Read the Gospels in 40 Days
13 Ndërsa ai po dilte nga tempulli, një nga dishepujt e vet i tha: “Mësues, shih ç’gurë e ç’ndërtesa!.”
2 Dhe Jezusi duke iu përgjigjur i tha: “A po i shikon këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar.”
3 Dhe pasi ai ishte ulur mbi malin e Ullinjve përballë tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni dhe Andrea e pyetën veçmas:
4 “Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e kohës në të cilën të gjitha këto gjëra do të duhet të mbarohen?.”
5 Dhe Jezusi duke u përgjigjur atyre nisi të flasë: “Kini kujdes që të mos ju mashtrojë njeri.
6 Sepse do të vijnë shumë në emrin tim duke thënë: "Unë jam!"; dhe do të mashtrohen shumë veta.
7 Por, kur të dëgjoni të flitet për luftëra dhe për ushtime luftërash, mos u shqetësoni; sepse këto gjëra duhet të ndodhin; por nuk do të jetë ende mbarimi.
8 Në fakt do të ngrihet kombi kundër kombit dhe mbretëria kundër mbretërisë; do të ndodhin tërmete në vende të ndryshme, zi buke dhe turbullira. Këto gjëra nuk do të jenë tjetër veçse fillimi i dhembjeve të lindjes.
9 Kujdesuni për veten! Sepse do t’ju dorëzojnë gjyqeve dhe do t’ju rrahin ndër sinagoga; do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, për shkakun tim, që të dëshmoni përpara tyre.
10 Por më parë duhet që t’u përhapet ungjilli gjithë popujve.
11 Tani, kur t’ju çojnë për t’ju dorëzuar në duart e tyre, mos u shqetësoni që më parë për atë që do të duhet të thoni dhe mos e paramendoni; por thoni çfarë t’ju jepet në atë çast, sepse nuk jeni ju që flisni, por Fryma e Shenjtë.
12 Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t’i bëjnë të vdesin.
13 Dhe ju do të jeni të urryer nga të gjithë për shkak të emrit tim; por ai që do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet.”
14 Dhe kur të shihni neverinë e shkatërrimit, të parathënë nga profeti Daniel, e cila qëndron atje ku nuk duhej të ishte (ai që lexon le ta kuptojë), atëherë ata që do të jenë në Jude, le të ikin maleve.
15 Dhe ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë, të mos zbresë, dhe as të hyjë në shtëpi për të marrë ndonjë gjë nga shtëpia e vet.
16 Dhe ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë rrobën e vet.
17 Tani mjerë gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji në ato ditë!
18 Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër.
19 Sepse në atë ditë do të jetë një mundim i madh, më i madhi që ka ndodhur që nga zanafilla e krijimit që kreu Perëndia deri më sot, dhe të tillë nuk do të ketë më kurrë.
20 Dhe, nëse Zoti nuk do t’i kishte shkurtuar ato ditë, asnjë i gjallë nuk do të shpëtonte; por Zoti i shkurtoi ato ditë për shkak të të zgjedhurve, që ai i zgjodhi.
21 Atëherë, nëse dikush do t’ju thotë: "Ja, Krishti është këtu!"; ose Éshtë atje,," mos e besoni.
22 Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë dhe do të bëjnë shenja e çudi për të gënjyer, po të jetë e mundur, edhe të zgjedhurit.
23 Por ju kini kujdes; ja, unë ju paralajmërova çdo gjë.”
24 “Por në ato ditë, pas atij mundimi, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë shkëlqimin e vet;
25 yjet e qiellit do të bien dhe fuqitë që janë në qiej do të lëkunden.
26 Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur në re, me pushtet të madh e me lavdi.
27 Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e vet dhe do t’i mbledhë të zgjedhurit e vet nga të katër erërat, nga skaji i tokës deri në skaj të qiellit.
28 Tani mësoni nga shëmbëlltyra e fikut: kur degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethe, ju e dini se vera është afër.
29 Kështu edhe ju, kur do të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera.
30 Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, derisa e gjithë kjo të ketë ndodhur.
31 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.”
32 “Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.
33 Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment.
34 Éshtë sikurse një njeriu i cili, duke u nisur për rrugë, lë shtëpinë e vet duke u dhënë autoritet shërbëtorëve të tij, secilit në detyrën e tij, dhe portjerin e urdhëron të rrije zgjuar.
35 Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndon gjeli a në mëngjes;
36 që ai, duke u kthyer papritmas, të mos ju gjejë në gjumë.
