Book of Common Prayer
72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
2 dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.
3 Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.
4 Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.
5 Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.
6 Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.
7 Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.
8 Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.
9 Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.
10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.
11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.
12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.
13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.
14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.
15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.
16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.
17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.
18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.
19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.
20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.
73 Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua.
74 Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde.
75 Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.
76 Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd.
77 Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime.
78 U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua.
79 Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua.
80 Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.
81 Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde.
82 Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?".
83 Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua.
84 Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t’u vish hakut atyre që më ndjekin?
85 Mëndjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd.
86 Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë.
87 Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua.
88 Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.
89 Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë.
90 Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston.
91 Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.
92 Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim.
93 Nuk do t’i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën.
94 Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua.
95 Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua.
96 Pashë caqet e çdo gjëje të përsour, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak.
30 Kështu Moisiu, në veshët e të gjithë asamblesë së Izraelit, shqiptoi fjalët e këtij kantiku deri në fund.
32 "Dëgjoni, o qiej, dhe unë do të flas; dhe dëgjo, o tokë, fjalët e gojës sime.
2 Mësimi im do të zbresë si shiu, fjala ime do të pikojë si vesa, si shiu i imët mbi barin e njomë dhe si një rrebesh mbi drurët e vegjël,
3 sepse unë shpall emrin e Zotit. Lëvdoni Perëndinë tonë!
4 Ai është Shkëmbi, vepra e tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Éshtë një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë.
5 Por ata janë korruptuar; nuk janë bij të tij, për shkak të fajit të tyre, janë një brez i shtrëmbër dhe i degjeneruar.
6 Kështu doni ta shpërbleni Zotin, o popull i pamend dhe i marrë? A nuk është ai ati yt që të ka blerë? A nuk është ai që të ka bërë dhe të ka vendosur?
7 Kujto ditët e lashtësisë, ki parasysh vitet e shumë kohërave të shkuara, pyet atin tënd, dhe ai do të ta tregojë, pyet pleqtë e tu dhe ata do të ta thonë.
8 Kur Shumë i Larti u dha kombeve trashëgiminë e tyre, kur ndau bijtë e Adamit, ai përcaktoi kufijtë e popujve, në bazë të numrit të bijve të Izraelit.
9 Me qenë se pjesa e Zotit është populli i tij, Jakobi është pjesa e trashëgimisë së tij.
10 Ai e gjeti në një tokë të shkretë, në një vetmi të helmuar dhe të mjerë. Ai e rrethoi, u kujdes për të dhe e ruajti si bebja e syrit të tij.
11 Ashtu si një shqiponjë nxit zogjtë e saj, fluturon mbi të vegjëlit e saj, shtrin krahët e saj, i merr dhe i mbart mbi krahët e saj,
12 Zoti e drejtoi vetë, dhe asnjë perëndi e huaj nuk ishte me të.
13 Ai e bëri të ngasë me kalë mbi lartësitë e tokës, me qëllim që të hante prodhimin e fushave; e bëri të thithë mjaltin nga shkëmbi dhe vajin nga shkëmbi i strallit,
14 ajkën e lopëve dhe qumështin e deleve me gjithë yndyrën e qengjave, deshtë e Bashanit dhe cjeptë me majën e miellit të grurit; dhe ti ke pirë verën, gjakun e rrushit.
21 Flas për turpin tim, sikurse ne të ishim të dobët; megjithatë në çdo gjë që dikush guxon, po flas si i marrë, marr guxim edhe unë.
22 Janë ata Hebrenj? Jam edhe unë! Janë ata Izraelitë? Jam edhe unë! janë ata pasardhës të Abrahamit? Jam edhe unë.
23 Janë ata shërbëtorë të Krishtit? Po flas si i pamend, unë jam edhe më tepër si këta; në mundime më tepër, në goditje më tepër, në burgje më tepër dhe shpesh në rrezik për vdekje.
24 Nga Judenjtë mora pesë herë nga dyzetë kamxhike pa një.
25 Tri herë më rrahën me shkopinj, një herë më qëlluan me gurë, tri herë m’u mbyt anija në det, kalova një ditë e një natë në humnerë.
26 Në udhëtime të shpeshta në rreziqe lumenjsh, në rreziqe kusarësh, në rrezik nga ana e bashkëtdhetarëve, rreziqe nga ana johebrenjve, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det, rreziqe midis vëllezërve të rremë,
27 në lodhje e në mundim, në netët pa gjumë, në uri e në etje, shpesh herë në agjërime, në të ftohtë dhe në të zhveshur.
28 Përveç këtyre gjërave të jashtme, ajo që më mundon çdo ditë është kujdesja për të gjitha kishat.
29 Kush është i dobët, që të mos jem edhe unë? Kush është skandalizuar dhe unë të mos përvëlohem?
30 Në qoftë se duhet të mburrem, unë do të mburrem me ato që kanë të bëjnë me dobësinë time.
31 Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që është i bekuar përjetë, e di se unë nuk gënjej.
32 Në Damask, qeveritari i mbretit Areta e ruante qytetin e Damaskasve për të më zënë,
33 por nga një dritare më ulën përgjatë murit me një shportë, dhe shpëtova nga duart e tij.
11 Dhe, ndërsa ata po i dëgjonin këto, Jezusi vazhdoi të tregojë një shëmbëlltyrë, sepse ai ishte afër Jeruzalemit dhe ata mendonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej menjëherë.
12 Tha, pra: “Një njeri fisnik shkoi në një vend të largët për të marrë në dorëzim një mbretëri e pastaj të kthehej.
13 Dhe, si i thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mina dhe u tha atyre: "Tregtoni deri sa të kthehem".
14 Por qytetarët e vet e urrenin dhe i dërguan pas një përfaqësi duke thënë: "Nuk duam që ky të mbretërojë përmbi ne".
15 Dhe kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t’i thërresin ata shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë paratë për të marrë vesh sa kishte fituar secili duke tregtuar.
16 Atëherë doli i pari dhe tha: "Zot, mina jote dha dhjetë mina të tjera";
17 dhe ai tha: "Mirë, o shërbëtor i mirë, sepse ke qenë besnik në gjëra të vogëla, merr sundimin mbi dhjetë qytete".
18 Pastaj erdhi i dyti duke thënë: "Zot, mina jote dha edhe pesë mina";
19 dhe ai i tha edhe këtij: "Edhe ti ji sundimtar mbi pesë qytete".
20 Atëherë erdhi një tjetër i cili tha: "Zot, ja mina jote që e ruajta në një shami,
21 sepse kisha frikë nga ti, që je njeri i rreptë; ti merr atë që nuk ke vënë dhe korr atë që nuk ke mbjellë".
22 Dhe zoti i tij i tha: "Do të të gjykoj nga vetë fjalët e tua, o shërbëtor i keq; ti e dije se jam njeri i rreptë, që marr atë që nuk kam vënë dhe korr atë që nuk kam mbjellë;
23 përse nuk e vure paranë time në bankë që, kur të kthehem, ta marr bashkë me përqindje?".
24 Pastaj u tha të pranishmëve: "Merrjani minën dhe ia jepni atij që ka dhjetë mina".
25 Dhe ata i thanë: "Zot, po ai ka dhjetë mina".
26 Unë po ju them se atij që ka, do t’i jepet; por atij që s’ka do t’i hiqet edhe ajo që ka.
27 Veç kësaj, i sillni këtu armiqtë e mi, të cilët nuk donin që unë të mbretëroja mbi ta dhe i vritni përpara meje!".”