Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Bible in 90 Days

An intensive Bible reading plan that walks through the entire Bible in 90 days.
Duration: 88 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Samuelit 22:19 - 1 i Mbretërve 7:37

19 Ata ishin ngritur kundër meje ditën e mjerimit tim, por Zoti qe përkrahësi im,

20 ai më çoi larg tyre; ai më shpëtoi sepse i pëlqej.

21 Zoti më ka shpërblyer simbas së drejtës sime dhe më ka dhënë simbas pastërtisë së duarve të mia,

22 sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im.

23 Sepse kam mbajtur para vetes të gjitha ligjet e tij dhe nuk jam larguar nga statutet e tij.

24 Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë.

25 Prandaj Zoti më ka dhënë simbas së drejtës sime, simbas pastërtisë sime përpara syve të tij.

26 Ti tregohesh i mëshirshëm me njeriun e përshpirtshëm dhe i drejtë me njeriun e drejtë;

27 ti tregohesh i pastër me njeriun e pastër dhe dinak me njeriun e çoroditur.

28 Ti shpëton njerëzit e hidhëruar, por shikimi yt ndalet mbi kryelartët për t’i ulur.

29 Po, ti je drita ime, o Zot; Zoti ndriçon terrin tim.

30 Me ty mund të sulmoj një grup, me Perëndinë tim mund të kapërcej një mur.

31 Rruga e Zotit është e përsosur; fjala e Zotit është purifikuar me zjarrin. Ai është mburoja e të gjithë atyre që kanë shpresë tek ai.

32 Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Dhe kush është Kalaja përveç Perëndisë tonë?

33 Zoti është kalaja ime e fuqishme, ai e bën të përsosur rrugën time.

34 Ai i bën këmbët e mia si ato të drerit dhe më bën të mbahem mirë në vendet e mia të larta.

35 Ai i mëson duart e mia për betejë dhe krahët e mia mund të tendosin një hark prej bronzi.

36 Ti më ke dhënë edhe mburojën e shpëtimit tënd dhe mirësia jote më ka bërë të madh.

37 Ti i ke zgjedhur hapat e mia dhe këmbët e mia nuk kanë ngurruar në këtë rast.

38 Unë i kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam shkatërruar, nuk jam kthyer prapa para se t’i shfarosja.

39 I kam shkatërruar dhe shtypur, dhe ata nuk kanë mundur më të ngrihen kundër meje; ata kanë rënë nën këmbët e mia.

40 Ti më ke dhënë forcë në betejë, dhe bëre që të më përulen ata që ngriheshin kundër meje;

41 bëre që të më kthenin kurrizin armiqtë e mi përpara meje, dhe unë zhduka ata që më urrenin.

42 Ata shikuan, por nuk pati njeri që t’i shpëtonte; i klithën Zotit, por ai nuk iu përgjigj atyre.

43 Unë i thërmova si pluhuri i tokës, i copëtova dhe i shkela si balta e rrugëve.

44 Ti më ke çliruar nga mosmarrëveshjet e popullit tim, më ke ruajtur si udhëheqës i kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer.

45 Bijtë e të huajve më nënshtrohen mua; sa më dëgjojnë, më binden.

46 Bijtë e të huajve kanë humbur guximin, kanë dalë duke u dridhur nga fortesat e tyre.

47 Rroftë Zoti! Qoftë e bekuar Fortesa ime! U lartësoftë në qiell Perëndia, Fortesa e shpëtimit tim!

48 Éshtë Perëndia që hakmerret për mua, që më nënshtron popujt,

49 dhe më liron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu i furishëm.

50 Prandaj, o Zot, do të të kremtoj midis kombeve dhe do të këndojë lavdinë e emrit tënd.

51 Lirime të mëdha i siguron mbretit të tij, sillet dashamirës me të vajosurin, me Davidin dhe me pasardhësit e tij përjetë".

23 Këto janë fjalët e fundit të Davidit. Kështu thotë Davidi, bir i Isait, kështu thotë njeriu që u ngrit lart, i vajosuri i Perëndisë së Jakobit, këngëtari i ëmbël i Izraelit:

"Fryma e Zotit ka folur nëpërmjet meje dhe fjala e tij ka qenë mbi buzët e mia.

Perëndia i Izraelit ka folur, Kalaja e Izraelit më ka thënë: "Ai që mbretëron me drejtësi mbi njerëzit, ai që mbretëron në frikën e Perëndisë,

është si drita e mëngjesit në të dalë të diellit, në një mëngjes pa re, ashtu si shkëlqimi mbas shiut, që bën të mbijë bari i njomë nga dheu".

A nuk është vallë kështu shtëpia ime përpara Perëndisë? Sepse ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme që parashikon çdo gjë dhe që është e sigurt. A nuk do të bëjë ai të lulëzojë shpëtimi im i plotë dhe të gjitha ato që unë dëshiroj?

Njerëzit e kobshëm do të hidhen tej të gjithë si gjembat, sepse nuk mund të kapen me duar.

Kush i prek duhet të armatoset me një hekur ose me shkopin e një ushte; ato digjen plotësisht në vend me zjarr".

Këto janë emrat e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit: Josheb-Bashshebethi, Tahkemoniti, prijës i oficerëve kryesorë. Atë e quajtën Etseniti Adino; sepse kishte vrarë tetëqind njerëz në një herë të vetme.

Pas tij vinte Eleazari, bir i Dodas, që ishte bir i Ahohit, një ndër tre luftëtarët trima që ishin me Davidin, kur sfiduan Filistejtë e mbledhur për të luftuar, ndërsa Izraelitët ishin tërhequr.

10 Ai u ngrit dhe i goditi Filistejtë, deri sa dora e tij e rraskapitur i ngriu me shpatën. Atë ditë Zoti korri një fitore të madhe dhe populli shkoi pas tij vetëm për të bërë plaçkë.

11 Prapa tij vinte Shamahu, bir i Agesë, Hararitit. Filisejtë ishin mbledhur në një numër të madh në një fushë të mbjellë me thjerrëza. Populli ia kishte mbathur përpara Filistejve,

12 por Shamahu, ishte vendosur në mes të kampit dhe e mbrojti atë, dhe bëri kërdinë në radhët e Filistejve. Kështu Zoti korri një fitore të madhe.

13 Tre nga tridhjetë krerët zbritën në kohën e korrjes dhe erdhën te Davidi në shpellën e Adullamit, ndërsa një grup Filistejsh kishte ngritur kampin e tij në luginën e gjigantëve.

14 Davidi ndodhej atëherë në kala dhe kishte një garnizon Filistejsh në Betlem.

15 Davidi pati një dëshirë të madhe dhe tha: "Ah, sikur dikush të më jepte të pija ujë nga pusi i Betlemit, që është afër portës".

16 Të tre trimat çanë në mes të kampit të Filistejve dhe morën ujë nga pusi i Betlemit, pranë portës; pastaj e morën me vete dhe ia çuan Davidit. Por ai nuk desh ta pinte, por e derdhi përpara Zotit,

17 duke thënë: "Larg qoftë për mua, o Zot, një veprim i tillë! A nuk u vu, vallë gjaku i njerëzve, jeta e tyre në rrezik?". Dhe nuk deshi ta pinte. Kështu vepruan ata tre trima.

18 Abishai, vëlla i Joabit dhe biri Tserujahut, ishte prijës i një treshe tjetër. Ngriti ushtën e tij kundër treqind njerëzve dhe i vrau; kështu u bë i famshëm në mes të treve.

19 Ishte më i dëgjuari i treshes; prandaj u bë dhe kryetari i tyre, por nuk arriti të barazohet me tre të parët.

20 Benajahu, bir i Jehojadit, bir i një trimi nga Kabtseeli, bëri trimëri të mëdha. Vrau dy heronj të Moabit, që ishin si luanë. Zbriti edhe në mes të një sterne ku vrau një luan, një ditë që binte borë.

21 Ai vrau gjithashtu një Egjiptas gjigand që kishte në dorë një shtizë; por Benajahu i doli përballë me një bastun, i hoqi nga dora shtizën dhe e vrau me shtizën e tij.

