Bible in 90 Days
27 Vitin e pesëdhjetedytë të Azariahut, mbretit të Judës, Pekahu, bir i Remaliahut, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari, dhe mbretëroi njëzet vjet.
28 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate.
29 Në kohën e Pekahiahut, mbretit të Izraelit erdhi Tiglath-Pileseri, mbret i Asirisë, dhe pushtoi Ijonin, Abel-Keth-Maakahun, Janoahun, Kedeshin, Hatsorin, Galaadin, Galilenë dhe tërë vendin e Neftalit; dhe i internoi tërë banorët e tyre në Asiri.
30 Pastaj Hosea, bir i Elahut, kurdisi një komplot kundër Pekahut, birit të Remaliahut, e goditi dhe e vrau; kështu mbretëroi në vendin e tij, vitin e njëzetë të mbretërimit të Jothamit, birit të Uziahut.
31 Pjesa tjetër e bëmave të Pekahut dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?
32 Vitin e dytë të mbretërisë së Pekahut, birit të Remaliahut, mbret i Izraelit, filloi të mbretërojë Jothami, bir i Uziahut, mbret i Judës.
33 Kur filloi të mbretërojë ishte njëzet e pesë vjeç, dhe mbajti fronin gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jerusha; ishte bijë e Tsadokut.
34 Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit; ashtu si kishte vepruar Uziahu, i ati.
35 Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën nga vendi; populli vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta. Ai ndërtoi portën e sipërme të shtëpisë të Zotit.
36 Pjesa tjetër e bëmave të Jothmit dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
37 Në atë kohë Zoti dërgoi kundër Judës, Retsinin, mbretin e Sirisë dhe Pekahun, birin e Remaliahut.
38 Kështu Jothamin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros me ta në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashazi.
16 Në vitin e shtatëmbëdhjetë të Pekahiahut, birit të Remaliahut, filloi të mbretërojë Ashazi, biri i Jothamit, mbret i Judës.
2 Kur filloi të mbretërojë, Ashazi ishte njëzet vjeç dhe qëndroi në fron gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. Ai nuk bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si kishte bërë Davidi, ati i tij;
3 por ndoqi rrugën e mbretërve të Izraelit dhe bëri madje të kalojë nëpër zjarr edhe të birin, sipas riteve të neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar para bijve të Izraelit;
4 përveç kësaj bënte flijime dhe digjte temjan në vendet e larta, në kodrat dhe poshtë drurëve që gjelbëronin.
5 Atëherë Retsini, mbret i Sirisë, dhe Pekahu, bir i Remaliahut, dolën për të luftuar kundër Jeruzalemit; rrethuan aty Ashazin, por nuk arritën ta mundin.
6 Në atë kohë Retsini, mbret i Sirisë, ripushtoi Elathin dhe përzuri Judenjtë nga Elathi; kështu Sirët hynë në Elath dhe kanë mbetur atje deri ditën e sotme.
7 Ashazi i dërgoi lajmëtarë Tiglath-Pileserit, mbretit të Asirëve, për t’i thënë: "Unë jam shërbëtori dhe biri yt; dil dhe më çliro nga duart e mbretit të Sirisë dhe të mbretit të Izraelit, që janë ngritur kundër meje".
8 Ashazi mori pastaj argjendin dhe arin që ndodhej në shtëpinë e Zotit dhe në thesaret e pallatit mbretëror dhe ia dërgoi si dhuratë mbretit të Asirisë.
9 Atëherë mbreti i Asirisë e dëgjoi; pastaj mbreti i Asirisë doli kundër Damaskut, e pushtoi dhe internoi banorët e tij në Kir, dhe vrau Retsinin.
10 Atëherë mbreti Ashaz shkoi në Damask për të takuar Tiglath-Peleserin, mbretin e Asirisë; pasi pa altarin që ishte në Damask, mbreti Ashaz i dërgoi priftit Uria vizatimin dhe modelin e altarit, me gjitha hollësitë për ndërtimin e tij.
11 Kështu prifti Uria ndërtoi një altar, sipas porosive që mbreti Ashaz i kishte dërguar nga Damasku; prifti Uria e ndërtoi para se mbreti Ashaz të kthehej nga Damasku.
12 Kur u kthye nga Damasku, mbreti pa altarin; pastaj mbreti iu afrua altarit dhe ofroi flijime mbi të.
13 Pastaj dogji mbi të olokaustin e tij dhe ofertën e tij ushqimore, derdhi libacionin e tij dhe spërkati mbi altarin gjakun e flijimeve të tij të falenderimit.
14 Sa për altarin prej bronzi që ishte përballë Zotit, e hoqi nga vendi i tij përballë tempullit midis altarit dhe shtëpisë të Zotit dhe e vendosi në veri të altarit.
15 Pastaj mbreti Ashaz urdhëroi priftin Uria dhe i tha: "Bëj që të tymoset mbi altar olokausti i madh i mëngjesit dhe blatimi ushqimor i mbrëmjes, olokausti i mbretit dhe blatimi i tij ushqimor, olokaustet e tërë popullit të vendit dhe libacionet e tij; dhe do të spërkatë mbi to tërë gjakun e olokausteve dhe tërë gjakun e flijimeve; sa për altarin prej bronzi, do të merrem unë me të.
16 Kështu prifti Uria bëri tërë ato që mbreti Ashaz i kishte urdhëruar.
17 Mbreti Ashaz hoqi gjithashtu panelet nga qerret dhe enët e vogla, hoqi detin nga demat prej bronzi që e mbanin dhe e vendosi mbi një dysheme prej gurësh.
18 Për shkak të mbretit të Asirisë, ai hoqi portikun e së shtunës, që kishin ndërtuar në tempull, edhe nga shtëpia e Zotit hoqi gjithashtu hyrjen e jashtme të mbretit.
19 Pjesa tjetër e bëmave të kryera nga Ashazi a nuk është vallë e shkruar në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
20 Kështu Ashazin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ezekia.
17 Në vitin e dymbëdhjetë të Ashazit, mbretit të Judës, Hosea, bir i Elahut, filloi të mbretërojë mbi Izraelin dhe e mbajti fronin nëntë vjet.
2 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, por jo si mbretërit e Izraelit që qenë para tij.
3 Shalmaneseri, mbret i Asirisë, doli kundër tij; Hosea u bë kështu shërbëtor i tij dhe i paguante një haraç.
4 Por mbreti i Asirisë zbuloi një komplot te Hosea, sepse ky kishte dërguar lajmëtarë te So, mbret i Egjiptit dhe nuk i sillte më haraçin mbretit të Asirisë, siç bënte zakonisht çdo vit. Prandaj mbreti i Asirisë e futi në burg dhe e mbante të lidhur.
5 Pastaj mbreti i Asirisë pushtoi tërë vendin, doli kundër Samarisë dhe e rrethoi gjatë tre vjetve.
6 Në vitin e nëntë të Hoseas, mbreti i Asirisë pushtoi Samarinë, i shpërnguli Izraelitët në Asiri dhe i vendosi në Halah dhe mbi Haborin, lumë i Gozanit, si dhe në qytetet e Medit.
7 Kjo ndodhi sepse bijtë e Izraelit kishin kryer mëkate kundër Zotit, Perëndisë të tyre, që i kishte nxjerrë nga vendi i Egjiptit duke i çliruar nga pushteti i Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe kishin nderuar perëndi të tjera;
8 kështu ata kishin ndjekur zakonet e kombeve që Zoti i kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit dhe ato të futura nga mbretërit e Izraelit.
9 Bijtë e Izraelit kishin kryer gjithashtu në mënyrë të fshehtë kundër Zotit, Perëndisë të tyre, gjëra jo të drejta dhe kishin ndërtuar vende të larta në të gjitha qytetet e tyre, nga kullat e rojes deri në qytetet e fortifikuara.
