M’Cheyne Bible Reading Plan
3 Lufta midis shtëpisë së Saulit dhe shtëpisë së Davidit qe e gjatë. Davidi bëhej gjithnjë më i fortë, ndërsa shtëpia e Saulit dobësohej gjithnjë e më shumë.
2 Në Hebron Davidit i lindën disa djem. I parëlinduri i tij qe Amnoni, që ia lindi Jezreelitja Ahinoam;
3 i dyti qe Kileabi, ia lindi Karmelitja Abigail, dikur bashkëshorte e Nabalit; i treti qe Absalomi, bir i Maakahut, e bija e Talmait, mbret i Geshurit;
4 i katërti qe Adonijahu, bir i Hagithit; i pesti qe Shefatiahu, bir i Abitalit,
5 dhe i gjashti qe Ithreami, bir i Eglahit, bashkëshorte e Davidit. Këta fëmijë i lindën Davidit në Hebron.
6 Gjatë luftës midis shtëpisë së Davidit dhe shtëpisë së Saulit, Abneri qëndroi i lidhur fort me shtëpinë e Saulit.
7 Sauli kishte pasur një konkubinë të quajtur Ritspah, bijë e Ajahut; dhe Ish-Boshethi i tha Abnerit: "Pse ke hyrë te konkubina e atit tim?".
8 Abneri u zemërua shumë nga fjalët e Ish-Boshethit dhe iu përgjigj: "Mos vallë jam një kokë qeni i Judës? Deri më sot jam treguar besnik i shtëpisë së Saulit, atit tënd, i vëllezërve dhe i miqve të saj dhe nuk të kam dorëzuar në duart e Davidit, dhe pikërisht sot ti më qorton për fajin që kam kryer me këtë grua!
9 Perëndia t’i bëjë Abnerit këtë dhe më keq në rast se nuk i bëj Davidit atë që Zoti i është betuar:
10 ta kaloj mbretërinë nga shtëpia e Saulit dhe të vendosë fronin e Davidit mbi Izrael dhe mbi Judën, nga Dani deri në Beer-Sheba".
11 Ish-Boshethi nuk iu përgjigj dot as edhe me një fjalë të vetme Abnerit, sepse ia kishte frikën.
12 Atëherë Abneri i dërgoi në emër të tij lajmëtarë Davidit për t’i thënë: Kujt i përket vendi? Bëj aleancë me mua dhe dora ime do të jetë me ty përr të ta sjellë tërë Izraelin".
13 Davidi iu përgjigj: "Kam diçka për të të kërkuar: Unë do të bëj aleancë me ty, por ti nuk do të ma shohësh fytyrën po nuk më solle më parë Mikalin, bijën e Saulit, kur të vish të më shikosh".
14 Kështu Davidi i dërgoi lajmëtarë Ish-Boshethit, birit të Saulit, për t’i thënë: "Ma kthe bashkëshorten time Mikal, me të cilën u fejova për njëqind lafsha të Filistejve".
15 Ish-Boshethi dërgoi ta marrin te burri i saj Paltiel, bir i Laishit.
16 Burri i saj shkoi me të dhe e ndoqi duke qarë deri në Bahurim. Pastaj Abneri i tha: "Shko, kthehu prapa!". Dhe ai u kthye.
17 Pastaj Abneri u drejtoi fjalën pleqve të Izraelit, duke thënë: "Prej shumë kohe kërkoni Davidin si mbretin tuaj.
18 Tani erdhi koha të veprojmë, sepse Zoti ka folur për Davidin, duke thënë: "Me anë të Davidit, shërbëtorit tim, unë do të shpëtoj popullin tim të Izraelit nga duart e Filistejve dhe nga tërë armiqtë e tij".
19 Abneri foli edhe me ata të Beniaminit. Pastaj Abneri shkoi te Davidi në Hebron për t’i njoftuar tërë ato që iu dukën të mira Izraelit dhe gjithë shtëpisë së Beniaminit.