22 Këto gjëra bëri Benajahu, bir i Jehojadit, dhe u bë i famshëm ndër të tre trima.

23 Ishte më i dëgjuari i të tridhjetëve, por nuk arriti të barazohet me treshen e parë. Davidi e bëri shef të truprojes së tij.

24 Pastaj vinin: Asaheli, vëlla i Joabit, njeri nga tridhjetët; Elhanani, bir i Dodos, nga Betlemi;

25 Shamahu nga Harodi; Elika nga Harodi;

26 Heleci nga Palti; Ira, bir i Ikeshit, nga Tekoa;

27 Abiezeri nga Anathothi; Mebunai nga Husha;

28 Tsalmoni nga Ahoahu; Maharai nga Netofa;

29 Helebi, bir i Baanahut (nga Netofa);

30 Benajahu nga Pirathoni; Hidai nga përrenjtë e Gaashit;

31 Abi-Alboni nga Arbathi; Azmavethi nga Barhumi;

32 Eliahba nga Shaalboni (nga bijtë e Jasenit), Jonathani;

33 Shamahu nga Harari; Ahiami, bir i Shararit, nga Harari;

34 Elifeleti, bir i Ahasbait, bir i një Maakatheu; Eliami, bir i Ahithofelit, nga Gilo;

35 Hetsrai nga Karmeli; Paarai nga Arabi;

36 Igali, bir i Nathanit, nga Tsobahu; Bani nga Gadi;

37 Tseleku, Amoniti; Naharai nga Beerothi (shqyrtar i Joabit, birit të Tserujahut);

38 Ira nga Jetheri; Garedi nga Jetheri;

39 Uriahu, Hiteu. Gjithsej tridhjetë e shtatë veta.

24 Zemërimi i Zotit u ndez përsëri dhe ai nxiti Davidin kundër popullit, duke i thënë: "Shko të bësh regjistrimin e Izraelit dhe të Judës".

Kështu mbreti i tha Joabit, komandantit të ushtrisë që ishte me të: Shko nëpër të gjitha fiset e Izraelit, nga Dani deri në Beer-Sheba, dhee bëni regjistrimin e popullsisë që unë të di numrin e saj".

Joabi iu përgjigj mbretit: "Zoti, Perëndia yt, ta shumëzojë popullin njëqind herë më tepër nga ç’është dhe sytë e mbretit, të zotërisë tim, të mund ta shohin këtë gjë. Po pse mbreti, zotëria im, e dëshiron një gjë të tillë?".

Megjithatë urdhëri i mbretit iu imponua Joabit dhe krerëve të ushtrisë. Kështu Joabi dhe krerët e ushtrisë u larguan nga mbreti dhe shkuan të bëjnë regjistrimin e popullsisë së Izraelit.

Ata kaluan Jordanin dhe ngritën kampin e tyre në Aroer, në të djathtë të qytetit që ishte në mes të luginës së Gadit dhe në drejtim të Jezerit.

Pastaj shkuan në Galaad dhe në vendin e Tahtim-Hodshit; pastaj vajtën në Dan-Jaan dhe në rrethinat e Sidonit.

Shkuan edhe në kalanë e Tiros dhe në të gjitha qytetet e Hivejve dhe të Kananejve, dhe arritën në jug të Judës, deri në Beer-Sheba.

Kështu përshkuan tërë vendin dhe mbas nëntë muajsh e njëzet ditë u kthyen përsëri në Jeruzalem.

Joabi i dorëzoi mbretit shifrën e regjistrimit të popullsisë: kishte në Izrael tetëqind mijë njerëz të fortë, të aftë për të përdorur shpatën, por njerëzit e Judës ishin pesëqind mijë.

10 Por, mbasi bëri regjistrimin e popullsisë, zemra e Davidit e qortoi shumë rëndë atë dhe ai i tha Zotit: "Kam kryer një mëkat shumë të rëndë duke vepruar në këtë mënyrë; por tani, o Zot, shlyej paudhësinë e shërbëtorit tënd, sepse kam vepruar shumë pa mend".

11 Kur në mëngjes Davidi u ngrit, fjala e Zotit iu drejtua profetit Gad, shikuesit të Davidit, duke thënë:

12 "Shko e i thuaj Davidit: Kështu thotë i Zoti: "Unë të propozoj tri gjëra; zgjidh njerën prej tyre dhe unë do ta bëj atë për ty"".

13 Kështu Gadi shkoi te Davidi për t’i njoftuar ngjarjen dhe i tha: "A do që të vijnë për ty shtatë vjet zi buke në vendin tënd, apo tre vjet arratisje përpara armiqve që të ndjekin, apo tri ditë murtaje në vendin tënd? Tani mendohu dhe shiko pak se çfarë përgjigje duhet t’i jap atij që më ka dërguar".

14 Davidi i tha Gadit: "Gjendem në një situatë tërë ankth! Le të bie edhe në duart e Zotit, sepse dhembshuria e tij është e madhe, por mos rënça në duart e njerëzve!".

15 Kështu Zoti dërgoi murtajën në Izrael, nga ai mëngjes deri në kohën e caktuar. Shtatëdhjetë mijë veta të popullit vdiqën nga Dani deri në Beer-Sheba.

16 Ndërsa engjëlli e shtrinte dorën mbi Jeruzalem për ta shkatërruar, Zotit i erdhi keq për këtë fatkeqësi dhe i tha engjëllit që shfaroste popullin: "Mjaft! Tani tërhiqe dorën!". Engjëlli i Zoti ndodhej afër lëmit të Araunahut, Gebuseitit.

17 Kur Davidi pa engjëllin që godiste popullin, i tha Zotit: "Ja, unë kam kryer një mëkat, kam vepruar në mënyrë të padrejtë, por këto dele ç’kanë bërë? Prandaj dora jote të drejtohet kundër meje dhe kundër shtëpisë së atit tim!".

18 Atë ditë Gadi erdhi te Davidi dhe i tha: "Shko dhe ndërto një altar për Zotin në lëmin e Araunahut, Gebuseitit".

19 Kështu Davidi shkoi, simbas fjalës së Gadit, ashtu si kishte urdhëruar Zoti.

20 Araunahu shikoi dhe dalloi mbretin dhe shërbëtorët e tij që drejtoheshin nga ai; atëherë ai doli dhe u shtri para mbretit me fytyrën për tokë.

21 Pastaj Araunau tha: "Pse mbreti, zotëria im, ka ardhur te shërbëtori i tij?". Davidi u përgjigj: "Për të blerë nga ti këtë lëmë dhe për të ndërtuar mbi të një altar për Zotin, me qëllim që mjerimi të largohet nga populli".

22 Araunahu i tha Davidit: "Mbreti, zotëria im, le të marrë dhe të ofrojë atë që i pëlqen! Ja qetë e olokaustit; veglat e shirjes dhe zgjedha e qeve do të shërbejë si dru.

23 O mbret, të gjitha këto gjëra Araunahu ia fal mbretit". Pastaj Araunahu i tha mbretit: "Zoti, Perëndia yt, të qoftë i mbarë!".

24 Por mbreti iu përgjigj Araunahut: "Jo, unë do t’i blej këto gjëra nga ti me çmimin që kushtojnë, dhe nuk do t’i ofrojë Zotit, Perëndisë tim, olokauste që nuk më kushtojnë asgjë". Kështu Davidi bleu lëmin dhe qetë për pesëdhjetë sikla argjendi.

25 Pastaj Davidi ndërtoi në atë vend një altar për Zotin dhe ofroi olokauste dhe flijime falenderimi. Kështu Zoti mori parasysh lutjen e bërë nga vendi dhe mjerimi u largua nga populli i Izraelit.

Tani mbreti David ishte plak dhe i shtyrë në moshë dhe, megjithëse e mbulonin me rroba, nuk ngrohej dot.

Prandaj shërbëtorët e tij thanë: "Të kërkohet për mbretin, zotërinë tonë, një vajzë e virgjër që ta ndihmojë atë, të kujdeset për të dhe të flerë mbi gjirin e tij; kështu mbreti, zotëria jonë, do të mund të ngrohet.

Atëherë kërkuan në të gjithë territorin e Izraelit një vajzë të bukur dhe gjetën Abishagin, Shunamiten, dhe e çuan te mbreti.