10 Kishin ndërtuar për veten e tyre shtylla të shenjta dhe Asherime mbi çdo kodër të lartë dhe poshtë çdo druri gjelbërues;
11 dhe aty, në tërë vendet e larta, kishin djegur temjan, ashtu si kishin bërë kombet që Zoti kishte dëbuar përpara tyre, dhe kishin kryer veprime të liga, duke shkaktuar zemrimin e Zotit;
12 u kishin shërbyer gjithashtu idhujve, për të cilët Zoti u pat thënë: Mos bëni një gjë të tillë!!".
13 Megjithatë Zoti e kishte paralajmëruar Izraelin dhe Judën me anë të të gjithë profetëve dhe të shikuesve, duke thënë: "Kthehuni prapa nga rrugët tuaja të këqija dhe respektoni urdhërimet dhe statutet e mia, sipas tërë ligjit që u caktova etërve tuaj dhe që ju dërgova me anë të shërbëtorëve të mi, profetëve".
14 Por ata nuk dëgjuan çfarë thuhej dhe u bënë edhe më kokëfortë, si kishin vepruar etërit e tyre, që nuk patën besim tek Zoti, Perëndia i tyre.
15 Dhe hodhën poshtë statutet dhe besëlidhjen që ai kishte lidhur me etërit e tyre dhe paralajmërimet që u kishte dhënë. Prandaj ndoqën gjëra të kota duke u bërë ata vetë mendjelehtë dhe shkuan pas kombeve që i rrethonin, që Zoti i kishte ndaluar t’i imitonin.
16 Kështu ata braktisën tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tyre; bënë dy viça prej metali të shkrirë, bënë një Asherah, adhuruan tërë ushtrinë e qiellit dhe u vunë në shërbim të Baalit;
17 kaluan nëpër zjarr bijtë dhe bijat e tyre, praktikuan shortarinë, interpretuan shenjat e këqija dhe bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij.
18 Prandaj Zoti u zemërua shumë me Izraelin dhe e largoi nga prania e tij; mbeti vetëm fisi i Judës.
19 As Juda nuk i respektoi urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tij, por ndoqi zakonet e futura nga Izraeli.
20 Prandaj Zoti hodhi poshtë tërë fisin e Izraelit, i poshtëroi dhe i braktisi në duart e cubave, deri sa i përzuri nga prania e tij.
21 Kur ai e shkëputi Izraelin nga shtëpia e Davidit, ata shpallën mbret Jeroboamin, birin e Nebatit; pastaj Jeroboami e shmangu Izraelin nga rruga e Zotit dhe e bëri të kryente një mëkat të madh.
22 Kështu bijtë e Izraelit ndoqën tërë mëkatet e kryera prej Jeroboamit dhe nuk u larguan prej tyre,
23 deri sa Zoti e largoi Izraelin nga prania e tij, ashtu si kishte thënë me anë të tërë profetëve të tij, shërbëtorëve të tij; dhe Izraeli u shpërngul kështu me dhunë në vendin e Asirisë, ku ndodhet sot e kësaj dite.
24 Pastaj mbreti i Asirisë solli njerëz nga Babilonia, nga Kuthahu, nga Ava, nga Hamathi dhe nga Sefarvaimi dhe i vendosi në qytetet e Samarisë në vend të bijve të Izraelit; kështu ata futën në dorë Samarinë dhe banuan në qytetet e saj.
25 Por në fillim të ngulimit të tyre atje, ata nuk kishin frikë nga Zoti; prandaj Zoti dërgoi në mes të tyre, disa luanë, të cilët vranë disa banorë.
26 Atëherë i thanë mbretit të Asirisë: "Njerëzit që ti i ke kaluar dhe vendosur në Samari nuk njohin ligjin e Perëndisë të vendit; prandaj ai ka dërguar në mes tyre luanë që i vrasin ata, sepse nuk njohin ligjin e Perëndisë të vendit".
27 Atëherë mbreti i Asirisë dha këtë urdhër, duke thënë: "Bëni që të kthehet një nga priftërinjtë që keni internuar që andej; ai të shkojë të vendoset pranë tyre dhe t’u mësoj ligjin e Perëndisë të vendit".
28 Kështu një nga priftërinjtë, që ishin internuar nga Samaria, shkoi dhe u vendos në Bethel dhe u mësoi atyre si duhet t’i druheshin Zotit.
29 Megjithatë, tërë këto kombe vazhduan të bëjnë perënditë e tyre dhe i vendosën në tempujt e vendeve të larta që kishin ndërtuar Samaritanët, çdo komb në qytetin ku banonte.
30 Ata të Babilonisë bënë Sukoth-Benothin, ata të Kuthit Nergalin, ata të Hamathit Ashiman;
31 ata të Avas bënë Nibhazin dhe Tartakun; dhe ata të Sefarvaimit i digjnin bijtë e tyre për nder të Adramelekut dhe të Anamelekut, perëndi të Sefarvaimit.
32 Ata kishin frikë nga Zoti, por zgjodhën priftërinj të vendeve të larta të ardhur nga çdo klasë dhe që ofronin flijime për ta në tempujt e vendeve të larta.
33 Kështu ata kishin frikë nga Zoti dhe u shërbenin perëndive të tyre, sipas zakoneve të kombeve nga të cilat qenë shpërngulur.
34 Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të ndjekin zakonet e vjetra; nuk kanë frikë nga Zoti dhe nuk veprojnë sipas statuteve dhe urdhërimeve të tij dhe as sipas ligjeve dhe urdhërimeve që Zoti u kishte dhënë bijve të Jakobit, të quajtur prej tij Izrael.
35 Me ta në fakt Zoti kishte vendosur dhe u kishte urdhëruar: "Mos kini frikë nga perëndi të tjera, mos bini përmbys para tyre, mos u shërbeni dhe mos u ofroni flijime,
36 por kini frikë nga Zoti, që ju bëri të dilni nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me krahun e tij të shtrirë; para tij bini përmbys dhe atij i ofroni flijime.
37 Kini kujdes të zbatoni gjithnjë statutet, dekretet, ligjin dhe urdhërimet që ai shkroi për ju; por mos kini frikë nga perënditë e tjera.
38 Mos harroni besëlidhjen që kam lidhur me ju dhe mos kini frikë nga perëndi të tjera;
39 por kini frikë nga Zoti, Perëndia juaj, dhe ai do t’ju çlirojë nga duart e tërë armiqve tuaj".
40 Por ata nuk e dëgjuan dhe vazhduan përkundrazi të ndjekin zakonet e tyre të lashta.
41 Kështu këto kombe kishin frikë nga Zoti dhe u shërbenin idhujve të tyre. Edhe bijtë e tyre dhe bijtë e bijve të tyre kanë vazhduar të veprojnë deri më sot siç kanë vepruar etërit e tyre.
18 Në vitin e tretë të Hoseas, birit të Elahut, mbret i Izraelit, filloi të mbretërojë Ezekia, bir i Ashazit, mbret i Judës.
2 Ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Abi; ishte bijë e Zakarias.
3 Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit, sipas tërë atyre që kishte bërë Davidi, ati i tij.
4 I hoqi nga vendi vendet e larta, bëri copë-copë shtyllat e shenjta, rëzoi Asherahun dhe bëri copë-copë gjarpërin prej bronzi që e pat bërë Moisiu, sepse deri në atë kohë bijtë e Izraelit i kishin ofruar temjan dhe e quajti Nehushtan.
5 Ai pati besim tek Zoti, Perëndia i Izraelit; dhe mbas tij, midis tërë mbretërve të Judës, nuk pati asnjë si ai, as edhe midis atyre që kishin qenë para tij.