20 Kështu Abneri arriti te Davidi në Hebron me njëzet njerëz, dhe Davidi shtroi një banket për Abnerin dhe për njerëzit që ishin me të.
21 Pastaj Abneri i tha Davidit: "Unë do të ngrihem dhe do të shkoj të mbledh tërë Izraelin rreth mbretit, zotërisë tim, me qëllim që të lidhin aleancë me ty dhe ti të mund të mbretërosh mbi gjithçka dëshëron zemra jote". Pastaj Davidi u nda me Abnerin, që u largua në paqe.
22 Por ja, shërbëtorët e Davidit dhe Joabi po ktheheshin nga një plaçkitje, duke sjellë me vete një plaçkë të madhe; por Abneri nuk ishte më me Davidin në Hebron, sepse ky ishte ndarë me të dhe ai kishte ikur në paqe.
23 Kur mbërritën Joabi dhe tërë ushtarët që ishin me të, dikush ia tregoi ngjarjen Joabit, duke thënë: "Erdhi Abneri, bir i Nerit, te mbreti; ky u nda me të dhe ai iku në paqe".
24 Atëherë Joabi shkoi te mbreti dhe i tha: "Ç’bëre ashtu? Ja, Abneri të erdhi; pse u ndave me të dhe ai u largua?
25 Ti e di që Abneri, bir i Nerit, erdhi që të të mashtrojë, që të njohë lëvizjet e tua dhe për të mësuar tërë ato që bën ti".
26 Pasi u largua nga Davidi, Joabi dërgoi lajmëtarë pas Abnerit, të cilët e kthyen prapa nga hauzi i Sirahut pa e ditur Davidi.
27 Kur Abneri u kthye në Hebron, Joabi e mori mënjanë në mes të portës, gjoja për t’i folur fshehtazi, dhe këtu e goditi në bark dhe e vrau për të marrë hakun e gjakut të Asahelit, vëllait të tij.
28 Më vonë Davidi e mësoi këtë ngjarje dhe tha: "Unë dhe mbretëria ime jemi përjetë të pafajshëm përpara Zotit për gjakun e Abnerit, birit të Nerit.
29 Ky gjak rëntë mbi kryet e Joabit dhe mbi tërë shtëpinë e atit të tij; mos iu ndafshin kurrë shtëpisë së Joabit ata që vuajnë nga fluksi apo nga lebra, ata që duhet të mbështeten me shkop, që vdesin nga shpata o që janë pa bukë!".
30 Kështu Joabi dhe Abishai, vëllai i tij, vranë Abnerin, sepse ky kishte vrarë Asahelin, vëllanë e tyre në Gabaon gjatë betejës.
31 Pastaj Davidi i tha Joabit dhe tërë popullit që ishte me të: "Grisni rrobat e trupit, mbështilluni me thasë dhe mbani zi për vdekjen e Abnerit!". Edhe mbreti David shkoi pas arkivolit.
32 Kështu e varrosën Abnerin në Hebron, dhe mbreti ngriti zërin dhe qau përpara varrit të Abnerit; edhe tërë populli qau.
33 Mbreti ia mori një vajtimi për Abnerin dhe tha: "A duhet të vdiste Abneri si vdes një budalla?
34 Duart e tua nuk ishin të lidhura, as këmbët e tua nuk ishin të shtrënguara me zinxhirë prej bronzi! Ti re para keqbërësve".
35 Pastaj tërë populli erdhi për të ftuar Davidin që të hante, sa ishte akoma ditë; por Davidi u betua duke thënë: "Kështu ma bëftë Perëndia madje më keq, po futa në gojë bukë apo ndonjë gjë tjetër para se të perëndojë dielli".
36 Tërë populli e kuptoi dhe e miratoi këtë gjë; çdo gjë që bënte mbreti miratohej nga tërë populli.
37 Kështu tërë populli dhe tërë Izraeli e kuptuan që qëllimi i mbretit nuk ishte aspak ta vriste atë ditë Abnerin, birin e Nerit.
