Book of Common Prayer
33 Ai i shndërroni lumenjtë në shkretëtirë dhe burimet e ujit në vende të thata;
34 tokën pjellore në vend të thatë për shkak të sjelljes së keqe të banorëve të saj.
35 Ai e shndërron shkretëtirën në liqen dhe tokën e thatë në burime uji.
36 Atje ai strehon të uriturit, dhe këta ndërtojnë një qytet për të banuar,
37 mbjellin arat dhe kultivojnë vreshta që prodhojnë një korrje të bollshme.
38 Ai i bekon dhe ata shumëzohen fort, dhe ai nuk e pakëson bagëtinë e tyre.
39 Por pastaj pakësohen në një numër të vogël dhe dobësohen për shkak të shtypjes, të fatkeqësisë dhe të ankthit.
40 Ai hedh përbuzjen mbi princat dhe i bën që të enden nëpër vende të shkreta, ku nuk ekziston asnjë rrugë.
41 Por e ngre nevojtarin nga varfëria dhe i shton familjet e tyre si një kope.
42 Njerëzit e drejtë e shohin këtë dhe kënaqen, por tërë njerëzit e këqij e mbajnë gojën të mbyllur.
43 Ai që është i urtë le t’i këqyrë këto gjëra dhe le të çmojë mirësinë e Zotit.
108 Zemra ime është e prirur për mirë, o Perëndi, unë do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e tua me gjithë forcën time.
2 Zgjohuni, o harpa dhe qeste, unë dua të zgjoj agimin.
3 Unë do të të kremtoj midis popujve, o Zot, dhe do të këndoj lëvdimet e tua midis kombeve.
4 Sepse mirësia jote është e madhe, arrin deri mbi qiejtë, dhe e vërteta jote deri te retë.
5 Qofsh i përlëvduar, o Perëndi, përmbi qiejtë dhe lavdia jote shkëlqeftë mbi gjithë tokën,
6 me qëllim që të dashurit e tu të çlirohen; shpëtomë me të djathtën tënde dhe përgjigjmu.
7 Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do ta ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit.
8 Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjvënësi im;
9 Moabi është legeni ku unë lahem; mbi Edomin do të hedh sandalen time, mbi Filisti do të dërgoj britma triumfi".
10 Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom?
11 A nuk je ti, o Perëndi, që na ke kthyer, dhe nuk del më, o Perëndi, me ushtritë tona?
12 Na ndihmo ti kundër kundërshtarëve, sepse ndihma e njeriut është e kotë.
13 Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe do të jetë ai që do t’i shtypë armiqtë tanë.
33 Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë.
2 Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela.
3 Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni.
4 Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi.
5 Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.
6 Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij.
7 Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare.
8 Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës.
9 Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai udhëroi dhe gjëja u shfaq.
10 Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjeson synimet e popujve.
11 Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez.
12 Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij.
13 Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve.
14 Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës.
15 Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre.
16 Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe.
17 Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku.
18 Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,
19 për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t’i mbajtur të gjallë në kohë urie.
20 Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.
21 Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë.
22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.
15 Por një ditë para arritjes së Saulit, Zoti e kishte lajmëruar Samuelin duke thënë:
16 "Nesër në këtë orë do të dërgoj një njeri nga vendi i Beniaminit, dhe ti do ta vajosësh si udhëheqës të popullit tim të Izraelit. Ai do ta shpëtojë popullin tim nga duart e Filistejve, sepse pashë mjerimin e popullit tim, sepse britmat e tij arritën deri tek unë".
17 Kur Samueli pa Saulin, Zoti i tha: "Ky është njeriu për të cilin të fola; ai do të mbretërojë mbi popullin tim".
18 Pastaj Sauli iu afrua Samuelit në mes të portës dhe i tha: "Tregomë të lutem, ku është shtëpia e shikuesit".
19 Samueli iu përgjegj Saulit dhe i tha: "Jam unë shikuesi. Ngjitu para meje në kodër; sot do të hani me mua. Nesër në mëngjes do të lë të shkosh dhe do të të tregoj tërë ato që ke në zemër.
20 Përsa u përket gomarëve të tu që të kanë humbur tri ditë më parë, mos u mërzit se i kanë gjetur. E kujt i drejtohet gjithë dëshira e Izraelit, veçse ty dhe tërë shtëpisë së atit tënd?".
21 Sauli, duke u përgjegjur, tha: "A nuk jam unë një Beniaminit, një nga fiset më të vogla të Izraelit? Dhe familja ime a nuk është, vallë më e vogla e gjithë familjeve të fisit të Beniaminit? Pse më flet, pra, në këtë mënyrë?".
22 Atëherë Samueli mori Saulin dhe shërbëtorin e tij, i futi në sallë dhe i uli në krye të tryezës të të ftuarve që ishin rreth tridhjetë e pesë veta.
23 Pastaj Samueli i tha gjellëbërësit: "Sill pjesën që të dhashë dhe për të cilën të thashë: "Vëre mënjanë"".
24 Gjellëbërësi mori atëherë kofshën dhe atë që i ngjitej asaj, dhe ia vuri përpara Saulit. Pastaj Samueli tha: "Ja, ajo që u mbajt rezervë, u vu mënjanë për ty; haje se është ruajtur apostafat për ty kur ftova popullin". Kështu atë ditë Sauli hëngri bashkë me Samuelin.