Vajza ishte shumë e bukur, kujdesej për mbretin dhe i shërbente; por mbreti nuk e njohu.

Adonijahut, birit të Hagithit, i qe rritur mendja, dhe thoshte: "Do të jem unë mbret!". Dhe gjeti qerre, kalorës dhe pesëdhjetë njerëz që të vraponin para tij.

(I ati i tij nuk e kishte qortuar kurrë në jetën e tij, duke i thënë: Pse bën kështu??". Edhe Adonijahu ishte shumë i bukur dhe kishte lindur mbas Absalomit).

Ai u mor vesh me Joabin, birin e Tserujahut, dhe me priftin Abiathar, të cilët i vajtën pas Adonijahut dhe e ndihmuan.

Por prifti Tsadok, Benajathi, bir i Jehojadit, profeti Nathan, Shimei, Rei dhe trimat e Davidit nuk ishin me Adonijahun.

Adonijahu flijoi dele, qe dhe viça të majmë pranë shkëmbit të Zoheletit, që ndodhet afër kroit të Rogelit dhe ftoi të gjithë vëllezërit e tij, bij të mbretit, dhe të gjithë njerëzit e Judës që ishin në shërbim të mbretit.

10 Por nuk ftoi profetin Nathan, as Banajahun, as trimat, as Salomonin, vëllanë e tij.

11 Atëherë Nathani i foli Bath-Shebës, nënës së Salomonit, dhe i tha: "Nuk ke dëgjuar që Adonijahu, bir i Hagithit, është bërë mbret, dhe Davidi, zotëria ynë, nuk e di aspak?

12 Prandaj më lejo të të jap një këshillë, që të shpëtosh jetën tënde dhe atë të birit tënd, Salomonit.

13 Shko, hyr te mbreti David dhe i thuaj: "O mbret, o imzot, a nuk i je betuar vallë shërbëtores sate duke thënë: Biri yt Salomoni ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim? Pse, pra, u bë mbret Adonijahu?".

14 Pastaj, ndërsa ti do të jesh akoma duke folur me mbretin, unë do të hyj pas teje dhe do të mbështes fjalët e tua".

15 Kështu Bath-Sheba hyri në dhomën e mbretit. (Mbreti ishte shumë plak dhe shërbehej nga Shunamitja, Abishagai).

16 Bath-Sheba u përul dhe ra përmbys përpara mbretit. Mbreti i tha: "Çfarë do?".

17 Ajo iu përgjigj: "O imzot, ti i je betuar shërbëtores sate në emër të Zotit, Perëndisë tënd, duke thënë: "Biri yt Salomoni ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim".

18 Tani përkundrazi Adonijahu është bërë mbret dhe ti, o mbret, o imzot as nuk e di fare.

19 Ai ka flijuar një numër të madh qesh, viçash të majmë dhe delesh; ka ftuar tërë bijat e mbretit, priftin Abiathar dhe Joabin, komandantin e ushtrisë, por nuk ka ftuar Salomonin, shërbëtorin tënd.

20 Tani sytë e tërë Izraelit janë kthyer nga ti o mbret, o imzot, që ti t’u tregosh atyre kush do të ulet në fronin e mbretit, zotit tim, mbas tij.

21 Përndryshe ka për të ndodhur që kur mbreti, zotëria ime, do të flerë me gjithë etërit e tij, unë dhe biri im Salomon do të trajtohemi si fajtorë".

22 Ndërsa ajo fliste akoma me mbretin, arriti profeti Nathan.

23 Atëherë ia njoftuan mbretit ngjarjen, duke thënë: "Ja profeti Nathan!". Ky hyri në prani të mbretit dhe u shtri para tij me fytyrën për tokë.

24 Nathani tha: "O mbret, o imzot, ndofta ke thënë: "Adonijahu do të mbretërojë pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim"?

25 Në fakt sot ai zbriti dhe flijoi një numër të madh qesh, viçash të majmë dhe delesh, ftoi tërë bijtë e mbretit, krerët e ushtrisë dhe priftin Abiathar; dhe ja tani ata po hanë e pinë përpara tij dhe thonë: "Rroftë mbreti Adonijah".

26 Por ai nuk më ka ftuar mua, shërbëtorin tënd, as priftin Tsadok, as Benajahun, birin e Jehojadit, as Salomonin, shërbëtorin tënd.

27 Kjo, a u bë pikërisht nga mbreti, zoti im, pa i njoftuar shërbëtorit tënd kush do të ulet në fronin e mbretit, të zotit tim, mbas tij?".

28 Mbreti David, duke u përgjigjur, tha: "Thirrmëni Bath-Shebën". Ajo hyri te mbreti dhe qëndroi më këmbë para tij.

29 Mbreti u betua dhe tha: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, i cili ka liruar jetën time nga çdo fatkeqësi,

30 unë do të bëj sot pikërisht atë që të jam betuar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, duke thënë: "Biri yt Salomon ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim në vendin tim"".

31 Bath-Sheba u përul me fytyrën për tokë, ra përmbys para mbretit dhe tha: O Zot, bëj që mbreti David të jetojë përjetë!!".

32 Pastaj mbreti David tha: "Thirrmëni priftin Tsadok, profetin Nathan dhe Benajahun, birin e Jehojadit". Ata erdhën në prani të mbretit.

33 Mbreti u tha atyre: "Merrni me vete shërbëtorët e zotit tuaj, e hipeni birin tim Salomon mbi mushkën time dhe e zbrisni në Gihon.

34 Atje prifti Tsadok dhe profeti Nathan ta vajosin mbret të Izraelit. Pastaj i bini borisë dhe thoni: "Rroftë mbreti Salomon!".

35 Do të shkoni, pra, pas tij dhe ai do të vijë të ulet mbi fronin tim dhe do të mbretërojë në vendin tim, sepse e kam bërë princ të Izraelit dhe të Judës".

36 Benajahu, bir i Jehojadit, iu përgjigj mbretit duke thënë: "Amen! Kjo është edhe dëshira e Zotit, Perëndisë së mbretit zotit tim!

37 Ashtu si ka qenë Zoti me mbretin, zotin tim, kështu qoftë me Salomonin dhe e bëftë fronin tim më të madh se froni i mbretit David, i zotit tim!".

38 Atëherë prifti Tsadok, profeti Nathan, Benajahu, bir i Jehojadit, Kerethejtë dhe Pelethejtë, dolën e hipën Salomonin mbi mushkën e mbretit David dhe e çuan në Gihon.

39 Prifti Tsadok mori bririn e vajit nga tabernakulli dhe vajosi Salomonin. Pastaj i ranë borisë dhe tërë populli tha: "Rroftë mbreti Salomon!".

40 Pastaj tërë populli shkoi pas tij, duke u rënë fyejve dhe duke ndjerë një gëzim të madh aq sa toka dukej se po çohej nga brohoritjet e tyre.

41 Adonijahu dhe tërë të ftuarit e tij, ndërsa po mbaronin së ngrëni, dëgjuan zhurmë; dhe kur Joabi dëgjoi zërin e borisë, ai tha: "Ç’është kjo zhurmë e madhe që vjen nga qyteti?".

42 Ndërsa vazhdonte të fliste, ja që arriti Jonathani, bir i priftit Abiathar. Adonijahu i tha: "Hyr, ti je një trim dhe me siguri sjell lajme të mira".

43 Jonathani iu përgjigj Adonijahut dhe tha: "Aspak! Mbret Davidi, zoti ynë, bëri mbret Salomonin.

44 Ai nisi me të priftin Tsadok, profetin Nathan, Benajahun, birin e Jehojadës, Kerethejtë dhe Pelethejtë, që e hipën mbi mushkën e mbretit.

45 Kështu prifti Tsadok dhe profeti Nathan e vajosën mbret në Gibon, dhe që andej janë nisur të gjithë tërë gëzim dhe tërë qyteti po zien. Kjo është zhurma që keni dëgjuar.