38 Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve të tij: "Nuk e dini që një princ dhe një njeri i madh humbi sot jetën në Izrael?
39 Megjithëse jam vajosur mbret, unë jam ende i dobët, ndërsa këta njerëz, bijtë e Tserajahut, janë shumë më të fortë se unë. E shpagoftë Zoti keqbërësin simbas të këqijave që ka bërë".
14 Kërkoni dashurinë dhe lypni me zemër të zjarrtë dhuntitë frymërore, por sidomos që të mund të profetizoni,
2 sepse ai që flet një gjuhë tjetër nuk u flet njerëzve, por Perëndisë; sepse askush nuk e kupton, por ai në frymë flet mistere.
3 Kurse ai që profetizon, u flet njerëzve për ndërtim, për nxitje e përdëllim.
4 Ai që flet një gjuhë tjetër ndërton veten e tij, por ai që profetizon, ndërton kishën.
5 Unë dua që të gjithë ju të flisnit gjuhëra, por më tepër të profetizonit, sepse ai që profetizon është më i madh nga ai që flet gjuhëra, veçse në interpretoftë, që të marrë ndërtim kisha.
6 Dhe tani, o vëllezër, po të vija e t’ju flisja në gjuhë, ç’dobi do të kishit, po të mos ju flisja me anë të zbulesës, a me njohuri, a me profeci, a me mësim?
7 Edhe gjërat që nuk kanë shpirt dhe nxjerrin zë, fyelli ose qestja, po të mos japin zë të dallueshëm, si do të njihet të rënit e fyellit ose e qestes?
8 Sepse, po të japë buria një tingull të panjohur, kush do të përgatitet për betejë?
9 Kështu edhe ju, në qoftë se me gjuhën tuaj nuk flisni fjalë të kuptueshme, si do të kuptohet çfarë u tha? Sepse do të flisnit në erë.
10 Ka nuk e di se sa lloje zërash në botë, dhe asnjë prej tyre nuk është pa kuptim.
11 Pra, në qoftë se unë nuk e marr vesh kuptimin e zërit, do të jem si një i huaj për atë që flet, dhe ai që flet do të jetë një i huaj për mua.
12 Kështu edhe ju, mbasi doni fort të keni dhunti frymërore, kërkoni që t’i keni të bollshme për ndërtimin e kishës.
13 Prandaj ai që flet një gjuhë tjetër, le të lutet që të mund ta interpretojë,
14 sepse, në qoftë se unë lutem në një gjuhë tjetër, fryma im lutet, por mendja ime është e pafrytshme.
15 Po atëherë? Do të lutem me frymën, por do ta bëj edhe me mendjen; do të këndoj me frymën, por do të këndoj edhe me mendjen.
16 Me fjalë të tjera, në qoftë se ti e lavdëron Perëndinë me frymën, ai që zë vendin e profanët, si do të thotë "amen" për falënderimin tënd, kur nuk merr vesh ç’po thua?
17 Sepse ti edhe mund të falënderosh mirë, por tjetri nuk ndërtohet.
18 Unë e falënderoj Perëndinë time, sepse flas më shumë në gjuhë se ju të gjithë.
19 Por në asamble parapëlqej të them pesë fjalë me mënçurinë time për mësimin e të tjerëve se dhjetë mijë fjalë në gjuhë tjetër.
20 Vëllezër, mos u bëni kalamaj nga mendja, por bëhuni foshnje për të ligën, dhe burra të pjekur nga mendja.
21 Në ligj është shkruar: “Unë do t’i flas këtij populli në gjuhë të huaja dhe me buzë të tjera, por as kështu nuk do të më dëgjojnë,” thotë Zoti.
22 Prandaj gjuhët janë një shenjë jo për ata që besojnë, por për jobesimtarë, kurse profecia nuk është për jobesimtarë, po për besimtarë.