37 Tani, këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar!.”
14 Tani dy ditë më vonë ishte Pashka dhe festa e të Ndormëve; dhe krerët e priftërinjve dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta kapnin Jezusin me mashtrim dhe ta vrisnin.
2 Por thonin: “Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë nga populli.”
3 Tani ai ishte në Betania, në shtëpinë e Simonit lebroz, dhe ndërsa ishte në tryezë, hyri një grua me një enë alabastri me vaj të parfumuar me nard të vërtetë, shumë të kushtueshëm; ajo e theu enën prej alabastri dhe ia derdhi vajin mbi krye.
4 Disa u indinjuan midis tyre dhe thanë: “Përse bëhet gjithë ky shpenzim i kotë i vajit?
5 Sepse ky vaj mund të shitej për më shumë se treqind denarë dhe këto t’u jepeshin të varfërve.” Dhe ishin të indinjuar ndaj asaj.
6 Por Jezusi tha: “Lëreni të qetë; pse e shqetësoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje.
7 Sepse të varfërit do t’i keni gjithmonë me ju; dhe, kur të doni, mund t’u bëni mirë; por mua nuk do të më keni gjithmonë.
8 Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim.
9 Por po ju them në të vërtetë se në gjithë botën, kudo që do të predikohet ky ungjill, do të tregojnë edhe atë që ajo bëri, në përkujtim të saj.”
10 Atëherë Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve, që t’ua dorëzonte Jezusin.
11 Dhe ata, kur e dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t’i jepnin para. Kështu ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.
12 Tani në ditën e parë të festës së të Ndormëve, kur flijohej Pashka, dishepujt e vet i thanë: “Ku don të shkojmë dhe të përgatisim për ta ngrënë Pashkën?.”
13 Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt e vet duke u thënë: “Shkoni në qytet dhe atje do të takoni një njeri, që bart një kanë plot me ujë; ndiqeni atë.
14 Dhe atje ku ai do të hyjë, i thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi pyet: Ku është dhoma ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?".
15 Atëherë ai do t’ju tregojë lart një sallë të madhe të mobiluar dhe gati; aty përgatitni për ne.”
16 Dishepujt e tij shkuan, arritën në qytet dhe gjetën ashtu siç ai u kishte thënë; dhe përgatitën Pashkën.
17 Kur u bë darkë, ai erdhi me të dymbëdhjetët.
18 Dhe kur po rrinin në tryezë dhe po hanin, Jezusi tha: “Ju them në të vërtetë se njëri prej jush, që po ha me mua, do të më tradhtojë.”
19 Atëherë ata filluan të trishtohen dhe t’i thoshin njëri pas tjetrit: “Mos jam unë?.” Dhe një tjetër tha: “Mos jam unë?.”
20 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Éshtë një nga të dymbëdhjetët që po ngjyen me mua në çanak.
21 Po, Biri i njeriut po shkon ashtu siç është shkruar për të; por mjerë ai njeri me anë të cilit tradhtohet Biri i njeriut. Do të ishte më mirë për të, që ai njeri të mos kishte lindur kurrë!.”
22 Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori buk, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: “Merrni, hani; ky është trupi im.”
23 Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj.
24 Atëherë u tha: “Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta.
25 Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë.”
26 Dhe, mbasi kënduan një himn, dolën dhe u drejtuan nga mali i Ullinjve.
27 Dhe Jezusi u tha atyre: Ju të gjithë do të skandalizoheni me mua sonte, sepse është shkruar: "Do ta godas Bariun dhe delet do të shpërndahen".
28 Por, mbasi të ringjallem, unë do t’ju pararend në Galile.”
29 Dhe Pjetri i tha: “Edhe sikur të gjithë të tjerët të skandalizohen me ty, unë nuk do të skandalizohem.”
30 Dhe Jezusi i tha: “Unë po të them në të vërtetë se sot, pikërisht në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë.”
31 Por ai, duke ngulur këmbë më tepër, thoshte: “Edhe sikur të më duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj kurrë.” Të njëjtën gjë thoshnin edhe gjithë të tjerët.
32 Pastaj ata arritën në një vend që quhej Gjetsemani; dhe ai u tha dishepujve të vet: “Uluni këtu, deri sa unë të jem lutur.”
33 Mori, pra, me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, dhe filloi ta zërë frika dhe ankthi;
34 dhe u tha atyre: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar.”
35 Dhe, si shkoi pak përpara, ra përmbys përtokë dhe lutej që, po të ishte e mundur, të largohej prej tij ajo orë.
36 Dhe tha: “Abba, Atë, çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti!.”
37 Pastaj u kthye mbrapa, i gjeti dishepujt duke fjetur dhe i tha Pjetrit: “Simon, po fle? S’ke qenë i zoti të rrish zgjuar një orë të vetme?