46 Përveç kësaj Salomoni është ulur në fronin e mbetërisë.

47 Dhe shërbëtorët e mbretit kanë vajtur të urojnë mbretin David, zotërinë tonë, duke thënë: "Perëndia yt e bëftë emrin e Salomonit më të lavdishëm se yti dhe e bëftë fronin e tij më të madh se yti!". Pastaj mbreti ra përmbys mbi shtrat,

48 dhe tha gjithashtu: "Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, që sot uli një njeri mbi fronin tim, duke u lejuar syve të mi ta shikojnë"".

49 Atëherë tërë të ftuarve të Adonijahut u hyri tmerri, ata u ngritën dhe ikën secili në rrugën e tij.

50 Adonijahu, duke pasur frikë nga Salomoni, u ngrit dhe shkoi të kapet në brirët e altarit.

51 Këtë ia thanë Salomonit: "Ja, Adonijahu ka frikë nga mbreti Salomon dhe është kapur te brirët e altarit, duke thënë: "Mbreti Salomon të më betohet sot që nuk do ta bëjë të vdesë nga shpata shërbëtorin e tij"".

52 Salomoni u përgjigj: "Në qoftë se tregohet njeri i drejtë, nuk do t’i bjerë në tokë as edhe një fije floku, por në rast se tek ai gjendet ndonjë ligësi, ai ka për të vdekur".

53 Kështu mbreti Salomon dërgoi njerëz ta zbrisnin nga altari. Ai erdhi pastaj të bjerë përmbys përpara mbretit Salomon dhe ky i tha: "Shko në shtëpinë tënde".

Duke iu afruar Davidit dita e vdekjes, ai urdhëroi të birin Salomon, duke i thënë:

"Unë jam duke shkuar atje ku shkojnë tërë banorët e tokës; prandaj tregohu i fortë dhe sillu si burrë!

Respekto urdhrat e Zotit, Perëndisë tënd, duke ecur në rrugët e tij, duke zbatuar në praktikë statutet e tij, urdhërimet e tij, dekretet e tij dhe porositë e tij, ashtu siç është shkruar në ligjin e Moisiut, me qëllim që ti t’ia dalësh mbanë në të gjitha gjërat që do të bësh dhe nga çdo anë që të kthehesh,

dhe me qëllim që Zoti ta plotësojë premtimin që më ka bërë kur tha: "Në qoftë se bijtë e tu do të kujdesen për të ecur para meje me të vërtetë me gjithë zemër e me gjithë shpirt, nuk do të mungojë kurrë dikush mbi fronin e Izraelit".

Edhe ti e di ç’më ka bërë mua Joabi, bir i Tserujahut, dhe ç’u ka bërë dy krerëve të ushtrive të Izraelit, Abnerit, birit të Nerit, dhe Amas, birit të Jetherit, që ai i vrau; në kohë paqeje ka derdhur gjak lufte dhe ka njollosur me gjak lufte brezin që mbante në mes dhe sandalet që mbante në këmbë.

Vepro, pra me urti dhe mos lejo që flokët e tij të bardha të zbresin në paqe në Sheol.

Por trego mirësi me bijtë e Galaaditit Barzilai dhe ata të jenë ndër ata që hanë në tryezën tënde, sepse me një mirësi të njëllojtë ata erdhën tek unë kur po ikja me vrap para Absalomit, vëllait tënd.

Ja, pranë teje është edhe Shimei, bir i Beniaminitit Gera, nga Bahurimi. Ai shqiptoi një mallkim të tmerrshëm ditën që shkoja në Mahanaim, por pastaj zbriti të më takojë në Jordan dhe unë iu betova në emër të Zotit: "Nuk do të bëj të vdesësh nga shpata".

Tani, pra, mos e lër të pandëshkuar, sepse ti je njeri i urtë dhe di atë që duhet të bësh. Bëj që flokët e tij të bardha të zbresin të lyera me gjak në Sheol".

10 Kështu Davidin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në qytetin e Davidit.

11 Davidi mbretëroi mbi Izrael dyzet vjet, shtatë vjet në Hebron dhe tridhjetë e tre vjet në Jeruzalem.

12 Pastaj Salomoni u ul mbi fronin e Davidit, atit të tij, dhe mbretëria e tij u vendos në mënyrë të qëndrueshme.

13 Adonijahu, bir i Hagithit, shkoi te Bath-Sheba, nëna e Salomonit. Kjo i tha: "A vjen me qëllime paqësore?". Ai u përgjigj: "Po, paqësore".

14 Pastaj shtoi: "Kam diçka për të të thënë". Ajo u përgjigj: "Thuaje, pra".

15 Kështu ai tha: "Ti e di që mbretëria më takonte mua dhe që tërë Izraeli priste që unë të mbretëroja. Por mbretëria m’u hoq dhe kaloi në duart e vëllait tim, sepse atij ia dha Zoti.

16 Tani do të të bëj një kërkesë, mos ma hidh poshtë". Ajo u përgjigj: Thuaje, praa".

17 Atëherë ai tha: "Të lutem, thuaji mbretit Salomon, i cili nuk të refuzon asgjë, që të më japë për grua Shunamiten Abishaga".

18 Bath-Sheba iu përgjigj: "Mirë! Do t’i flas mbretit në favorin tënd".

19 Bath-Sheba shkoi, pra, te mbreti Salomon për t’i folur në favor të Adonijahut. Mbreti u ngrit për t’i dalë përpara, u përul përpara saj, pastaj u ul në fronin e tij dhe urdhëroi që të vinin një fron tjetër për nënën e mbretit, dhe ajo u ul në të djathtë të tij.

20 Ajo tha: "Kam një kërkesë të vogël, mos ma refuzo". Mbreti iu përgjigj: Bëje, pra, kërkesën tënde, o nëna ime; unë nuk do ta refuzojj".

21 Atëherë ajo i tha: "Shunamitja Abishag t’i jepet si grua vëllait tënd Adonijah".

22 Mbreti Salomon iu përgjigj nënës së tij, duke i thënë: "Pse kërkon Shunamiten Abishag për Adonijahun? Kërko për të edhe mbretërinë, sepse ai është vëllai im madhor; kërkoje për të, për priftin Abiathar dhe për Joabin, birin e Tserujahut!".

23 Atëherë mbreti Salomon u betua në emër të Zotit, duke thënë: "Perëndia ma bëftë këtë edhe më keq në rast se Adonijahu nuk e ka thënë këtë fjalë duke vënë në rrezik jetën e tij!

24 Prandaj, tani, ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, i cili më ka caktuar, ka vendosur të ulem në fronin e atit tim David dhe më ka themeluar një shtëpi ashtu siç kishte premtuar, sot Adonijahu do të ekzekutohet!".

25 Kështu mbreti Salomon dërgoi Benajahun, birin e Jehojadit, që u hodh mbi Adonijahun dhe ky vdiq.

26 Pastaj mbreti i tha priftit Abiathar: "Shko në Anathoth në arat e tua, sepse ti meriton vdekjen; por unë nuk do të të bëj që të vdesësh sot, sepse ke i çuar arkën e Perëndisë, Zotit, përpara atit tim David dhe ke marrë pjesë në të gjitha vuajtjet e tij".

27 Kështu Salomoni largoi Abiatharin nga funksioni i priftit të Zotit me qëllim që të shkonte në vend fjala që Zoti kishte shqiptuar lidhur me shtëpinë e Elit në Shiloh.

28 Ndërkaq lajmi i kishte vajtur Joabit, sepse Joabi kishte ndjekur Adonijahun por nuk kishte ndjekur Absalomin. Prandaj ai u strehua në tabernakullin e Zotit dhe u kap pas brirëve të altarit.

29 Pastaj i thanë mbretit Salomon: "Joabi është strehuar në tabernakullin e Zotit dhe ndodhet pranë altarit". Atëherë Salomoni dërgoi Benajahun, birin e Jehojadit, duke i thënë: "Shko, godite!".

30 Kështu Benajahu hyri në tabernakullin e Zotit dhe i tha Joabit: "Dil jashtë!". Ai u përgjigj: "Jo, dua të vdes këtu!". Benajahu ia njoftoi ngjarjen mbretit, duke thënë: "Kështu foli Joabi dhe kështu m’u përgjigj".

31 Atëherë mbreti tha: "Bëj ashtu si të ka thënë ai: godite dhe varrose; kështu do të largosh prej meje dhe prej shtëpisë së atit tim gjakun që Joabi derdhi pa shkak.