23 Pra, në qoftë se, kur gjithë kisha është mbledhur në një vend, të gjithë flasin gjuhëra dhe hyjnë profanë ose jobesimtarë, a nuk do të thonë se ju kanë dalë mendtë?
24 Por, në qoftë se profetizojnë të gjithë dhe hyn një jobesimtar ose një profan, ai bindet nga të gjithë dhe gjykohet nga të gjithë.
25 Dhe kështu të fshehtat e zemrës së tij zbulohen; edhe kështu, duke rënë me faqe përmbys, do të adhurojë Perëndinë, duke deklaruar se Perëndia është me të vërtetë midis jush.
26 Ç’duhet bërë, pra, o vëllezër? Kur të mblidheni, secili nga ju ka një psalm, një mësim, fjalim në gjuhë tjetër, zbulesë, interpretim, çdo gjë le të bëhet për ndërtim.
27 Nëse ndonjë flet në gjuhë tjetër, le të bëhet kjo nga dy a më të shumtën tre vetë dhe njeri pas tjetrit, dhe një le të interpretojë.
28 Por nëse nuk ka iterpretues, le të heshtë në kishë dhe le të flasë me veten e tij dhe me Perëndinë.
29 Le të flasin dy a tre profetë, dhe të tjerët të gjykojnë.
30 Por nëse ka një zbulesë ndonjë tjetër që rri ulur, le të heshtë i pari.
31 Sepse të gjithë, njeri pas tjetrit, mund të profetizojnë, që të mësojnë të gjithë dhe të inkurajohen të gjithë.
32 Frymërat e profetëve u nënshtrohen profetëve,
33 sepse Perëndia nuk është Perëndi trazimi, por paqtimi si në të gjitha kishat e shenjtorëve.
34 Gratë tuaja të heshtin në kishë, sepse nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen, sikurse thotë edhe ligji.
35 Dhe në qoftë se duan të mësojnë ndonjë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi, sepse është e turpshme për gratë të flasin në kishë.
36 Prej jush doli fjala e Perëndisë? Apo vetëm te ju arriti?
37 Në qoftë se dikush mendon se është profet ose frymëror, le të njohë se ato që po ju shkruaj janë urdhërime të Zotit.
38 Dhe nëse dikush është i paditur, le të jetë i paditur.
39 Prandaj, o vëllezër të mi, kërkoni me zemër të zjarrtë të profetizoni dhe mos ndaloni të flasin në gjuhëra.
40 Por të gjitha të bëhen sikur ka hije dhe me rregullsi.
12 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
2 "Bir njeriu, ti banon në mes të një shtëpie rebele, që kanë sy për të parë, por nuk shohin, vesh për të dëgjuar, por nuk dëgjojnë, sepse janë një shtëpi rebele.
3 Prandaj, bir njeriu, përgatit plaçkat për mërgim dhe shko në mërgim ditën para syve të tyre. Ti do të nisesh për mërgim nga vendi ku je në një vend tjetër para syve të tyre; ndofta do ta kuptojnë se janë një shtëpi rebele.
4 Do të çosh, pra, plaçkat e tua ditën para syve të tyre, bagazhin tënd si bagazh i dikujt që shkon në mërgim; pastaj në mbëmje do të dalësh para syve të tyre, si ata që shkojnë në mërgim.
5 Bëj një vrimë në mur para syve të tyre dhe nëpërmjet kësaj nxirr bagazhin tënd.
6 Do ta mbash mbi kurriz para syve të tyre, do ta çosh jashtë në terr; do të mbulosh fytyrën për të mos shikuar tokën, sepse të kam bërë ty një shenjë për shtëpinë e Izraelit".
7 Unë bëra pikërisht ashtu si më kishte urdhëruar; ditën nxora jashtë bagazhin tim, si bagazhi i dikujt që shkon në mërgim dhe në mbrëmje, me duar, hapa një vrimë në mur; kur u err e çova jashtë bagazhin tim dhe e vura mbi kurriz para syve të tyre.
