Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 106

106 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?

Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.

Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,

me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.

Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.

Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq.

Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij.

I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë.

10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut.

11 Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre.

12 Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij.

13 Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij.

14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi.

15 Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre.

16 Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit,

17 toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit.

18 Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët.

19 Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë,

20 dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar.

21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt,

22 mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq.

23 Prandaj ai foli t’i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t’i shkatërronte.

24 Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij,

25 por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit.

26 Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t’i rrëzonte në shkretëtirë,

27 dhe se do t’i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t’i shpërndante në të gjitha vendet.

28 Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve.

29 E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja.

30 Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi.

31 Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë.

32 Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre,

33 sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij.

34 Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti;

35 por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre;

36 u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta;

37 ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre,

38 dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur.

39 Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre.

40 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij.

41 I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin.

42 Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre.

43 Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre.

44 Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre,

45 dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua.

46 Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri.

47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar.

48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.

Joeli 3:1-2

"Sepse ja, në ato ditë dhe në atë kohë, kur do të bëj që të kthehen nga robëria ata të Judës dhe të Jeruzalemit,

do të mbledh tërë kombet dhe do t’i bëj të zbresin në luginën e Jozafatit, dhe atje do të zbatoj gjykimin tim mbi ta, për Izraelin, popullin tim dhe trashëgiminë time, që e kanë shpërndarë midis kombeve, duke e ndarë kështu vendin tim.

Joeli 3:9-17

Shpallni këtë midis kombeve: "Pregatitni luftën, zgjoni njerëzit trima, le të afrohen, le të dalin gjithë luftëtarët!

10 Farkëtoni shpata me ploret tuaj dhe ushta me drapërinjtë tuaj. I dobëti le të thotë: "Jam i Fortë!"".

11 Nxitoni dhe ejani, kombe rreth e rrotull, dhe mblidhuni! O Zot, bëj që të zbresin atje njerëzit e tu trima!

12 "Le të ngrihen dhe të dalin kombet në luginën e Jozafatit, sepse atje unë do të ulem për të gjykuar të gjitha kombet që janë përreth.

13 Merrni në dorë draprinjtë, sepse të korrat janë gati. Ejani, zbrisni, sepse trokulli është plot, butet grafullojnë, sepse e madhe është ligësia e tyre".

14 Turma pas turmash në Luginën e vendimit. Sepse dita e Zotit është e afërt, në Luginën e vendimit".

15 Dielli dhe hëna po erren dhe yjet po humbin shkëlqimin e tyre.

16 Zoti do të vrumbullojë nga Sioni dhe do të bëjë që t’i dëgjohet zëri nga Jeruzalemi, aq sa qiejt dhe toka do të dridhen. Por Zoti do të jetë një strehë për popullin e tij dhe një fortesë për bijtë e Izraelit.

17 "Atëherë ju do të pranoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj, që banon në Sion, mali im i shenjtë. Kështu Jeruzalemi do të jetë i shenjtë dhe të huajt nuk do të kalojnë më andej".

1 Pjetrit 1:1-12

Pjetri, apostull i Jezu Krishtit, të zgjedhurve që rrijnë në diasporën e Pontit, të Galatisë, të Kapadokisë, të Azisë dhe të Bitinisë,

të zgjedhurve sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit, me anë të shenjtërimit të Frymës, për t’u bindur dhe për t’u spërkatur me gjakun e Jezu Krishtit; hiri dhe paqja u shtoftë mbi ju.

Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish,

për një trashëgim të paprishshëm, të panjollë dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt për ju,

që nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit jeni të ruajtur, për shpëtimin gati për t’u zbuluar në kohët e fundit.

Për këtë gëzohuni, ndonëse, në qoftë se duhet, për pak kohë, tani duhet të trishtoheni nga prova të ndryshme,

që prova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe pse provohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit,

të cilin, megjithëse ju nuk e keni parë, e doni, duke besuar në të, megithëse tani nuk e shihni, dhe ngazëllohuni nga një hare e patregueshme dhe e lavdishme,

duke arritur përmbushjen e besimit tuaj, shpëtimin e shpirtrave.

10 Për këtë shpëtim kërkuan dhe hetuan profetët që profetizuan nga hirin për ju,

11 duke kërkuar të njohin kohën dhe rrethanat që tregonte Fryma e Krishtit që ishte në ta, dhe që dëshmonte që më parë për vuajtjet që do të vinin mbi Krishtin dhe për lavditë që do të pasonin.

12 Dhe atyre iu zbulua se ata i administronin jo për vete, po për ne, ato gjëra që po ju rrëfehen tani nga ata që ju kanë predikuar ungjillin, me anë të Frymës së Shenjtë të dërguar nga qielli; gjëra të cilat engjëjt dëshirojnë t’i vëzhgojnë.

Mateu 19:1-12

19 Mbasi Jezusi i mbaroi këto ligjërata, u nis nga Galilea dhe erdhi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit.

Turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi atje.

Atëherë iu afruan disa farisenj për ta provokuar dhe i thanë: “A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan për një shkak çfarëdo?.”

Dhe ai, duke u përgjigjur u tha atyre: “A nuk keni lexuar ju, se ai që i krijoi që në fillim, i krijoi mashkull dhe femër?

Dhe tha: "Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm".

Dhe kështu ata nuk janë më dy, por një mish i vetëm; prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë.”

Ata i thanë: “Atëherë përse Moisiu urdhëroi të jepet letërndarja dhe të lëshohet?.”

Ai u tha atyre: “Moisiu ju lejoi t’i ndani gratë tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu.

Por unë ju them se kushdo që e lëshon gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me gruan e ndarë, shkel kurorën.”

10 Dishepujt e vet i thanë: “Në qoftë se kushtet e burrit ndaj gruas janë të tilla, më mirë të mos martohet.”

11 Por ai u tha atyre: “Jo të gjithë i kuptojnë këto fjalë, por atyre që iu është dhënë.

12 Sepse ka eunukë që kanë lindur të tillë nga barku i nënës; ka eunukë që janë bërë eunukë nga njerëzit, dhe ka eunukë që janë bërë vet eunukë për mbretërinë e qiejve. Ai që mund ta kuptojë, le ta kuptojë.”