Book of Common Prayer
106 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?
3 Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.
4 Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,
5 me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.
6 Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.
7 Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq.
8 Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij.
9 I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë.
10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut.
11 Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre.
12 Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij.
13 Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij.
14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi.
15 Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre.
16 Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit,
17 toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit.
18 Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët.
19 Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë,
20 dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar.
21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt,
22 mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq.
23 Prandaj ai foli t’i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t’i shkatërronte.
24 Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij,
25 por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit.
26 Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t’i rrëzonte në shkretëtirë,
27 dhe se do t’i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t’i shpërndante në të gjitha vendet.
28 Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve.
29 E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja.
30 Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi.
31 Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë.
32 Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre,
33 sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij.
34 Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti;
35 por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre;
36 u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta;
37 ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre,
38 dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur.
39 Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre.
40 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij.
41 I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin.
42 Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre.
43 Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre.
44 Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre,
45 dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua.
46 Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri.
47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar.
48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.
11 Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos urre qortimin e tij,
12 sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen.
13 Lum ai njeri që ka gjetur diturinë dhe njeriu që ka përftuar arsyen.
14 Sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar.
15 Ajo është më e çmuar se perlat dhe mbarë gjërat më të këndshme nuk mund të barazohen me të.
16 Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj.
17 Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja.
18 Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje.
19 Me diturinë Zoti krijoi tokën dhe me zgjuarësinë i bëri të qëndrueshëm qiejtë.
20 Me diturinë e tij u hapën humnerat dhe retë japin vesë.
18 Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë.
19 Dhe nga kjo ne dimë se jemi në të vërtetën dhe do t’i bindim zemrat tona para atij;
20 sepse, po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë.
21 Shumë të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë;
22 dhe ç’të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyera prej tij.
23 Dhe ky është urdhërimi i tij që besojmë në emrin e Birit të tij Jezu Krisht dhe ta duam njeri-tjetrin si na urdhëroi ai.
24 Ai që zbaton urdhërimet e tij qëndron në Perëndinë, dhe Ai në të; dhe prej kësaj ne dijmë se ai qëndron në ne: nga Fryma që ai na dha.
4 Shumë të dashur, mos i besoni çdo frymë, por i vini në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë.
2 Nga kjo mund të njihni Frymën e Perëndisë: çdo frymë që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, është nga Perëndia.
3 Dhe çdo frymë që nuk rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, nuk është nga Perëndia; dhe kjo është fryma e antikrishtit që, siç e keni dëgjuar se vjen; dhe tashmë është në botë.
4 Ju jeni prej Perëndisë, o djem të rinj, dhe i keni mundur ata, sepse ai që është në ju është më i madh se ai që është në botë.
5 Ata janë nga bota; prandaj flasin për gjërat e botës dhe bota i dëgjon.
6 Ne jemi prej Perëndisë; kush njeh Perëndinë na dëgjon; kush nuk është prej Perëndisë nuk na dëgjon; nga kjo njohim Frymën e së vërtetës dhe frymën e gabimit.
17 Kur arriti Jezusi, pra, gjeti që Llazari ishte që prej katër ditësh në varr.
18 Por Betania ishte rreth pesëmbëdhjetë stade larg Jeruzalemit.
19 Dhe shumë Judenj kishin ardhur te Marta dhe te Maria për t’i ngushëlluar për vëllanë e tyre.
20 Marta, pra, si e mori vesh se po vinte Jezusi, i doli përpara; kurse Maria ishte ulur në shtëpi.
21 Marta i tha Jezusit: “Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur,
22 por edhe tani e di se të gjitha ato që ti i kërkon Perëndisë, Perëndia do të t’i japë.”
23 Jezusi i tha: “Yt vëlla do të ringjallet.”
24 Marta i tha: “E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit.”
25 Jezusi i tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.
26 Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?.”
27 Ajo i tha: “Po, Zot, unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhet të vinte në botë”
28 Dhe, si tha kështu, shkoi të thërrasë fshehtas Marinë, motrën e saj, duke thënë: “Mësuesi është këtu dhe po të thërret.”
29 Posa e dëgjoi, ajo u çua me nxitim dhe erdhi tek ai.