8 Në mëngjes fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
9 "Bir njeriu, nuk të ka kërkuar shtëpia e Izraelit, kjo shtëpi rebele: Çfarë po bën??".
10 U thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ky orakull ka të bëjë me princin që është në Jeruzalem dhe me tërë shtëpinë e Izraelit që banon aty".
11 Thuaj: Unë jam një shenjë për ju; ashtu si bëra unë, kështu do t’u bëhet atyre: ata do të shkojnë në mërgim, në robëri.
12 Princi që është në mes tyre do të mbajë bagazhin e tij mbi kurriz në terr dhe do të dalë; do të bëjnë një vrimë në mur që ai të dalë nëpërmjet saj; ai do të mbulojë fytyrën për të mos parë tokën me sytë e tij.
13 Por unë do të shtrij rrjetën time mbi të dhe ai do të kapet në lakun tim; do ta çoj pastaj në Babiloni, në vendin e Kaldeasve; por ai nuk ka për ta parë dhe do të vdesë atje.
14 Do të shpërndaj në të gjitha erërat ata që i rrijnë rreth e qark për ta ndihmuar dhe tërë trupat e tij, dhe do ta zhvesh shpatën prapa tyre.
15 Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti kur do ti kem shpërndarë midis kombeve dhe vendeve të ndryshme.
16 Por do të fal një numër të vogël nga shpata, nga uria dhe murtaja, me qëllim që të tregojnë të gjitha veprimet e tyre të neveritshme midis kombeve ku do të shkojnë; atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".
17 Fjala e Zotit m’u drejtua akoma, duke thënë:
18 "Bir njeriu, ha bukën tënde me drithtimë dhe pije ujin tënd me shqetësim dhe me ankth.
19 Do t’i thuash pastaj popullit të vendit: Kështu u thotë Zoti, Zoti, banorëve të Jeruzalemit në tokën e Izraelit: Do të hanë bukën e tyre në pikëllim dhe do ta pinë ujin e tyre në tmerr, sepse vendi i tyre do të zhvishet nga gjithë ato që ka për shkak të ligësisë të mbarë njerëzve që banojnë aty.
20 Qytetet e banuara do të shkatërrohen dhe vendi do të shkretohet; kështu do të pranoni që unë jam Zoti".
21 Fjala e Zotit mu drejtua përsëri duke, duke thënë:
22 "Bir njeriu: Çfarë është ajo e thënë për vendin e Izraelit e cila pohon se: "Ditët po zgjaten dhe çdo vegim pakësohet"?
23 Prandaj u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Unë do të bëj të pushojë kjo e thënë dhe të mos e përmendin më në Izrael. Bile u thuaj atyre: Po afrohen ditët dhe realizimi i fjalës së çdo vegimi,
24 sepse nuk do të ketë më asnjë vegim të rremë as shortari të gënjeshtërt në mes të shtëpisë së Izraelit.
25 Sepse unë, Zoti, do të flas, dhe fjala që do shqiptoj do të kryhet pa asnjë mëdyshje. Po, në ditët tuaja, o shtëpi rebele, unë do të shqiptoj një fjalë dhe do ta realizoj," thotë Zoti, Zoti.
26 Fjala e Zotit m’u drejtua akoma, duke thënë:
27 "Bir njeriu, ja, shtëpia e Izraelit thotë: "Vegimi që ai shikon ka të bëjë me shumë ditë të së ardhmes, dhe ai profetizon për kohra të largëta".
28 Prandaj u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti; asnjë nga fjalët e mia nuk do të shtyhet më, por fjala që unë do të shqiptoj do të realizohet," thotë Zoti, Zoti.
51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.
2 Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,
3 Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.
4 Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.
5 Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.
6 Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.
7 Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.
8 Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.
9 Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.
10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.
11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.
12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.
13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.
14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.
17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.
18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.
19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.