6 Mbeti i lidhur me Zotin, nuk pushoi së ndjekuri gjurmët e tij dhe respektoi urdhërimet që Zoti i kishte dhënë Moisiut.
7 Kështu Zoti mbeti pranë tij, dhe atij i dilnin mbarë të gjitha ndërmarrjet e tij. Ngriti krye kundër mbretit të Asirisë dhe nuk iu nënshtrua më;
8 mundi Filistejtë deri në Gaza dhe aty ku arrinte territori i tyre, nga kulla e rojes deri në qytetin e fortifikuar.
9 Vitin e katërt të mbretit Ezekia, që ishte viti i shtatë i Hoseas, birit të Elahut, mbret i Izraelit, Shalmaneseri, mbret i Asirisë, doli kundër Samarisë dhe e rrethoi.
10 Dhe pas tre vjetve e pushtoi; vitin e gjashtë të Ezekias, që ishte viti i nëntë i Hoseut, mbretit të Izraelit, Samaria u pushtua me forcë.
11 Mbreti i Asirisë i shpërnguli pastaj Izraelitët në Asiri dhe i vendosi në Halah dhe mbi Haborin, lumë i Gozanit, dhe në qytetet e Medasve,
12 sepse nuk i ishin bindur zërit të Zotit, Perëndisë të tyre, dhe kishin shkelur besëlidhjen e tij; tërë ato që Moisiu, shërbëtor i Zotit, kishte urdhëruar ata as e kishin dëgjuar, as e kishin vënë në praktikë.
13 Vitin e katërmbëdhjetë të mbretit Ezekia, Senasheribi, mbret i Asirisë, doli kundër tërë qyteteve të fortifikuara të Judës dhe i pushtoi.
14 Atëherë Ezekia, mbret i Judës, dërgoi t’i thotë mbretit të Asirisë në Lakish: "Kam mëkatuar; tërhiqu prej meje dhe kam për të pranuar të gjitha ato që do të më caktosh". Mbreti i Asirisë i caktoi Ezekias, mbretit të Judës, treqind talenta argjendi dhe tridhjetë talenta ari.
15 Kështu Ezekia dha tërë argjendin që gjendej në shtëpinë e Zotit dhe në thesaret e pallatit të mbretit.
16 Në atë kohë Ezekia hoqi nga portat e tempullit të Zotit dhe nga shtalkat arin me të cilin Ezekia, mbret i Judës, i kishte veshur dhe ia dha mbretit të Asirisë.
17 Atëherë mbreti i Asirisë i dërgoi Ezekias, nga Lakishi në Jeruzalem, Tartanin, Rabsarisin dhe Rabshakehun me një ushtri të madhe. Ata dolën dhe arritën në Jeruzalem. Kur arritën në Jeruzalem, shkuan e u ndalën pranë ujësjellësit të pellgut të epërm, që është në rrugën e fushës së rrobalarësit.
18 Kur thërritën mbretin, u ndalën përballë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekti i pallatit, Shebna, sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti.
19 Atëherë Rabshakehu u tha atyre: "Shkoni t’i thoni Ezekias: Kështu thotë i madhi, mbret i Asirisë: Ku e gjen gjithë këtë besim?
20 A mendon vallë që këshilla dhe forca për të bërë luftë janë vetëm fjalë të kota? Te kush ke besim kur ke ngritur krye kundër meje?
21 Ja tani, ti ke besim në përkrahjen e këtij kallami të thyer, që është Egjipti, që çan dorën e atij që mbështetet në të dhe e shpon. I tillë është pikërisht Faraoni, mbreti i Egjiptit, për tërë ata që kanë besim tek ai.
22 Ndofta do të më thoni: "Ne kemi besim tek Zoti, Perëndia ynë". A nuk është, vallë, po ai për të cilin Ezekia ka hequr vendet e larta dhe altarët, duke i thënë Judës dhe Jeruzalemit: "Ju do të adhuroni vetëm përpara këtij altari në Jeruzalem"?
23 Tani vër një bast me zotërinë tim, mbretin e Asirisë! Unë do të jap dy mijë kuaj, në rast se ti je në gjendje të gjesh kalorësit që u hipin.
24 Si mund ta bësh të tërhiqet qoftë edhe një kapiten të vetëm midis shërbëtorëve më të vegjël të zotërisë sime? Megjithatë ke besim tek Egjipti për të pasur qerre dhe kalorës.
25 Tani, a kam dalë, vallë, pa Zotin kundër këtij vendi për ta shkatërruar? Zoti më ka thënë: "Dil kundër këtij vendi dhe shkatërroje".
26 Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, Shebna dhe Joashi i thanë Rabshakehut: "Të lutem, folu shërbëtorëve të tu në gjuhën aramaike, se ne e kuptojmë; por mos na fol në gjuhën hebraike, sepse populli që është mbi muret dëgjon".
27 Por Rabshakehu iu përgjigj atyre në këtë mënyrë: "A më ka dërguar vallë zotëria im t’i them këto gjëra zotërisë sate dhe ty, apo më tepër njerëzve që qëndrojnë mbi muret, të dënuar të hanë jashtëqitjet e tyre dhe të pinë shurrën e tyre bashkë me ju?".
28 Atëherë Rabshakehu u ngrit dhe bërtiti me zë të lartë në gjuhën hebraishte, duke thënë: "Dëgjoni fjalën e të madhit, mbretit të Asirisë!
29 Kështu thotë mbreti: "Mos u mashtroni nga Ezekia, sepse ai nuk mund t’ju shpëtojë nga duart e mia;
30 të mos ju shtyjë Ezekia të keni besim tek Zoti, duke thënë: Me siguri Zoti do të na çlirojë dhe ky qytet nuk do t’i dorëzohet mbretit të Asirisë".
31 Mos dëgjoni Ezekian, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: "Bëni paqe me mua dhe dorëzohuni në duart e mia, kështu secili do të hajë frutat e vreshtit dhe të fikut të tij dhe do të pijë ujin e sternës së tij,
32 deri sa të vijë unë dhe t’ju çoj në një vend të ngjashëm me vendin tuaj, një vend që jep grurë dhe verë, një vend që ka bukë dhe vreshta, një vend me ullinj, vaj dhe mjaltë; dhe ju do të jetoni dhe nuk do të vdisni". Mos dëgjoni fjalët e Ezekias, që kërkon t’ju mashtrojë, duke thënë: "Zoti do të na çlirojë".
33 A ka çliruar ndonjë prej perëndive të fiseve vendin e tij nga duart e mbretit të Asirisë?
34 Ku janë perënditë e Hamathit dhe të Arpadit? Ku janë perënditë e Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut? E kanë çliruar ata vallë Samarinë nga duart e mia?
35 Kush midis tërë perëndive të këtyre vendeve ka çliruar vendin e tij nga duart e mia, që Zoti të çlirojë Jeruzalemin nga duart e mia?".
36 Por populli heshti dhe nuk u përgjigj as edhe një fjalë, sepse urdhri i mbretit ishte: "Mos i jepni përgjigje".
37 Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekt i pallatit, Shebna, sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti, shkuan tek Ezekia me rroba të grisura dhe i referuan fjalët e Rabshekahut.
19 Kur mbreti Ezekia dëgjoi këto gjëra, grisi rrobat e tij, u mbulua me një thes dhe hyri në shtëpinë e Zotit.
2 Pastaj dërgoi Eliakimin, prefektin e pallatit, Shebnan, sekretarin, dhe pleqtë e priftërinjve, të mbuluar me thasë, te profeti Isaia, bir i Amotsit.
3 Ata i thanë: "Kështu thotë Ezekia: "Kjo është një ditë ankthi, ndëshkimesh dhe turpi, sepse bijtë janë duke lindur, por nuk ka forcë për t’i pjellë.
4 Ndofta Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar tërë fjalët e Rabshakehut, që mbreti i Asirisë, zotëria e tij, ka dërguar për të fyer Perëndinë e gjallë, dhe do ta dënojë për shkak të fjalëve që Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar. Larto, pra, një lutje për atë që mbetet akoma"".