25 Pastaj zbritën nga vendi i lartë në qytet dhe Samueli foli me Saulin mbi taracë.
26 Të nesërmen u ngritën herët, në të gdhirë. Samueli e thirri Saulin në taracë, duke i thënë: "Çohu, dhe unë do të lë të shkosh". Sauli u ngrit dhe që të dy, ai dhe Samueli, dolën jashtë.
27 Kur zbritën në periferi të qytetit, Samueli i tha Saulit: "Thuaji shërbëtorit të kalojë para nesh dhe të shkojë përpara, por ti ndalu një çast, në mënyrë që të kem mundësi të të njoftoj fjalën e Perëndisë".
10 Atëherë Samueli mori një enë të vogël me vaj dhe e derdhi mbi kokën e tij; pastaj e puthi dhe tha: "A nuk të ka vajosur Zoti si kreu i trashëgimisë së tij?
30 Si kaluan dyzet vjet, engjëlli i Zotit iu shfaq në shkretëtirën e malit Sinai, në flakën e zjarrit të një ferrishteje.
31 Kur e pa, Moisiu mbeti i habitur nga sa shihte; dhe, kur po afrohej për të vërejtur, dëgjoi zërin e Zotit,
32 që thoshte: "Unë jam Perëndia e etërve të tu, Perëndia e Abrahamit, Perëndia e Isakut dhe Perëndia e Jakobit". Por Moisiu, që dridhej i tëri, nuk guxonte të shikonte.
33 Atëherë Perëndia i tha: "Hiqi sandalet nga këmbët e tua, sepse vendi ku ti po qëndron është tokë e shenjtë.
34 Unë e kam parë qartë pikëllimin e popullit tim në Egjipt dhe i dëgjova psherëtimat e tyre, dhe kam zbritur për t’i çliruar; tani, pra, eja, unë do të të dërgoj në Egjipt!".
35 Atë Moisiun që e kishin refuzuar, duke thënë: "Kush të vuri ty të parë dhe gjykatës?," po atë u dërgoi Perëndia si kryetar dhe çlirues me anë të engjëllit që i ishte shfaqur në ferrishte.
36 Ai i nxori jashtë, duke kryer shenja e mrekulli në vendin e Egjiptit, në Detin e Kuq dhe në shkretirë për dyzet vjet.
37 Ky është ai Moisi që u tha bijve të Izraelit: "Zoti, Perëndia juaj do të nxjerrë për ju, nga mesi i vëllezërve tuaj, një profet si mua. Dëgjojeni!".
38 Ky është ai që në kuvend, në shkretëtirë, ishte me engjëllin që i fliste mbi malin Sinai dhe me etërit tanë; dhe mori fjalët e jetës për të na e përçuar neve.
39 Etërit tanë nuk deshën t’i binden atij; madje e hodhën poshtë dhe me zemrat e tyre u kthyen nga Egjipti,
40 duke i thënë Aaronit: "Na bëj disa perëndi që të na prijnë, sepse nuk dimë ç’i ka ndodhur këtij Moisiu që na nxori nga vendi i Egjiptit".
41 Dhe në ato ditë ata bënë një viç, i ofruan flijim idhullit dhe u gëzuan me veprën e duarve të tyre.
42 Atëherë Perëndia u tërhoq dhe i la t’i shërbejnë ushtrisë së qiellit, ashtu siç është shkruar në librin e profetëve: "O shtëpi e Izraelit, a më keni kushtuar flijime dhe olokauste për dyzet vjet në shkretëtirë?
43 Apo më shumë mbartët çadrën e Molokut dhe yllin e perëndisë suaj Remfan, imaxhe që i bëtë vetë për t’i adhuruar; për këtë arsye unë do t’ju shpërngul përtej Babilonisë".
39 Pastaj Jezusi doli dhe shkoi si zakonisht në malin e Ullinjve, dhe edhe dishepujt e tij e ndiqnin.
40 Kur arriti në vend, u tha atyre: “Lutuni që të mos hyni në tundim.”
41 Dhe u largua prej tyre, aq sa mund të hidhet një gur, dhe ra në gjunj dhe lutej,
42 duke thënë: “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti.”
43 Atëherë iu shfaq një engjëll nga qie-lli për t’i dhënë forcë.
44 Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë.
45 Si u çua pastaj nga lutja, erdhi te dishepujt e vet dhe i gjeti që flinin nga trishtimi,
46 dhe u tha atyre: “Pse po flini? Çohuni dhe lutuni që të mos hyni në tundim.”
47 Ndërsa ai ende po fliste, ja një turmë; dhe ai që quhej Judë, një nga të dymbëdhjetët, i printe dhe iu afrua Jezusit për ta puthur.
48 Dhe Jezusi i tha: “Judë, ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?.”
49 Atëherë ata që ishin përreth tij, duke parë çfarë do të ndodhte, i thanë: “Zot, a t’u biem me shpatë?.”
50 Dhe një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë.
51 Por Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “Lëreni, mjaft kështu.” Dhe si e preku veshin e atij njeriu, e shëroi.