Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 37

37 Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi,

sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.

Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.

Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.

Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.

Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.

Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij.

Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen.

Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.

10 Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më.

11 Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.

12 I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij.

13 Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij.

14 Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre.

15 Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen.

16 Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve.

17 Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët.

18 Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë.

19 Ata nuk do të ngatërrohen në kohën e fatkeqësisë dhe në ditët e zisë do të ngopen.

20 Por të pabesët do të vdesin dhe armiqtë e Zotit do të konsumohen dhe do të bëhen tym si dhjami i qengjave.

21 I pabesi merr hua dhe nuk e kthen, por i drejti ka mëshirë dhe dhuron.

22 Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen.

23 Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij.

24 Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore.

25 Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.

26 Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim.

27 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme.

28 Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t’i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen.

29 Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.

30 Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi.

31 Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.

32 I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë.

33 Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet.

34 Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.

35 E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes,

36 por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më.

37 Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.

38 Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen.

39 Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.

40 Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.

Ligji i Përtërirë 4:32-40

32 Pyet gjithashtu kohërat e lashta, që kanë qenë para teje, nga dita që Perëndia krijoi njeriun në tokë, dhe pyet nga një anë e qiellit në tjetrën në se ka pasur ndonjë herë një gjë aq të madhe si kjo ose në se është dëgjuar një gjë e tillë si kjo.

33 A ka pasur vallë ndonjë popull që të ketë dëgjuar zërin e Perëndisë të flasë nga mesi i zjarrit, siç e dëgjove ti, dhe të ketë mbetur gjallë?

34 A ka pasur vallë ndonjë Perëndi që ka provuar të shkojë e të marrë për vete një komb në mes të një kombi tjetër me anë provash, shenjash, mrekullish dhe betejash, me dorë të fuqishme, me krahë të shtrirë dhe me ankthe të mëdha terrori, siç bëri për ju Zoti, Perëndia juaj, në Egjipt para syve tuaj?

35 Të tëra këto të janë treguar, në mënyrë që të pranosh se Zoti është Perëndi dhe që nuk ka asnjë tjetër veç tij.

36 Nga qielli bëri që të dëgjosh zërin e tij që të të mësojë; dhe mbi tokë të bëri të shikosh zjarrin e tij të madh dhe dëgjove fjalët e tij në mes të zjarrit.

37 Dhe nga që i deshi etërit e tu, ai zgjodhi pasardhësit e tyre dhe i nxori nga Egjipti në prani të tij, me anë të fuqisë së tij të madhe.

38 duke dëbuar para teje kombe më të mëdha dhe më të fuqishme se ti, me qëllim që ti të hyje dhe ta merrje si trashëgimi vendin e tyre.

39 Mëso, pra, sonte dhe mbaje në zemrën tënde që Zoti është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë, dhe se nuk ka asnjë tjetër.

40 Respekto pra statutet dhe urdhërimet e tij që unë po të jap sot, që të jetosh në begati ti dhe bijtë e tu mbas teje dhe të zgjatësh ditët e tua në vendin që Zoti, Perëndiai yt, po të jep për gjithnjë".

2 e Korintasve 3

A fillojmë përsëri të rekomandojmë veten tonë? Apo mos kemi nevojë, si disa, për letra rekomandimi për ju ose për rekomandime nga ana juaj?

Ju jeni letra jonë, e shkruar në zemrat tona, e njohur dhe e lexuar nga të gjithë njerëzit,

duke qenë manifestuar se jeni një letër e Krishtit, e hartuar me anë të shërbesës sonë, dhe e shkruar jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë, dhe jo mbi rrasa guri, por mbi rrasa të një zemre mishi.

Dhe këtë besim ne e kemi në Perëndinë me anë të Krishtit;

jo se jemi të aftë prej vetiu të kuptojmë ndonjë gjë sikur vjen nga vetja jonë, por aftësia jonë vjen nga Perëndia,

i cili na bëri të aftë të jemi shërbëtorë të besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Frymës, sepse shkronja vret, por Fryma jep jetë.

Dhe, në qoftë se shërbimi i vdekjes, që ishte gdhendur me shkronja mbi gurë, qe i lavdishëm aq sa bijtë e Izraelit nuk mund të vështronin me sy fytyrën e Moisiut, për shkak të lavdisë së pamjes së tij, që duhet të anullohej,

sa më i lavdishëm do të jetë shërbimi i Frymës?

Sepse, nëse shërbimi i dënimit qe rrethuar me lavdi, shumë më tepër do të teprojë në lavdi shërbimi i drejtësisë.

10 Sepse ç’ka është lavdëruar nuk është lavdëruar nga kjo pikëpamje, për shkak të asaj lavdie që e kapërcen çdo masë.

11 Sepse, në qoftë se ajo që duhet të anullohej u rrethua me lavdi, ajo që mbetet do të jetë shumë më e lavdishme.

12 Duke pasur, pra, një shpresë të tillë, flasim me shumë guxim,

13 dhe jo si Moisiu, i cili vinte një vel mbi fytyrën e vet, që bijtë e Izraelit të mos vështronin me sy fundin e asaj që duhej të anullohej.

14 Por mendjet e tyre u errën; sepse, në leximin e besëlidhjes së vjetër, po ky vel mbetet pa u hequr, sepse veli anullohet në Krishtin.

15 Por deri më sot, kur lexohet Moisiu, një vel mbetet mbi zemrat e tyre.

16 Por kur Izraeli të kthehet te Zoti, veli do të hiqet.

17 Sepse Zoti është Fryma, dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria.

18 Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit.

Luka 16:1-9

16 Tani ai u foli akoma dishepujve të vet: “Ishte një njeri i pasur që kishte një administrator; këtë e paditën se po ia shkapërderdhte pasurinë e tij.

Atëherë ai e thirri dhe i tha: "Ç’është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për ato që ke administruar, sepse ti nuk mund të jesh më administratori im".

Dhe administratori tha me vete: "Ç’do të bëj unë tani, që zotëria im po ma heq administrimin? Të gërmoj, s’e bëj dot, dhe të lyp, më vjen turp.

E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre kur të hiqem nga administrimi".

I thirri atëherë një nga një ata që i detyroheshin zotërisë së tij dhe i tha të parit: "Sa i detyrohesh zotërisë tim?".

Ai u përgjigj: "Njëqind bato vaj". Atëherë ai i tha: "Merre dëftesën tënde, ulu dhe shkruaj shpejt pesëdhjetë".

Pastaj i tha një tjetri: "Po ti sa i detyrohesh?". Ai u përgjigj: Njëqind kora grurëë". Atëherë ai i tha: "Merre dëftesën tënde dhe shkruaj tetëdhjetë".

Zotëria e lavdëroi administratorin e pandershëm, se kishte vepruar me mençuri, sepse bijtë e kësaj bote, në brezin e tyre, janë më të mençur se bijtë e dritës.

Unë, pra, po ju them: Bëjini miqtë me pasuri të padrejta sepse, kur këto do t’ju mungojnë, t’ju pranojnë në banesat e përjetshme.