5 Kështu shërbëtorët e mbretit Ezekia shkuan tek Isaia.
6 Dhe Isaia u tha atyre: "Këtë do t’i thoni zotërisë suaj: Kështu thotë Zoti: "Mos u tremb nga fjalët që dëgjove, me të cilat shërbëtorët e mbretit të Asirisë më kanë fyer.
7 Ja, unë do të dërgoj mbi të një frymë dhe sa të dëgjojë ndonjë lajm, do të kthehet në vendin e tij; dhe në vendin e tij unë do ta bëj që të bjerë nga shpata"".
8 Kështu Rabshakehu u kthye dhe e gjeti mbretin e Asirisë që rrethonte Libnahun, sepse kishte mësuar që ai qe nisur nga Lakishi.
9 Por ai mori lajme nga Tirhakahu, mbret i Etiopisë, të cilat thonin: "Ja, ai lëvizi për të luftuar kundër teje". Atëherë i dërgoi përsëri lajmëtarë Ezekias, duke i thënë:
10 "Do t’i flisni kështu Ezekias, mbretit të Judës, duke i thënë: "Mos e lër që Perëndia yt, tek i cili ke besim, të të mashtrojë duke thënë: Jeruzalemi nuk do të jepet në duart e mbretit të Asirisë.
11 Ja, ti ke dëgjuar atë që mbretërit e Asirisë u kanë bërë tërë vendeve, duke vendosur shkatërrimin e tyre. A do të shpëtoje ti vetëm?
12 A i kanë çliruar, vallë perënditë e kombeve ata që etërit e mi kanë shkatërruar: Gozanin, Haranin, Retsefin dhe bijtë e Edenit që ishin në Telasar?
13 Ku janë mbreti i Hamathit, mbret i Arpadit dhe mbreti i qytetit të Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut?".
14 Ezekia e mori letrën nga duart e lajmëtarëve dhe e lexoi; pastaj shkoi në shtëpinë e Zotit dhe e shtriu para Zotit.
15 Pastaj Ezekia filloi të lutet para Zotit duke thënë: "O Zot, Perëndia i Izraelit, që ulesh mbi kerubinët, ti je Perëndia, i vetmi, i të tëra mbretërive të tokës. Ti ke bërë qiejtë dhe tokën.
16 Vër veshin, o Zot, dhe dëgjo; hap sytë, o Zot, dhe shiko! Dëgjo fjalët e Senakeribit, që ka dërguar këtë njeri për të fyer Perëndinë e gjallë!
17 Éshtë e vërtetë, o Zot, që mbretërit e Asirisë kanë shkatërruar kombet dhe vendet e larta,
18 kanë hedhur në zjarr perënditë e tyre, sepse ato ishin perëndi, por vepër e duarve të njerëzve, dru dhe gur; prandaj i shkatërruan.
19 Por tani, o Zot, na shpëto, të lutem, nga duart e tij, me qëllim që tërë mbretëritë e tokës të dinë që ti vetëm, o Zot, je Perëndia".
20 Atëherë Isaia, bir i Amotsit, dërgoi t’i thotë Ezekias: "Kështu flet Zoti, Perëndi i Izraelit: "Dëgjova lutjen që ti me drejtove për Senakeribin, mbretin e Asirisë.
21 Kjo është fjala që Zoti ka shqiptuar kundër atij: Bija e virgjër e Sionit të përbuz dhe tallet me ty; bija e Jeruzalemit tund kokën prapa teje.
22 Cilin ke fyer dhe poshtëruar? Kundër kujt ke ngritur zërin dhe sytë me arogancë? Kundër të Shenjtit të Izraelit!
23 Me anë të lajmëtarëve të tu ke fyer Zotin dhe ke thënë: "Me morinë e qerreve të mia kam hipur në majë të maleve në skutat e Libanit. Do të rrëzoj kedrat e tij më të larta dhe qiparisat e tij më të bukur; do të arrij në strehimin e tij më të thellë, në pjesën më të harlisur të pyllit.
24 Unë kam gërmuar dhe kam pirë ujëra të huaja; me shputën e këmbëve të mia kam tharë tërë lumenjtë e Egjiptit".
25 A nuk ke dëgjuar, vallë, që prej një kohe të gjatë kam përgatitur këtë gjë dhe prej kohërave të lashta e kam hartuar planin? Dhe tani e solla punën që të ndodhë kjo: që ti t’i katandisësh në një grumbull gërmadhash qytetet e fortifikuara.
26 Prandaj banorët e tyre të cilëve u mungonte forca, ishin tmerruar dhe e kishin humbur torruan; ishin si bari i fushave, si bari i blertë, si bari mbi çatitë, që digjet para se të rritet.
27 Por unë e di se si ulesh, si del dhe si hyn dhe bile tërbimin tënd kundër meje.
28 Me qenë se tërbimi yt kundër meje dhe arroganca jote kanë arritur në veshët e mi, do të të vë unazën time në fejzat e hundës, frerin tim te goja, dhe do të të kthej në rrugën nëpër të cilën ke ardhur".
29 Kjo ka për të qenë shenja për ty: Sivjet do të hani atë që rritet vetë, vitin e dytë atë që prodhon ai; por vitin e tretë do të mbillni dhe do të korrni, do të mbillni vreshta dhe do të hani frytin e tyre.
30 Pjesa tjetër e bëmave e shtëpisë së Judës që do të shpëtojë, ka për të vazhduar të lëshojë rrënjë poshtë dhe të prodhojë fryte lart.
31 Sepse nga Jeruzalemi ka për të dalë një pakicë dhe nga mali i Sionit ata që kanë shpëtuar. Zelli i Zotit të ushtrive do ta bëjë këtë.
32 Prandaj kështu thotë Zoti për mbretin e Asirisë: "Ai nuk ka për të hyrë në këtë qytet as ka për të hedhur shigjeta, nuk ka për t’i dalë përpara me mburoja as ka për të ndërtuar ndonjë ledh kundër tij.
33 Ai do të kthehet nëpër rrugën që ndoqi kur erdhi dhe nuk ka për të hyrë në këtë qytet, thotë Zoti.
34 Unë do ta mbroj këtë qytet për ta shpëtuar, për dashurinë që kam ndaj vetes dhe për dashurinë e Davidit, shërbëtorit tim".
35 Atë natë ndodhi që engjëlli i Zotit doli dhe vrau në kampin e Asirëve njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë njerëz; kur njerëzit u ngritën në mëngjes, ja të gjithë ishin bërë kufoma.
36 Atëherë Senakeribi, mbret i Asirisë, ngriti çadrat, u nis e u kthye në shtëpi, dhe mbeti në Ninivë.
37 Dhe ndodhi që, ndërsa ai po adhuronte në shtëpinë e perëndisë së tij Nisrok, bijtë e tij Adrameleku dhe Sharetseri e vranë me goditje të shpatës; pastaj u strehuan në vendin e Araratit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Esarhadoni.
20 Në ato ditë Ezekia u sëmur për vdekje. Atëherë profeti Isaia, bir i Amotsit, shkoi tek ai dhe i tha: "Kështu flet Zoti: "Rregullo shtëpinë tënde, sepse ke për të vdekur dhe nuk ke për t’u shëruar"".
2 Atëherë ai ktheu fytyrën nga muri dhe iu lut Zotit, duke thënë:
3 "Të lutem shumë, o Zot, mos harro si kam ecur para teje me besnikëri dhe me zemër të pastër, duke bërë atë që është e mirë për sytë e tu". Pastaj Ezekia shpërtheu në vaj.
