5 Pastaj prifti do t’i tymosë mbi altar, si një flijim i bërë me zjarr për Zotin. Ky është një flijim për shkeljen.
6 Çdo mashkull midis priftërinjve do të mund të hajë nga ajo; do të hahet në vend të shenjtë; është gjë shumë e shenjtë.
7 Flijimi për shkeljen është si flijimi i mëkatit; i njëjti ligj vlen për të dy rastet; flia me të cilën prifti bën shlyerjen i takon atij.
8 Dhe prifti, që ofron olokaustin e dikujt, do të marrë për vete lëkurën e olokaustit që ka ofruar.
9 Kështu çdo blatim i ushqimit i pjekur në furrë, apo i përgatitur në tigan ose mbi skarë, do të jetë i priftit që e ka ofruar.
10 Dhe çdo blatim i ushqimit i përzier me vaj ose i thatë i përket tërë bijve të Aaronit, si për njerin si për tjetrin.
11 Ky është ligji i flijimit të falënderimit, që do t’i çohet Zotit.
12 Në qoftë se dikush e ofron për dhënie hiri, do të ofrojë me flijimin e dhënies së hirit kulaç pa maja të përzier me vaj, revani pa maja të përzier me vaj dhe kulaç me majë mielli të përzier me vaj.
13 Bashkë me kulaçët e bukës pa maja, si ofertë të tij do të paraqesë, me flijimin e dhënies së hirit, flijimin e tij të falënderimit.
14 Nga çdo ofertë ai do të ofrojë një kulaç si një blatim të lartë për Zotin; ai do të jetë i priftit që ka spërkatur gjakun e flijimit të falënderimit.
15 Mishi i flijimit të dhënies së hirit i paraqitur si falënderim do të hahet po atë ditë gjatë së cilës ofrohet; nuk do të lihet asgjë prej tij deri në mëngjes.
16 Por në qoftë se flijimi që dikush ofron është një kushtim ose një ofertë spontane, do të hahet ditën në të cilën paraqitet flijimi; ajo që tepron duhet të hahet të nesërmen.
17 Por ajo që mbetet nga mishi i flijimit do të digjet me zjarr ditën e tretë.
18 Në qoftë se në ditën e tretë hahet nga mishi i flijimit të falënderimit, ai nuk do të pranohet dhe nuk do t’i llogaritet; do të jetë një veprim i neveritshëm; dhe ai që ha, do të mbajë fajin e mëkatit të tij.
19 Mishi, që prek çfarëdo gjë të papastër nuk do të hahet; do të digjet me zjarr. Sa për mishin tjetër, kushdo që është i pastër do të mund të hajë nga ai.
20 Por personi, që duke qenë i papastër, ha mish nga flijimi i falënderimit që i përket Zotit, do të shfaroset nga populli i tij.
21 Përveç kësaj në se dikush prek çfarëdo gjë të papastër (një papastërti njerëzore, një kafshë të papastër ose çfarëdo gjë të neveritshme dhe të ndyrë) dhe ha mish nga flijimi i falënderimit që i përket Zotit, ai do të shfaroset nga populli i tij".
22 Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:
23 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Nuk do të hani asnjë yndyrë të lopës apo të deles apo të dhisë.
24 Dhjami i një kafshe që ka ngordhur në mënyrë të natyrshme dhe dhjami i një kafshe të shqyer mund të shërbejë për çdo përdorim tjetër, por nuk do të hani aspak;
25 sepse kushdo që në fakt ha dhjamin e një kafshe që ofrohet si flijim i bërë me zjarr për Zotin, ai që ha nga ky mish do të shfaroset nga populli i tij.
26 Përveç kësaj nuk do të hani asnjë gjak, as të zogjve, as të katërkëmbëshve, në asnjë nga banesat tuaja.
27 Kushdo që ha çfarëdo lloj gjaku, do të shfaroset nga populli i tij".
28 Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:
29 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kush i ofron Zotit flijimin e tij të falënderimit do t’ia çojë ofertën e tij Zotit, duke e hequr nga flijimi i tij i falënderimit.
30 Do t’i çojë me duart e tij ofertat e bëra me zjarr për Zotin; do të çojë dhjamin bashkë me gjoksin, për të tundur gjoksin si ofertë e tundur përpara Zotit.
