Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 55

55 O Perëndi, vëri veshin lutjes sime dhe ki parasysh kërkesën time.

Dëgjo kërkesën time dhe përgjigjmu; ankohem vazhdimisht dhe rënkoj,

për zërin e armikut, për shtypjen e të pabesit; sepse më bien mbi kurriz disa fatkeqësi dhe në zemërimin e tyre më ndjekin këmba këmbës.

Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua.

Frika dhe të drithma më kanë sulmuar dhe tmerri më ka mposhtur.

Prandaj kam thënë: "Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje.

Ja, do të ikja larg dhe do të qëndroja në shkretëtirë. (Sela)

Do të shpejtoja për të gjetur një strehë nga era e furishme dhe nga furtuna".

Shkatërroji, o Zot, ngatërro gjuhët e tyre, sepse kam parë dhunë dhe kacafytje në qytet.

10 Ditën dhe natën sillen mbi muret e tij; brenda tij sundojnë e keqja dhe çoroditja.

11 Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij.

12 Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t’i isha fshehur atij.

13 Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë.

14 Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë.

15 I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi.

16 Sa për mua, do t’i kërkoj ndihmë Perëndisë, dhe Zoti do të më shpëtojë.

17 Në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë do të ankohem dhe do të rënkoj, dhe ai do të dëgjojë zërin tim.

18 Ai do ta shpengojë jetën time dhe do ta sigurojë nga lufta që bëhet kundër meje, sepse janë të shumtë ata që janë ngritur kundër meje.

19 Perëndia do të më dëgjojë dhe ka për t’i poshtëruar, ai që ulet si sovran gjithnjë, sepse ata nuk ndryshojnë dhe nuk kanë frikë nga Perëndia. (Sela)

20 Ai ka shtrirë duart kundër atyre që jetonin në paqe me të, ka shkelur besëlidhjen e tij.

21 Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura.

22 Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.

23 Por ti, o Perëndi, do t’i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti.

Psalmet 138:1-139:23

138 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.

Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.

Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.

Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate,

dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit.

Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.

Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.

Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.

139 Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.

Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.

Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.

Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.

Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.

Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.

Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate?

Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.

Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit,

10 edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë.

11 Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë," madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje:

12 terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty.

13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.

14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.

15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.

16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.

17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!

18 Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.

19 Me siguri, ti do vrasësh të pabesin, o Perëndi; prandaj ju, njerëz gjakatarë largohuni nga unë.

20 Ata flasin me pabesi kundër teje; armiqtë e tu përdorin më kot emrin tënd.

21 A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot, dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje?

22 Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi.

23 Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia.

1 i Mbretërve 18:41-19:8

41 Pastaj Elia i tha Ashabit: "Ngjitu, ha dhe pi, sepse dëgjohet që tani zhurma e një shiu të madh".

42 Kështu Ashabi u ngjit për të ngrënë dhe për të pirë; por Elia u ngjit në majë të Karmelt, u përkul deri në tokë dhe vuri fytyrën midis gjunjëve,

43 dhe i tha shërbëtorit të tij: "Tani ngjitu dhe shiko nga ana e detit!". Ai u ngjit, shikoi dhe tha: Nuk ka asgjë". Elia i tha: "Kthehu të shikosh, shtatë herë".

44 Herën e shtatë shërbëtori tha: "Éshtë një re e vogël, e madhe si pëllëmba e një dore që ngjitet nga deti". Atëherë Elia tha: "Shko dhe i thuaj Ashabit: "Lidhi kuajt në qerre dhe zbrit para se të të zërë shiu"".

45 Brenda një kohe të shkurtër qielli u errësua për shkak të reve e të erës, dhe ra një shi i madh. Kështu Ashabi hipi mbi qerre dhe shkoi në Jezreel.

46 Dora e Zotit ishte mbi Elian, që shtrëngoi ijet dhe vrapoi para Ashabit deri në hyrje të Jezreelit.

19 Ashabi i njoftoi Jezebelit tërë ato gjëra që Elia kishte bërë dhe si kisht vrarë me shpatë tërë profetët.

Atëherë Jezebeli i dërgoi një lajmëtar Elias për t’i thënë: "Perënditë të më bëjnë kështu dhe më keq, në rast se nesër në këtë orë nuk do të të kem bërë ty si një nga ata".

Kur dëgjoi këto fjalë, Elia u ngrit dhe iku për të shpëtuar. Arriti në Beer-Sheba, që i përket Judës, dhe la aty shërbëtorin e tij.

Përkundrazi u fut në shkretëtirë një ditë rrugë, shkoi të ulet poshtë një gjinestre dhe kërkoi të vdesë, duke thënë: "Tani mjaft, o Zot! Merr jetën time, se unë nuk jam më i mirë se etërit e mi".

Pastaj u shtri dhe e zuri gjumi poshtë gjinestrës, por ja që një engjëll e preku dhe i tha: "Çohu dhe ha".

Ai shikoi dhe pa pranë kokës së tij një kulaç të pjekur mbi gurë të nxehtë dhe një enë me ujë. Ai hëngri dhe piu, pastaj përsëri u shtri.

Engjëlli i Zotit u kthye për herë të dytë, e preku dhe i tha: "Çohu dhe ha, sepse rruga është tepër e gjatë për ty".

Ai u ngrit, hëngri dhe piu; pastaj me forcën që i dha ai ushqim eci dyzet ditë dhe dyzet netë deri sa arriti në malin e Perëndisë, në Horeb.

Filipianëve 3:17-4:7

17 Bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shëmbullin që keni në ne.

18 Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit,

19 dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë.

20 Sepse qytetëria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht,

21 i cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t’i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat.

Prandaj, o vëllezër të dashur dhe fort të dëshiruar, gëzimi dhe kurora ime, qëndroni kështu në Zotin, o shumë të dashur.

Bëj thirrje Evodisë, bëj thirrje gjithashtu Sintikës, të jenë të një mendje në Zotin.

Të lutem edhe ty, shok i vërtetë, ndihmoji ato, që kanë luftuar me mua në ungjill, edhe me Klementin dhe me bashkëpunëtorët e mi të tjerë, emrat e të cilëve janë në librin e jetës.

Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!

Zemërbutësia juaj le të njihet nga të gjithë njerëzit; Zoti është afër.

Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim.

Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.

Mateu 3:13-17

13 Atëherë erdhi Jezusi nga Galileja në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij.

14 Por Gjoni e kundërshtoi fort duke i thënë: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?.”

15 Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur, u tha: “Lejo të bëhet për tani, sepse në këtë mënyrë përmbushim çdo drejtësi.” Atëherë ai e lejoi.

16 Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejt iu hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të;

17 dhe ja një zë nga qielli që tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.”