4 Isaia nuk kishte arritur akoma në oborrin qendror, kur fjala e Zotit iu drejtua, duke i thënë:
5 "Kthehu prapa dhe i thuaj Ezekias, princit të popullit tim: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Davidit, atit tënd: Kam dëgjuar lutjen tënde dhe kam parë lotët e tu; ja, unë po të shëroj; ditën e tretë do të ngjitesh në shtëpinë e Zotit.
6 Do t’i shtoj pesëmbëdhjetë vjet jetës sate, do të të çliroj ty dhe këtë qytet nga duart e mbretit të Asirisë dhe do ta mbroj këtë qytet për dashurinë që kam ndaj vetes dhe ndaj Davidit, shërbëtorit tim"".
7 Pastaj Isaia tha: "Merrni një jaki fiqsh". Kështu ata e morën dhe e vunë mbi ulçerën, dhe mbreti u shërua.
8 Por Ezekia i tha Isait: Cila është shenja që Zoti do të më shërojë dhe që ditën e tretë do të ngjitem në shtëpinë e Zotit?".
9 Atëherë Isaia iu përgjigj: "Kjo është për ty shenja nga ana e Zotit që Zoti do të plotësojë atë që ka thënë: A dëshiron që hieja të shkojë përpara dhjetë shkallëza ose të kthehet prapa dhjetë shkallëza?".
10 Ezekia u përgjigj: "Éshtë lehtë për hijen të shkojë përpara dhjetë shkallëza. Jo! Më mirë hieja të shkojë prapa dhjetë shkallëza".
11 Atëherë profeti Isai kërkoi ndihmën e Zotit, që bëri hijen të kthehej prapa dhjetë shkallëzat që i kishte zënë në shkallën e Ashazit.
12 Në atë kohë Berodak-Baladani, bir i Baladanit, mbret i Babilonisë, i dërgoi letra dhe një dhuratë Ezekias, sepse kishte dëgjuar që Ezekia kishte qenë i sëmurë.
13 Ezekia priti në audiencë të dërguarit dhe u tregoi tërë shtëpinë e thesarit të tij: argjendin, arin, aromat, vajrat shumë të mira, arsenalin e tij dhe të gjitha gjërat që ndodheshin në magazinat e tij. Nuk pati asgjë në shtëpinë e tij dhe në të gjitha pronat e tij që Ezekia nuk ua tregoi atyre.
14 Atëherë profeti Isaia shkoi te mbreti Ezekia dhe i tha: "Çfarë thanë ata njerëz dhe nga kanë ardhur te ti?". Ezekia iu përgjigj: "Kanë ardhur nga një vend i largët, nga Babilonia".
15 Isaia i tha: "Çfarë kanë parë në shtëpinë tënde?". Ezekia u përgjigj: Kanë parë të gjitha ato që ka shtëpia ime; u tregova edhe ato gjëra që janëë në magazinat e mia".
16 Atëherë Isaiai i tha Ezekias: "Dëgjo fjalën e Zotit:
17 "Ja, do të vijnë ditët, kur tërë ato që ka shtëpia jote dhe tërë ato që etërit e tu kanë grumbulluar deri më sot, do të çohen në Babiloni; asgjë nuk do të lihet, thotë Zoti.
18 Përveç kësaj, disa nga bijtë e tu, që kanë dalë nga ti dhe që të kanë lindur, do të bëhen eunukë në pallatin e mbretit të Babilonisë"".
19 Ezekia iu përgjigj pastaj Isaias: "Fjala e Zotit që ti ke shqiptuar është e mirë". Në fakt ai mendonte: "A nuk është një gjë e bukur që të ketë paqe dhe siguri gjatë jetës sime?".
20 Pjesa tjetër e bëmave të Ezekias dhe të gjitha trimëritë e tij, ndërtimi i rezervuarit dhe i ujësjellësit, me anën e të cilëve pruri ujin në qytet, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
21 Pastaj Ezekian e zuri gjumi me etërit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Manasi.
21 Manasi ishte dymbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe e mbajti fronin pesëdhjetë e pesë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Eftsibah.
2 Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Zotit, sipas zakoneve të neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar para bijve të Izraelit.
3 Ai rindërtoi vende të larta që Ezekia, i ati, kishte shkatërruar; ngriti altarin e Baalit, bëri një Asherah ashtu si kishte bërë Ashabi, mbret i Izraelit; dhe adhuroi tërë ushtrinë e qiellit dhe u vu në shërbim të tij.
4 Ai ngriti gjithashtu altare në shtëpinë e Zotit, lidhur me të cilën Zoti kishte thënë: "Në Jeruzalem do të vë emrin tim".
5 I ngriti altare tërë ushtrisë së qiellit në dy oborret e shtëpisë të Zotit.
6 Kaloi edhe nëpër zjarr të birin, u muarr me magji dhe shortari dhe u këshillua me mediume dhe magjistarë. Bëri atë që është plotësisht e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij.
7 Vuri madje një shëmbëlltyrë të gdhendur të Asherahut, që kishte bërë, në tempull, lidhur me të cilin Zoti i kishte thënë Davidit dhe Salomonit, birit të tij: "Në këtë tempull dhe në Jeruzalem, që kam zgjedhur ndër gjithë fiset e Izraelit, do të vendos emrin tim përjetë;
8 dhe nuk do të bëj që këmba e Izraelit të endet larg vendit që u kam dhënë etërve të tyre, me kusht që ata të kujdesen të zbatojnë në praktikë atë që kam urdhëruar dhe gjithë ligjin që Moisiu, shërbëtori im, u ka urdhëruar".
9 Por ata nuk e dëgjuan dhe Manasi i shtyu të vepronin më keq se kombet që Zoti kishte shkatërruar para bijve të Izraelit.
10 Atëherë Zoti foli me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve, duke thënë:
11 "Meqenëse Manasi, mbret i Judës, ka kryer këto gjëra të neveritshme (ka bërë një të keqe më të madhe se ajo që kanë bërë Amorejtë, që ishin para tij, dhe me anë të idhujve të tij e ka bërë edhe Judën të kryejë mëkate),
12 kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do të sjell mbi Jeruzalemin dhe mbi Judën një fatkeqësi të tillë, sa që kushdo që ta dëgjojë do t’i tronditen veshët.
13 Do të zgjas mbi Jeruzalem rripin matës të Samarisë dhe plumbçen e shtëpisë së Ashabit, dhe do ta pastrojë Jeruzalemin si pastrohet një pjatë e cila, pasi të jetë pastruar, kthehet përmbys.
14 Kështu do të braktis mbetjen e trashëgimisë sime dhe do ta jap në duart e armiqve të tyre, dhe ata do të bëhen preja dhe plaçka e gjithë armiqve të tyre,
15 sepse kanë bërë atë që është e keqe në sytë e mi dhe kanë shkaktuar zemërimin tim nga dita që etërit e tyre dolën nga Egjipti e deri më sot".
16 Manasi derdhi gjithashtu shumë gjak të pafajshëm, duke e mbushur Jeruzalemin nga njeri skaj në tjetrin, përveç mëkatit të tij që e shtyu Judën të mëkatojë, duke bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit.
17 Pjesa tjetër e veprave të Manasit, tërë ato që kreu dhe mëkatet që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
18 Kështu Manasin e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën në kopshtin e pallatit të tij, në kopshtin e Uzas. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amoni.
19 Amoni ishte njëzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbajti fronin dy vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Meshulemeth, ishte e bija e Harutsit nga Jotbahu.
20 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si kishte vepruar i ati, Manasi.
21 Ndoqi plotësisht rrugën e ndjekur nga i ati, u shërbeu idhujve të cilëve u kishte shërbyer i ati dhe i adhuroi.
22 Braktisi Zotin, Perëndinë e etërve të tij, dhe nuk eci në rrugën e Zotit.
23 Shërbëtorët e Amonit kurdisën një komplot kundër tij dhe e vranë mbretin në pallatin e tij.
24 Por populli i vendit vrau tërë ata që kishin marrë pjesë në komplot kundër mbretit Amon dhe në vend të tij u bë mbret i biri, Josia.