31 Prifti do ta tymosë dhjamin mbi altar, ndërsa gjoksi do të jetë i Aaronit dhe i bijve të tij.
32 Do t’i jepni priftit gjithashtu, si një ofertë të lartë, kofshën e djathtë të flijimeve tuaja të falënderimit.
33 Ai nga bijtë e Aaronit që ofron gjakun dhe dhjamin e flijimeve të falënderimit do të ketë, si pjesë të tij, kofshën e djathtë.
34 Sepse nga flitë e falënderimit të ofruara nga bijtë e Izraelit unë marr gjoksin e ofertës së tundur dhe kofshën e ofertës së lartë, dhe ua jap priftit Aaron dhe bijve të tij, si një detyrim i përjetshëm nga ana e bijve të Izraelit".
35 Kjo është pjesa e caktuar e Aaronit dhe bijve të tij nga flijimet e bëra me zjarr për Zotin, ditën që do të paraqiten për t’i shërbyer Zotit si priftërinj.
36 Këtë ka urdhëruar Zoti për bijtë e Izraelit t’u jepnin atyre ditën që i vajosi, si një ligj i përjetshëm brez pas brezi.
37 Ky është ligji i olokaustit, i blatimit të ushqimit, i flijimit për mëkatin, i flijimit për shkeljen, i shenjtërimit dhe i flijimit të falënderimit,
38 ligji që Zoti i dha Moisiut mbi malin Sinai, ditën që i urdhëroi bijtë e Izraelit t’i paraqisnin ofertat e tyre Zotit në shkretëtirën e Sinait.
7 O Zot, Perëndia im, po kërkoj strehim te ti; shpëtomë nga tërë ata që më përndjekin dhe çliromë,
2 që armiku të mos e shqyejë shpirtin tim si një luan, duke copëtuar pa mundur njeri të më çlirojë.
3 O Zot, Perëndia im, në rast se e kam bërë këtë, në qoftë se ka ligësi në duart e mia,
4 në rast se së mirës i jam përgjigjur me të keqen atij që jetonte në paqe me mua, ose në rast se e kam zhveshur armikun tim pa arësye,
5 le të më përndjekë armiku dhe të më arrijë, le ta marrë nëpër këmbë jetën time dhe ta zvarritë në pluhur lavdinë time. (Sela)
6 Çohu, o Zot, në zemërimin tënd; çohu kundër tërbimit të armiqve të mi dhe në favorin tim; ti ke vendosur gjykimin.
7 Kuvendi i popujve do të të rrethojë; kthehu mbi të në një vend të ngritur.
8 Zoti do të gjykojë popujt; gjykomë, o Zot, sipas drejtësisë sime dhe ndershmërisë sime.
9 Jepi fund ligësisë së njerëzve të këqij, por vendos njeriun e drejtë, sepse ti je Perëndia i drejtë, që provon zemrat dhe mendjet.
10 Mburoja ime është te Perëndia, që shpëton ata që janë të drejtë nga zemra.
11 Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit.
12 Në qoftë se keqbërësi nuk ndryshon, ai do të mprehë shpatën e tij; e ka shtrirë harkun e tij dhe e ka përgatitur.
13 Ai ka përgatitur kundër tij armë vdekjeprurëse, i mban gati shigjetat e tij të zjarrta.
14 Ja, keqbërësi lind padrejtësinë; ai ka konceptuar ligësinë dhe ka për të pjellë mashtrimin.
15 Ai gërmon një gropë dhe e bën të thellë, por bie vetë në gropën që ka bërë.
16 Ligësia e tij do të kthehet mbi kryet e vet dhe dhuna e tij do të bjerë mbi çafkën e kokës.
17 Unë do ta falenderoj Zotin për drejtësinë e tij, dhe do të këndoj lëvdime në emër të Zotit, Shumë të Lartit.
8 Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejtë!
2 Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t’i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit.
3 Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,
4 çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?
5 Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.
6 E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!
7 Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra,
8 zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit.
9 O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!
22 Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari.
2 I pasuri dhe i varfëri kanë këtë të përbashkët: të dy i ka bërë Zoti.
3 Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.
4 Çmimi i përvujtërisë është frika e Zotit, pasuria, lavdia dhe jeta.
5 Ferra dhe leqe gjenden në udhën e të çoroditurit; kush kujdeset për jetën e vet rri larg tyre.
6 Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.