32 Kështu Zoti do të hedhë mbi kokën e tij gjakun që ka derdhur, duke goditur dy njerëzit më të mirë dhe më të drejtë se ai dhe që i vrau me shpatë, pa dijeninë e atit tim David; është fjala për Abnerin, birin e Nerit, komandant i ushtrisë së Izraelit, dhe për Amasan, birin e Jetherit, komandant i ushtrisë së Judës.

33 Gjaku i tyre do të bjerë mbi kokën e Joabit dhe mbi kokën e pasardhësve të tij përjetë, por do të ketë paqe për gjithmonë nga ana e Zotit për Davidin, për pasardhësit e tij, për shtëpinë e tij dhe për fronin e tij".

34 Atëherë Benajahu, bir i Jehojadit, shkoi, e goditi dhe e vrau: dhe Joabi u varros në shtëpinë e tij, në shkretëtirë.

35 Në vend të tij mbreti caktoi si komandant të ushtrisë Benajahun, birin e Jehojadit, dhe vuri priftin Tsadok në vend të Abiatharit.

36 Pastaj mbreti dërgoi të thërrasin Shimein dhe i tha: "Ndërto një shtëpi në Jeruzalem dhe atje do të banosh, nuk do të dalësh më për të shkuar andej e këtej.

37 Ditën që ke për të dalë dhe ke për të kaluar përruan Kidron, dije me siguri që ke për të vdekur; gjaku yt do të bjerë mbi kokën tënde".

38 Shimei iu përgjigj kështu mbretit: "Mirë; shërbëtori yt do të bëjë ashtu si ka thënë mbreti, zotëria ime. Kështu Shimei qëndroi në Jeruzalem për një kohë të gjatë.

39 Por pas tre vjetëve ndodhi që dy shërbëtorë të Shimeit ikën pranë Akishit, birit të Makaahut, mbretit të Gathit. Këtë gjë ia njoftuan Shimeit dhe i thanë: "Ja, shërbëtorët e tu janë në Gath".

40 Atëherë Shimei u ngrit, shaloi gomarin e tij dhe shkoi në Gath për të kërkuar shërbëtorët e tij; Shimei shkoi atje dhe i ktheu shërbëtorët e tij nga Gathi.

41 Salamonit i thanë që Shimei kishte vajtur nga Jeruzalemi në Gath dhe se qe kthyer.

42 Atëherë mbreti dërgoi e thirri Shimein dhe i tha: "A nuk të vura të betoheshe në emër të Zotit dhe të kisha paralajmëruar solemnisht, duke të thënë: "Dije me siguri që ditën që do të dalësh andej këtej, ke për të vdekur". Dhe ti m’u përgjigje: "Fjala që dëgjova më shkon mbarë".

43 Pse, pra, nuk e respektove betimin që i bëre Zotit dhe urdhrin që të kishte dhënë?".

44 Mbreti i tha gjithashtu Shimeit: "Ti e di gjithë të keqen që i ke bërë Davidit, atit tim, dhe zemra jote është e ndërgjegjshme për këtë, prandaj Zoti do të bëjë që të bjerë mbi kokën tënde ligësia jote,

45 por mbreti Salomon ka për të qënë i bekuar dhe froni i Davidit do të jetë i qëndrueshëm përpara Zotit përjetë".

46 Pastraj mbreti i dha urdhër Benajahut, birit të Jehojadit, që doli e goditi Shimen dhe ky vdiq. Kështu mbeti e patundur mbretëria në duart e Salomonit.

Pastaj Salomoni bëri krushqi me Faraonin, mbretin e Egjiptit. U martua me të bijën e Faraonit dhe e çoi në qytetin e Davidit, deri sa të mbaronte së ndërtuari shtëpinë e tij, shtëpinë e Zotit dhe muret rrethuese të Jeruzalemit.

Populli ofronte flijime në vendet e larta, sepse deri në atë ditë nuk ishte ndërtuar akoma një tempull në emër të Zotit.

Salomoni e donte Zotin dhe respektonte statutet e Davidit, atit të tij; megjithatë ofronte flijime dhe digjte temjan në vendet e larta.

Mbreti shkoi në Gabaon për të ofruar flijime, sepse ky ishte vendi i lartë më i rëndësishëm; dhe mbi këtë altar Salomoni ofroi një mijë olokauste.

Në Gabaon, Zoti i doli në ëndërr natën Salamonit. Perëndia i tha: "Kërko ç’të duash dhe unë do ta jap".

Salamoni u përgjigj: "Ti ke treguar një dashamirësi të madhe ndaj shërbëtorit tënd David, atit tim, sepse ai ecte para teje me besnikëri, me drejtësi dhe me zemër të pastër ndaj teje; ti ke vazhduar të shfaqësh ndaj tij këtë dashamirësi të madhe dhe i ke dhënë një bir që të ulet mbi fronin e tij, siç po ndodh sot.

Tani, o Zot, Perëndia im, ti ke bërë të mbretërojë shërbëtori yt në vend të Davidit, atit tim, por unë jam veçse një fëmijë dhe nuk di si të sillem.

Përveç kësaj shërbëtori yt është në mes të popullit që ti ke zgjedhur, një popull i madh, tepër i shumtë për t’u numëruar dhe llogaritur.

Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër të zgjuar, në mënyrë që të administrojë drejtësinë për popullin tënd dhe të dallojë të mirën nga e keqja. Kush në fakt mund të administrojë drejtësinë për popullin tënd kaq të madh?".

10 I pëlqeu Perëndisë që Salomoni bëri këtë kërkesë.

11 Atëherë Perëndia i tha: "Me qenë se kërkove këtë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as vdekjen e armiqve të tu, por ke kërkuar zgjuarsi për të kuptuar atë që është e drejtë,

12 ja, unë po bëj atë që ti ke kërkuar: po të jap një zemër të urtë dhe të zgjuar, sa nuk ka pasur asnjëri para teje dhe nuk ka për të dalë askush si ti mbas teje.

13 Po të jap edhe atë që nuk ke kërkuar: pasuri dhe lavdi, kështu që midis mbretërve nuk do të ketë asnjë si ti, për të gjitha ditët e jetës sate.

14 Në rast se ti ecën në rrugët e mia duke iu bindur statutet dhe urdhërimet e mia, ashtu si bëri Davidi, ati yt, unë kam për t’i zgjatur ditët e tua".

15 Salomoni u zgjua, dhe ja, ishte në ëndërr. Atëherë ai u kthye në Jeruzalem, u paraqit para arkës së besëlidhjes të Zotit, ofroi olokauste dhe flijime falënderimi, dhe shtroi një banket për të tërë shërbëtorët e tij.

16 Pastaj erdhën te mbreti dy prostituta dhe u paraqitën para tij.

17 Një nga të dy gratë tha: "O imzot, kjo grua dhe unë banojmë në të njëjtën shtëpi; unë linda kur ajo ishte akoma në shtëpi.

18 Tri ditë pasi linda unë, lindi edhe kjo grua; dhe nuk kishte njeri tjetër në shtëpi përveç ne të dyjave.

19 Djali i kësaj gruaje vdiq natën, sepse ajo kishte rënë në shtrat sipër tij.

20 Atëherë ajo u ngrit në mes të natës, mori djalin tim nga krahu im, ndërsa shërbëtorja jote po flinte, dhe e vuri mbi gjirin e saj, dhe mbi gjirin tim vendosi djalin e saj të vdekur.

21 Kur në mëngjes u ngrita për t’i dhënë gji djalit tim, pashë që kishte vdekur; por kur e kqyra me kujdes në mëngjes, pashë që nuk ishte djali që kisha lindur".

22 Atëherë gruaja tjetër tha: "Nuk është e vërtetë; djali im është ai që jeton, dhe yti është ai i vdekur". Por e para nguli këmbë: "Nuk është e vërtetë; yt bir është ai vdekur dhe imi është ai i gjallë". Kështu grindeshin përpara mbretit.

23 Atëherë mbreti tha: "Njëra thotë: "Ai i gjallë është djali im dhe ai i vdekur është yti". Dhe tjetra thotë: "Nuk është e vërtetë; ai i vdekur është djali yt dhe ai i gjallë është imi"".