25 Pjesa tjetër e bëmave të kryera nga Amoni a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretit të Judës?
26
22 Josia ishte tetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbajti fronin e tij tridhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jedidah, ishte e bija e Adajahut nga Botskathi.
2 Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit dhe vazhdoi tërësisht rrugën e Davidit, atit të tij, duke mos devijuar as më të djathtë as më të majtë.
3 Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretit Josia, mbreti dërgoi në shtëpinë e Zotit Shafanin, sekretarin, birin e Atsaliahut, që ishte bir i Meshulamit, duke thënë:
4 "Shko te kryeprifti Hilkiah dhe i thuaj që të mbledhë paratë që kanë sjellë në shtëpinë e Zotit dhe ato që derëtarët kanë mbedhur nga populli.
5 T’u jepet në dorë atyre që kryejnë punën, që u është besuar mbikqyrja e shtëpisë të Zotit; dhe këta t’ua japin punëtorëve që ndodhen në shtëpinë e Zotit për të meremetuar dëmtimet e tempullit;
6 marangozave, ndërtuesve dhe muratorëve, për të blerë lëndën e drurit dhe gurë të latuar, të cilat nevojiten për të ndrequr tempullin.
7 Por mos kërkoni fare llogari për paratë e dorëzuara në duart e tyre, sepse ata veprojnë me ndershmëri".
8 Atëherë kryeprifti Hilkiah i tha Shafanit, sekretarit: "Gjeta në shtëpinë e Zotit librin e ligjit". Hilkiahu ia dha pastaj librin Shafanit që e lexoi.
9 Kështu Shafani, sekretari, shkoi te mbreti për t’i njoftuar ngjarjen, duke i thënë: "Shërbëtorët e tu kanë mbledhur paratë e gjetura në tempull dhe i kanë dorëzuar në duart e atyre që bëjnë punën, të cilëve u është besuar mbikqyrja e shtëpisë të Zotit".
10 Shafani, sekretari, i tha gjithashtu mbretit: "Prifti Hilkiah më ka dhënë një libër". Dhe Shafani e lexoi në prani të mbretit.
11 Kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, ai grisi rrobat e tij.
12 Pastaj mbreti urdhëroi priftin Hilkiah, Ahikamin, birin e Shafanit, Agborin, birin e Mikajahut, Shafanin, sekretarin, dhe Asajahun, shërbëtorin e mbretit:
13 "Shkoni dhe konsultohuni me Zotin për mua për popullin dhe për tërë Judën, lidhur me fjalët e këtij libri që u gjet; sepse i madh është zemërimi i Zotit kundër nesh, sepse etërit tanë nuk iu bindën fjalëve të këtij libri dhe nuk kanë vepruar në përshtatje me të gjitha ato që janë shkruar për ne".
14 Atëherë prifti Hilkiah, Ahikami, Akbori, Shafani dhe Asajahu shkuan te profetesha Huldah, bashkëshorte e Shalumit të Tikvahut, që ishte i biri i Harahsit, ruajtësit të rrobave, (ajo banonte në Jeruzalem, në lagjen e dytë) dhe folën me të.
15 Ajo u përgjigj: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: njoftojani atij që ju dërgoi tek unë:
16 "Kështu thotë Zoti: Ja, unë do të sjell një fatkeqësi mbi këtë vend dhe mbi banorët e tij, tërë fjalët e librit që mbreti i Judës ka lexuar,
17 sepse ata më kanë braktisur dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera për të më zemëruar me të gjitha veprat e duarve të tyre. Prandaj zemërimi im u ndez kundër këtij vendi dhe nuk do të shuhet".
18 Por mbretit të Judës, që ju ka dërguar për t’u konsultuar me Zotin, do t’i thoni kështu: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me fjalët që ti ke dëgjuar,
19 sepse zemra jote u mallëngjye dhe ti u përule përpara Zotit kur dëgjove atë që kam thënë kundër këtij vendi dhe banorëve të tij, që do të bëheshin një dëshpërim dhe një mallkim, dhe grise rrobat dhe qave përpara meje, edhe unë të dëgjova," tha Zoti.
20 "Prandaj, ja, unë do të të bashkoj me etërit e tu dhe ty do të të vendosin në paqe në varrin tënd; dhe sytë e tu nuk kanë për të parë tërë të keqen që unë do t’i sjell këtij vendi"". Dhe ata ia njoftuan mbretit këtë mesazh.
23 Atëherë mbreti dërgoi njerëz për të mbledhur pranë vetes tërë pleqtë e Judës dhe të Jeruzalemit.
2 Mbreti u ngjit pastaj në shtëpinë e Zotit dhe me të u ngjitën tërë njerëzit e Judës, tërë banorët e Jeruzalemit, priftërinjtë, profetët dhe tërë populli, nga më i madhi deri te më i vogli; dhe ai lexoi në prani të tyre tërë fjalët e librit të besëlidhjes, që ishte gjetur në shtëpinë e Zotit.
3 Pastaj mbreti, duke qëndruar më këmbë mbi podium, lidhi një besëlidhje përpara Zotit, duke u zotuar të ndiqte Zotin, të respektonte porositë dhe statutet e tij me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, për të zbatuar në praktikë fjalët e kësaj besëlidhje, të shkruara në atë libër. Tërë populli e pranoi besëlidhjen.
4 Mbreti urdhëroi pastaj kryepriftin Hilkiah, priftërinjtë e rangut të dytë dhe derëtarët të çonin jashtë tempullit të Zotit objektet që ishin ndërtuar për Baalin, për Asherahun dhe për ushtrinë e qiellit; pastaj i dogjën jashtë Jeruzalemit në fushat e Kidronit dhe hirin e tyre e çuan në Bethel.
5 Ai zhduku gjithashtu priftërinjtë idhujtarë që mbretërit e Judës kishin caktuar për të djegur temjan në vendet e larta të qyteteve të Judës e në rrethinat e Jeruzalemit, dhe ata që i digjnin temjan Baalit, diellit, hënës, shenjave të zodiakut dhe gjithë ushtrisë së qiellit.
6 E çoi Asherahun nga shtëpia e Zotit jashtë Jeruzalemit në përruan e Kidronit; e dogji pranë përroit Kidron, e bëri hi dhe hirin e tij e hodhi mbi varret e njerëzve të popullit.
7 Shembi edhe shtëpitë e njerëzve që merreshin me kurvërinë e shenjtë dhe që ndodheshin në shtëpinë e Zotit, ku gratë endnin çadra për Asherahun.
8 Solli tërë priftërinjtë nga qytetet e Judës dhe përdhosi vendet e larta ku priftërinjtë kishin djegur temjan, nga Geba deri në Beer-Sheba. Rrëzoi gjithashtu vendet e larta të portave, që ishin në hyrje të portës së Jozueut guvernator i qytetit, që ishin në të majtë të atij që hyn në portën e qytetit.
9 Megjithatë priftërinjtë e vendeve të larta nuk u ngjitën në altarin e Zotit në Jeruzalem, por hëngrën bukë të ndorme në mes të vëllezërve të tyre.
10 Përveç kësaj ai përdhosi Tofethin, që ndodhej në luginën e bijve të Hinomit, me qëllim që asnjëri të mos kalonte birin apo bijën e tij nëpër zjarr për nder të Molekut.
11 Pastaj ai hoqi kuajt që mbretërit e Judës i kishin kushtuar diellit në hyrje të shtëpisë të Zotit, pranë dhomës së eunekut Nethan-Melek, që ndodhej në oborr; dhe u vuri flakën qerreve të diellit.