7 I pasuri sundon mbi të varfërit, dhe huamarrësi është skllav i huadhënësit.
8 Kush mbjell padrejtësi ka për të korrur telashe dhe shufra e zemërimit të tij do të asgjesohet.
9 Njeriu me sy dashamirës do të bekohet, sepse i jep bukë të varfërit.
10 Përzëre tallësin dhe grindjet do të ikin bashkë me të; po, grindjet dhe fyerjet do të pushojnë.
11 Kush e do pastërtinë e zemrës dhe ka hir mbi buzët do ta ketë shok mbretin.
12 Sytë e Zotit ruajnë dijen, por ai i bën të kota fjalët e të pabesit.
13 Përtaci thotë: "Jashtë ka një luan; do të vritem rrugës".
14 Goja e gruas që shkel kurorën është një gropë e thellë; ai që ka zemëruar Zotin do të bjerë në të.
15 Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj.
16 Ai që shtyp të varfërin për t’u pasuruar dhe ai që i jep të pasurit, me siguri do të varfërohet.
17 Vëru veshin dhe dëgjo fjalët e të urtëve, dhe jepja zemrën dijes sime.
18 sepse për ty do të jetë e këndshme t’i ruash në intimitetin tënd dhe t’i kesh të gjitha gati mbi buzët e tua.
19 Me qëllim që besimin tënd ta kesh te Zoti, sot të kam mësuar, po, pikërisht ty.
20 A nuk të kam shkruar në të kaluarën aforizma që kanë të bëjnë me këshillimin dhe diturinë,
21 në mënyrë që të njohësh sigurinë e fjalëve të së vërtetës, me qëllim që t’u përgjigjesh me fjalë të vërteta atyre që të dërgojnë?
22 Mos e vidh të varfërin, sepse është i varfër, dhe mos e shtyp të mjerin te porta,
23 sepse Zoti do të mbrojë çështjen e tyre dhe do t’u heqë jetën atyre që i kanë zhveshur.
24 Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak,
25 që të mos mësosh rrugët e tij dhe të mos gjesh një kurth për shpirtin tënd.
26 Mos u bëj si ata që japin dorën si garanci, që bëhen garant për borxhet e të tjerëve.
27 Në qoftë se nuk ke asgjë me se të paguash, pse duhet të të heqë shtratin poshtë vetes?
28 Mos e luaj kufirin e vjetër, të vendosur nga etërit e tu.
29 A ke parë një njeri të papërtueshëm në punën e tij? Ai do të paraqitet në prani të mbretit dhe nuk do të qëndrojë para njerëzve të humbur.
1 Pali, Silvani dhe Timoteu, kishës së Thesalonikasve në Perëndinë Atë dhe në Zotin Jezu Krisht: paçi hir dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht.
2 Ne përherë e falënderojmë Perëndinë për ju të gjithë, duke ju kujtuar në lutjet tona,
3 duke kujtuar vazhdimisht veprën tuaj të besimit, mundimin e dashurisë suaj dhe qëndrueshmërinë e shpresës në Zotin tonë Jezu Krisht përpara Perëndisë, Atit tonë,
4 duke ditur, vëllezër të dashur prej Perëndisë, të zgjedhurit tuaj,
5 sepse ungjilli ynë nuk erdhi deri te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi dhe me Frymë të Shenjtë, dhe me shumë bindje; ju e dini se si jemi sjellë në mes tuaj për hirin tuaj.
6 Dhe ju u bëtë imituesit tanë dhe të Zotit, duke e pranuar fjalën në mes të një pikëllimi të madh, me gëzimin e Frymës së Shenjtë,
7 për t’u bërë kështu shëmbull për të gjithë besimtarët e Maqedonisë dhe të Akaisë.
8 Në fakt prej jush jehoi fjala e Perëndisë jo vetëm në Maqedoni dhe në Akai, por edhe në çdo vend u përhap besimi juaj tek Perëndia, sa që ne s’kemi nevojë të themi ndonjë gjë,
9 sepse vetë ata tregojnë për ne, si qe ardhja jonë ndër ju si u kthyet nga idhujt te Perëndia, për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë e të vërtetë,
10 dhe për të pritur prej qiejve Birin e tij, të cilin ai e ngjalli prej së vdekurish, Jezusin, që na çliron nga zemërim që po vjen.