24 Atëherë mbreti urdhëroi: "Më sillni një shpatë!". Kështu sollën një shpatë para mbretit.

25 Pastaj mbreti urdhëroi: "Ndajeni fëmijën e gjallë në dy pjesë dhe jepini gjysmën njërës dhe gjysmën tjetrës".

26 Atëherë gruaja e fëmijës së gjallë, që e donte shumë fëmijën e vet, i tha mbretit: "Imzot, jepjani asaj fëmijën e gjallë, por mos e vrisni". Tjetra përkundrazi thoshte: "Të mos jetë as imi, as yti; por ndaheni!".

27 Atëherë mbreti u përgjigj duke thënë: "Jepini së parës fëmijën e gjallë dhe mos e vrisni, sepse ajo është nëna e fëmijës".

28 Tërë Izraeli e mësoi vendimin që u dha nga mbreti dhe patën frikë nga mbreti sepse shihnin që dituria e Perëndisë ishte tek ai për të ushtruar drejtësinë.

Mbreti Salomon mbretëronte mbi tërë Izraelin.

Këta ishin funksionarët e tij të lartë: Azariahu, bir i priftit Tsadok,

Elihorefi dhe Ahijahu, bij të Shishas, ishin sekretarë; Jozafati, bir i Ahiludit, ishte kancelier;

Benajahu, bir i Jehojadit, ishte komandant i ushtrisë; Tsadoku dhe Abiathari ishin priftërinjtë;

Azariahu, bir i Nathanit, ishte kryetar i prefektëve; Zabudi, bir i Nathanit, ishte prift dhe këshilltar personal i mbretit.

Ahishari ishte maxhordom dhe Adinorami, bir i Abdas, ishte caktuar për haraçet.

Salomoni kishte dymbëdhjetë prefektë në të gjithë Izraelin, të cilët kujdeseshin për mbajtjen e mbretit dhe të shtëpisë së tij; secili prej tyre ishte ngarkuar për tu kujdesur për një muaj në vit.

Këto janë emrat e tyre: Ben-Hur në krahinën malore të Efraimit;

Ben-Dekjer në Makats, Shaalbim, Beth-Shemesh dhe Elon të Beth-Hananit;

10 Ben-Hesed në Aruboth; Sokothi dhe tërë vendi i Heferit ishin pronë e tij;

11 Ben-Abinabadi, në gjithë krahinën e Dorit; Tafatha, bijë e Salomonit, ishte gruaja e tij;

12 Baana, bir i Ahiludit, kishte Taanakun, Megidon dhe tërë Beth-Shenin, që është pranë Tsarethanit, poshtë Jizreelit, dhe që shtrihet nga Beth-Sheani deri në Abel-Meholahu dhe matanë Jokneamit.

13 Ben-Geber, në Ramoth të Galaadit, kishte fshatrat e Jairit, birit të Manasit, në Galaad, si edhe Argobin në Bashan, gjashtëdhjetë qytete të mëdha me mure dhe shule prej bronzi;

14 Ahinadabi, bir i Idos, në Mahanaim;

15 Ahimatsi, në Neftali; edhe ai kishte për grua Basmethin, një nga bijat e Salomonit;

16 Banahun, bir i Hushait, në Asher dhe në Aloth;

17 Jozafati, bir i Parnahut, në Isakar;

18 Shimei, bir i Elahut, në Beniamin;

19 Geberi, bir i Urit, në vendin e Galaadit, në vendin e Sihonit, mbretit të Amorejve, dhe të Ogut, mbretit të Bashanit; ai ishte i vetmi prefekt që ishte në vend.

20 Juda dhe Izraeli ishin të shumtë si rëra që është në bregun e detit. Ata hanin dhe pinin me gaz.

21 Kështu Salomoni sundone mbi gjithë mbretërinë nga Lumi deri në vendin e Filistejve dhe në kufijtë e Egjiptit. Këta i sillnin haraçe dhe i shërbyen tërë ditët e jetës së tij.

22 Furnizimi ditor i ushqimeve për Salomonin përbëhej nga tridhjetë kore lule dielli dhe gjashtëdhjetë kore mielli të zakonshëm,

23 dhjetë qe të majmë, njëzet qe të kullotës dhe njëqind dele pa llogaritur drerët, gazelat, kapronjtë dhe shpendët e majmë.

24 Ai sundonte gjithë vendin nga kjo anë e Lumit, nga Tifsahu deri në Gaza, mbi tërë mbretërit nga kjo anë e Lumit, dhe jetonte në paqe me të gjithë shtetet kufitare që ishin rreth e qark.

25 Juda dhe Izraeli, nga Dani deri në Beer-Sheba, jetuan të sigurtë, secili nën pjergullën dhe fikun e tij, tërë kohën që mbretëroi Salomoni.

26 Salomoni kishte gjithashtu dyzet mijë stalla kuajsh për qerret e tij dhe dymbëdhjetë mijë kalorës.

27 Këta prefektë, secili në muajin e tij, merreshin me mbajtjen e mbretit Salomon dhe të gjithë atyre që pranoheshin në tryezën e tij; dhe nuk linin t’u mungonte asgjë.

28 Sillnin edhe elbin dhe kashtën për kuajt dhe mushkat në vendin e duhur, secili sipas urdhrave që kishte marrë.

29 Perëndia i dha Salomonit dituri, zgjuarsi të madhe dhe një mëndje të hollë si rëra që është në bregun e detit.

30 Dhe dituria e Salomonit ia kaloi diturisë të të gjithë bijve të Lindjes dhe tërë diturisë të Egjiptasve.

31 Ai ishte më i ditur se çdo njeri tjetër: më tepër se Ezrahiti Ethan; më tepër se Hemani, se Kakoli dhe se Darda, bijtë e Maholit; dhe fama e tij u përhap në të gjitha kombet e afërta.

32 Shqiptoi tre mijë proverba dhe kantikët e tij qenë një mijë e pesëqind.

33 Foli edhe për drurët, nga kedri i Libanit deri në isopin që mbin nga muri; foli gjithashtu për kafshët, për zogjtë, për rrëshqanorët dhe për peshqit.

34 Nga të gjithë popujt vinin njerëz për të dëgjuar diturinë e Salomonit; ata ishin të dërguar nga tërë mbretërit e dheut që kishin dëgjuar të flitej për diturinë e tij.

Kur Hirami, mbret i Tiros, mësoi që Salomoni ishte vajosur mbret në vend të atit të tij, dërgoi shërbëtorët e tij, sepse Hirami kishte qenë gjithnjë mik i Davidit.

Atëherë Salomoni dërgoi t’i thotë Hiramit:

"Ti e di që ati im David nuk ka mundur të ndërtojë një tempull në emër të Zotit, Perëndisë të tij, për shkak të luftrave të ndërmarra nga çdo anë kundër tij, deri sa Zoti i vuri armiqtë e tij nën shputën e këmbëve të tij.

Por tani Zoti, Perëndia im, më ka dhënë paqe rreth e qark; dhe nuk kam më kundërshtarë, as ndonjë fatkeqësi.

Prandaj tani kam ndërmend të ndërtoj një tempull në emër të Zotit, Perëndisë tim, sipas premtimit që i bëri Zoti atit tim David, kur i tha: "Yt bir, që unë do të vendos mbi fronin tënd, ka për të qënë ai që do të ndërtojë një tempull në emrin tim".

Jep urdhër, pra, që të priten për mua kedrat e Libanit. Shërbëtorët e mi do të punojnë me shërbëtorët e tu, dhe si pagë unë do t’u jap shërbëtorëve të tu tërë ato që do të më kërkosh ti. Ti e di mirë që ndër ne nuk ka njeri që di t’i presë drurët si ata të Sidonit".

Kur Hirami i dëgjoi fjalët e Salomonit, u gëzua së tepërmi dhe tha: Qoftë i bekuar sot Zoti, që i ka dhënë Davidit një bir të urtë për tëë mbretëruar mbi këtë popull të madh".

Pastaj Hirami dërgoi t’i thotë Salomonit: "E shqyrtova me kujdes mesazhin që më çove. Unë do të bëj të gjitha ato që dëshiron ti lidhur me lëndën e kedrit dhe të qiparisit.