12 Mbreti shembi altarët që ishin mbi terracën e dhomës së sipërme të Ashazit dhe që mbretërit e Judës kishin ndërtuar, si dhe altarët që Manasi kishte bërë në dy oborret e shtëpisë të Zotit, i bëri copë-copë dhe hodhi pluhurin e tyre në përruan e Kidronit.
13 Mbreti përdhosi gjithashtu vendet e larta që ishin përballë Jeruzalemit; në jug të malit të korruptimit, që Salomoni, mbret i Izraelit, kishte ndërtuar për Ashtorethin, të neveritshmin e Sidonitëve, për Kemoshin, të neveritshmin e Moabit dhe për Milkomin, të neveritshmin e bijve të Amonit.
14 Ai i bëri copë-copë edhe shtyllat e shenjta, rrëzoi Asherimet dhe mbushi vendet e tyre me kocka njerëzore.
15 Rrëzoi gjithashtu altarin që ishte në Bethel dhe vendin e lartë të ndërtuar nga Jeroboami, bir i Nebatit që e kishte bërë Izraelin të mëkatonte; e dogji vendin e lartë sa e bëri pluhur; dogji edhe Asherahun.
16 Ndërsa Josia po kthehej, pa varrezat që ishin atje mbi mal; atëherë ai dërgoi njerëz që të merrnin kockat nga varrezat dhe i dogji mbi altar, duke e ndotur, sipas fjalës të Zotit, të shqiptuar nga njeriu i Perëndisë, që kishte paralajmëruar këto gjëra.
17 Pastaj tha: "Çfarë momumenti është ai që po shoh?". Njerëzit e qytetit iu përgjigjën: "Éshtë varri i njeriut të Perëndisë që erdhi nga Juda dhe që shpalli kundër altarit të Bethelit këto gjëra që ti ke bërë".
18 Ai tha: "Lëreni; asnjeri të mos prekë kockat e tij!". Kështu ata i lanë kockat e tij së bashkë me kockat e profetit që kishte ardhur nga Samaria.
19 Josia hoqi gjithashtu tërë tempujt e vendeve të larta që ishin në qytetin e Samarisë dhe që mbretërit e Izraelit kishin ndërtuar për të nxitur zemërimin e Zotit. Ai u bëri pikërisht atë që kishte bërë në Bethel.
20 Flijoi mbi altarët tërë priftërinjtë e vendeve të larta që ishin aty dhe dogji aty kocka njerëzore. Pastaj u kthye në Jeruzalem.
21 Mbreti i dha tërë popullit këtë urdhër: "Kremtoni Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë tuaj, ashtu siç është shkruar në këtë libër të besëlidhjes".
22 Me siguri një Pashkë e tillë nuk ishte kremtuar kështu nga koha e gjyqtarëve që e kishin qeverisur Izraelin, dhe as në tërë kohën e mbretërve të Izraelit dhe të mbretërve të Judës.
23 Por në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretit Josia kjo Pashkë u kremtua për nder të Zotit në Jeruzalem.
24 Josia eliminoi edhe mediumët dhe magjistarët, hyjnitë familjare dhe idhujt, si dhe të gjitha shkeljet e neveritshme që shiheshin në vendin e Judës dhe në Jeruzalem, për të zbatuar në praktikë fjalët e ligjit, të shkruara në librin që prifti Hilkiah kishte gjetur në shtëpinë e Zotit.
25 Para tij nuk pati asnjë mbret që, si ai, t’i ishte kthyer Zotit me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcën, sipas tërë ligjit të Moisiut; as pas tij nuk ka dalë ndonjë si ai.
26 Megjithatë Zoti nuk e fashiti zemërimin e tij të zjarrtë që e kishte përfshirë kundër Judës, për shkak të gjithë provokimeve të kryera nga Manasi.
27 Kështu Zoti tha: "Do ta largoj edhe Judën nga prania ime, ashtu si largova Izraelin, dhe do ta flak këtë qytet, Jeruzalemin, që e unë kisha zgjedhur, dhe tempullin për të cilin kisha thënë: "Aty do të jetë emri im"".
28 Pjesa tjetër e bëmave të Josias dhe tërë ato që ka bërë a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
29 Gjatë mbretërisë së tij, Faraoni Neko, mbret i Egjiptit, doli kundër mbretit të Asirisë në lumin Eufrat. Mbreti Josia marshoi kundër tij, por Faraoni e vrau në Meghido që në ndeshjen e parë.
30 Atëherë shërbëtorët e tij e çuan të vdekur mbi një qerre nga Meghido deri në Jeruzalem, ku e varrosën në varrin e tij. Pastaj populli i vendit mori Jehoahazin, birin e Josias, e vajosi dhe e bëri mbret në vend të atit të tij.
31 Jehoahazi ishte njëzet e tre vjeç kur filloi të mbretërojë dhe e mbajti fronin tre muaj në Jeruzalem. E ëma quhej Hamutal, ishte bija e Jeremias nga Libnahu.
32 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha ashtu si kishin vepruar etërit e tij.
33 Faraoni Neko e lidhi me zinxhira në Riblah, në vendin e Hamathit, që të mos mbretëronte më në Jeruzalem, dhe i imponoi vendit një haraç prej njëqind talentesh argjendi dhe një talent ari.
34 Pastaj Faraoni Neko bëri mbret Eliakimin, birin e Josias, në vend të atit të tij Josia, dhe e ndërroi emrin e tij në Jehojakimi. Pastaj mori Jehoahazin dhe shkoi në Egjipt, ku vdiq.
35 Jehojakimi i dha Faraonit argjendin dhe arin; por për të paguar paratë sipas urdhërit të Faraonit i vuri taksa vendit. Për të paguar Faraonin Neko, ai mblodhi argjendin dhe arin nga populli i vendit nga secili në bazë të vlerësimit të pronave të tij.
36 Jehojakimi ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Zebidah, ishte bija e Pedaijahut të Rumahut.
37 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit në të gjitha ashtu si kishin vepruar etërit e tij.
24 Gjatë mbretërimit të tij erdhi Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, dhe Jehojakimi u bë shërbëtor i tij për tre vjet; pastaj ngriti krye kundër tij.
2 Atëherë Zoti dërgoi kundër tij banda Kaldeasish, Sirësh, Moabitësh dhe Amonitësh; i dërgoi kundër Judës për ta shkatërruar, sipas fjalës që Zoti kishte shqiptuar me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve.
3 Kjo ndodhi në Judë vetëm me urdhër të Zotit, që donte ta largonte nga prania e tij për shkak të mëkateve të Manasit, për të gjitha ato që kishte bërë,
4 por edhe për shkak të gjakut të pafajshëm të derdhur prej tij, sepse ai e kishte mbushur Jeruzalemin me gjak të pafajshëm. Për këtë arësye Zoti nuk deshi ta falë.
5 Pjesa tjetër e bëmave të Jehojakimit dhe tërë atë që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
6 Kështu Jehojakimin e zuri gjumi me etërit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Jehojakini.
7 Por mbreti i Egjiptit nuk doli më nga vendi i tij, sepse e mbreti i Babilonisë kishte shtënë në dorë tërë ato që ishin pronë e mbretit të Egjiptit, nga përroi i Egjiptit deri në lumin Eufrat.
8 Jehojakini ishte tetëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tre muaj në Jeruzalem. E ëma quhej Nehushta, ishte bija e Elnathanit nga Jeruzalemi.
9 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha, ashtu si kishte vepruar ati i tij.
10 Në atë kohë shërbëtorët e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, u vërsulën kundër Jeruzalemit dhe qyteti mbeti i rrethuar.
11 Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, arriti para qytetit ndërsa shërbëtorët e tij po e rrethonin.
12 Atëherë Jehojakini, mbret i Judës, i doli përpara mbretit të Babilonisë bashkë me nënën e tij, me shërbëtorët, me krerët dhe me eunikët e tij. Kështu mbreti i Babilonisë e bëri rob vitin e tetë të mbretrimit të tij.
