Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 24

24 Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë mbi të, bota dhe banorët e saj.

Sepse ai e ka themeluar mbi detet dhe e ka vendosur mbi lumenjtë.

Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme.

Ai do të marrë bekimet e Zotit dhe drejtësinë nga Perëndia e shpëtimit të tij.

I tillë është brezi i atyre që e kërkojnë, që kërkojnë fytyrën tënde, o Perëndi e Jakobit. (Sela)

O ju porta, çoni kokat tuaja; dhe ju, porta të përjetshme, hapuni krejt dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.

Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i fortë dhe i fuqishëm, Zoti i fortë në betejë.

O porta, çoni kokat tuaja; hapuni krejt, o porta të përjetshme, dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.

10 Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i ushtrive; ai është Mbreti i lavdisë. (Sela)

Psalmet 29

29 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.

I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.

Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.

Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.

Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;

i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.

Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.

Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.

Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".

10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.

11 Zoti do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.

Psalmet 8

Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejtë!

Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t’i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit.

Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,

çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?

Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.

E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!

Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra,

zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit.

O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!

Psalmet 84

84 Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive!

Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë.

Edhe rabecka gjen një shtëpi dhe dallëndyshja një fole, ku të vërë të vegjëlit e saj pranë altarëve të tu, o Zot i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im.

Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde dhe të lëvdojnë vazhdimisht. (Sela)

Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua!

Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh, dhe shiu i parë e mbulon me bekime.

Ata kalojnë nga një forcë te tjetra dhe në fund paraqiten para Perëndisë në Sion.

O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela)

Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd.

10 Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve.

11 Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.

12 O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!

Nehemia 5

Ndërkaq u ngrit një ankesë e madhe prej popullit dhe bashkëshorteve të tyre kundër Judejve, vëllezërve të tyre.

Disa thonin: "Ne, bijtë tanë dhe bijat tona jemi shumë; prandaj të gjejmë grurë që të mund të hamë dhe të jetojmë!".

Të tjerë thonin: "Kemi hipotekuar arat tona, vreshtat tona dhe shtëpitë tona për të blerë grurë gjatë zisë!".

Disa të tjerë akoma thonin: "Kemi marrë para hua për të paguar haraçin e mbretit mbi arat tona dhe vreshtat tona.

Ndonëse mishi ynë është si mishi i vëllezërve tanë dhe bijtë tanë janë si bijtë e tyre, në realitet jemi të detyruar t’i kthejmë në skllevër bijtë tanë dhe bijat tona; disa nga bijat tona janë katandisur që tani në skllavëri dhe nuk kemi asnjë mundësi t’i shpengojmë, sepse arat tona dhe vreshtat tona janë në dorë të të tjerëve".

Kur dëgjova ankimet e tyre dhe këto fjalë, u indinjova shumë.

Mbasi u mendova mirë për këtë gjë, qortova parinë dhe gjyqtarët dhe u thashë atyre: "Secili prej jush kërkon një kamatë prej fajdexhiu nga vëllai i vet". Kështu mblodha kundër tyre një asamble të madhe

dhe u thashë: "Simbas mundësive tona ne kemi shpenguar vëllezërit tanë Judej që u ishin shitur kombeve; por tani a do t’i shisnit vëllezërit tuaj, apo duhet që ata të na shiten neve?". Atëherë ata heshtën me qenë se nuk gjenin fjalë për të thënë.

Dhe unë shtova: "Ajo që po bëni nuk është e mirë. A nuk duhet përkundrazi të ecni duke pasur frikë nga Perëndia ynë për të shmangur dëmin nga kombet që i kemi armiq?

10 Edhe unë, vëllezërit e mi dhe shërbëtorët e mi u kemi dhënë hua para dhe grurë. Ju lutem, të mos kërkojmë më kamatë për këtë!

11 Ua ktheni që sot arat e tyre, vreshtat e tyre, ullishtat e tyre dhe shtëpitë e tyre, dhe të njëqindtën pjesë të parave, të grurit, të verës dhe të vajit që u keni kërkuar".

12 Ata u përgjigjën: "Do t’i kthejmë dhe nuk do të kërkojmë më asgjë prej tyre; do të veprojmë ashtu si thua ti". Atëherë thirra priftërinjtë dhe i vura të betohen përpara atyre se do të vepronin sipas këtij premtimi.