Shërbëtorët e mi do t’i sjellin nga Libani deri në det dhe do t’i transportojnë që andej me trap deri në vendin që ti do të më tregosh; pastaj do t’i shkarkojnë atje dhe ti do t’i çosh tutje. Si shpërblim, ti do të plotësosh dëshirën time, duke furnizuar me ushqime shtëpinë time".

10 Kështu Hirami e furnizoi Salomonin me tërë lëndën e kedrit dhe të qiparisit që ai kishte nevojë.

11 Salomoni nga ana e tij e furnizoi Hiramin me njëzet mijë kore gruri për të mbajtur shtëpinë e tij dhe njëzet kore vaj të pastër ulliri; Salomoni i jepte Hiramit çdo vit tërë këto gjëra.

12 Zoti i dha dituri Salomonit, ashtu siç ia kishte premtuar; kështu mbretëroi paqja midis Hiramit dhe Salomonit, dhe të dy bënë aleancë.

13 Mbreti Salomon rekrutoi njerëz për punë të detyruar në tërë Izraelin, dhe ata që u caktuan për punë të detyruar ishin tridhjetë mijë njerëz.

14 I dërgonte me turne në Liban nga dhjetëmijë në muaj; kalonin një muaj në Liban dhe dy muaj në shtëpitë e tyre; Adonirami ishte drejtuesi i punimeve të detyruara.

15 Salomoni kishte gjithashtu shtatëdhjetë mijë njerëz që transportonin ngarkesa dhe tetëdhjetë mijë gurgdhëndës në male,

16 pa llogaritur tremijë e treqind përgjegjës të caktuar nga Salomoni për veprimtaritë e ndryshme dhe për të mbikqyrur personat e caktuar në punimet.

17 Mbreti urdhëroi të nxirreshin gurë të mëdhenj, gurë me vlerë dhe gurë katërkëndësh për të bërë themelet e tempullit.

18 Kështu punëtorët e Salomonit dhe punëtorët e Hiramit dhe Giblejtë nxorën gurët, dhe përgatitën lëndën e drurit dhe gurët për ndërtimin e tempullit.

Në vitin katërqind e tetëdhjetë mbas daljes së bijve të Izraelit nga vendi i Egjiptit, në vitin e katërt të mbretërimit të tij mbi Izrael, në muajin e Zivit, që është muaji i dytë, Salomoni filloi të ndërtojë shtëpinë e Zotit.

Tempulli që ndërtoi mbreti Salomon për Zotin ishte gjashtëdhjetë kubitë i gjatë, njëzet i gjerë dhe tridhjetë i lartë.

Portiku përpara tempullit ishte njëzet kubitë i gjatë, i barabartë, pra, me gjerësinë e tempullit, dhe gjerësia e tij shtrihej dhjetë kubitë nga fasada e tempullit.

Në tempull vuri dritare me hekura.

Pranë murit të tempullit ai ndërtoi dhoma që rrethonin tërë murin e tempullit, si vendin e shenjtë ashtu dhe vendin shumë të shenjtë; kështu ai bëri dhoma anësore rreth e qark.

Dhomat e katit të parë ishin të gjera pesë kubitë, ato të katit të mesëm gjashtë kubitë dhe ato të katit të tretë shtatë kubitë; në fakt ai kishte ndërtuar dalje rreth e rrotull mureve të tempullit, në mënyrë që trarët e mbështetjes të mos futeshin në muret e tempullit.

Për ndërtimin e tempulit u përdorën gurë që ishin latuar në gurore; kështu gjatë ndërtimit të tempullit nuk u dëgjua zhurma e çekiçit, e sëpatës ose e ndonjë vegle tjetër prej hekuri.

Hyrja e katit të parë gjendej në krahun e djathtë të tempullit; kështu me anë të një shkalle në trajtë spirale hipje në katin e mesëm, dhe nga kati i mesëm në të tretin.

Mbasi përfundoi ndërtimin e tempullit, Salomoni e mbuloi me trarë dhe me dërrasa kedri.

10 Ndërtoi katet anësore me dhoma rreth e qark tempullit, secili i lartë pesë kubitë, dhe i lidhi me tempullin me trarë kedri.

11 Fjala e Zotit iu drejtua Salomonit, duke i thënë:

12 "Për këtë tempull që po më ndërton, në qoftë se ti u përmbahesh statuteve të mia, zbaton në praktikë dekretet e mia dhe u bind të gjitha urdhërimeve të mia duke ecur në to unë do të përmbush me ty premtimin që i dhashë Davidit, atit tënd:

13 do të banoj në mes të bijve të Izraelit dhe nuk do ta braktis popullin tim të Izrarelit".

14 Kështu Salomoni ndërtoi tempullin dhe e përfundoi.

15 Pastaj ndërtoi muret ndarës të tempullit me dërrasa të kedrit; dhe nga dyshemeja e tempullit deri në tavan e veshi nga brenda me dru; pastaj e mbuloi dyshemenë e tempullit me dërrasa qiparisi.

16 Veshi gjithashtu me dërrasa kedri një hapësirë prej njëzet kubitësh në fund të tempullit, nga dyshemeja deri në tavan; dhe këtë hapësirë të brendshme e rezervoi si shenjtërore, si një vend shumë të shenjtë.

17 Shtëpia, domethënë tempulli, përpara vendit shumë të shenjtë ishte e gjatë dyzet kubitë.

18 Pjesa e brendshme e tempullit ishte prej kedri të gdhendur me sfera dhe me lule të çelura; çdo gjë ishte prej kedri dhe nuk dukej asnjë gur.

19 Salomoni e përgatiti vendin shumë të shenjtë në pjesën e brendshme të tempullit, për të vënë aty arkën e besëlidhjes të Zotit.

20 Vendi shumë i shenjtë ishte njëzet kubitë i gjatë, njëzet kubitë i gjerë dhe njëzet kubitë i lartë. Salomoni e veshi me ar të kulluar; dhe e veshi altarin me kedër.

21 Kështu Salomoni e veshi pjesën e brendshme të tempullit me ar të kulluar, shtriu zinxhira ari përpara vendit shumë të shenjtë dhe e veshi me ar.

22 Veshi me ar tërë tempullin deri sa mbaroi së ndërtuari dhe veshi me ar gjithashtu tërë altarin që i takonte vendit shumë të shenjtë.

23 Në pjesën e brendshme të vendit shumë të shenjtë bëri dy kerubinë me dru ulliri, që ishin dhjetë kubitë të lartë.

24 Krahu i një kerubini ishte pesë kubitë dhe tjetri ishte gjithashtu pesë kubitë; kishte, pra, dhjetë kubitë nga maja e një krahu deri te maja e tjetrit.

25 Edhe kerubini tjetër ishte dhjetë kubitësh; të dy kerubinët kishin po ato përmasa dhe po atë formë.

26 Lartësia e një kerubini ishte dhjetë kubitë po kështu edhe ajo e kerubinit tjetër.

27 Salomoni i vendosi kerubinët në mes të vendit shumë të shenjtë. kerubinët i kishin krahët të hapur; krahu i të parit prekte njërin mur ndarës dhe krahu i të dytit prekte murin tjetër; krahët e tyre të brendshme takoheshin në mes të shtëpisë.

28 Pastaj i veshi me ar kerubinët.

29 Pastaj riprodhoi mbi të gjitha muret ndarës të trempullit, rreth e qark, figura në reliev kerubinësh, palma dhe lule të çelura, si brenda ashtu dhe jashtë.

30 Pastaj veshi me ar dyshemenë e tempullit, si nga brenda ashtu dhe nga jashtë.

31 Për të hyrë në vendin tepër të shenjtë bëri një portë me dy kanate me dru ulliri; arkitravi dhe shtalkat zinin një të katërtën e murit.

32 Të dy kanatet ishin me dru ulliri. Mbi to gdhendi figura kerubinësh, palma dhe lulesh të çelura, i veshi me ar duke e shtrirë arin mbi kerubinët dhe mbi palmash.