13 Pastaj, ashtu siç e kishte thënë Zoti, mori që andej tërë thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror, i bëri copë-copë të gjitha veglat prej ari që Salomoni, mbret i Izraelit, kishte bërë për tempullin e Zotit.
14 Internoi pastaj tërë Jeruzalemin, tërë krerët, tërë njerëzit trima, gjithsej dhjetë mijë robër, si dhe të gjithë artizanët dhe farkëtarët; mbetën vetëm njerëzit më të varfër të vendit.
15 Kështu ai internoi Jehojakinin në Babiloni; çoi gjithashtu në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni nënën e mbretit, bashkëshortet e tija, eunukët e tij dhe fisnikët e vendit,
16 gjithë njerëzit e aftë që ishin shtatë mijë veta, artizanët dhe farkëtarët, një mijë veta, tërë njerëzit trima dhe të aftë për luftë. Mbreti i Babilonisë i internoi në Babiloni.
17 Në vendin e Jehojakinit, mbreti i Babilonisë, bëri mbret Mataniahun, ungjin e tij, të cilit i ndërroi emrin në Sedekia.
18 Sedekia ishte njëzet e një vjeç kur filloi të mbretërojë dhe e mbajti fronin në Jeruzalem njëmbëdhjetë vjet. E ëma quhej Hamutal, ishte bija e Jeremias nga Libnahu.
19 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha, ashtu si kishte vepruar Jehojakimi.
20 Kjo ndodhi në Jeruzalem dhe në Judë për shkak të zemërimit të Zotit, i cili në fund i dëboi nga prania e tij. Më vonë Sedekia ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë.
25 Vitin e nëntë të mbretërisë së tij në muajin e dhjetë, më dhjetë të muajit, ndodhi që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij kundër Jeruzalemit, ngriti kampin e tij kundër tij dhe ndërtoi përreth vepra rrethonjëse.
2 Kështu qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretit Sedekia.
3 Ditën e nëntë të muajit të katërt, uria ishte aq e madhe në qytet sa që nuk kishte bukë për popullin e vendit.
4 Atëherë u hap një e çarë në muret e qytetit dhe tërë luftëtarët ikën natën, nëpër rrugën e portës midis dy mureve, që ndodhej pranë kopshtit të mbretit, megjithëse Kaldeasit ishin rreth qytetit. Kështu mbreti mori rrugën e Arabahut.
5 Por ushria e Kaldeasve e ndoqi mbretin dhe e arriti në fushën e Jerikos, ndërsa tërë ushtria e tij shpërndahej larg tij.
6 Kështu ata e zunë mbretin dhe e çuan te mbreti i Babilonisë në Riblah, ku u shqiptua vendimi kundër tij.
7 Vranë pastaj bijtë e Sedekias në sytë e tij; pastaj i nxorën sytë Sedekias, e lidhën me zinxhira prej bronzi dhe e çuan në Babiloni.
8 Ditën e shtatë të muajit të pestë (ishte viti i nëntëmbëdhjetë i Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë) arriti në Jeruzalem Nebuzaradani, kapiteni i rojes personale, shërbëtor i mbretit të Babolonisë.
9 Ai dogji shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror, i vuri flakën tërë shtëpive të Jeruzalemit, domethënë tërë shtëpive të fisnikëve.
10 Kështu tërë ushtria e Kaldeasve, që ishte me kapitenin e rojeve, shembi muret që rrethonin Jeruzalemin.
11 Pastaj Nebuzaradani, kapiteni i rojeve, internoi pjesën tjetër të popullit që kishte mbetur në qytet, dezertorët që ishin hedhur nga ana e mbretit të Babilonisë dhe ata që mbeten nga turma.
12 Por kapiteni i rojeve la disa nga më të varfërit e vendit të merreshin me punimin e vreshtave dhe të arave.
13 Kaldeasit i bënë copë-copë shtyllat prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, qerret dhe detin prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, dhe e çuan bronzin në Babiloni.
14 Ata muarrën edhe tiganët, lopatëzat, thikat, kupat dhe të gjitha veglat prej bronzi, që përdoreshin gjatë shërbimit të tempullit.
15 Kapiteni i rojes mori gjithashtu mangallët dhe kupat, ato gjëra që ishin prej ari dhe argjendi të pastër.
16 Sa për dy shtyllat, detin dhe qerret që Salomoni kishte ndërtuar për shtëpinë e Zotit, bronzi i tërë këtyre objekteve kishte një peshë që nuk mund të llogaritej.
17 Lartësia e një shtylle ishte tetëmbëdhjetë kubitë; mbi të kishte një kapitel prej bronzi. Lartësia e kapitelit ishte tre kubitë; rreth e qark kapitelit kishte një rrjetëz dhe disa shegë tërësisht prej bronzi. Shtylla tjetër, me rrjetëzën ishte njëlloj si kjo.
18 Kapiteni i rojes mori Serajahun, kryepriftin, Sofonien, priftin e dytë dhe tre derëtarët.
19 Nga qyteti mori edhe një eunuk që komandonte luftëtarët; pesë nga këshilltarët personalë të mbretit që i gjetën në qytet; sekretarin e komandantit të ushtrisë që rekrutonte popullin e vendit, dhe gjashtëdhjetë veta nga populli i vendit që u gjetën në qytet.
20 Kështu Nebuzaradani, kapiten i rojes, i mori dhe i çoi te mbreti i Babilonisë në Riblah;
21 dhe mbreti i Babilonisë urdhëroi që të vriten në Riblah, në vendin e Hamathit. Kështu Juda u internua larg vendit të tij.
22 Sa për popullin që mbeti në vendin e Judës, që e kishte lënë Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, ky vuri në krye të tij Gedaliahun, birin e Ahikamit, që ishte bir i Shafanit.
23 Kur tërë kapitenët e trupave dhe njerëzit e tyre dëgjuan që mbreti i Babilonisë kishte caktuar Gedaliahun si qeveritar, shkuan te Gedaliahu në Mitspah; ata ishin Ishmaeli, bir i Nethaniahut, Johanani, bir i Kareahut, Serajahu, bir i Tanhumethit nga Netofahu, Jaazaniahu, bir i një Maakathitit, së bashku me njerëzit e tyre.
24 Gedaliahu iu betua atyre dhe njerëzve të tyre, duke thënë: "Mos kini frikë nga shërbëtorët e Kaldeasve; qëndroni në vend, i shërbeni mbretit të Babilonisë dhe do ta ndjeni veten mirë".
25 Por muajin e shtatë, Ishmaeli, bir i Nethaniahut, që ishte bir i Elishamit, nga familja mbretërore, erdhi bashkë me dhjetë njerëz; këta goditën dhe vranë Gedaliahun si edhe Judejtë dhe Kaldeasit që ishin me të në Mitspah.
26 Atëherë tërë populli, nga më i vogli deri te më i madhi, dhe kapitenët e trupave u ngritën dhe shkuan në Egjipt, sepse kishin frikë nga Kaldeasit.
27 Në vitin e tridhjetë e shtatë të robërisë së Jehojakinit, mbretit të Judës, në muajin e dymbëdhjetë, ditën e njëzeteshtatë të muajit, Evilmerodaku, mbret i Babilonisë, pikërisht vitin që filloi të mbretërojë, fali Johajakinin, mbretin e Judës, dhe e nxori nga burgu.
28 I foli me dashamirësi dhe i ofroi një fron më të lartë se ata që kishin mbretërit që ishin me të në Babiloni.
29 Kështu Jehojakini ndërroi rrobat e tij prej të burgosurit dhe hëngri gjithnjë në prani të mbretit për të gjithë ditët e jetës së tij.
30 Ushqimi i tij ishte siguruar rregullisht nga mbreti, një racion në ditë, për të gjitha ditët e jetës së tij.