Beginning
1 Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.
2 Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë.
3 Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.
4 Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.
5 Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.
6 Qe një njeri i dërguar nga Perendia; emri i tij ishte Gjon.
7 Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij;
8 ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën.
9 Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë.
10 Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu.
11 Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan,
12 por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,
13 të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.
14 Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.
15 Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: “Ky është ai, për të cilin thashë: "Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje".”
16 Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir.
17 Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.
18 Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur.
19 Dhe kjo është dëshmia e Gjonit, kur Judenjtë i dërguan nga Jeruzalemi priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?.”
20 Ai edhe e rrëfeu, edhe nuk e mohoi, dhe rrëfeu: “Unë nuk jam Krishti.”
21 Atëherë ata e pyetën: “Kush je, pra? A je Elia?.” Ai tha: “Nuk jam!.” “Je ti profeti?.” Dhe ai përgjigjej: “Jo!.”
22 Atëherë ata i thanë: “Kush je ti, që t’u japim përgjigje atyre që na dërguan? Ç’thua për veten tënde?.”
23 Ai u përgjigj: “Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: drejtoni udhën e Zotit, sikurse tha profeti Isaia.”
24 Dhe ata që qenë dërguar, ishin nga farisenjtë;
25 ata e pyetën dhe i thanë: “Atëherë pse ti pagëzon, kur nuk je as Krishti, as Elia, as profeti?.”
26 Gjoni iu përgjigj atyre, duke thënë: “Unë pagëzoj me ujë, por midis jush është një që ju nuk e njihni.
27 Ai është ai që vjen pas meje e më paraprin, të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh lidhësen e sandaleve.”
28 Këto gjëra ndodhën në Betabara, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.
29 Të nesërmen, Gjoni e pa Jezusin që po vinte drejt tij dhe tha: “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!
30 Ky është ai për të cilin unë thashë: "Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje!".
31 Unë nuk e njihja, prandaj erdha të pagëzoj me ujë, që ky t’i zbulohet Izraelit.”
32 Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: “E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të.
33 Unë nuk e njihja, por ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë, më tha: "Ai, mbi të cilin do të shikosh se zbret Fryma dhe qëndron mbi të, është ai që pagëzon me Frymën e Shenjtë".
34 Dhe unë pashë e dëshmova se ai është Biri i Perëndisë.”
35 Të nesërmen Gjoni rrinte përsëri atje me dy nga dishepujt e vet.
36 Dhe, duke i ngulur sytë mbi Jezusin që po kalonte, tha: “Ja Qengji i Perëndisë!.”
37 Dhe të dy dishepujt dëgjuan atë duke folur, dhe e ndoqën Jezusin.
38 Por Jezusi u kthye dhe, kur pa se po e ndiqnin, u tha atyre: “Ç’kërkoni?.” Ata i thanë: “Rabbi (që e përkthyer do të thotë "mësues"), ku banon?.”
39 Ai iu përgjigj atyre: “Ejani e shikoni.” Ata shkuan dhe e panë ku banonte ai, dhe ndenjën atë ditë bashkë me të. Ishte rreth orës dhjetë.
40 Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte një nga ata të dy që e kishin dëgjuar këtë nga Gjoni dhe kishin ndjekur Jezusin.
41 Ky gjeti më të parin vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: “E gjetëm Mesian që përkthyer do të thotë: "Krishti"”;
42 dhe e çoi te Jezusi. Atëherë Jezusi e shikoi dhe tha: “Ti je Simoni, bir i Jonas. Ti do të quhesh Kefa, që do të thotë: "gur".”
43 Të nesërmen, Jezusi donte të dilte në Galile; gjeti Filipin dhe i tha: “Ndiqmë!.”
44 Dhe Filipi ishte nga Betsaida, nga i njejti qytet i Andreas dhe i Pjetrit.
45 Filipi gjeti Natanaelin dhe i tha: “E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët: Jezusin nga Nazareti, të birin e Jozefit!.”
46 Dhe Natanaeli i tha: “A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?.” Filipi i tha: “Eja e shih!.”
47 Jezusi pa se Natanaeli po vinte drejt tij dhe tha për të: “Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili s’ka mashtrim.”
48 Natanaeli i tha: “Nga më njeh?.” Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Të pashë kur ishe nën fik, para se të të thërriste Filipi.”
49 Natanaeli duke iu përgjigjur tha: “Mësues, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit!.”
50 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Sepse të thashë se të pashë nën fik, ti beson; do të shohësh gjëra më të mëdha se këto!.”
51 Pastaj i tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se tash e tutje ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut.”
2 Tri ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje.
2 Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë.
3 Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!.”
4 Jezusi i tha: “Ç’ke me mua, o grua? Ora ime s’ka ardhur akoma!.”
5 Nëna e tij u tha shërbëtorëve: “Bëni gjithçka që ai t’ju thotë!.”
6 Aty ishin gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e Judenjve, dhe secila nxënte dy ose tri masa.
7 Jezusi u tha: “Mbushni enët me ujë!.” Dhe ata i mbushën deri në grykë.
8 Pastaj u tha: “Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës.” Dhe ata ia çuan.
9 Dhe, mbasi i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë (ai nuk e dinte nga vinte kjo verë, por e dinin mirë shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), i pari i festës e thirri dhëndrin,
10 dhe i tha: “Çdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë dhe, kur të ftuarit kanë pirë shumë, verën e keqe; ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!.”
11 Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e tij, dhe dishepujt e tij besuan në të.
12 Pas kësaj, ai zbriti në Kapernaum me nënën e tij, vëllezërit e tij dhe me dishepujt e tij; dhe ata qëndruan aty pak ditë.
13 Pra, Pashka e Judenjve ishte afër dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.
14 Dhe në tempull gjeti ata që shisnin qe, dele e pëllumba dhe këmbyes monedhash duke ndenjur;
15 dhe si bëri një kamxhik me litarë, i dëboi të gjithë nga tempulli bashkë me qetë dhe delet, dhe ua hallakati paratë këmbyesve të monedhave dhe ua përmbysi tavolinat,
16 dhe shitësve të pëllumbave u tha: “Hiqni këto gjëra që këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!.”
17 Kështu dishepujve të tij i kujtohej se ishte shkruar: “Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë!.”
18 Atëherë Judenjtë u përgjigjën dhe i thanë: “Ç’shenjë na tregon se i bën këto gjëra?.”
19 Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!.”
20 Atëherë Judenjtë thanë: “U deshën dyzet e gjashtë vjet që të ndërtohet ky tempull, dhe ti do ta ngresh për tri ditë?.”
21 Por ai fliste për tempullin e trupit të vet.
22 Kur, më pas, ai ishte ringjallur prej së vdekuri, dishepujt e vet u kujtuan se ai këtë ua kishtë thënë dhe u besuan Shkrimin dhe fjalëve që kishte thënë Jezusi.
23 Dhe kur qe në Jeruzalem për festën e Pashkës, shumë vetë besuan në emrin e tij duke parë shenjat që bënte,
24 por Jezusit nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë,
25 dhe sepse nuk kishte nevojë që ndokush të jepte dëshmi për njeriun, sepse ai e dinte ç’kishte përbrenda njeriut.