33 Për portën e tempullit bëri gjithashtu shtalka me dru ulliri, që zinin një të katërtën e gjerësisë së murit,

34 dhe dy kanate me dru qiparisi; çdo kanat përbëhej nga dy pjesë që hapeshin dhe mbylleshin.

35 Mbi to gdhendi kerubinë, palma dhe lule të çelura dhe i veshi me ar, që e shtriu me saktësi mbi skulpturat.

36 Pastaj ndërtoi oborrin e brendshëm me tri radhë gurësh katërkëndësh dhe një radhë trarësh kedri.

37 Vitin e katërt, në muajin e Zivit, u hodhën themelet e shtëpisë të Zotit;

38 vitin e njëmbëdhjetë, në muajin e Bulit, që është muaji i tetë, tempulli u mbarua në të gjitha pjesët e tij, sipas vizatimeve të dhëna. Kështu Salomonit iu deshën shtatë vjet për ta ndërtuar.

Por Salomonit iu deshën trembëdhjetë vjet për të ndërtuar shtëpinë e tij; kështu ai përfundoi tërë shtëpinë e tij.

Ai ndërtoi shtëpinë e "Pyllit të Libanit," e gjatë njëqind kubitë, e gjerë pesëdhjetë e lartë tridhjetë; ajo mbështetej mbi katër radhë shtyllash kedri, mbi të cilat mbështeteshin trarët e kedrit.

Një tavan prej kedri mbulonte dhomat që mbështeteshin mbi shtyllat, dhe që ishin gjithashtu dyzet e pesë, pesëmbëdhjetë për çdo radhë.

Kishte tri radhë dritaresh, të kundërvëna njëra me tjetrën në tri plane të ndryshme.

Të gjitha portat me shtalkat e tyre dhe arkitrarët e tyre ishin katërkëndëshe dhe dritaret i kundërviheshin njëra tjetrës në tre plane të ndryshme.

Ai ndërtoi edhe portikun e shtyllave, i gjatë pesëdhjetë kubitë dhe i gjerë tridhjetë; në pjesën e përparme kishte një hajat, me shtylla dhe që ishte i mbuluar me çati.

Pastaj ndërtoi portikun e fronit ku admnistronte drejtësia, i quajtur Portiku i gjykimitt"; dhe e mbuloi me kedër nga dyshemeja në tavan.

Shtëpia ku ai banonte, e ndërtuar në të njëjtën mënyrë, kishte përkundrazi një oborr tjetër në pjesën e brendshme të portikut. Salomoni bëri gjithashtu një shtëpi me një portik të ngjashëm me këtë për bijën e Faraonit, që kishte marrë për grua.

Të gjitha ndërtimet ishin me gurë të zgjedhur, të prerë sipas masës me sharrë nga brenda dhe nga jashtë nga themelet deri në kornizat, dhe nga jashtë deri në oborrin më të madh.

10 Edhe themelet ishin me gurë të zgjedhur, me gurë të mëdhenj, disa dhjetë kubitësh dhe të tjerë tetë kubitësh.

11 Mbi to kishte gurë të zgjedhur, të prerë me masë, dhe dru kedri.

12 Oborri i madh kishte rreth e qark tri radhë gurësh të latuar dhe një radhë trarësh prej kedri, ashtu si oborri i brendshëm i shtëpisë të Zotit dhe si portiku i tempullit.

13 Mbreti Salomon solli nga Tiro Hiramin,

14 birin e një të veje nga fisi i Neftalit; i ati ishte nga Tiro dhe punonte bronzin; ishte tërë dituri, zgjuarsi dhe shkathtësi për të kryer çdo punim bronzi. Ai vajti te mbreti Salomon dhe kreu të gjitha punimet që i caktuan.

15 Derdhi dy shtylla prej bronzi. Secila kishte një lartësi prej tetëmbëdhjetë kubitësh dhe një rreth prej dymbëdhjetë kubitësh.

16 Bëri edhe dy kapitele prej bronzi të derdhur për t’i vënë në majë të shtyllave; një kapitel ishte i lartë pesë kubitë dhe pesë kubitë ishte gjithashtu lartësia e kapitelit të dytë.

17 Pastaj bëri një rrjetëz me kurora në formë të zinxhirësh për kapitelet që ishin në majë të shtyllave, shtatë për një kapitel dhe shtatë për kapitelin tjetër.

18 Kështu bëri shtyllat e dy radhëve të shegës rreth e qark rrjetëzës, për të mbuluar kapitelet që ishin në majën e shtyllave; bëri të njëjtën gjë për secilin nga kapitelet.

19 Kapitelet që ishin në majë të shtyllave në portik kishin formën e zambakut dhe qenë katër kubitësh.

20 Përveç kësaj mbi kapitelet në majë të të dy kolonave, mbi pjesën e mysët afër rrjetëzës, kishte dyqind shegë të vëna me radhë rreth e qark.

21 Pastaj vendosi shtyllat në portikun e tempullit; vendosi shtyllën në të djathtë dhe e quajti Jakin, pastaj vendosi shtyllën në të majtë dhe e quajti Boaz.

22 Në majë të shtyllave kishte një punim në formë zambaku. Kështu mbaroi punimi i shtyllave.

23 Pastaj bëri detin me metal të shkrirë, në formë rrethore, që nga një buzë në buzën tjetër kishte një gjatësi prej dhjetë kubitësh; lartësia e tij ishte pesë kubitë dhe rrethi ishte tridhjetë kubitë.

24 Nën buzë dhe rreth e qark detit kishte kolokuintide zbukuruese, dhjetë në çdo kubit; kolokuintidet zbukuruese ishin vendosur në dy radhë dhe ishin bërë me derdhje.

25 Deti mbështetej mbi dymbëdhjetë qe, prej të cilëve tre shikonin nga veriu, tre nga perëndimi, tre nga jugu dhe tre nga lindja; deti ishte vënë mbi ta dhe pjesët e tyre të prapme ishin të kthyera nga brenda.

26 Ai kishte trashësinë e një pëllëmbe; buza e tij ishte si buza e një kupe, si lulja e një zambaku: ai përmbante dy mijë bate.

27 Bëri gjithashtu dhjetë qerrëza prej bronzi, secila e gjatë katër kubitë, e gjerë katër kubitë dhe e lartë tre kubitë,

28 qerrëzat ishin ndërtuar si vijon: kishin panele anësore dhe këto mbylleshin me anë të kornizave.

29 Mbi panelet, që ishin midis kornizave, ishin përfytyruar luanë, qe dhe kerubinë. Mbi kornizat mbështetej një piedestal, ndërsa sipër dhe poshtë luanëve dhe qeve kishte kurora në formë vargjesh zbukurues.

30 Çdo qerre e vogël kishte katër rrota prej bronzi me boshtet gjithashtu prej bronzi; katër këmbët e tyre kishin disa spaleta poshtë vazos, dhe spaletat ishin bërë me derdhje, me kurora në anët e secilës prej tyre.

31 Hapja e saj, në pjesën e brendshme të kurorës dhe në pjesën e saj të lartë, ishte e rrumbullakët; ishte e thellë një kubit, kishte formën e një piedestali dhe një diametër prej një kubit e gjysmë; edhe rreth hapjes kishte skulptura, por panelet ishin katrorë dhe jo të rrumbullakët.

32 Katër rrotat ishin nën panelet dhe boshtet e rrotave ishin fiksuar në bazë. Lartësia e çdo rrote ishte një kubit e gjysmë.

33 Punimi i rrotave ishte si ai i një qerreje. Boshtet, rrathët, rrezet dhe bucelat ishin të gjitha prej bronzi të derdhur.

34 Në të katër qoshet e çdo qerreje kishte katër spaleta, që përbënin një të tërë me vetë qerren.

35 Në majë të qerres kishte një mbajtëse të rrumbullakët, e cila ishte gjysmë kubit e lartë; dhe në majë të qerres, kornizat dhe panelet e saj përbënin një tërësi me të.

36 Mbi sipërfaqen e kornizave dhe të paneleve të saj, Hirami gdhendi kerubinë, luanë dhe palma, sipas hapësirave të lira, dhe kurora rreth e qark.

37 Kështu ai veproi me të dhjetë qerret, që u derdhën të gjitha njëlloj me po ato madhësi dhe po atë formë.