38 Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos hyni në tundim; sigurisht fryma është e gatshme, por mishi është i dobët.”
39 U largua përsëri dhe u lut duke thënë të njëjtat fjalë.
40 Kur u kthye, i gjeti përsëri në gjumë dishepujt, sepse sytë e tyre ishin rënduar dhe ata nuk dinin çfarë t’i përgjigjeshin.
41 Së fundi, kthehet për të tretën herë dhe u thotë atyre: “Ende po flini dhe pushoni? Mjaft! Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve.
42 Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhton është afër!.”
43 Dhe në atë çast, ndërsa ai ende po fliste, erdhi Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe me të një turmë e madhe me shpata e shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve, nga skribët dhe nga pleqtë.
44 Dhe ai që po e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë: “Kë do të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni me shoqërim të sigurt.”
45 Dhe si arriti, u afrua menjëherë tek ai dhe tha: “Rabbi, Rabbi!”; dhe e puthi përzemërsisht!
46 Atëherë ata vunë dorë mbi të dhe e arrestuan.
47 Dhe një nga të pranishmit nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.
48 Atëherë Jezusi, duke iu përgjigjur, i tha: “Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj që të më kapni sikurse të isha një cub?
49 E pra, përditë isha midis jush në tempull duke i mësuar njerëzit dhe ju nuk më kapët; por kjo po ndodh që të përmbushen Shkrimet!.”
50 Atëherë dishepujt e lanë dhe ikën të gjithë.
51 Dhe një farë djaloshi, që ishte i mbështjellur me një çarçaf mbi trupin e zhveshur, po e ndiqte, por ata e kapën.
52 Por ai e lëshoi çarçafin dhe iku lakuriq nga duart e tyre.
53 Atëherë ata e çuan Jezusin te kryeprifti, ku u mblodhën të gjithë krerët e priftërinjve, pleqtë dhe skribët.
54 Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri brenda në pallatin e kryepriftit dhe u ul atje bashkë me rojat dhe ngrohej afër zjarrit.
55 Dhe krerët e priftërinjve dhe gjithë sinedrit kërkonin dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë, por nuk po gjenin.
56 Shumë veta në fakt jepnin dëshmi të rreme kundër tij; por dëshmitë e tyre nuk përkonin.
57 Atëherë disa u ngritën dhe dëshmuan rrejshëm kundër tij duke thënë:
58 “Ne e kemi dëgjuar se ka thënë: "Unë do ta shkatërroj këtë tempull të bërë me duar, dhe brenda tri ditësh do të ndërtoj një tjetër që nuk është bërë me duar".”
59 Por as mbi këtë dëshmia e tyre nuk përkonte.
60 Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të kuvendit dhe e pyeti Jezusin duke thënë: “Nuk përgjigjesh fare? Çfarë po dëshmojnë këta kundër teje?.”
61 Por ai heshti dhe nuk u përgjegj fare. Përsëri kryeprifti e pyeti dhe i tha: “A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?.”
62 Dhe Jezusi tha: “Unë jam. Dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit.”
63 Atëherë kryeprifti, duke i shqyer rrobat, tha: “Ç’nevojë kemi më për dëshmitarë?
64 Ju e dëgjuat blasfeminë, ç’ju duket?.” Dhe të gjithë gjykuan se meritonte vdekjen.
65 Atëherë disa filluan ta pështyjnë, t’ia zënë fytyrën, ta qëllojnë me shuplaka dhe t’i thonë: “Profetizo!.” Dhe rojat e godisnin.
66 Ndërsa Pjetri ishte poshtë në pallat, erdhi një shërbëtore e kryepriftit.
67 Dhe kur pa Pjetrin që po ngrohej, e vështroi me kujdes dhe tha: “Edhe ti ishe me Jezusin Nazareas.”
68 Por ai e mohoi duke thënë: “Nuk e njoh, nuk kuptoj çfarë thua.” Pastaj doli jashtë në hajat dhe gjeli këndoi.
69 Dhe shërbëtorja, duke e parë përsëri, filloi t’u flasë të pranishmëve: “Ky është një nga ata.”
70 Por ai përsëri e mohoi. Dhe pak më vonë të pranishmit i thanë përsëri Pjetrit: “Me të vërtetë ti je një nga ata; se ti je Galileas dhe e folura jote e zbulon.”
71 Por ai nisi të mallkojë dhe të betohet: “Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni.”
72 Dhe gjeli këndoi për të dytën herë; atëherë Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi i kishte thënë: “Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë.” Dhe, duke e menduar këtë, qau.