13 Shkunda pastaj palën e rrobave të mia dhe thashë: "Kështu Perëndia ta shkundë nga shtëpia e tij dhe nga pasuria e tij cilindo që nuk do ta mbajë këtë premtim! Kështu të shkundet dhe të zbrazet ai nga të gjitha!". Atëherë tërë asambleja tha: "Amen!," dhe lavdëruan Zotin. Populli veproi sipas atij premtimi.

14 Përveç kësaj qysh prej ditës që u caktova të jem qeveritar i tyre në vendin e Judës, nga viti i njëzetë deri në vitin e tridhjetedytë të mbretit Artakserks, gjatë dymbëdhjetë vjetëve, unë dhe vëllezërit e mi nuk hëngrëm ushqimin e caktuar nga qeveritari.

15 Ndërsa qeveritarët e mëparshëm që më kishin paraprirë e kishin rënduar popullin duke marrë bukë dhe verë, dhe përveç kësaj dyzet sikla argjendi. Madje edhe shërbëtorët e tyre silleshin si zotër me popullin, por unë nuk veprova kështu, sepse kisha frikë nga Perëndia.

16 Përkundrazi i hyra me të madhe punës së riparimit të këtyre mureve dhe nuk kemi bërë asnjë blerje toke; përveç kësaj tërë shërbëtorët e mi u mblodhën atje për të punuar.

17 Kisha gjithashtu në mencën time njëqind e pesëdhjetë Judej dhe zyrtarë, përveç atyre që vinin nga kombet fqinje.

18 Çdo ditë përgatitej një ka dhe gjashtë krerë të zgjedhur që merreshin nga kopeja; për mua gatuheshin edhe zogj, dhe çdo dhjetë ditë bëhej furnizimi me lloj lloj vere me shumicë; por me gjithë këtë, nuk e kam kërkuar kurë kuotën e qeveritarit, sepse mbi këtë popull rëndonte tashmë shërbimi.

19 Më kujto, o Perëndia im, për tërë të mirat që i kam bërë këtij populli.

Veprat e Apostujve 20:7-12

Ditën e parë të javës, kur ishin mbledhur dishepujt për të thyer bukën, Pali, i cili duhet të nisej të nesërmen, bisedonte me ta dhe e zgjati fjalën deri në mesnatë.

Dhe në sallën ku ishim mbledhur kishte shumë llamba.

Një djalosh me emër Eutik, që ishte ulur në parvazin e dritares, e zuri një gjumë i rëndë; dhe, ndërsa Pali e çoi fjalën gjatë, e zuri gjumi, ra nga kati i tretë poshtë dhe e ngritën të vdekur.

10 Por Pali, si zbriti, ra mbi të, e përqafoi dhe tha: “Mos u shqetësoni, se shpirti i tij është në të.”

11 Atëherë u ngjit përsëri lart, e theu bukën dhe hëngri; dhe, pasi foli gjatë deri në të gdhirë, u nis.

12 Ndërkaq e prunë djalin të gjallë, dhe u ngushëlluan jo pak.

Luka 12:22-31

22 Pastaj u tha dishepujve të vet: “Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni.

23 Jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja.

24 Vini re korbat! Ata nuk mbjellin e nuk korrin, nuk kanë as qilar as hambar, e megjithatë Perëndia i ushqen; mirë, pra, ju vleni shumë më tepër se zogjtë.

25 Dhe cili nga ju me shqetësimin e tij mund ta zgjatë shtatin e vet qoftë edhe një kubit?

26 Atëherë, kur nuk jeni në gjendje të bëni as atë që është më e pakta, përse shqetësoheni për të tjerat?

27 Vini re si rriten zambakët: ata nuk punojnë dhe nuk tjerrin; megjithëatë unë po ju them se as Salomoni, në gjithë lavdinë e vet, nuk qe i veshur si një nga ata.

28 Atëherë, nëse Perëndia vesh në këtë mënyrë barin që sot është në fushë dhe nesër hidhet në furrë, aq më tepër do t’ ju veshë, o njerëz besimpakë?

29 Përveç kësaj mos kërkoni çfarë do të hani ose do të pini, dhe mos jini në merak,

30 sepse njerëzit e botës i kërkojnë të gjitha këto, por Ati juaj e di që ju keni nevojë për to.

31 Kërkoni më parë mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë.